Ashtu si në fundin e një martese të gjatë dhe plot tension, përpara divorcit vjen ndarja e sikletshme. Nëse Britania voton për të dalë nga BE, në skenat përmbyllëse të partneritetit 40-vjeçar, me siguri do të shihet një kryeministër britanik i ulur në zyrën e tij, në përitje të përgjigjeve, në mesin e natës.
Përgjatë korridorit të ndërtesës së Këshillit Europian në Bruksel, 27 udhëheqësit e mbetur do të diskutonin dhe votonin marrëveshjen e daljes së Mbretërsë së Bashkuar, një pakt i cili do të prekte pothuaj çdo aspekt të jetës modernë në Britani, që nga çmimi i qumështit, deri tek liria për të punuar gjetkë në Europë. Ndërkohë që largimi nga BE është zgjedhja e Britanisë, Mbretëria e Bashkuar nuk mund të diktojë termat e daljes. “Në atë pikë mbetesh krejt vetëm, sapo del prej procesit të vendim-marrjes”, thotë Michel Petite, ish kreu i shërbimit ligjor në Bashkimin Europian. “Votimi është thelbi i anëtarësimit në BE, vija e kuqe. Ju po largoheni nga klubi”.
Mënyra si ky divorc i ndërlikuar negociohet dhe kryhet do të ketë një impakt vendimtar mbi ekonominë e Britanisë, si dhe vendin e saj në botë, për breza të tërë. Mund të shpjerë në një tranzicion të rregullt, ose në një proces shumë më të paparashikueshëm, i ndikuar prej trysnisë politike, luhatshmërisë së tregjeve dhe përplasjes së interesave kombëtare.
Çfarë marrëdhënie do të kërkonte Mbretëria e Bashkuar për të ardhmen? Si do të reagonte BE? Dhe kur do të bëheshin saktësisht të qarta kushtet e daljes?
Mekanika e divorcit do të përcaktonte nëse ndarja prej unionit rezulton e dëmshme, me risk, apo shpërblyese.
Ndarja
Largimi nga BE është një sfidë e frikshme, e cila nuk ka precedentë të qartë. Brexit do të zhbënte marrëdhënie ekonomike me një “kompleksitet dhe thellësi të pakrahasueshme”, sipas Stephen Ueatherill, profesor i jurisprudencës në Universitetin e Oksfordit. Ai argumenton se ligjërisht do të ishte më e ndërlikuar se sa dekolonizimi, apo ndarja e shteteve sovrane në të kaluarën.
Negociatat nuk do të përfshinin vetëm divorcin, ndarjen teknikisht të rrugëve dhe larjen e hesapeve për faturat e vjetra. Ajo do të duhej të ribënte edhe tregun e përbashkët më të madh në botë, duke vendosur kushte të reja për qasjen në treg, si dhe do të kërkonte legjislacion për “rishtetëzimin” e vëllimeve të tërë me ligje, rrënjët e të cilëve sot janë në BE.
Shumë shpejt pasi Britania hyri në BE në vitin 1973, gjykati i ndjerë anglez, Alfred Denning i krahasoi pasojat ligjore me një “dallgë të madhe që afrohet, e cila vërshon nëpër grykëderdhje dhe merr përpjetë lumenjve”.
Katër dekada më vonë, Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik ka vlerësuar se ligjet që kanë lidhje me BE-në zënë të paktën një të gjashtën e legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo përjashton 12295 rregullore të BE me pasoja të drejtpërdrejta – qindra-mijëra faqe me ligje, për pothuaj gjithçka, që nga bankat dhe rregullat për konsumatorin, deri tek standartet ushqimore, dhe të cilat pushojnë së zbatuari në momentin që Britania largohet.
Britanisë do i duhet gjithashtu të rinegociojë ose të rikonfirmojë një rrjet me marrëveshje tregtare të negociuara nga BE, me dhjetëra vende, marrëveshje që e ankorojnë Britaninë në tregtinë botërore, por që nuk trashëgohen automatikisht nëse ajo largohet.
Një ushtrim i tillë i jashtëzakonshëm ka avantazhe: një spastrim të ligjeve të këqia, si dhe një përshtatje më e mirë e tregtisë, sipas interesave të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, si sipërmarrje administrative do të ishte “absolutisht shumë konsumuese”, thotë Andreu Turnbull, isih shefi i shërbimit civil britanik. “Eshtë një punë shumë e madhe”.
