Pas vdekjes së Todit vendosa të shkruaj historinë e vëshirësive që kisha kaluar për të siguruar një shtëpi ku “të fusnim kokën”…
…Duke hedhur shënimet vura re se kujtimet e kohës së shkuar më vizitonin shpesh dhe ishin më të gjalla se ato të kohëve të vona. Prandaj krahas historisë së kërkimit të një shtëpie në këtë libër janë thurur dhe kujtime të tjera…
…Kështu pra ia fillova me zell kësaj pune, madje shkova shumë më tej. sot që kam në duar një dorëshkrim më voluminoz se libri i parë, të cilin mendoj ta botoj, më mundon mëdyshja: Mos më është ngjitur “sëmundja” e autobiografive të shumta që kanë vërshuar në treg këto vite?
Ata që do ta lexojnë, do të më japin përgjigjen.
“Rinia më e lumtur në botë”
Tek “Vjeshta” me Agimin herë pas here u ktheheshim kujtimeve të rinise që qenë edhe koha më e gjatë e punës sonë përpara persekutimit. Ndër këto s’mund të mos shkruaj diçka për aksionet e rinisë ndër vite. Rezultat i tyre qe rruga Kukës¬Peshkopi, hekurudha Durrës-Peqin, Tiranë-Durrës, Peqin¬Elbasan dhe shumë vepra të tjera që sot dihen dhe nuk dihen. Më kujtohet se një brigadë e rinisë sonë, më 1946 shkoi në hekurudhën Brcko-Banović të Jugosllavisë dhe një brigadë e rinisë jugosllave erdhi në Shqipëri. Kur marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos kishin pësuar krisje që çuan në shkëputjen e plotë, u denoncuan jo pak raste aktesh sabotimi të teknikëve jugosllavë që punonin në ndërtimin e hekurudhës; edhe me brigadën e tyre të rinisë ndarja, largimi i saj, nuk qe më vëllazeror. Hekurudha Rrogozhinë-Fier, ajo Elbasan-Prrenjas; edhe rruga tepër e vështire e Malësisë së Madhe qe vepër e studentëve dhe e shumë të rinjve të tjerë.
Mijëra e mijëra studentë, nxënës të shkollave të mesme, të rinj të fshatit, iu ngjitën më pas kodrave të Lushnjës e më tej, Jonufrit e Ksamilit në bregdetin e Jonit, për të mbjellë ullinj dhe agrume. Hapje tokash të reja, rrugësh pyjore, pyllëzime, shkuarje në ndihmë të fermave dhe kooperativave bujqësore në fushatat e prashitjeve, korrjeve. Të gjitha këto ishin fronte të punës së pa paguar të rinisë e cila propagandohej me të madhe në shtyp, radio, si shprehje e dashurisë së saj për të qenë gjithnjë e gatshme që t’i pergjigjej thirrjes së Partisë, atdheut socialist, si nevojë për edukimin e saj me dashuri për punën dhe më në fund edhe si kalitje fizike.
A mund të flitej për kalitje fizike kur kërkesat e moshës në rritje nuk qenë të mjaftueshme. Po zëvendësimi i energjive të humbura në atë punë prej skllavi që bëhej vetëm me kazma e lopata? Jo kurrsesi. Po ta shohsh me sytë e sotëm, aksionet qenë shfrytëzim i një pune të papaguar. Po pse ndodh që, pasi flasin për vështirësite e mëdha të jetës dhe të punës nëpër aksione si çadrat dhe kasollet prej thuprash të cilat në ditet e shiut u lagnin “dyshekët” prej kashte, mungesa e ambienteve të higjienës aq e domosdoshme, veçanërisht për vajzat si dhe e ujit, pjesëmarresit në aksione me nota nostalgjie kujtojnë të bukurën, të mirën e atyre ditëve kaluar aty këtu nëpër aksione të ndryshme? Edhe kjo është e kuptueshme: mosha e adoleshencës, kur një liri, shkëputje nga tutela, autoriteti shpesh i tepruar i prindërve, është i domosdoshëm për rritjen, afirmimin e personalitetit, pra një liri e kërkuar është më se e nevojshme; pastaj bashkëjetesa me moshatarët, kapërcimi i veshtirësive sëbashku, njohjet, miqësite, lidhjet e reja.
