PROF.DR. GJERGJ SINANI
Si ta njohim veten tonë? Si mund ta kuptojmë unin tonë? Si mund të rregullojmë kaosin në unin tonë shoqëror? Këto janë pyetjet filozofike që shtron koha jonë. Në këtë «ethe historike», siç shprehej Niçja, që ka përfshirë diskursin tonë, filozofia e tij ka shumë se ç’të na mësojë.
Në fillim të shekullit të kaluar këtë çështje e kishte shtruar në mënyrë shumë të qartë Niçe kur kritikonte një lloj «ethe historike» që kishte përfshirë shoqërinë gjermane. Duke ndërtuar një parabolë nga atikiteti grek se si ata, domethënë Grekët antikë, u bënë të famshëm sepse ata filluan të mësojnë se si të organizojnë kaosin e tyre duke ju rikthyer vetvetes, në përputhje me mësimin delfik, duke i vënë veshin nevojave të tyre të vërteta dhe duke lënë mënjanë nevojat e tyre të kota. Sipas tij, kjo parabolë duhet të zbatohet te secili prej nesh. «Çdo individ, konkludon Niçe, duhet të organizojë kaosin e tij të brendshëm duke reflektuar për nevojat e tij të vërteta. Do të duhet fare mirë një ditë që ndershmëria e tij, karakteri i tij i fortë dhe i vërtetë të refuzojnë gjithmonë së ripërsërituri së mësuari, së imituari ; atëheherë ai do të fillojë që të kuptojë se qytetërimi mund të jetë diçka tjetër se dekoracion i jetës, domethënë një mënyrë për ta ndryshuar dhe deformuar atë; në fakt, çdo stoli fsheh objektin e stolisur»1. Duke u nisur nga një tipologji e Niçes për historinë do të përpiqem që trajtoj disa çështje që shtron koha jonë tranzicionale në lidhje më diskursin mbi historinë, me qëllimin që ky diskutim t’i shërbejë vetnjohjes sonë.
Aktualisht, ne na ka përfshirë një «ethe historike». Ka shumë diskutime historike, kujtime, vlerësime, të cilat janë rezultat i lirisë, por mund të vihen re edhe abuzime me këtë liri. Gjithsesi, në këtë «ethe historike» nuk ka ndonjë gjë të keqe, sepse këto do të përbëjnë një ngacmim dhe lëndë të parë për historianët, të cilët meritojnë të respektohen për punën e tyre të shkëlqyer. Në këtë «ethe historike» vihen re shumë gjykime aksiologjike, vlerësuese, të cilat kërkojnë të japin verdiktin përfundimtar se kush ka qenë tradhëtar dhe kush ka qenë hero. Shihen përpjekje për të mos përmendur personazhe dhe ngjarje, të cilat kanë përbërë pjesë të errëta të historisë sonë, a thua se historia jonë është si një pallto që mund ta flakim, në qoftë se nuk na pëlqen, me shpresën se do ta veshë dikush tjetër. Jo, historia me të mirat dhe të këqijat e saj mbetet historia jonë dhe nuk mund ta veshë dikush tjetër. Këto gjëra mund të përdoren si pamflete politike, por jo si histori në kuptimin e vërtetë të fjalës. Historia duhet të shërbejë si njohje e vetes sonë, në kuptimin se në qoftë se duhet të kuptojmë se çfarë njerëzish jemi, duhet më parë të kuptojmë se çfarë njerëzish kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si kemi menduar në të kaluarën. Pra, na duhet një histori që t’i shërbejë jetës sonë dhe jo një grupi të caktuar.
