Një fillim i mbarë drejt zgjidhjes së rebusit koncesionar

1

Ekziston një propozim i ri, i rëndësishëm, legjislativ i cili synon t’i japë zgjidhje disa prej problemeve që qarkullojnë rreth çështjes së diskutuar gjerësisht si në debatet politike, edhe në ato publike: koncesioneve. Grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka draft-uar disa ndryshime të ligjit mbi koncesionet të cilat synojnë të rrisin transparencën, legjitimitetin dhe efikasitetin e partneriteteve private-publike.

Pikësëpari, propozimi i LSI, partisë më me influencë të koalicionit qeverisës, vendos një parim themelor për legjitimitetin e procedurës: miratimin nga Parlamenti. Miratimi i legjislativit, i cili i paraprin kërkesës për miratim nga pozita, do të garantonte kështu jetëgjatësinë e koncesionit. Përderisa koncesionet jepen në kuadër afatgjatë, koncesioni duhet të jetë solid dhe nuk duhet t’i nënshtrohet tekave të administratave që ndryshojnë.

Përfshirja e trupit të lartë legjislativ siguron gjithashtu garancitë shtesë sipas të cilave, ofruesi i përzgjedhur i shërbimit apo i investimit ka në plan interesat më të mirë të publikut. Kjo gjë rrit legjitimitetin e procedurës, duke u ngjallur kështu akoma më shumë shkëndija investitorëve të cilëve nuk do u duhet të marrin në llogari rreziqe politike shtesë. Përfundimisht, miratimi i Parlamentit do të sillte transparencë të shtuar për qytetarët dhe do të ulte debatin politik që qarkullon mbi to.

Së dyti, propozimi përfshin masa specifike për të rritur numrin e aktorëve të përfshirë në fazën e negociatave, duke përfshirë në secilin rast Ministrinë e Financave si dhe Zyrën e Avokaturës së Shtetit. Sidomos në rastin e kësaj të dytës, vlera që i shtohet është vërtetë e konsiderueshme. Përveçse do të japë këshilla të vlefshme, Avokati i Shtetit do të jetë i angazhuar në vazhdimësi dhe do të ketë fjalën e fundit, në rast se koncesioni zhbëhet apo përfundon në proces gjyqësor.

Së treti, propozimi thekson nevojën për të përkrahur ‘parimin e alternativës’ duke e shtyrë shtetin të marrë në konsideratë mundësi të tjera kur i paraqiten oferta të pakërkuara për një shërbim të caktuar. Vetëm pas vlerësimit të alternativave të tjera, siç janë fondet publike apo procedurat e tenderit, dhe vendimit që dhënia me koncesion është gjëja e duhur për t’u bërë, atëherë mund të fillojnë procedurat. Ky është një sugjerim fare i thjeshtë dhe logjik që ka potencialin për të reduktuar trysninë korruptive.

Kjo nismë parlamentare vjen nën një kontekst interesant: qeveria ka dhënë tashmë dhe është e përfshirë në një kërkim intensiv për të dhënë koncesione të tjera mbi shërbimet dhe detyrimet të cilat janë bazë e qeverisjes dhe vetë thelbi i funksionimit të një shteti. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e koncesionit të mbledhjes së taksave, një ide kjo e pashembullt në asnjë shtet tjetër dhe shumë e diskutueshme.

Media të ndryshme investigative kanë publikuar tashmë raporte serioze dhe të hollësishme që ngrenë shumë pyetje mbi koncesionet e dhëna: si për vënien në dyshim të të mirave që ato i sjellin publikut, edhe për motivet që fshihen pas vullnetit të qeverisë për t’i miratuar ato.

Nuk kemi asnjë kundërshtim ndaj idesë së koncesioneve në vetvete si një mënyrë për të zhvilluar ekonominë, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe për të rritur standardet në shumë sektorë. Megjithatë shumë ekspertë të pavarur besojnë që është shumë e vështirë të përcaktohet në mjaft koncesione ekzistuese se si është përmirësuar shërbimi, nëse shërbimi është bërë plotësisht i garantueshëm apo si janë ngritur standardet.

Për më tepër kemi mjaft raste publike në të cilat kontratat koncesionare në vend që ta përmirësojnë situatën, janë transformuar në barra të rënda për ekonominë shqiptare. Madje në disa raste ato i përshtaten profilit të marrëveshjeve të mirëfillta korruptive. Prandaj nisma e grupit parlamentar të LSI i përgjigjet këtij konteksti ekzistues duke parashtruar ide konkrete për rritjen e transparencës dhe shmangien e shndërrimit të procedurave koncesionare në instrumenta korruptivë.

Nëse vazhdon e njëjta situatë financiare dhe ekonomike, ekspertët dhe institucionet financiare kanë paralajmëruar se koncesionet mund t’i përkeqësojnë potencialisht shanset për rimëkëmbje ekonomike.

Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura, nisma e LSI meriton diskutim të mëtejshëm publik me qëllim që parimet e saj të gjejnë mbështetje.

 

SHPËRNDAJE