THIERRY CHOPIN
Për më shumë se 25 vjet qytetarët e demokracive perëndimore kanë shprehur mosbesimin e tyre në rritje ndaj institucioneve të tyre dhe politikanëve që administrojnë demokracitë e tyre kombëtare. Bashkimi Evropian nuk i ka shpëtuar këtij rregulli. Megjithatë erozioni i besimit në Union, si dhe rritja e formave të ndryshme të euroskepticizmit dhe eurofobisë, që vjen si rezultat i këtij procesi, ndjekin shkaqe specifike që duhet të analizohen nëse duam që të tejkalohet sfida demokratike kundër Bashkimit Evropian.
EUROSKEPTICIZMI DHE EUROFOBIA: ÇFARË DO TË THONË?
Ideja e euroskepticizmit u shfaq në 1980 për të përshkruar mosbesimin britanik ndaj projektit për të thelluar integrimin evropian. Termi pastaj u përhap tek të gjithë ata që ishin hezitues ndaj integrimit të mëtejshëm. Zhvillimet në opinionin publik në lidhje me çështjet evropiane mund të karakterizohen nga tri faza kryesore. Së pari, nga një ndryshim strukturor që ka ndodhur duke filluar nga 1990 me ratifikimin e Traktatit të Mastrihtit. Rritja e konsiderueshme e kompetencave të Bashkimit Evropian, së bashku me konsultimin më të madh me popullin nëpërmjet referendumit, të cilat çuan në përfundimin e asaj që u quajt si “konsensusi lejues” i mendimit në lidhje me integrimin evropian, që nënkuptonte fundin e pëlqimit të heshtur të qytetarëve ndaj integrimit të mëtejshëm të Komunitetit që nga fillimi i 1950. Një tezë kjo që mbështeste qasjen “funksionaliste” të legjitimimit të Bashkimit Europian. Më pas e teoria e “konsensusit lejues” u trondit nga jo-ja franceze dhe holandeze për Traktatin Kushtetues në vitin 2005, e ndjekur nga jo-ja irlandeze ndaj Traktatit të Lisbonës në vitin 2008. Niaur nga ky këndvështrim Hooghe dhe Marks zhvilluan teorinë e “refuzimit shtrëngues”, karakterizuar nga rritja e natyrës ndarëse të çështjeve evropiane dhe përdorimi i tyre nga ana e politikanëve për qëllimet e tyre. Kjo teori bën një lidhje midis shfaqjes së një ndasie politike mbi çështjet evropiane dhe një politizim të opinionit publik mbi to. Së treti, kriza që ka përfshirë Bashkimin Evropian ka çuar në një rënie të mbështetjes së qytetarëve dhe besimit ndaj Unionit dhe institucioneve të tij, duke konfirmuar këtë konstatim. Vetëm një e treta e evropianëve thonë se ata besojnë në institucionet e komunitetit, që është niveli më i ulët i arritur ndonjëherë. Shumica e qytetarëve besojnë se zëri i tyre nuk është duke u dëgjuar nga ata. Megjithatë, ekziston një lidhje ndërmjet besimit dhe mbështetjes ndaj sistemit politik që formon bazën e legjitimitetit të sistemit në fjalë. E natyrisht ata më mosbesuesit ndaj institucioneve të Evropës janë shtetet anëtare që janë më shumë të prekura nga kriza ( sidomos Greqia dhe Spanja), si dhe vendet në të cilat Euroskepticizmi është tradicionalisht i fortë (Britania e Madhe). Rënia e besimit është e fortë dhe e përhapur në të gjitha 28 shtetet anëtare (përveç Finlandës dhe Suedisë), pavarësisht nga madhësia e vendit (të mëdhenj ose të vegjël), kohës së anëtarësimit në BE dhe përfitimeve të marra nga ky anëtarësim. E fundit por jo më pak e rëndësishmja, hulumtimi më