Intervistë me SH.S. Znj. Dewi van de Weerd, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri
- Kur qeveria e Holandës mori presidencën e BE në fillim të këtij muaji, ata ishin të parët që pohuan se nuk ishte koha më e lehtë për ta bërë këtë. Sipas mendimit tuaj, cilat janë pengesat dhe sfidat kryesore që Holandës do i duhet të përballojë në 6 muajt e ardhshëm të presidencës së saj?
BE po vihet në sprovë këta muaj, me një fluks njerëzish që i arratisen luftës dhe shtypjes, dhe me sulmet terroriste që përpiqen të përhapin frikë dhe përçarje në shoqëritë tona. Sfida jonë është të mbetemi të fokusuar dhe të bashkuar dhe të ndërthurim masat për të përftuar zgjidhje të përbashkëta. Shumë njerëz presin nga Evropa të japë zgjidhje – dhe me të drejtë, sepse një shtet i vetëm nuk mund t’i përballojë i vetëm këto probleme. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që Evropa e ka përgjigjen gati, dhe bashkëveprimi ndërmjet shteteve anëtare nuk është gjithmonë i lehtë. Por ajo që ka rëndësi në fund janë rezultatet, dhe janë ndërmarrë hapa konkretë, si në fushën e migrimit edhe në luftën kundra terrorizmit. Konfliktet dhe dhunimi i të drejtave të njeriut janë faktorë madhorë që kontribuojnë në paqëndrueshmërinë, duke rrezikuar kështu të dobësojnë sigurinë dhe zhvillimin socio-ekonomik dhe të çojnë në kriza humanitare. Problemet e tanishme të emigrimit janë pasoja të këtyre kërcënimeve. Tani është e domosdoshme të ruhen kufijtë e jashtëm të BE, të përmirësohet pritja e refugjatëve në Evropë dhe në rajon, dhe të ndahen këto sfida në mënyrë të barabartë.
Presidenca Holandeze punon për një Bashkim Evropian të fokusuar në çështjet kryesore, që përfshin në mënyrë aktive njerëzit dhe kompanitë evropiane dhe që zbaton parimet e transparencës. Është në pajtueshmëri me axhendën strategjike të miratuar prej Këshillit Evropian në qershor 2014.
Programi kombëtar i Presidencës së Holandës ka prioritetet politike të mëposhtme:
- Emigracionin dhe sigurinë ndërkombëtare
- Evropën si krijuese vendesh pune dhe sjellëse risish
- Financa evropiane të shëndosha dhe të afta për t’iu përshtatur standardeve të së ardhmes, si dhe një eurozonë e fuqishme
- Një klimë dhe politikë energjetike progresive
- Cilat janë disa prej aktiviteteve dhe samiteve kryesore për të cilat Presidenca është përgjegjëse gjatë kësaj kohe?
Ka një numër të lartë takimesh formale dhe joformale me ministrat, të cilat do të zhvillohen në Holandë, si dhe mjaft konferenca ekspertësh. Këshilli i BE përbëhet nga dhjetë konfigurime këshillash të specializuar. Secili këshill merret me një fushë të veçantë politike. Përbëhet nga ministra nga shtetet anëtaretë ciltjanë përgjegjës për secilën nga fushat politike në vendin e tyre. Shteti që mban Presidencën harton pikat e axhendës për secilin Këshill. Për ministrat, këto takime do të zhvillohen në Muzeun Kombëtar Detar në Amsterdam. Takimet ku përfshihen zyrtarë të tjerë do të mbahen në kantierin detar historik që ndodhet ngjitur muzeut. Aty do të zhvillohet dhe një program kulturor. Komisioni Evropian dhe anëtarët e Parlamentit Evropian kanë kryer disa vizita pune në Hagë. Për disa nga këto takime janë ftuar gjithashtu zyrtarë apo ministra nga shtetet kandidate. Ministri Bushati dhe Ministrja Gjosha, për shembull, kanë marrë pjesë në takime informale mbi punët e jashtme dhe çështjet evropiane, të mbajtura në Amsterdam në muajt shkurt dhe prill.
- Prioritetet e Presidencës holandeze të BE duket se bien në dy kategori. Nga njëra anë ka çështje të dukshme si ajo e emigrantëve dhe e sigurisë, dhe nga ana tjetër janë problemet e hershme si inovacioni dhe punësimi. Me shqetësimin e vazhdueshëm mbi emigrantët dhe sigurinë, mendoni se do të mbeten burime të mjaftueshme për të përmbushur qëllimet e tjera, siç janë krijimi i vendeve të punës dhe forcimi i Eurozonës?