Por, siç shprehej Niçe, për të ditur se deri në çfarë pike kemi nevojë për shërbimet e historisë, kjo është një nga çështjet dhe shqetësimet më të mëdha që lidhen me shëndetin e një individi, të një populli, të një qytetërimi, çështje që mbetet ende në diskutim në mendimin filozofik mbi historinë. Megjithatë, Niçja na jep një këshillë, që mendoj se i përshtatet kohës sonë. Ndoshta koha jonë i ngjan asaj të Niçes se edhe Gjermania në atë periudhë ishte përfshirë nga një «ethe historike». Ai na thotë se shumë histori mund të trondisë dhe të bëjë që të degjenerojë jeta dhe, përgjithësisht ky degjenerim përfundon me vënien në rrezik të vetë historisë. Por, në qoftë se ekceset e njohjes historike e dëmtojnë qenien e gjallë, është e domosdoshme që të kuptohet se edhe vetë jeta ka nevojë për historinë, sidomos atëherë «kur epoka jonë është aq e mjerë, siç shprehej Gëtja, sa poeti nuk mund të gjejë më në anturazhin e tij karaktere njerëzore, për të cilët ka nevojë për veprën e tij»2. Në këtë perspektivë të Niçes, njeriu e shikon historinë në tre raporte : në masën ku ai vepron dhe ndjek një qëllim, në masën ku ai ruan dhe adhuron atë që ka qenë dhe në masën ku ai vuan dhe ka nevojë të çlirohet. Këtyre tre raporteve i përgjigjen edhe tre lloje të historisë, historia monumentale, tradicionaliste dhe historia kritike.
Në rastin e historisë monumentale zgjidhen pjesë të caktuara të historisë dhe pjesë të tjera harrohen dhe përbuzen dhe ata pak personalitete që përmenden, ata paraqiten me tipare te mrekullueshme dhe artificiale. Kjo histori, sipas Niçes, mashtron përmes analogjive, entuziastin e shndërron në fanatik dhe e përdorin njerëz që kanë nevojë për impulsione të forta. Më e keqja është se kur kjo histori bie në koka egoiste dhe keqbërës të egzaltuar, atëherë mbretëritë do shkatërrohen, princat do të vriten, do të shpërthejnë luftëra dhe revolucione. Historia monumentale përdoret për të fshehur «urrejtjen e tyre të mëdhenjtë dhe të fuqishmit e të tashmes» dhe mund ta përdorin në mënyrë malinje «politikanët e birrarive».
Për historinë interesohet edhe ai që ka shijen e konservimit dhe të adhurimit, ai që kthehet me dashuri dhe besnikëri ndaj botës nga vjen dhe ku është formuar. Historia e qytetit të tij, bëhet histori e tija. Aty ai gjen forcën, kënaqësinë dhe gjykimin e tij. Kështu, formësohet një ndërgjegje e «ne». Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Kur ne sot shikojmë se si trashëgimia jonë historike rrënohet për hir të përfitimit ekonomik, duhet të reagojmë fuqishëm. Rreziku në këtë lloj historie, sipas Niçes, qëndron në atë se çdo gjë e vjetër dhe e kaluar, për aq kohë sa mbetet në fushën e vizionit, përfundon në një lloj «perde uniforme adhurimi». Kjo lloj historie degjeneron në qoftë se nuk gjallërohet nga një «fllad gjallërues i të tashmes» dhe ulet në nivelin e një kurioziteti të pangopur, ose në një «pasion universal për gjithçka që është e lashtë». Por, «edhe vetë historia tradicionaliste degjenron në çastin kur ajo nuk gjallërohet dhe nuk shpuriset nga flladi i gjallë i së tashmes»3.
Por, njeriu, për Niçen, përveç historisë monumentale dhe tradicionale, ka nevojë ta shikojë historinë edhe sipas një mënyre të tretë, mënyrën kritike, sigurisht edhe kjo në shërbim të jetës. Siç thotë ai, tani historia duhet vënë nën drejtësinë, jo në kuptimin se drejtësia do të japë verdiktin e saj. Këtë duhet të bëjë vetë jeta. Kjo është një punë shumë e vështirë, pasi duhet shumë forcë për të jetuar dhe harruar «se të jetuarit dhe të qenit i padrejtë përbëjnë një», pasi jeta që nuk bazohet te burimi i dijes mund të tregohet e padrejtë ndaj historisë. Kjo është arsyeja që Kroçe shkruante se çdo gjeneratë e rishkruan historinë e vet, pasi dija historike vjen duke u zgjeruar. Prandaj edhe vetë dija historike bën pjesë në histori. Kështu, thirrjet për të rishkruar historinë i realizon vetë jeta e lirë dhe nuk ka nevojë të lëshohen thirrje patetike për rishkrimin e historisë. «Kritika, shkruante Renani në parathënien për veprën «Jeta e Jezusit», nuk njeh tekste të padështueshme; parimi i saj i parë është që të pranojë në tekstin që studjon mundësinë e një gabimi»4.