i fundit tregon se Euroskepticizmi ka tendencë për t’u zhvilluar nën efektet e krizës, jo vetëm në vendet që janë prekur rëndë, por edhe në vendet në të cilat rezultatet ekonomike kanë qenë të mira. Ky është rasti, për shembull, i Gjermanisë, ku opinioni publik ka frikë se një rënie e nivelit ekonomik dhe buxhetor (nivelet e larta të papunësisë dhe borxhit publik) në shtetet e tjera anëtare (për shembull në Greqi), mund të ketë ndikim përhapës dhe negativ në ekonominë e tyre të brendshme dhe në aftësinë e Bashkimit për të arritur rezultate pozitive ekonomike. Përtej kësaj, ndërsa treguesit ekonomikë dhe socialë janë duke u përmirësuar, treguesit politikë (besimi në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e BE-së) janë në stanjacion. Kjo tregon faktin se si mënyra e funksionimit të demokracisë së BE-së është shndërruar në një faktor vendimtar në shpjegimin e vazhdimit të mosbesimit politik. Në vitin 2015, më pak se gjysma e qytetarëve të Evropës (46%) kanë thënë se ata janë të lumtur me mënyrën se si po funksionon demokracia në Bashkimin Evropian. Pra ka një përçarje politike brenda BE-së, të theksuar edhe nga prova të tjera, sidomos nga rezultatet zgjedhore (rritja e populizmit dhe partive ekstreme etj …). Duke mos marrë çështjen e demokracisë seriozisht dhe duke mos iu përgjigjur saj, ekziston një rrezik divorci të thellë dhe të gjatë midis Bashkimit Evropian dhe qytetarëve të tij. Edhe pse analiza e zhvillimeve në opinionin publik nxjerr në pah një rënie të mbështetjes së qytetarëve ndaj Evropës dhe institucioneve të saj, me fjalë të tjera një rritje e euroskepticizmit, kjo ide përfshin edhe tendenca jashtëzakonisht të ndryshme politike. Nga njëra anë, “sovranitetistët” me prirje nacionaliste, që besojnë se shteti kombëtar nuk duhet të vihet në diskutim dhe se duhet përqendruar më shumë në identitetin kombëtar dhe çështjet e migracionit. E nga ana tjetër anti-liberalët, që besojnë se integrimi evropian është diktuar nga një arsyetim ekonomik neo-liberal, i cili është duke zhbërë sistemet sociale kombëtare dhe si i tillë duhet të kundërshtohet. Së fundmi, disa tendenca, të cilat mund të quhen edhe “sovranitet i majtë” kombinojnë dy të përmendurat më lart. Punimet akademike në fund të viteve 2000-së, veçanërisht ato të Szczerbiak dhe Taggart, ndanin euroskepticizmin në “të butë” dhë në “të vështirë”, në një përpjekje për të dalluar kontestimin nga refuzimi total dhe eurofobia.
Për sa më sipër, euroskepticizmi pranon parimin e integrimit evropian duke kritikuar disa politika publike, ndërsa përkrahësit e idesë së refuzimit total shprehin dëshirën e largimit nga Unioni (ky është rasti p.sh me FN (Front National) në Francë, UKIP në mbretërinë e bashkuar dhe PVV në Holandë). Edhe pse nuk duhet të mbivlerësohet ndikimi i rritjes elektorale të populizmit dhe nacionalistëve të ekstremit të djathtë në bilancet politike në nivelin e Bashkimit Europian, duhet thënë se përhapja e diskursit të këtyre grupeve politike dhe erozioni i parimeve themelore që formojnë zemrën e idesë evropiane, përbën një rrezik themelor për shkëputje mes 28 shteteve anëtare.