Edukimi “me dashuri për punën dhe kalitja fizike” nëpërmjet aksioneve vullnetare, që pjesë e punës së përhershme që bëhej me qëllimin “krijimin e njeriut te ri” si qytetar i shoqërise që po ndertonim. Dhe ky synim niste që me fëmijet e kopshteve, të shkollave, universitarët dhe të gjithë brezit të ri kudo që jetonte e punonte në ndërmarrjet industriale apo në fshat. Në shkollat dhe të gjitha institucionet arsimore ajo qe më e koncentruar: në tekstet arsimore, kryesisht të shkencave shoqërore dhe leximet e quajtura jashtë klase, në punën e mësuesve, organizatës së rinisë dhe asaj te pionierëve. Ishte letërsia artistike e realizmit socialist e cila zinte vendin kryesor në të gjitha programet jashtë klase, të mësuesve të letërsisë. Rinia duhej të ishte e ndërgjegjshme siç deklaronte herë pas here vetë udhëheqësi dhe mjetet e tjera të propagandës se ishte rinia më e lumtur në bote (!?). Një veprimtari e veçantë bëhej për njohjen dhe vlerësimin nga brezi i ri, i LANÇ-it, heroizmit partizan; rol të veçantë për këtë luanin filmat artistikë e dokumentarë që prodhoheshin me shumicë, ekskursionet masive nëpër rrugët e përshkuara nga çetat partizane, takime me veteranët etj. etj. Zbehja që mund të pritej nga largësia e atyre ngjarjeve, duhej plotësuar edhe me heroizmin e ri, atë të periudhës së ndërtimit të socializmit. Nuk kishte, mungonte? Duhej të krijohej. Dhe kështu u bë herë pas here. Për të nderuar aktin heroik të montatorit Adem Reka i cili u vetëflijua për të shpëtuar digën e portit të Durrësit u organizua nisja nga Tirana në Durrës me këmbë e mijëra nxënësve e studentëve. Sa prej tyre mbetën rrugëve, sa ambulancave iu desh të shkonin në ndihme ose për t’i marre, nuk u muar vesh. Një shoqen time pedagoge në fakultetin e shkencave të universitetit, tashmë jo në moshë të re, që kishte mbetur diku afër Shijakut, e shpëtoi një makinë që e ktheu në Tiranë. Për ca kohë na erdhi në ndihmë “heroizmi” i të riut kinez Lei Fen. Ai djalosh i zakonshëm mblidhte gozhda, vida, bulona që i gjente andej këndej dhe që sipas tij i duheshin atdheut. Ishte koha e revolucionit kulturor kinez. Por ne na duheshin heronjtë tanë, ndaj pa pritur u zbulua dhe zuri faqet e shtypit të kohës dhe të RTSH-së i riu nga Skrapari Fuat Çela i cili, edhe pse i verbër, kishte filluar të mësonte të shkruante dhe të lexonte. Një “heroizëm” i pa dëgjuar. Nuk kishte se si të mos propagandohej me të madhe veçanërisht kur pati një letërkëmbim të tij me Enver Hoxhën. “Ti je një hero!” – i shkruante mes të tjerash udhëheqësi. Edhe pse e jetuam jo pak kohë fushatën propagandistike që iu bë kësaj ngjarjeje, nuk e mësuam si vepronte ai djalë në kushtet kur në Shqipëri nuk njihej metoda Brait e të mësuarit të të verbërve. Nuk qenë të pakët ata që nën zë, e quajtën këtë fushatë një montaturë të rreme.
Më i bujshëm në glorifikim u kthye aksidenti fatkeq i cili i mori jetën vajzës 14 vjeçare nga Dukagjini, Shkurte Vatës vullnetare në hekurudhën Rrogozhinë-Fier. Ndërsa punonte me lopatë, e mbuloi një rrëshqitje dheu që i erdhi nga lart. Filloi një fushatë e paparë; të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, veçanërisht nga veriu, kërkonin të shkonin vullnetarë në hekurudhë për ta zëvendesuar Shkurten. Edhe babai i saj, Pal Vata një fshatar i thjeshtë, i varfër, u nis për në Gradishtë ku kishte gjetur vdekjen e bija. I gjori Pal! Megjithë propagandën e madhe që iu bë, u kthye në një hero tragjiko-komik. Enver Hoxha nuk mund ta linte pa e shfrytëzuar deri në absurditet këtë rast. Me propozimin e tij dhe me vendim të KQ të PPSH-së, Shkurte Pal Vata 14 vjeçare u pranua, pas vdekjes, anëtare e Partisë së Punes paçka se në statutin e asaj Partie përcaktohej mosha 16 vjeç për të hyrë në radhët e saj.