Kështu, duke ju rikthyer Niçes, të tilla janë shërbimet që historia mund t’i bëjë jetës, pasi çdo njeri, çdo popull ka nevojë, sipas qëllimeve, forcave dhe mangësive, të zotërojë një farë njohjeje për të kaluarën, herë në formën e historisë monumentale, herë nën formën e historisë tradicionale dhe herë në formën e historisë kritike. Të gjitha këto duhet të na shërbejnë për të kuptuar pse dhe si-në e ekzistencës sonë të tashme.
Se në cilën tipologji ndodhemi ne, kjo kërkon një analizë të thelluar, e cila nuk mund të bëhet pa iu drejtuar filozofisë, sado që të mos u pëlqejë njerëzve në këtë kohë merkantiliste. Përveç kësaj, duhet edhe një forcë personaliteti, me qëllim, siç shprehet Niçe, që të «rivendoset ky unitet superior në natyrën dhe shpirtin e një populli, që kjo çarje ndërmjet brendësisë dhe jashtësisë duhet të riparohet nën goditjet e çekiçit të domosdoshmërisë»5. E thënë me fjalë të thjeshta, për të riorganizuar kaosin tonë shpirtëror, në kemi nevojë për të vërteta, qofshin ato të hidhura, pasi edhe stomaku po të ushqehet vetëm me gjëra të ëmbla mund të prishet, prandaj ka nevojë edhe për gjëra që djegin dhe përvëlojnë.
Duke ndjekur analizën e Niçes, le të shikojmë edhe arsyet se si ekceset e historisë e dëmtojnë jetën. Jeta dëmtohet kur teprimi me historinë krijon kundërvënien ndërmjet brendësisë dhe jashtësisë dhe kështu dobëson personalitetin, kur përpiqet që të bindë se një epokë, që zotëron virtytin më të rrallë, drejtësinë, e ka në një shkallë më të lartë se epokat e tjera, kur çrregullon instiktet e një populli dhe pengon maturimin e individëve si dhe atë të komunitetit, kur përhap besimin, që është gjithmonë i dëmshëm, në plakjen e njerëzimit, besimin se edhe t’i vetë je një epigon i ardhur më vonë, kur angazhon një epokë në aderimin me një qëndrim të rrezikshëm ironik përballë vetvetes dhe, prej këtej, në një qëndrim akoma më të rrezikshëm të cinizmit. Në qoftë se një qëndrim i tillë vjen duke evoluar drejt një shkathtësie praktike që i shërben qëllimeve egoiste, atëherë të gjitha forcat vitale të një shoqërie paralizohen dhe së fundi, shkatërrohen.
A kanë një rezonancë aktuale këto konstatime të Niçes? Le të fillojmë me çështjen e personalitetit. Vetë ai na thotë se «njeriu modern vuan nga një dobësim të personalitetit të tij». Ky ishte një paralajmërim i Niçes, që shumë drejtime filozofike e kanë trajtuar këtë bjerrje të personalitetit të individit edhe në shoqëritë demokratike. Mjafton të kujtojmë analizat e Tokëvilit për rreziqet e demokracisë, apo analizat e filozofive ekzistenciale, apo edhe analizat frojdiste. Kjo çështje bëhet më e mprehtë për shoqëritë që dalin nga totalitarizmi, siç është shoqëria jonë. Në shoqëritë totalitare nuk ekziston kurajua për të qenë vetvetja, por ekziston kurajua për të qenë pjesë, siç e ka treguar shumë mirë Poul Tillich, në veprën «Kurajua për të qenë».