POPULIZMI DHE KRIZA POLITIKE EVROPIANE
Pavarësisht diversitetit të tyre, format e ndryshme të euroskepticizmit dhe eurofobisë përkojnë drejt një retorike populiste, një term i cili gjithashtu vlen të sqarohet. Karakteristikat e përgjithshme të populizmit janë mjaft të lehta për t’u identifikuar: denoncimi i elitave – politike, ekonomike dhe sociale – që akuzohen se zotërojnë një fuqi të vjedhur dhe se kanë tradhtuar popullin, që është e vetmja bazë e vlefshme për një autoritet legjitim. Nga ky këndvështrim populli përkufizohet ose mbi një bazë sociologjike, përmes referencës tek grupe specifike shoqërore, ose në baza nacionaliste- në të dy rastet në një lëvizje me tri drejtime për të përforcuar diferencat që vlerësohen si të huaja ose të jashtme: nga këndvështrimi moral kundër të “korruptuarve”; nga këndvështrimi social përmes denoncimit tradicional të elitave; dhe nga këndvështrimi etnik kundër të huajve.
E fundit por jo më pak e rëndësishmja, njerëzit më pas përfshihen në një përpjekje për të ringjallur një ndjenjë të përfaqësimit dhe identitetit të dështuar. Përtej kësaj, populizmi pasqyron një prej tensioneve jetike që formon bërthamën e regjimit demokratik. Tensioni shtrihet midis parimit popullor apo populist në kuptimin literal – dhe parimit liberal. Sistemi liberal, që është i bazuar në një arsyetim konstitucionalist të sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, nuk mund t’i përgjigjet vetëm kërkesave demokratike të kërkuara nga justifikimi demokratik i pushtetit dhe vendimeve të bazuara në legjitimitet popullor.
Kriticizmi i Bashkimit Evropian e gjen burimin e saj në këtë moment të vështirë dhe vazhdimisht të paqëndrueshëm. Në nivel politik, ky argument i mundëson skeptikëve ndaj Evropës dhe gjithashtu eurofobëve, të theksojnë në mënyra shpesh radikale, dobësitë në mekanizmat institucionalë që prodhojnë legjitimimin demokratik të vendimeve evropiane në një bazë popullore. Është ky arsyetim që nxit kthimin e debatit të opozitës tradicionale në retorika populiste midis Brukselit – që konsiderohet si një flluskë teknokratike – dhe popullit. Ringjallja e populizmit është një simptomë shumë e fortë e krizës politike të Unionit.
Që nga Danimarka deri në Hungari, duke kaluar nga Franca, zgjedhjet e ndryshme kombëtare konfirmojnë forcën e partive populiste të ekstremit të djathtë që përhapin nëpërmjet debatit publik, ligjëratë proteksioniste, të lidhur ngushtë me narrativën e ekonomisë, të kulturës dhe atëtë identitetit. Padyshim, arsyet që kontribuojnë në këto zhvillime variojnë nga një vend në tjetrin duke qenë se trajtat bashkëkohore të populizmit janë të shumta [22] që nga nacionalizmi i “të pasurve” [23] në Katalonja, në Flanders dhe në Veri të Italisë, në kthimin e aspiratave kombëtare të Europës Qëndrore, ngandonjëherë në formën e populizmit kombëtar autoritar, siç është ai i tanishmi në Hungari, apo dhe efektet e zhvillimit demografik në shoqëritë disi të plakura të Europës Veriore, konvergjenca është e vështirë të gjendet.
Sidoqoftë, njëfarë shpjegimi mund të propozohet në mënyrë të tillë që t’u jepet një koherencë e përgjithshme këtyre zhvillimeve që kërcënojnë themelet e Bashkimit Europian.