Enver Hoxha takohej me rininë zakonisht në kongreset e saj. Mund të quhej takim formal ky, i largët, mes udhëheqësit që zinte vend në tribunë dhe delegatëve pjesëmarrës në kongres që e bënin të derdhte edhe lot – në mënyrë të veçantë pionierët me përshëndetjen e tyre të stërpregatitur nga të rritur ekspertë të këtyre punëve. Por ja që si papritur, Enver Hoxha ndryshoi “metodë”. Për t’i treguar brezit të ri lidhjen, dashurinë, kujdesin e madh e të vazhdueshëm të tij dhe të Partisë për brezin e ri dëshironte ta ndjente vetë direkt pulsin e saj? Çfarë e shtyu të veprojë ndryshe? Mos ishte ajo që po ndodhte me lëvizjen studentore në vendet më të mëdha e të fuqishme të Evropës si: Franca, Gjermania, Italia të cilave iu shtuan edhe Portugalia dhe ]ugosllavia e që hyri në histori si lëvizje studentore e vitit 1968? (Në Francë me studentët u bashkuan edhe punëtorët; Presidenti i saj, heroi i Luftës së Dytë Botërore De Gaulle, u detyrua të largohet nga pushteti, të japë dorëheqjen si President. Ndërkohë në Beograd studentët demonstruan me parullat poshtë diktatura e kuqe).
Edhe për ne, punonjës të vjeter të rinisë, qe e papritur jo e zakonshme pjesëmarrja e Enver Hoxhës në konferencën e BRPSH-së të rrethit të Elbasanit e cila u ndoq nga një takim me Byronë e Komitetit të Rinisë dhe aktivistët e saj në Shkodër dhe një tjetër me nxënësit e shkollave të mesme të atij qyteti. Një fjalim të tij patetik mbajtur në Gradishtë të Lushnjes përpara studentëve që punonin në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë¬Fier, e botoi i gjithë shtypi. E re qe edhe pjesëmarrja e disa të rejave studente të gjuhëve angleze dhe franceze në mbledhjen e sekretariatit të KQ të Partisë. Me sa përzemërsi, inkurajim u foli atyre udhëheqesi. “Furtunat” e rinisë që po përshkonin Evropën nuk mund t’i kalonin Enver Hoxhës pa bërë diçka për rininë “më të lumtur” të botës. Atij i duhej qetësia që mbretëronte në vend vendosur me grushtin e hekurt të diktaturës. Një “erë e re” më moderuese, pak liberale, nisi të frynte në Shqipëri që ishte në kundërshtim me forcat e errëta, sektare, dogmatike, patriarkale, që sundonin në Partinë e Punës. Edhe biseda e gjatë që zhvilloi Enver Hoxha me Agim Meron sekretarin e parë të rinisë në prill 1971, sipas kërkesës së tij, kishte këtë qëllim. Agimi i foli Enver Hoxhës për disa probleme si sektarizmi, tutela ndrydhëse dhe një sërë qëndrimesh konservatore që ushtronin organizatat bazë të Partisë, veçanërisht në shkollat e mesme ndaj organizatave të rinisë; edhe për muzikën që i pelqente asaj dhe atë që transmetonte RTSH-ja, për heqjen nga bibliotekat të disa botimeve bërë pas çlirimit emërtuar si libra të verdhë dhe që dëmtonin edukimin e rinisë (psh. “Tre shokët” e Remarkut) e që rinia i lexonte fshehurazi, etj etj. Enver Hoxha në përgjigjet e tij, tregoi se jo vetëm aprovonte gjithshka që po dëgjonte porse edhe i tejkalonte me mendimet që jepte. Për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Thanas Nanon ai u shpreh: “Nuk e kupton rininë Thanasi.” – dhe nxitoi ta largojë për ta zëvendësuar me Todin.
Sikur u gëzuam shpejt me atë “frymë të re” të Enver Hoxhës.