Holanda ka një qasje aktive ndaj Presidencës së saj. Do të na duhet të përqendrohemi në çështjet më të nxehta të axhendës, sikurse kemi bërë dhe me krizën e refugjatëve dhe të emigrimit. Por sigurisht, programi i punës i Komisionit Evropian dhe programi Trio që kemi hartuar me presidencat pasardhëse të Sllovakisë dhe Maltës do të marrin vëmendjen tonë. Do të bëjmë më të mirën për të sjellë propozime të ndryshme legjislative. Për shembull, duam të përqendrohemi në një Evropë që sjell risi dhe krijon vende pune. Holanda kërkon ta bëjë tregun e përbashkët më të drejtë dhe më gjitheperfshires.Ekonomia evropiane mund të rritet me 1.25 trilion € – dyfishi i gjithë ekonomisë holandeze – nëse do të mund ta plotësonim vërtetë tregun e përbashkët. Holanda dëshiron që Bashkimi Evropian të përqendrohet në atë çka është e rëndësishme për qytetarët e Evropës dhe bizneset. Prioritetet janë mirëqenia, liria dhe siguria. Nuk dëshiron që Bashkimi Evropian të merret me çështje të cilat shtetet anëtare mundet fare mirë t’i zgjidhin vetë. Disa shembuj përfshijnë sistemin shëndetësor, arsimin, pensionet dhe taksat. Inovacioni, zhvillimi dhe puna vijnë të parat. Në atë drejtim, Evropës i nevojiten rregulla më specifikë – rregulla më të thjeshtuar që t’i aplikohen të gjitha shteteve anëtare. Kjo do të reduktonte burokracitë dhe kostot si për qytetarët, ashtu edhe për kompanitë dhe autoritetet e tjera publike. Është e rëndësishme për qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të ndihen të lidhur me Evropën, dhe ata do të ndihen më të lidhur, nëse e shohin Evropën të arrijë rezultate të vlefshme. Po kështu edhe nëse ata ndjekin si punon BE.
- Mund ta shtjelloni disi më hollësisht pozicionin specifik që presidenca e Holandës do të mbajë mbi ruajtjen e unitetit të BE dhe luftës ndaj “kërcënimit të shpërbërjes” të përmendur në një raport themelor të vendit tuaj mbi gjendjen e punëve në Union?
Ajo çka i nevojitet Evropës tani nuk janë vizione madhështore, por rezultate të prekshme. Unioni ynë prej 28 shtetesh anëtare nuk është i përsosur, por ofron mjetet thelbësore për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme. Holanda është një prej themelueseve të projektit të Bashkimit Evropian dhe do të mbetet e angazhuar në këtë kauzë të përbashkët. Holanda do ta kryejë Presidencën e saj në mënyrë pragmatike. Do të përpiqemi të jemi sa më konstruktivë që të jetë e mundur. Tradita holandeze e konsultimit dhe e bashkëveprimit mund të arrijë shumë në Evropë.
Sipas këndvështrimit tonë, modernizimi i BE duhet të jetë një proces në të cilin të angazhohen të gjitha shtetet anëtare dhe që do t’i hapë udhën një Unioni më të mirë për të gjitha shtetet anëtare. Duhet gjithashtu të sigurohet që popujt e BE të ndihen të angazhuar dhe të kenë fjalën e tyre. Media e lirë dhe e pavarur është gjithashtu thelbësore. Pa këto komponentë demokratikë kontrollesh dhe balancash, Unioni ynë nuk mund të funksionojë. Në Evropë qëndrojmë më të fortë kur jemi së bashku. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë. Kjo vlen për tregtinë, mjedisin, klimën, energjinë dhe për më tepër, për paqen, sigurinë dhe mirëqenien tonë.
- Kriza e vazhdueshme e emigrantëve dhe e sigurisë kanë shtyrë disa shtete të rivendosin kontrollet kufitare dhe të kufizojnë lëvizjen e lirë. Ka qarkulluar gjithashtu dhe debati për shfuqizimin e marrëveshjes Schengen, një prej gurëve të themeleve të integrimit të Unionit. Cili është qëndrimi i Holandës përsa i përket lëvizjes së lirë në këto kohë të vështira dhe a do ta përkrahë presidenca holandeze mënyrën e funksionimit të Schengen-it?