Fillimisht, nga një pikëpamje ekonomike, kthimi i populizmit është padiskutueshmerisht i lidhur me krizën ekonomike dhe financiare që ka prekur Europianët që në 2008-ën. [24] Pikërisht sipas këtij konteksti partitë e ekstremit të djathtë në Europë po kthehen në zëdhënëse të zemëratës dhe pezmatimit shoqëror që shpjegon këtë populizëm të elektoratit të tyre. Padyshim, nga një pikëpamje më e gjerëështë i lidhur dhe me ndjesinë e destabilizimit ekonomik dhe problemeve me identitetin që vihen re prej njëezetëepesë vjetësh sipas shumë opinioneve publike në sferën ndërkombëtare. [25] Në mënyrë paradoksale, globalizimi i ekonomisë po i hap udhën qëndrimeve mendjengushta, që rriten ndjeshëm në periudha krize: nga përbrenda është rizgjuar një dëshirë e madhe me tendenca narciziste për të ruajtur imazhin e vetes; armiqësia ndaj të huajve dhe rikthimi i ligjëratës ksenofobe në disa shtete Europiane, në një formë të përtërirë të mekanizmit të “dashit për kurban” siç nënvizon dhe René Girard. Meqënëse të huajt mbahen përgjegjës për të këqijat ekonomike dhe shoqërore, përfshirë këtu dhe nga pikëpamja e pasigurisë; nga një pikëpamje e jashtme: rikthimi i kontrollit kufitar i nxitur nga kriza e refugjatëve dhe sulmet terroriste; ashpërsimi i shoqërive Europiane në vetvete, i reflektuar nga dëshira për vetëmbrojtje dhe shprehja kundër emigrimit nga Lindja dhe nga Jugu.
Më pas demografikisht, kthimi i populizmit në shtete me ekonomi të lulëzuar (siç është ajo e Danimarkës apo e Suedisë) shpjegohet nga shenjat e para të plakjes së poppullatave të këtyre shoqërive, që nuk janë vetëm karakteristika të frikërave ekonomike por lidhen gjithashtu me tjetërsimin e mjedisit me të cilin ata e kanë të pamundur të identifikohen tanimë [26]. Kjo shpjegon përtëritjen e rëndësisë së temës së fesë – veçanërisht asaj Islamike – dhe të ushtrimit të feve të tjera të shoqërive Europiane.
Së fundmi, nga një pikëpamje e drejtpërdrejtë politike, dallohen disa simptoma lehtësisht të identifikueshme të krizës së parimeve të demokracisë liberale dhe të shtetit ligjor: zemërata e shumë qytetarëve ndaj skandaleve financiare dhe taksore si dhe çështjet e korrupsionit që ushqejnë linjën “antithemeluese” të kritikave në qendër të diskutimeve populiste; zhvillimin e një ligjërate në të cilën siguria paraqitet si liria e parë, në emër të së cilës ngrihen themelet e lirive të tjera; heqja e parësisë së të drejtave themelore në një nivel dytësor etj… Ajo çka është më e rëndësishmja është se kthimi i populizmit reflekton një krizë përfaqësimi [27] – në kuptimin e plotë të fjalës – i cili nuk mundet të ushtrojë më rolin e përfaqësimit të shoqërive Europiane, të cilat janë bërë individualiste dhe tepër të copëtuara. Si rrjedhojë, lind tundimi për të ringjallur imazhe të vjetra të popullit dhe kombit në një përpjekje për të rizgjuar ndjenjën e protektivitetit, për të rikthyer identitetin dhe për të rigjetur ndjenjën e përkatësisë brenda komunitetit.