Nexhmije Hoxha kishte thirrur Agim Meron dhe Hamit Beqen i cili merrej me arsimin në aparatin e Partisë që të benin redaktimin e asaj bisede e cila, sipas saj, do te botohej në buletinin e brendshëm që nxirrte Komiteti Qendror. Porse redaktimi i tyre nuk u pelqye prej saj ndaj u mor vetë me të. Megjithatë duket se kishte mbetur ende goxha liberalizëm dhe, ashtu si u botua, pati një jehonë të dyfishtë: u mirëprit nga komunistët e moderuar dhe intelektualë të mirëfilltë të cilët dëshironin shumë të kishte pak dritë në Parti dhe në vend. Porse ata fatkeqësisht ishin të pakët; shumica, sektarët, dogmatikët, u shqetësuan. A nuk mund të na çonte kjo në humbjen e pushtetit? Pas mbledhjes që u bë me punonjësit e aparatit të KQ të Partisë e cila drejtohej nga Hysni Kapo ku foli Agim Mero për çfarë kishte thënë Enver Hoxha në takimin me të, Gafurr Çuçi, një nga anëtarët e rëndësishëm të Komitetit Qendror të Partisë, u shpreh: “Mos ta dija se i ka thënë shoku Enver, do të thoja se janë revizioniste.”
Plenumi i katërt i KQ-së i qershorit 1973 me fshirëse të hekurt fshiu të gjitha grimcat e “lirisë” që iu dhanë me pikatore rinisë, inteligjencës dhe të gjithë popullit. Mjafton të kujtohet se në RTSh riktheu Thanas Nanon të cilin e kishte cilësuar si njeri që nuk e kuptonte rininë. Apo që në krye të rinisë vunë një ish kuadro të vjetër tashmë në moshë, Jovan Bardhin, i njohur gjithnjë si sektar dhe dogmatik, i cili e filloi punën me “pastrimin” e punonjësve të aparatit të KQ të rinisë dhe redaksisë së gazetës “Zëri i Rinisë”. Për t’u përmendur është vendi i punës që i gjeti përkthyesit qe ishte marrë me gjuhën frënge që pas viteve të para të çlirimit, Timo Bezhanit: do të shkonte punëtor në fabrikën e shkrepëseve. Fatmirësisht ndërhyrja e Ramiz Alisë e ndaloi këtë zgjedhje.
Nuk mund të mos kujtoja punën tonë me rininë një ditë 1 maji të viteve ’90. E strehuar në një nga tendat e shitësve të frutave dhe zarzavateve në Pazarin e Ri për t’i shpëtuar rrebeshit të shiut të papritur, dëgjoja bisedën e tre djemve rreth tridhjetë vjeçar; midis tyre ishte edhe shitësi. “M’u lagen fëmijët, nuk desha të shkonin te liqeni, por ç’të bëja.” tregonte njëri prej tyre. Si papritur, hodhi sytë larg e plot gjallëri e humor, nisi të flasë përsëri:
“Ja, ja po vijnë gjimnazistët, me pantallona të shkurtra dhe kanotiere; si na lageshin ato lulet prej letre e na bëheshin gjithë bojë, lëre lëre.” Po kujtonte kohën kur ishin nxënës dhe sipas shkollave, rreshtoheshin në sheshin përpara Universitetit herët në mëngjes. Prisnin kur do t’u vinte radha të parakalonin përpara tribunës ku qe udhëheqja e Partisë dhe e Qeverisë. Lëshoi ndonjë romuz për ta dhe e mbylli me një variant tjetër: “Edhe ky ama; mban fjalime e na thotë: ‘Zoti ju bekoftë, rroftë NATO.”’
Shiu pushoi. Kur po largohesha i falenderova për strehimin që më dhanë. Më thanë: “None, hajde prap.” Ku ta dinin ata se edhe “nona”, dikur kur punonte me rininë shkollore të Tiranës herët në mëngjes, qe e detyruar të shkonte në sheshin ku ishim grumbulluar për të parë nëse gjithshka ishte në rregull. Ata ashtu të lagur ishin në pritje për të parakaluar përpara tribunës që të shprehnin me “entuziazëm të papërshkruar” dashurinë e zjarrtë për Partinë dhe shokun Enver që i kishin kthyer në të rinjtë më të lumtur të botës (?!).
Fragment marrë nga libri “Kohë të reja – Kujtime të vjetra” i Liri Lubonjës.