Nga ana tjetër, mos-harmonizimi i brendësisë dhe jashtësisë, bën që njerëzit të «transformohen në hije dhe abstraksione: askush nuk guxon më që të jetë vetvetja, secili fshihet pas një maske të njeriut të kultivuar, dijetarit, poetit, politikanit»6. Shikoni kanalet e shumta televizive ku parakalojnë këto karaktere dhe mund të llogarisni pasojat e një gjenjdje të tillë. Për më tepër, kur shoqëria ndodhet në një dekompozim moral dhe material, këto fenomene janë edhe më të forta dhe e dëmtojnë akoma më shumë jetën. Në aspektin ekonomik duhet theksuar se marrëdhëniet ekonomike dhe sociale të shoqërisë së socializmit real, ka bërë që për disa gjenerata të harrohet vlerat dhe parimet qytetare që janë aq të lidhura me sigurinë e të mirave private, pronën private dhe tregun. Për shkak të karakterit impersonal edhe vetë prona socialiste, qoftë etatike ose kolektive, i ka ndryshuar marrëdhëniet e punës dhe ka bërë që të humbasë sensi i përgjegjësisë.
Në një plan më të përgjithshëm kjo humbje e sensit të përgjegjësisë shprehet në prirjen për të kërkuar për çdo gjë administartorë të huaj.
Mirëpo, njeriu autentikisht dhe thelësisht serioz, nuk mund të transformohet në Don Kishot, thotë Niçja, por ai duhet t’i shpallë luftë këtyre realiteteve të pretenduara. U ndala gjatë në këtë çështje, për të kuptuar se koha jonë ka nevojë për karaktere dhe jo për karaktere të qullët dhe të flashkët, ose për «epigonë», apo për një «racë eunukësh» që hiqen sikur zotërojnë të vërtetën objektive, siç do të shprehej Niçe.
Pikëpamja e dytë ka të bëjë me diskutimin rreth vitytit të drejtësisë, se cila epokë e ka më shumë apo më mirë në raport me një epokë tjetër. Shikoni diskutimet që kanë filluar që me rënien e komunizmit rreth disa periudhave që qëndrojnë afër kohës sonë. Diksutimi përmblidhet në vlerësime aksiologjike se cila kohë ka qenë më e mirë dhe më e drejtë, ajo e Zogut apo ajo e Enverit, ajo e atij apo ajo e këtij. Njerëzit, sidomos gjeneratat e reja, duhet të kuptojnë se si një lumturi barazimtare përfundoi në një arkaizëm social, se si rishfaqet kujtesa dhe si duhet kuptuar ajo, pse dhe si shfaqen demonët e së kaluarës, se si lindi ky projekt për të organizuar përmes mendimit shoqëritë racionale dhe nga i kishte burimet; se si individi u zhvlerësua dhe u zëvendësua nga një seri abstraksionesh, si klasa sociale, Historia, shoqëria, se si individi përcaktohej përmes klasës së cilës i përket. Gjeneratave të reja u duhet të kuptojnë çfarë pasojash politike dhe humane ka një shoqëri kur e zbret individin në rangun e një sendi. Ne duhet të njohim virtytet e vërteta nga ato të «kortezhit të virtyteve të rreme që gjithmonë ka qenë i rrethuar nga pompa dhe ndere».
Për sa i takon manipulimit me pasionet e njerëzve, ky është tipi më i keq i historisë. Në qoftë se do t’i kthehemi rajonit tonë ballkanit ne konstatojmë dy lloj manipulimesh ; manipulimet me «instiktet demokratike të turmës», sipas shprehjes së Tokëvilit, si dhe manipulimi me instiktet nacionaliste të njerëzve. Manipulimi përmes këtyre dy tipeve i rrit shanset që sharlatanët politikë të jenë të pëlqyeshëm për turmat, ndërsa miqtë e vërtetë të popullit të dështojnë. Kjo e pengon maturimin e individit dhe popullit dhe shpie në prirjen aq të dëmshme për demokracinë që njerëzit të shkasin drejt apatisë dhe cinizmit dhe të mendojnë se tani kanë mbritur në «qetësinë historike» dhe nuk kanë nevojë të luftojnë për lirinë. Ne vërtet jemi në kohën e demokracisë, por veçse kjo kohë është veçse në fillimet e saj dhe mjaft e kërcënuar. Ne duhet të kuptojmë se demokracia është një formulë që nuk e ka arritur përsosmërinë, që me vështirësi konceptohet dhe kuptohet. Liria dhe demokracia mësohen. Prandaj, demokracia ka nevojë për qytetarë që nuk bien viktimë e manipulimit të pasioneve. Kështu ata nuk do të marrin mitralozët, por duhet t’i drejtohen shpirtit kritik.
