Dosjet e Panamasë dhe gjurmët në Tiranë

1

Mbarë bota është tronditur këtë javë nga rrjedhja më e madhe e informacionit në historinë moderne, që zbuloi anën e errët të financave ndërkombëtare: transaksione offshore, parajsa fiskale e politikanë që fshihen pas marrëveshjesh të dyshimta dhe aksionesh fitimprurëse. Dosjet e Panamasë janë një arritje mbresëlënëse e gazetarisë investiguese: në të cilat, duke ndërthurur burime nga reporterë të ndryshëm nga e gjithë bota, rrjedhja e informacionit është transformuar dhe do të vazhdojë të marrë formën e artikujve dhe lajmeve të ndryshme, të cilat do të hedhin dritë mbi çështjet e korrupsionit dhe ndoshta do të ndryshojnë fatin e shumë politikanëve.

 

Reagimi publik global i deritanishëm ka qenë i egër në disa vende ku kanë shpërthyer protesta dhe në disa të tjera ku kërkohet transparencë e plotë dhe llogaridhënie mbi këtë çështje.

 

Shqipëria është prekur disa herë në të shkuarën nga shfaqja e parajsave fiskale, shpeshherë në formën e adresave të regjistrimit të kompanive për entitete që aplikonin në tendera shumë të rëndësishme. Në tenderin e dështuar për blerjen e ARMO-s, rafinerisë së naftës së Shqipërisë, kompania aksionare e entitetit që aplikonte ishte e regjistruar në Singapor, edhe pse shumë shpejt raportimet treguan se i përkiste biznesmenëve të fuqishëm në Shqipëri. I njëjti shtet figuron në akuzat për fshehjen e parave nga një ish-deputet i PS-së, i ekspozuar në 2013-n. Me zbardhjen e dosjeve të Panamasë, një tjetër emër shqiptar ka dalë në shesh: Kompania GFI, kompania aktuale fituese e një koncesioni për markimin e karburanteve. Kur Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës u përpoq të mblidhte informacion për të hetuar vetë mbi këtë koncesion, ata u përballën me një mur të fortë të parajsës më të fuqishme fiskale në histori, asaj zvicerane.

 

Koncesioni i markimit të naftës nga GFI është shembull i përkryer i marrëveshjeve problematike ndërmjet sektorit publik dhe atij privat: ai ishte miratuar vetëm pak kohë përpara se pushteti ekzekutiv të ndryshonte, nuk ishte i pajisur me mekanizmat e duhura për të qenë i përgjegjshëm dhe shumë shpejt e tregoi aftësinë e tij për të krijuar probleme për qytetarët, kur vitin e kaluar bllokoi tregtinë e naftës dhe detyroi qeverinë të merrte në konsideratë kërkesat e tyre shtesë. Fakti që pronarët e tij kanë funksionuar në stilin Panama: me kompani dhe veprime offshore dhe duke ndryshuar konsorciumin e pronarëve pak kohë pas nënshkrimit të kontratës me qeverinë flet vetë për natyrën e këtij biznesi dhe shpjegon dëmin e shkaktuar ndaj interesave publike.

 

Zyra e Avokatit të Shtetit bëri në fillim të javës një deklaratë ku shprehet se hetimet kanë filluar dhe se do të kërkohen shpjegime nga të gjithë individët dhe entitetet e përfshira në dosjet e Panamasë. Ky është një hap në drejtimin e duhur. Legjitimiteti që buron nga një hetim ndërkombëtar i përmasave të mëdha mund të shërbejë si një mburojë kundër ndikimit të aktorëve vendas për t’u fshehur nga kërkesat për transparencë. Më në fund, mund të rifitohet besimi ndaj tenderëve të dyshimtë dhe koncesioneve në këtë vend. Për më tepër, LSI, partneri i koalicionit të shumicës, që ka bërë një propozim për t’i bërë koncesionet më transparente dhe më legjitime, mund të sigurojë që kjo shtysë të jetë një ndihmesë në rrugën e kthimit të propozimit në ligj. Sikurse argumenton dhe Autoriteti i Konkurrencës, nevojiten masa të shumta për të mbrojtur interesat publike, sidomos në rastin e transferimeve të pronësisë, një prej lëvizjeve më të përsëritura të stilit Panama në rastet e koncesioneve të rëndësishme.

 

Mesazhi më i rëndësishëm që ka marrë Tirana, sikurse dhe çdo kryeqytet tjetër ku fshihen të pasurit dhe të pushtetshmit është se: njerëzve mund t’u fshehësh diçka për ca kohë, mundet madje edhe të fshehësh diçka për të gjithë për ca kohë, por një gjë të fshehtë nga sytë e të gjithëve, nuk mund ta mbash gjatë gjithë kohës. Le të shpresojmë se kjo do të sjellë një ndryshim.

 

SHPËRNDAJE