Është e qartë që sfida e emigrimit dhe e refugjatëve do të kryesojë axhendën e presidencave holandeze, sllovake dhe malteze që do të mbulojnë periudhën prej janarit 2016 deri në qershor 2017. Sikurse nënvizoi dhe Këshilli Evropian i dhjetorit, hapat për forcimin e kufijve të jashtëm të BE do të jenë një prioritet. Axhenda përfshin gjithashtu zhvillimin e ardhshëm të Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilkërkuesve, punën mbi zhvendosjen, strehimin, kthimin dhe pranimin, rritjen e përpjekjeve për të luftuar trafikimin njerëzor dhe zhvillimin e masave që lidhen me emigracionin e ligjshëm. Holanda i kushton një rëndësi të madhe ruajtjes së lirive themelore të BE. Nuk përkrahim ndryshimet e traktateve. Pikësëpari e para së gjithash, ne duhet të ruajmë me efikasitet kufijtë e jashtëm të BE, të përmirësojmë mënyrën si priten refugjatët në Evropë dhe rajon dhe të ndajmë në mënyrë të barabartë përgjegjësinë mbi këto sfida.
- Zgjerimi në tërësi dhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor në veçanti mungojnë tashmë prej pak kohësh nga lista e prioriteve të BE. Cila do të jetë qasja e presidencës holandeze drejt zgjerimit dhe integrimit të vendeve të BP përgjatë kësaj kohe?
Holanda do të ndjekë rrugën që kanë ndjekur dhe presidencat e tjera të mëparshme. Është mjaft e qartë për shtetet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor se cilat reforma duhen kryer. Nëse ka hapa që duhen ndërmarrë, ne si presidencë do të marrim pozicionin e ‘ndermjetësit te drejtë’. Do të marrim mendimet e shteteve anëtare dhe Komisioni do të monitorojë nga afër dhe do të mbajë shënim progresin e shteteve të Ballkanit Perëndimor kah integrimit në BE.
- Shqiptarët mund ta mbajnë mend qeverinë holandeze si një prej më të vështirave për t’u bindur kur erdhi puna në marrjen e statusit kandidat për vendin e tyre. Cili është pozicioni i tanishëm vis-à-vis integrimit të Shqipërisë në BE?
Përgjithësisht politika e Holandës mbetet e pandryshuar. Si një shtet anëtar, Holanda ka zbatuar gjithmonë politikën “strikte dhe të drejtë”, e cila sipas vlerësimit tim, është pranuar dhe çmuar edhe prej popullit dhe politikanëve shqiptarë. Holanda do të vazhdojë të zbatojë të njëjtën politikë.
Shqipëria është padyshim pjesë e Evropës, me një perspektivë Evropiane dhe me ambicien për t’iu bashkuar familjes evropiane. Kjo konfirmohet nga vullneti politik dhe angazhimi ndaj reformave që Shqipëria duhet të kryejë, mentaliteti i gjerë pro-evropian dhe interesi për ta konkretizuar ambicien në realitet. Gjithashtu nuk ka diskutime mbi nevojën e menjëhershme për të çuar përpara reformat e vazhdueshme dhe plotësimin e kërkesave që lidhen me prioritetet kyçe të nënvizuara prej Komisionit të BE. Por le të mos bëhemi aq naivë sa të besojmë se Shqipëria do të gdhihet nesër me të gjitha prioritetet e BE të plotësuara. Rruga është e mbushur me sfida, një prej të cilave është edhe ajo që i përket reformës së gjyqësorit. E fundit, por jo për nga rëndësia, duhet të bëhet e qartë që procesi i hapjes së negociatave nuk është i njëanshëm, sepse duhen gjithnjë dy për të kërcyer tango,varet gjithashtu nga Shqipëria , qeveria dhe parlamenti i saj për të dëshmuar që standardet e vendosura reciprokisht janë arritur.
- Sa larg gjendet Shqipëria nga caktimi i një date për hapjen e negociatave?
