A do të hapen negociatat për anëtarësimin në 2016?

0

Çfarë thotë progres raporti për Shqipërinë?

Raporti mbi Shqipërinë është pjesë e pakëtës së zgjerimit të vitit 2015, i miratuar nga Komisioni Europian. Komisioni Europian arriti në përfundimin se Shqipëria ka arritur progres të qëndrueshëm përsa i përket kritereve politike, duke vazhduar të implementojë dhe të konsolidojë reformat për shtetin ligjor. Në reformën e administratës publike, Shqipëria ka miratuar një legjislacion dhe strategji gjithëpërfshirëse reformash me rëndësi të veçantë. Për të hapur negociatat e hyrjes në BE, Shqipërisë do t’i duhet të implementojë reforma në të gjitha fushat kryesore të prioritizuara, veçanërisht, duke finalizuar reformën e plotë të sistemit gjyqësor. Është e domosdoshme të shihen rezultate të tjera të qarta në fushën e shtetit ligjor, përfshirë këtu përparimin në vendosjen e një regjistri të dhënash koherent të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet forcuar mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë këtu të drejtat mbi pronësinë. Një dialog politik ndërpartiak më konstruktiv, mbetet thelbësor për vazhdueshmërinë e proçesit të reformave të BE.

Kriteri politik

Përsa i përket kriterit politik, është thelbësore të bazohet në progresin e bërë deri tanimë dhe të mbahet i njëjti ritëm reformash. Zgjedhjet lokale të muajit qershor u mbajtën pa incidente madhore. Në dhjetor 2014, parlamenti miratoi një rezolutë që përfshinte në dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv mazhorancën me partinë kryesore opozitare, duke i dhënë kështu fund bojkotit parlamentar nga këta të fundit. Me adoptimin e kuadrit strategjik dhe te kodit të ri të proçedurave administrative në akordim me praktikat më të mira europiane, reforma në administratën publike ka përparuar ndjeshëm. Është aplikuar ndarja e re territoriale dhe administrative si dhe është miratuar kuadri strategjik për decentralizim. Përsa i përket systemit gjyqësor shqiptar, është themeluar një komitet parlamentar i posaçëm për hartimin e një reforme gjithëpërfshirëse. Shqipëria adaptoi një kuadër strategjik për të luftuar kundër korrupsionit. Bashkëpunimi me policinë ndërkombëtare është përmirësuar, veçanërisht në luftën kundër trafikimit dhe drogës.
Nevojitet vendosja e një sektori funksional koordinimi dhe mekanizma monitorimi në reformën e administratës publike, si dhe duhet garantuar hyrja në fuqi e Kodit të Proçedurave Administrative. Kapaciteti financiar dhe administrativ i njësive të qeverisë së re lokale duhet përforcuar. Në fushën e shtetit ligjor është e nevojshme arritja e rezultateve të prekshme. Hapat e tjerë vendimtarë për një reformë gjtihëpërfshirëse të sistemit gjyqësor janë miratimi i një kuadri të ri strategjik, i ndjekur nga hartimi i masave përkatëse institucionale, legjislative dhe proçedurale. Përpjekjet e qëndrueshme dhe sistematike si dhe zbatimi i ligjit në përputhje me legjislaturën për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe për të zbërthyer rrjetet kriminale mbeten faktorë kyç. Shqipëria duhet të shfaqë përparime në themelimin e një regjistri koherent të dhënash mbi ndjekjet penale, hetimet dhe dënimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha shkallët. Mbrojtja e të drejtave themelore duhet përforcuar, dhe implementimi efektiv i legjislacionit dhe strategjive mbi të drejtat themelore duhet të përmirësohet në linja të përgjithshme. Përsa i përket lirisë së të shprehurit, Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës janë në të njëjtën linjë me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Mjedisi është përgjithësisht i favorshëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes por nevojitet një implementim më i mirë i legjislacionit. Gjithashtu duhen implementuar masa për të rritur përfshirjen e Romëve dhe për të mbrojtur grupet e cënueshme. Mbetet për t’u garantuar përforcimi i të drejtës mbi proësinë. Procesi i regjistrimit, kthimit dhe kompensimit të pronave nuk ka përfunduar. Duhen rritur përpjekjet për të ngritur drejtësinë për të miturit në standartet ndërkombëtare.

Kriteri ekonomik

Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Njëfarë progresi vihet re në përmirësimin e qëndrueshmërisë makroekonomike, perspektivat e rritjes janë përmirësuar dhe është stabilizuar reforma e menaxhimit të financave publike. Megjithëkëtë, mbeten për t’u arritur disa sfida të rëndësishme. Shqipëria duhet të vijojë të punojë në vecanti mbi konsolidimin fiskal, përmirësimin e kuadrit të menaxhimit buxhetor, të ndalojë rritjen e kredive të këqija dhe të përmirëosjë mjedisin e biznesit duke përforcuar shtetin ligjor.
Përsa i përket kapacitetit për t’u përballur me trysninë e konkurrencës dhe forcën e tregut përbrenda Bashkimit Europian, dallohen përparime në fushën e arsimit, transporteve dhe infrastukturës energjitike. Megjithatë, për të përmirësuar shkallën e konkurrencës së Shqipërisë, është e nevojshme të investohet në kapitalin njerëzor dhe fizik. Shqipëria duhet të përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë dhe të vijojë ristrukturimin e arsimit dhe trajnimit profesional, të miratojë dhe të implementojë strategjitë kombëtare për transportin dhe energjinë si dhe të ulë barrierat jo-tarifore tregtare, siç janë të metat në sigurinë ushqimore.

Legjislacioni i BE

Shqipëria vijoi ta drejtojë legjislacionin e saj drejt kërkesave të BE në një numër të lartë sektoresh, duke rritur kështu aftësinë e saj për t’u përballur me detyrimet që sjell anëtarësimi. Shteti është i përgatitur në mënyrë të moderuar në shumë prej atyre fushave, por ndodhet ende në një stad të hershëm në fushën e lirisë së lëvizjes së punëtorëve, agrikulturës dhe zhvillimit rural, peshkimit, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, shkencës dhe hulumtimit, mjedisit dhe ndryshimit klimatik, si dhe mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit.
Shqipërisë i duhet të bëjë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar përgatitjet e saj në implementimin e Aktit Komunitar (acquis). Shqipëria duhet të vijojë të punojë për zhvillimin e rrjetit të transportit dhe të energjisë në përputhje me kuadrin e axhendës rajonale. Zhvillimi i një shumellojshmërie burimesh energjitike dhe mbarëfunksionimi i tregut energjitik janë thelbësore për zhvillimin ekonomik. Kapaciteti administrativ dhe standartet profesionale të organizmave të ngarkuar me implementimin e acquis kanë nevojë të përforcohen dhe duhet mbrojtur pavarësia e organizmave rregullatore. Mbetet element i domosdoshëm rritja e transparencës dhe llogaridhënies, veçanërisht duke garantuar funksionimin efektiv, efikas dhe transparent të sistemit të prokurorimeve publike dhe menaxhimit të financave publike.
Në fushën e politikave të huaja dhe të sigurisë së përbashkët, raporti nënvizon se Shqipëria, kur është e ftuar, mbështetet me të gjitha deklaratat e BE dhe konkluzionet e Këshillit Europian. Kjo prirje për të dhënë mbështetje të plotë është konstante që prej katër vjetësh, gjë që tregon angazhim të fortë të Shqipërisë për të mbështetur qëndrimet e BE në cështje që lidhen me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE