Rreziku nga terrori, kriza e refugjatëve, presioni nga e djathta: Holanda mori nga 1 janari kryesimin e Këshillit të BE-së së raskapitur. Shumë shpejt Holanda me presidencën e radhës në BE do të përballet me një sprovë.
Pavarësisht problemeve mbetet edhe pak kohë për një buzëqeshje: Kryeministri holandez Rutte (në fotografi majtas) dhe presidenti i Komisionit të BE-së, Juncker gjatë kalimit të presidencës së radhës së BE-së Holandës nga 1 janari.
Eshtë hera e dymbëdhjetë që Holanda merr përsipër drejtimin gjashtëmujor të presidencës së këshillit të ministrave të 28 vendeve anëtare, por as që bëhet fjalë për rutinë në sfondin e gjendjes së unionit. Në kohët e kërcënimit nga terrori dhe të valës së refugjatëve duhet që BE-ja të mbahet e bashkuar, paralajmëroi qeveria holandeze në një dokument parimor që paraqiti lidhur me presidencën.
Mogherini: “Kryesim vendimtar”
Holanda, që pason Luksemburgun, ka detyra të vështira përpara, tërhoqi vëmendjen e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini në Hagë. Ky do të jetë “një kryesim vendimtar” në sfondin e problemeve të shumta të Europës. Edhe populizmi i djathtë në rritje në Europë dhe skepticizmi ndaj Europës e kërcënojnë unitetin mes 28 vendeve anëtare.
Referendumi i euroskeptikëve
Por veç të gjitha këtyre Holanda ka probleme edhe me presionin në politikën e vet të brendshme: Numri i skeptikëve ndaj Europës dhe i populistëve të djathtë është në rritje. Partia populiste e djathtë e Gerd Wilders kryeson në sondazhe. Kjo parti është për daljen nga BE-ja dhe për ndalimin e pranimit të refugjatëve. Gjithashtu me nismën e euroskeptikëve dhe populistëve të djathtë do të mbahet referendumi popullor lidhur me Marrëveshjen e Asocijimit të Ukrainës në BE dhe mundësisë së anëtarësimit të këtij vendi. Ndonëse qeveria e koalicionit me bazë të gjerë nën drejtimin e liberalit të djathtë, Mark Rutte nuk është e detyruar ndaj rezultatit të votimit, vëzhguesit mendojnë, se kryeministri e ka të vështirë ta shpërfillë këtë votë popullore një vit para zgjedhjeve parlamentare më 2018. Vlen tëtheksohet se më 2003 Franca dhe Holanda përmes referendumeve të jashtëzakonshme popullore penguan një kushtetutë të përbashkët të BE-së.