Ne besojmë se më e rëndësishme se pyetja “kur ose në cilin vit” është të parashikojmë “si të arrijmë aty” dhe “si të arrijmë deri aty duke respektuar të gjitha standardet”. Më shumë se Holanda apo çdo shtet tjetër anëtar i BE, hapja e negociatave është në dorë të Shqipërisë, qeverisë së saj, parlamentit të saj dhe klasës politike, të cilët duhet të bëjnë përpara me reformat e tanishme dhe të përmbushin të gjitha angazhimet mbi prioritetet e nënvizuara nga Komisioni i BE. Është mjaft e qartë se çfarë duhet bërë. Pyetja është kur do të arrijë qeveria shqiptare të ketë një regjistër të dhënash mbi luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur do të miratohen në parlament amendamentet kushtetuese të reformës gjyqësore? Këto janë të gjitha të domosdoshme për progresin që Shqipëria duhet të bëjë në lidhje me integrimin e saj në BE. Prandaj, për hapjen e negociatave, le të përqendrohemi më shumë tek mënyra, sesa tek koha.
Ka mjaft raportime që emigrantët shqiptarë, të cilëve u është refuzuar e drejta për të qëndruar në Gjermani, po drejtohen në Holandë për ta provuar sërish. Si e shikon qeveria juaj problemin e emigrantëve dhe azilantëve shqiptarë? Si po bashkëveproni me drejtuesit shqiptarë për të marrë masa të përbashkëta kontrolli?
Holanda do t’i qëndrojë e palëkundur politikës së saj strikte mbi azilantët që vijnë nga Shqipëria, të cilët faktikisht nuk janë azilantë por emigrantë ekonomikë. Në 2015, më shumë se 1000 shqiptarë kërkuan azil në Holandë por nuk u lejuan të qëndrojnë. Holanda po nis të përdorë fluturime të veçanta qeveritare për t’i rikthyer emigrantët shqiptarë në atdhe. Kjo politikë e re u diskutua me autoritetet shqiptare gjatë një vizite të ministrisë holandeze të drejtësisë në Tiranë. Është gjithashtu e nevojshme të adresohen në rang kombëtar arsyet rrënjësore të prirjes në rritje për emigrim ekonomik. Lehtësimi i varfërisë dhe krijimi i mundësive të qëndrueshme ekonomike për njerëzit në Shqipëri duhet të jenë në fokus. Gjithashtu, me forcimin e shtetit ligjor dhe duke qenë se korrupsioni po luftohet në mënyrë efikase, shpresohet se investimet do të rriten, do të hapen më shumë vende pune dhe njerëzit, veçanërisht të rinjtë, do të jenë më pak të nxitur për të kërkuar punë jashtë Shqipërisë.
- Edhe Holanda has në disa probleme politikash të brendshme të cilat mund të ndikojnë në presidencën e saj të BE. Euroskepticizmi dhe islamofobia duket se janë të pranishme jo vetëm në ligjëratën mediatike por edhe nëpër debatet politike. A mendoni se kushtet e tanishme do ta përforcojnë qëndrimin e partive të djathta euroskeptike?
Në fakt, në Holandë mund të gjendet edhe përkrahja ndaj integrimit evropian, edhe euroskepticizmi. Janë të shumtë holandezët që mendojnë se njerëzit që i arratisen luftës dhe terrorit duhen ndihmuar, dhe në të njëjtën kohë, ka njerëz që i tremben fluksit të refugjatëve. Disa qytetarë holandezë janë të shqetësuar për numrin e njerëzve që mbërrijnë: disa qyteza shqetësohen se hapja e një qendre refugjatësh në komunitetin e tyre do të sillte pasoja negative. Kjo mund të çojë në një rritje të euroskepticizmit, si në media ashtu dhe në politikë. Është e rëndësishme të merren në konsideratë ndjenjat e njerëzve. Por duhet të dini gjithashtu që në Holandë ka një kulturë të fortë vullnetarizmi. Kur u bë e qartë që shumë refugjatë po vinin në vendin tonë, u pa që shumë njerëz ndërmorën nismën për t’i bërë ata të ndihen të mirëpritur dhe t’u siguronin gjërat më të domosdoshme si ushqime dhe batanije. Për shembull, në stacionin qendror të Amsterdamit janë çdo ditë të pranishëm vullnetarët që përkrahin refugjatët që mbërrijnë më trena: u japin atyre nga një filxhan të ngrohtë me kafe ose çaj dhe i udhëzojnë për në streha.
Të tjerë qytetarë holandezë, për shembull, i ftojnë refugjatët nëpër shtëpitë e tyre për t’u ofruar nga një vakt të gatuar në shtëpi. Ka mjaft nisma si këto, por shpeshherë ato nuk dalin nëpër lajme. Pra, është sigurisht një sfidë për Holandën dhe Bashkimin Evropian të përballojnë kaq shumë refugjatë, por le të mos harrojmë edhe gjërat e mirë që po ndodhin.