Regjimet komuniste deshën të vrisnin natyrën njerëzore duke menduar se do ta racionalizonin plotësisht dhe dështuan. Në qoftë se në vendet perëndimore bëhet një diskutim rreth fundit të historisë, nën ndikimin e librit të Fukujamës, unë mendoj se ne jemi përballë një fillimi të ri, fillim që konsiston edhe në reformimin e mënyrës sonë të të menduarit, e diskutimit të ideve dhe projekteve, të braktisim një seri stereotipesh dhe paragjykimesh që nuk na lejojnë që të kuptojmë njeri tjetrin. Në çdo fushë duhet menduar se ka një fillim të ri, përfshirë dhe atë të mendimit.
Përballë dështimit të madh komunist, pyetja që shtrohet është; cili është regjimi tjetër i mundshëm? «Ekonomia liberale», «ekonomia e tregut», «liria e ndërmarrjes» na thuhet, domethënë kapitalizmi, kjo është zgjidhja. Problemi ështe se kjo liri ndërmarrjeje mbështetet mbi disa vlera që luftoheshin nga komunizmi dhe pikërisht në vlerat e inisiativës individuale, lirisë, shpikjes, imagjinatës, krijimit dhe të gjitha këto vlera ishin stigmatizuar dhe shkatërruar përmes ndërhyrjes së atyre abstraksioneve që përmendëm më lart, të cilat e kishin shuar jetën reale. Për më tepër, si mund të krijohet një ekonomi tregu pa shtetin e së drejtës? Si mund të krijohet një shtet i së drejtës pa iu referuar shoqërisë civile, pa i krijuar institucionet mbi një kontekst social? Si mund të imagjinohet një ekonomi tregu, pa aktorë ekonomikë dhe socialë autonomë? Këto kushte janë të pandashme, në kuptimin se demokracia i krijon vetë kushtet e ekzistencës. Këtu qëndron edhe vështirësia, që shpesh edhe aktorët ndërkombëtarë nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht. Mënyra se si ne, por edhe në vendet e tjera të Europës Lindore, e jetojmë problemin e kohës dhe të historisë në periudhën aktuale jo vetëm në kuptimin se ne provojmë mundësinë të ribëhemi subjekt të historisë, por se përmes problemeve që ne ndeshim në jetën e përditshme, ne duhet njëkohësisht të marrim parasysh një hendek ndërmjet mundësisë së një ndryshimi politik jashtzakonisht të shpejtë (përmbysja e regjimit komunist, përgatitja e zgjedhjeve të lira, përgatitja e kuadrit kushtetues dhe ligjor), dhe detyrës së madhe të ndërtimit të një shoqërie civile (që shpesh identifikohet thjesht me OJQ), krijimin e një ekonomie të tregut të lirë, që janë detyra që nuk realizohen dot menjëherë.
Kështu, në këtë fazë tranzitore dhe delikate, që fatkeqësisht po na del shumë e gjatë, problemi që shtrohet është ky; si të bëhet lidhja e këtyre çështjeve? Sigurisht, kjo detyrë kërkon edhe sakrifica të konsiderueshme dhe këto sakrifica janë të pranueshme kur realizohet edhe çmimi politik, kur kjo lidhje është e dukshme. Nga ana tjetër, liria e rifituar shoqërohet edhe me më pak siguri. Në këtë transformim të thellë, kur liria konsiderohet si një fitore e arritur (liria e shprehjes, liria e organizimit në parti politike, liria e shoqatave), sapo kjo fitore sigurohet dhe kur këtë analizë e shkëpusim nga transfromimi ekonomik dhe social, pikërisht tani shfaqen vështirësitë. Tani problemi vendoset në raport me kohën.