Pavarësisht faktit se Bashkimi Europian nuk është një kusht i domosdoshëm ekzistence për këto lëvizje populiste, ai i përkeqëson idetë që përçojnë populistët: distanca mes qytetarëve dhe qeverive të tyre; marrëdhënia e vështirë e demokracisë, identitetit dhe komunitetit përfaqësues, dialektika hapëse/mbyllëse, marrëdhëniet e lirisë dhe të sigurisë, kërcënimi i shtetit të mirëqënies etj… Nga kjo pikëpamje, dobësitë e tanishme të Europës nuk mund të konsiderohen si shkaktarë, por si faktorë shumëfishues të disa kërkesave, duke u fokusuar sidomos në kërkimin për komunitet të bashkuar dhe identitet në të djathtën, si dhe për kërkesat për drejtësi dhe barazi shoqërore në të majtë. Rritja e populizmit radikal, euroskeptik, madje dhe e tendencave eurofobike, si në të djathtë ashtu dhe në të majtë, thekson edhe më tej krizën ekonomike dhe politike në demokracinë liberale Europiane. Liberalizmi ekonomik, ka qenë i lidhur jo vetëm me tepricën e reformave neo-liberale por edhe me fatkeqësinë e krizës financiare. Kriza në liberalizmin ekonomik pasqyrohet nënjë krizë politike, simptomë kjo mjaftueshëm e qartëe rigjallërimit të populizmit dhe ekstremizmit në shumë shtete europiane. Siç na kujtuan sulmet terroriste në Francë, parimet kryesore të regjimeve tona të lirisë kanë nevojë të ripërtëriten dhe të rishpallen urgjentisht, sepse kanë qenë pikërisht këto bazat mbi të cilat janë ngritur themelet jetike të demokracive liberale: e drejta për siguri dhe mbrojtje, e drejta e të shprehurit, e drejta e shtypit, e drejta e të menduarit etj…
Forca e demokracisë liberale ndodhet në të qenurit një regjim natyrshëm i hapur ndaj limiteve të tij. Ndërsa e kemi patur prej kohësh ndjenjën se rifitimi i lirisë ishte një instrument i fuqishëm për kohezionin kombëtar në gjurmë të sulmeve terroriste, mjaft qytetarë ndiejnë t’u jetë kërcënuar liria e tyre individuale, dhe nëveçanti siguria. Ndjesia që shumëkush ka ditët e sotme në Europëështë se ajo është një hapësirë e lirë që shpesh gjendet e pambrojtur dhe është pikërisht kjo frikë që duhet kapërcyer. Kriza në legjitimitetin demokratik do të thotë parimisht që duhet krijuar një vizion i përbashkët i të ardhmes së integrimit Europian: një komunitet qytetarësh nuk jeton vetëm brenda ligjit dhe rregullatores ekonomike; por gjithashtu jeton me ndjenjën e përkatësisë në një komunitet politik të një zonë që preferon. Duke mbajtur parasysh krizën ekonomike, ithtarët e “open society” duhet të kuptojnë se kërkesat për barazi dhe solidaritet (që çojnë në socializëm) përbëjnë kërkesat themelore të njeriut siç vihet re dhe nga suksesi i librit mbi pabarazinë i Thomas Piketty [28] dhe janë po aq legjitime sa aspiratat për lirinë. Duke mbajtur parasysh krizën e refugjatëve, pritja e njerëzve që arratisen nga vendet në luftëështë një urgjencë morale dhe njëherësh, një e drejtë themelore. Por në të njëjtën kohë, në kontekstin e krizës migratore, duhet marrë parasysh dhe kërkesa për komunitet dhe identitet (që i ka hapur udhën nacionalizmit).
Historia e shekullit të shkuar tregon se nëse nuk merren në considerate këto kërkesa dhe aspirata të shprehura nga qytetarët, ekziston rreziku se ato do të merren në konsideratë nga forca anti-europiane, radikale [29]. Pafuqia e shumë europianëve çon në lindjen e nevojës së një projekti afatgjatë intelektual dhe politik për Europën e shekullit të XXI nëse duam të parandalojmë mbylljen e shoqërive tona nga bota moderne. Ky project duhet të jetë rindërtimi politik dhe ekonomik i modelit Europian – duke bashkërenditur lirinë, solidaritetin, vlerat që janë burim i identitetit të përbashkët dhe hapjes ndërkombëtare – në mënyrë të tillë që ky të bëhet konkurrues në garën botërore të modeleve të civilizimit si dhe të organzimit politik dhe ekonomik.
Thierry CHOPIN është kreu i hulumtimit në Fondacionin Robert Schuman. Profesor i përkohshëm në Kolegjin e Evropës (Bruges). Ai është ekspert bashkëpunëtor në Qendrën për Hulumtime Ndërkombëtare (CERI) i Shkencave dhe asistent i pwrkohshwm në Institutin Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës dhe shkencave politike (LSE). /
Përktheu: Sara Kelmendi