Paqëndrueshmëria
Sfondi i një vendimi të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian mund të jetë i paqëndrueshëm. David Cameron, Kryeministri britanik, thotë se do të vazhdojë të qëndrojë edhe nëse në 23 qershor votohet për largimin nga BE, por ministrat e tij kryesorë nuk e besojnë. Bisedimet e zgjatura për divorcin mund të ndërpriten prej zgjedhjeve, apo një referendumi të dytë për pavarësinë në Skoci, e cila mund të dëshirojë të qëndrojë në bllokun e BE. Përgjatë gjithë kohës, BE do të jetë duke u përballur me “rrëmujën” më të madhe politike, qysh prej krijimit të saj.
“Unë shqetësohem më shumë, jo për teknikalitetet, por për forcat shkatërrimtare që kjo do të çlironte, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por në të gjithë kontinentin”, thotë John Bruton, ish kryeministri irlandez. “Do të jetë zhbërja potenciale e 70 viteve shtetndërtim”.
Për të parandaluar çpështjelljen e bllokut të BE, vendet anëtare mund të kërkojnë të ndëshkojnë Britaninë, me qëllim që të tjerët të mos guxojnë të ndjekin rrugën e saj. “Ata do të përpiqen ta bëjnë sa më të dhimbshme që të jetë e mundur, qoftë financiarisht të dhimbshme, qoftë politikisht të dhimbshme”, thotë Gordon Bajnai, ish kryeministër i Hungarisë. “Mbretëria e Bashkuar do të përballej me një Europë armiqësore”.
Politikanët pro largimit i krahasojnë parashikime të tilla për “fundin e botës”, me paralajmërimet e të kaluarës mbi refuzimin e Britanisë për të hyrë në zonën e Euros, të cilët nuk u realizuan. Ditën pas referendumit, të drejtat dhe detyrimet e Britanisë do të mbeteshin të njëjta, ashtu sikurse dhe rregullat e biznesit. Mbështetësit e Brexit thonë se të gjitha palët – nga Londra, në Bruksel e në Berlin – do të kishin stimulin për të rënë dakord për një tranzicion të butë.
“Ne nuk jemi revolucionarë që dëshirojmë të grisim çdo direktivë brenda natës. Ne duam më shumë tregti, jo më pak tregti”, thotë John Reduood, një deputet veteran konservator dhe euroskeptik. “Ne jemi Britania, ekonomia e pestë më e madhe në botë. Unë jam më optimist në lidhje me partnerët tanë. Shumica e tyre do të jenë të ndjeshëm dhe të arsyeshëm”.
Libri i rregullave
Juristët janë të ndarë sa i përket rregullave të divorcit. Ekziston një e ashtuquajtur “klauzolë e daljes” në traktatet e BE – Neni 50 – por ajo ka boshllëqe dhe është e paqartë. Në Bruksel të thonë me shaka se ajo “është vënë aty për të mos u zbatuar kurrë”.
Juristë të njohur në BE thonë se ajo parashtron kushtet për tërheqjen, dhe jo për një partneritet të ardhshëm tregtar. Ky është një dallim që mund të ketë shumë peshë.
Neni 50 vendos për vendet që duan të largohen një afat kohor 2-vjeçar për të rënë dakord me kushtet, me një shumicë të cilësuar të shteteve të mbetur të BE. Por një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse BE-Britani do të kërkonte unanimitet dhe ratifikim nga shtetet anëtare – duke u dhënë kështu parlamenteve një të drejtë vetoje, deri tek ansambleja e komunitetit gjermanisht-folës prej 76 mijë anëtarësh në Belgjikë.
Nuk është kjo rruga e vetme që Britania mund të bjerë pre e vetove të shteteve. Zgjatja e bisedimeve përtej dy viteve kërkon unanimitet. Juristët thonë se ky faktor mund të nxisë Britaninë që të mbajë negociata joformale – për shembull për të vendosur objektiva të mëdhenj me BE-në – përpara se të kërkojë formalisht zbatimin e Nenit 50.