Gjithashtu, problemi tjetër që ne ndeshim është fakti se historia është bërë një lojë politike. Ashtu si çdo individ, edhe çdo popull ka nevojë të «shikohet në pasqyrë», sidomos në periudhat kur fillon një kohë e re, siç është kjo jona tani pas rrëzimit tëregjimit totalitar komunist. Kështu lindin pyetje të tilla si: Kur filloi kjo tragjedi? Kush është përgjegjës për këtë? Sigurisht, nga pikëpamja politike, përgjigjja është e vështirë. A filloi kjo më 8 Nëntor kur u themelua Partia komuniste, apo më 29 Nëntor kur komunistët erdhën në pushtet? Apo filloi në Konferencën e Jaltës kur u bë ndarja e botës ndërmjet të mëdhenjve të kohës? Apo kjo e keqe e ka burimin me pushtimin otoman? Tek e fundit, deri ku duhet të shtyhemi për ta gjetur burimin e të keqes? Tani ne vërejmë se këto çështje, që janë haptazi historike, janë bërë haptazi politike dhe po vihen gjithnjë e më shumë në qendër të debatit, debat që shpesh nuk bëhet ndërmjet historianëve, por ndërmjet politikanëve të transformuar në historianë që zotërojnë të vërtetën «objektive» dhe shpesh marrin rolin e shpëtimtarëve nga e keqja. Kemi një tërësi pyetjesh mbi shkaqet, prej nga rrjedhin edhe një larmi përgjigjesh. Sigurish, ka përgjigje të «lehta» që nisen nga historia gjysëm shekullare të komunizmit, ku përfshihet edhe periudha e Luftës II Botërore, etj. Po në qoftë se kërkohet të depërtohet më thellë në shoqëri, për të gjetuar se cilat ishin arsyet e vërteta që e lejuan këtë sistem që të funksiononte dhe, tek e fundit për të shtruar pyetjen se si mund të realizohet një ekzistencë stabël nga krizat, represioni…, përgjigjet e mësipërme nuk janë të kënaqshme. Kur përpiqemi që të kërkojmë arsye më të thella, atëherë nuk mund të shmangen edhe disa çështje historike delikate dhe, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë, atëherë vjen edhe problemi i ndëshkimeve. Pra, çështja është, a duhet të merremi me larjen e hesapeve, apo me njohjen e të kaluarës sonë? A duhet të vazhdojmë me idolatrinë e të kaluarës dhe idolatrinë e të tashmes, kur e tashmja nuk është ende e sigurtë me fenomenet që ne i shikojmë përditë që nuk përputhen me një shoqëri të vërtetë demokratike, apo si të ndërtojmë shtetin e të drejtës? Këto duhet të jenë pyetjet që duhen shtruar, në qoftë se duam të kuptojmë sa më mirë veten tonë.
Me fjalë të tjera, në shkrimin e historisë ne duhet të udhëhiqemi nga një parim metodik, të cilin Diltei e shpreh me një formulë shumë të thjeshtë. Detyra e shkencave humane dhe, në këtë kuadër edhe të historisë, është që të kuptojë dhe jo thjesht të shpjegojë. Pra, ne kemi nevojë që ta kuptojmë të kaluarën, me qëllim që të kuptojmë më mirë veten tonë. Ne kemi nevojë që të kuptojmë se cilat kanë qenë qëllimet e veprimit të aktorëve historikë dhe a ishte kjo zgjidhja më e mirë për kohën. Brezat që vijnë më pas, të cilët janë më të informuar, e kanë kollaj të bëjnë gjykime vlerësuese për veprimin e paraardhësve, por ne na intereson të dimë qëllimet dhe motivet e këtyre aktorëve historikë dhe zgjidhjet që ata bënë a ishin zgjidhjet më të mira për kohën? Pra, historiani i vërtetë përpiqet ta jetojë mendimin e kaluar në mendjen e tij.
