Nga George Soros
Britania, siç besoj unë, kishte marrëveshjet më të mira të mundshme me Bashkimin Europian, duke qenë anëtar i tregut të përbashkët pa qenë në zonën e euros dhe e çliruar nga një varg detyrimesh të tjera, që buronin nga normat e BE-së. Megjithatë kjo nuk mjaftoi për ta ndaluar elektoratin e Mbretërisë së Bashkuar për të votuar pro largimit. Përse?
Përgjigja mund të shihet në sondazhet e kryera disa muaj para referendumit “Brexit.” Kriza europiane e emigracionit dhe debati për Brexit-in ushqyen njëra tjetrën. Fushata e “Largimit” shfrytëzoi situatën e dëmshme të refugjatëve – që simbolizohej me pamjet e frikshme të mijëra azilkërkuesve të përqendruar në Kale, të etur për të hyrë në Britani me çdo mjet – për të futur frikën e emigracionit “të pakontrolluar” nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Autoritetet europiane u vonuan për vendime të rëndësishme lidhur me politikën ndaj refugjatëve me qëllim që të shmangnin një efekt negativ mbi votën e britanikëve në referendum, duke lejuar skena të vazhdueshme kaosi si ato në Kale.
Vendimi i Kancelares gjermane Angela Merkel për t’i hapur gjerësisht dyert e vendit të saj ndaj refugjatëve ishte një gjest jo frymëzues, megjithëse nuk u mendua siç duhet, sepse e shpërfilli faktorin e tërheqjes. Një valë e beftë azilkërkuesish e trazoi jetën e përditshme të njerëzve në BE.
Për më tepër, mungesa e kontrolleve të nevojshme krijoi një panik që i preku të gjithë: popullsinë vendase, autoritetet e ngarkuara me sigurinë publike dhe vetë refugjatët. Ai shtroi udhën edhe për një rritje të partive ksenofobe antieuropiane – si Partia e Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar, që ishte flamurtare e fushatës së Largimit – pasi qeveritë kombëtare dhe institucionet europiane dukeshin të paafta për ta trajtuar krizën.
Tani, skenari shkatërrimtar, të cilit i trembeshin shumë, është materializuar, duke e bërë shpërbërjen e BE-së praktikisht të pakthyeshme. Britania përfundimisht mund të jetë ose mund të mos jetë më mirë se sa vendet e tjera duke u larguar nga BE, por ekonomia dhe populli i saj do të vuajnë mjaft në një periudhë afatshkurtër deri afatmesme. Sterlina ra në nivelet e tij më të ulëta në më shumë se tre dekada menjëherë pas votimit dhe tregjet financiare në mbarë botën ka mundësi të mbeten të trazuar, ndërkohë që zhvillohen bisedimet në një proces të gjatë dhe të ndërlikuar të ndarjes politike dhe ekonomike. Pasojat për ekonominë reale do të jenë të krahasueshme vetëm me krizën financiare të viteve 2007-2008.
Ky proces me siguri që do të shoqërohet me pasiguri dhe rreziqe të tjera politike, sepse ajo që diskutohet nuk ishte vetëm një avantazh real apo imagjinar për Britaninë, por pikërisht mbijetesa e projektit europian. Brexit-i do të hapë portat për forcat e tjera antieuropiane brenda BE-së. Në të vërtetë, pa dalë ende mirë rezultati i referendumit, Fronti Kombëtar i Francës lëshoi thirrjen për “Frexit”-in, ndërsa populisti holandez Geert Wilders shpalli “Nexit”-in.
Për më tepër, vetë Mbretëria e Bashkuar mund të mos mbijetojë. Skocia, që votoi me shumicë dërmuese për të qëndruar në BE, mund të pritet të bëjë një përpjekje tjetër për të fituar pavarësinë, kurse disa zyrtarë në Irlandën e Veriut, ku votuesit mbështetën po ashtu Qëndrimin, kanë bërë thirrje për bashkim me Republikën e Irlandës.
Reagimi i BE-së ndaj Brexit-it mund të jetë fare mirë një kurth tjetër. Udhëheqësit europianë, të zellshëm për t’i frenuar shtetet e tjera për të ndjekur këtë shembull, mund të mos jenë të gatshëm t’i caktojnë Mbretërisë së Bashkuar kushte – sidomos në lidhje me shfrytëzimin e tregut të vetëm të Europës – që do t’i zbutnin dhimbjet e largimit. Me një BE ku llogaritet gjysma e vëllimit tregtar britanik, ndikimi mbi eksportet mund të jetë shkatërrues (pavarësisht nga një përqindje këmbimi më konkurruese). Ndërsa me institucionet financiare që në vitet e ardhme i rivendosin operacionet dhe personelin e tyre në qendrat e eurozonës, Qyteti i Londrës (dhe tregu i shtëpive në Londër) nuk do të shpëtojnë nga dhimbjet.
Por rrjedhojat mund të jenë akoma më të këqija për Europën. Tensionet midis shteteve anëtare kanë arritur në një pikë vlimi, jo vetëm për refugjatët, por edhe si rezultat i masave të jashtëzakonshme shtrënguese midis vendeve kreditore dhe debitore brenda eurozonës. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e dobësuar në Francë dhe Gjermani tani janë të fokusuar te problemet e brendshme. Në Itali, rënia prej 10% e tregut të aksioneve pas votës Brexit tregon qartë dobësinë e vendit drejt një krize të fuqishme bankare – që do t’i jepte dorë Lëvizjes populiste të Pesë Yjeve, që sapo ka fituar kryebashkiaken e Romës, për të ardhur në pushtet ndoshta vitin tjetër.
Asnjë nga këto shenja nuk flet për një program serioz të reformës në eurozonë, që do të përfshinte një bashkim të vërtetë bankar, një bashkim të kufizuar fiskal dhe mekanizma më të forta të llogaridhënies demokratike. Koha nuk është në favor të Europës, pasi presionet e jashtme nga Turqia dhe Rusia – që të dyja po shfrytëzojnë mosmarrëveshjet në favor të tyre – shtojnë grindjet e brendshme politike në Europë.
Ja këtu gjendemi sot. E gjithë Europa, përfshi edhe Britaninë, do të vuajë nga humbja e tregut të përbashkët dhe nga humbja e vlerave të përbashkëta, të BE-ja u krijua që t’i mbronte. Megjithatë, BE nuk ka arritur dot vërtet dhe ka pushuar së kënaquri nevojat dhe aspiratat e qytetarëve të vet. Kjo të çon drejt një shpërbërjeje të çrregullt, që do ta linte Europën më keq se sa ç’kishte qenë kur nuk ekzistonte BE.
Por ne nuk duhet të dorëzohemi. Duhet thënë se BE është një strukturë me të meta. Pas Brexit-it, të gjithë ne që besojmë te vlerat dhe parimet për të cilat u krijua BE, për të qëndruar së bashku, duhet t’i shpëtojmë ato duke e rindërtuar BE-në. Unë jam i bindur se teksa pasojat e Brexit-it do të dalin në shesh gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, me ne do të bashkohen akoma më shumë njerëz.