“Njerëzit flasin për BE, sikur kjo të ishte një monolit”, thotë Ueatherill. “Në fakt BE do të negociojë me Komisionin, me 27 vende anëtare, me parlamentin europian, parlamentet e shteteve, me elektoratet e tyre. Ka shumë aktorë që mund të vënë veton. Do u duhet të mundohen shumë për t’i bërë këta aktorë që të bien dakord”.
Karel De Gucht, ish komisioner i BE për Tregtinë, thotë se procesi do të jetë “i rrezikshëm dhe i vështirë”. Ndërkohë që ai thotë se është e arsyeshme që negociatat të përfundojnë në dy vite, të tjerët janë më pak të sigurtë.
Afati 2-vjeçar shkakton gjithashtu riskun e vogël, por shkatërrimtar, të një tërheqjeje të çrregullt brenda natës, gjë që përbën shqetësim të veçantë për biznesin. “Si t’ia themi ne drejtorit ekzekutiv ta injorojë këtë, ndërkohë që bën planifikimet?”, thotë një prej shefave të autoritetit rregullator në një bankë të madhe europiane.
Tregtia dhe imigrimi
Britanisë do i duhej të vlerësonte menjëherë prioritetet e saj menjëherë pas një votimi të mundshëm për t’u larguar nga BE, me qëllim që të këqyrë domethënien e vërtetë e kësaj vote.
Kjo nuk do të jetë detyrë e lehtë. Ka modele të ndryshme që ofrojnë opsione për shtetet jashtë BE, që nga qasja “à-la-carte” e Zvicrës, deri tek drafti i marrëveshjes së tregtisë së lirë i Kanadasë. Por zyrtarë të lartë në Londër dhe në Bruksel i shohin si udhërrëfyes jo të përsosur për një situatë e cila është unike për Britaninë.
Një prej pyetjeve të para do të ishte për doganat. A do ta ruante Britania zonën e përbashkët pa tarifa brenda BE? Apo do të kërkonte më shumë fuqi për të vendosur kushtet e tregtisë me Europën dhe botën?
David Eduard, një ish gjykatës në BE, thotë: “Çështja në fund është kjo: a do të ngrejmë posta doganore dhe kufitare në kufirin me Irlandën?” Eshtë nëj zgjedhje me pasoja potencialisht serioze për paqen e brishtë në Irlandën e Veriut.
Shtresa tjetër e pikëpyetjeve lidhet me rregullat që koordinojnë qasjen në treg për biznesin dhe punën. Sa më të thella lidhjet, aq më shumë BE do të presë nga Britania që t’u bindet katër parimeve themelore të tregut të përbashkët: lëvizja e lirë e njerëzve, kapitalit, shërbimeve dhe mallrave.
Në fund, është çështja e ndjeshme e sovranitetit, gogoli i Euroskeptikëve britanikë për dekada të tëra. Cilat gjykata janë supreme, dhe cilët institucione veprojnë si policë për të garantuar zbatimin e rregullave të përbashkëta?
Politikanët pro largimit, si Michael Gove, Sekretari i Drejtësisë i Mbretërisë së Bashkuar, sugjerojnë se do të ishte e çuditshme për BE që të dëmtonte tregtinë me Britaninë, partneri i saj më i madh i eksporteve. Por BE ka kërkuar gjithnjë e më shumë përulje dhe konformizëm nga partnerë të jashtëm më të vegjël, si Norvegjia apo Zvicra.
“Marrëveshja bazë është kjo: ti ke qasje, në këmbim të ‘gëlltitjes’ së acquis-it, dhe ‘gëlltitjes’ së tij kur ndryshon të ardhmen”, thotë Petite, duke iu referuar trupës ligjore të BE-së. “Nëse nuk e bën, atëherë ose je jashtë, ose përballesh me sanksione që e vënë në dyshim qasjen në tregun e përbashkët”.
Edhe pas një marrëveshje tregtare, mund të vijë një tranzicion i gjatë. Zyrtarë të lartë të BE dhe Britanisë parashikojnë që një divorc mund të kërkojë në total një dekadë. Boris Johnson, kryebashkiaku i Londrës dhe një prej mbështetësve kryesorë të Brexit, ka sugjeruar një referendum të dytë. Pak kush pret që negociatat do të jenë të qeta.
“Si mund të shkëputesh prej kontinentit? Nuk e bën dot brenda natës”, thotë Alex Stubb, ministër i Financave i Finlandës. “Do të duhet një kohë e gjatë, shumë paqëndrueshmëri, gjymtim të tregut, interpretime ligjore, si dhe shumë çështje për gjykatat”.