Që ta bëjë këtë historiani ka nevojë për filozofinë, për këtë «perëndeshë të ndershme dhe lakuriqe», siç shprehet Niçe për filozofinë. E di se duke thënë këtë mund të ndesh me kundërshtimin e njerëzve, që të lodhur nga ideologjia komuniste që paraqitej si filozofi, madje si filozofi shkencore, këta njerëz të lodhur me luftën e përditshme për ekzistencë do të më përgjigjen se nuk kemi nevojë për filozofinë. Në fakt nuk është dhe nuk duhet të jetë kështu.
Kroçe kur trajtonte lidhjen ndërmjet filozofisë dhe historisë, e shikonte këtë lidhje në faktin se historia bazohet në dy shtylla, dëshminë dhe intepretimin. Interpretimi përbënte një gjykim që përmbante një subjekt dhe një predikat dhe predikati është një koncept që e ka përpunuar filozofia. Kroçe e shikonte këtë unitet te filozofia e Hegelit, te i cili ky unitet shikohej më shumë si një dublim i procesit të filozofisë, të menduar për herë të parë në ide dhe më pas si një verifikim në realizimin historik, ku kategoritë e përjetshme temporalizohen dhe rrjedhin si epoka kronologjike, ku secila përshtatet me një epokë të përcaktuar. E thënë me fjalë më të thjeshta, ne jemi marrë më shumë me veprimet tona historike, por pak i kemi kushtuar vëmendje mendimeve që kanë qenë në themel të këtyre veprimeve. Dikur Hegeli thoshte se gjithçka që ndodh në histori ndodh ngë vullneti i njeriut, sepse procesi historik konsiston në veprimet e njerëzve dhe vullneti i njeriut nuk është gjë tjetër veçse mendimi i njeriut që e shpreh veten se jashtmi në një veprim. Në qoftë se mendimi njerëzor i mëparshëm na duket i paarsyeshëm, Hegeli na thotë se kjo është një gabim, që nuk kupton situatën historike kur është krijuar ky mendim. Sipas tij, të menduarit nuk bëhet kurrë në vakum, por bëhet nga persona të caktuar në një situatë të përcaktuar dhe çdo karakter historik, në çdo situatë historike, mendon dhe vepron racionalisht, në përputhje me këtë situatë. Prandaj dhe teza e tij themelore ishte se çdo gjë reale është e arsyeshme dhe çdo gjë e arsyeshme është reale. Gjatë periudhës totalitare komuniste, kjo tezë interpretohej, në përputhje me ideologjinë e kohës, si përpjekje e Hegelit për të justifikuar pushtetin në fuqi. Në fakt nuk është kështu. Në një regjim despotik apo totalitar, ngjarjet historike shihen në perspektivën e pushtetit ose, më saktë, në perpsektivën e justifikimit dhe glorifikimit të pushtetit të ditës, të princit, fyhrerit, apo sekretarit të parë. Dhe kështu ndodhte që disa ngjarje dhe mendime, që nuk i pëlqejnë pushtetit, të paraqiten si jo të arsyeshme dhe të këqia, dhe ato që i shkojnë për shtat pushtetit si të arsyeshme dhe të mira. Kështu, ndodhte që periudha të tëra të liheshin në harresë, në favor të periudhave të pëlqyeshme, ose vlerësimi ideologjik të zëvendësonte njohjen e vërtetë. Ngjarjet dhe personazhet e të kaluarës janë reale dhe ne duhet të dimë se cilat ishin arsyet që i sollën këto ngjarje dhe personazhe, qofshin këto ngjarje të pakëndshme dhe personazhe negative, madje që kanë lënë pasoja të kobshme për historinë tonë. Vetëm kështu ne do t’i shërbejmë jetës së tashme dhe vetnjohjes sonë, me qëllim që të mos ripërsërisim gabimet që kemi bërë në të kaluarën.
Për më tepër, në qoftë se historia është historia e njerëzimit drejt lirisë, shprehje që na vjen që nga Hegeli, dhe se veprimet janë forma e jashtme e moralit, atëherë si do ta kuptojmë moralin në veprimin historik? Kjo është edhe një pyetje tjetër, pasi te ne nuk mendohet thellë se edhe demokracia ka nevojë për moralizim. Nuk do të thotë se po bëmë një kushtetutë të mirë dhe po realizuam zgjedhje të lira kalohet automatikisht drejt demokracisë. Demokracia është një përpjekje e përditshme, sepse, siç thoshin grekët e lashtë, krahas Qytetit, «polis», ekziston edhe «polemos» (konflikti). Ndoshta, Kroçe ka të drejtë kur shkruan se «Moraliteti nuk është gjë tjetër veçse lufta kundër të keqes; se në qoftë se e keqja nuk do të ekzistonte, atëherë morali nuk do të kishte vend. E keqja është rreziku i vazhdueshëm i unitetit të jetës dhe me këtë edhe të lirisë shpirtërore ; pasi e mira është rivendosja dhe sigurimi i vazhdueshëm i unitetit, dhe për këtë edhe të lirisë»7.
Nisur nga këto konsiderata filozofike, pyetja që del është se ku qëndron e keqja në historinë tonë në rrugën drejt realizimit të lirisë. Tashmë që çështja e lirisë, dhe këtu fjala është për lirinë shoqërore, ka dalë në plan të parë pyetja se, a mund të na ndihmojë historia për të organizuar lirinë dhe të bëhemi pjesë dinjitoze e komunitetit vleror që quhet Europë? Nga ana tjetër, nisur nga përvoja historike ballkanike, a mund ta ndihmojë Europën historia për ta angazhuar këtë rajon në rrugën e lirisë? Si mund të bëhemi pjesë e një uniteti europian të bazuar mbi vlera themelore të përbashkëta dhe respektin për pasurinë tonë të përbashkët dhe larminë kulturore? Kjo mund të arrihet përmes një dialogu ndërmjet kulturave dhe kjo realizohet dhe ushqehet edhe përmes një kuptimi të saktë të historisë të udhëhequr nga motoja e shpallur nga Këshilli i Europës, «Të jetojmë së bashku në dinjitet të barabartë».
Për më tepër, një histori që t’i shërbejë jetës nuk mund të shkruhet duke u bazuar në një ideologji të caktuar, pasi qëllimi i vërtetë i një historie të tillë nuk është që të zbulojë të vërtetën rreth të kaluarës, por të shprehë ndjenjat e autorit kundrejt saj. Një histori të tillë Kroçe e quante histori partizane. Nuk ka nevojë të provohet një gjë e tillë. Hapni faqet e gazetave dhe do të shikoni shumë shkrime ku shprehen simpatitë dhe antipatitë e autorëve për ngjarjet dhe personazhet historike, por jo përpjekje serioze për kuptimin e qenies sonë..
Si përfundim, do të theksoja një ide gjeniale të filozofit të shquar gjerman Haideger, i cili do të theksonte që ne të mos e trajtojmë historinë si një koleksion të thjeshtë antikitetesh. “Para së gjithash ne duhet të kuptojmë se historia nuk qëndron pas nesh si një objekt, por më shumë në kuptimin se jemi ne vetë historia dhe se, për pasojë, jeni ne përgjegjës për mënyrën se si e trajtojmë atë – dhe vetëm atëherë debati ynë me të kaluarën historike, domethënë me vetë neve, mund të bëhet me të vërtetë një çështje djegëse”8. Përfundim mjaft i vërtetë dhe aktual edhe për kohën tonë ku, në qoftë se do të përdorim gjuhën e Haidegerit, banalitetet na e kanë fshehur zbulimin e qenies së të qenurit tonë ose, e thënë ndryshe, thelbin e qenies sonë.
1 Friedrich Nietzsche, Considération inactuelles I et II, Folio Gallimard, Paris, 1990, f. 129.
2 Friedrich Nietzsche, vep. e cituar, f. 103.
3 Friedrich Nietzsche, vep. e cituar, f. 112.
4 Renan, Vie de Jézus, Gallimard, 1974, f. 35.
5 Friedrich Nietzsche, vep. e cituar, f. 121.
6 Friedrich Nietzsche, vep. e cituar, f. 123.
7 Benedetto croce, Filosofia, poesia, storia; vep. e cituar, f. 518.
8 Martin Heidegger, Dassein et étre-vrai selon Aristote, Philosophie, 97, 2008, f. 7-8.