Opsionet për Mbretërinë e Bashkuar
Modeli norvegjez
Si një vend i Zonës Europiane Ekonomike, Norvegjia është pjesë e tregut të përbashkët të BE, paguan kontribute për buxhetin europian dhe pranon rregullat e lëvizjes së lirë. Ajo ka pavarësi sa i përket politikave të peshkimit dhe bujqësisë, por në të tjerat zbaton rigorozisht rregulloret e BE. Norvegjia adopton ligjet e BE për tregun e përbashkët, pa patur shumë fuqi për të ndikuar mbi to. Ajo mund të negociojë marrëveshjet e veta tregtare, duke ia nënshtruar kufizimeve mbi ato mallra që më pas mund të shiten në BE. Ajo pranon vendimet e gjykate të Zonës Ekonomike Europiane, që shpesh herë ndjek vendimet e Gjykatës Europiane.
Modeli zviceran
Zvicra negocion qasjen në tregun e përbashkët, sektor pas sektori. Në vend që të ndiqte modelin e Norvegjisë, Zvicra ra dakord për një seri marrëveshjesh tregtare dypalëshe me BE gjatë 30 viteve të fundit. Ndërkohë që pranon lëvizjen e lirë dhe paguan disa tarifa kundrejt BE, gjykatat e saj janë kryesisht jo të lidhura me vendimet e BE. Por modeli është në telashe dhe BE nuk do të donte kurrë t’i ofronte një model të ngjashëm Mbretërisë së Bashkuar. Blloku kërcënoi të ndërpresë qasjen në treg, pasi Zvicra u përgatit të frenojë imigrimin, si dhe po i bën presion zviceranëve që të pranojë vendimet e gjykatave të BE.
Modeli turk
Turqia është pjesë e bashkimit doganor të BE. Tarifa e saj e jashtme vendoset nga BE dhe eksportet turke në BE janë pa tarifa, gjë që i jep Ankarasë qasje në tregun e përbashkët europian të mallrave. Por marrëveshja përjashton fusha të tjera si shërbimet, bujqësia dhe prokurimet publike. Sipas një marëveshje të tillë, Britania do të humbiste edhe sovranitetin në tregti. Ajo nuk do të influenconte apo përfitonte drejtpërdrejtë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë mes bllokut të BE dhe vendeve si Korea e Jugut – por gjithësesi do të duhej të pranonte qasjen e Koresë së Jugut në tregun e saj.
Modeli kanadez
Marrëveshja e Tregtisë e BE me Kanadanë është më ambiciozja e saj. Përpjekja e saj për të reduktuar barrierat rregullatore mund të shërbejë si model për një marrëveshje edhe më gjithëpërfshirëse me Mbretërinë e Bashkuar. Por draft-marrëveshja ka ngecur në politikë. Marrëveshja eleminon gradualisht tarifat për të gjithë produktet industriale dhe shumicën e produkteve bujqësore. Ajo lehtëson disi barrierat rregullatore, por shërbimet financiare përjashtohen. Një marëveshje e tregtisë së lirë me Britaninë do të ishte më e thellë, por për atë arsye BE ndoshta do të kërkonte më shumë mbikëqyrje (përmes gjykatave apo organeve zbatuese) dhe bashkërendimit.
Opsioni i OBT
Nëse Mbretëria e Bashkuar nuk do të ishte në gjendje që të negocionte një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, ajo mund të bënte biznes me bllokun mbi bazën e regjimit tregtar ndërkombëtar, siç bëjnë vende si Zelanda e Re. Një marëveshje e tillë do të mbronte mallrat nga normat ndëshkuese dhe do të mbulonte shumicën e eksporteve mbi vlerën. Tarifat janë të ulëta në shumicën e sektorëve por ka përjashtime, si pjesët e këmbimit të automjeteve, që janë një prej eksporteve kryesore të Britanisë, dhe bujqësia. Mbështetësit e largimit thonë se kostoja e përgjithshme do të ishte më e ulët se sa tarifat e anëtarësimit në BE. Barriera të tjera për tregtinë do të ishin më të dëmshme, duke përfshirë barrierat rregullatore mbi shërbimet financiare.
Përgatiti: Ermal Gjinaj