FLORIAN BIEBER
Profesor i Historisë dhe Politikës së Europës Juglindore, Universiteti i Gracit, Austri
- Vota e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Europian do të ketë pasoja me ndikim të gjerë jo vetëm për MB dhe BE, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor në etapa të ndryshme të përafrimit të anëtarësimit të tyre në Union.
- Pasiguria e krijuar nga Brexit na e bën të vështirë të parashikojmë, por kjo pasiguri në vetvete do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin e politikë-bërjes. Pasojat e Brexit janë njëherazi strukturale – aftësia e BE për të vepruar dhe për të integruar anëtarë të rinj – dhe normative – aftësia e BE për të promovuar një tip të veҫantë sistemi qeverisës demokratik dhe të orientuar kah konsensusit.
- Kjo përmbledhje përshkruan tri skenarë për ndikimin e mundshëm të Brexit në Ballkanin Perëndimor. Edhe nëse MB ia del mbanë të qëndrojë e bashkuar dhe të ruajë njëfarë statusi anëtarësie, tërheqja nga anëtarësimi dhe ndikimi i BE në trajektoren e reformave në Ballkanin Perëndimor do të zbehet shumë. Brexit do të dëmtojë procesin e zgjerimit të BE dhe për rrjedhojë zhvillimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Çështja është sa do ta dëmtojë dhe për sa kohë.
Hyrje
Gati pas një ҫerek shekulli pas ditës kur Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë e tyre prej Jugosllavisë, votuesit britanikë vendosën me një rezultat të ngushtë por të qartë, të largoheshin nga Bashkimi Europian. Pasojat e këtij votimi do të mbeten të paqarta për shumë javë e muaj në vijim, duke qenë se implikimet janë me ndikim të gjerë. Gjithçka varet nga vendimet e udhëheqësve britanikë dhe të BE mbi një sërë çështjesh që do të shtrihen përtej vetë Brexit-it.
Edhe pse Bashkimi Europian mund të arrijë t’i mbijetojë kësaj krize, sikurse ia ka dalë mbanë t’i bëjë ballë krizës së borxhit, krizës greke dhe asaj të refugjatëve, do të jetë një BE që do të duket shumë ndryshe nga ҫ’duket tani dhe aftësia e saj për ta drejtuar Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje demokratike dhe të qëndrueshme, ka gjasa të zbehet.
Vota për Brexit ka shkaktuar një pasiguri të konsiderueshme që na e bën të vështirë të parashikojmë rezultatet. Ndërkaq, do të jetë pikërisht kjo pasiguri që do të karakterizojë Europën e viteve që do të vijnë, do të ndikojë në politikë-bërje dhe do të mbartë rreziqe të mëdha. Pasojat e Brexit janë njëherazi strukturale – aftësia e BE për të vepruar dhe për të integruar anëtarë të rinj – dhe normative – aftësia e BE për të promovuar një tip të veçantë sistemi qeverisës demokratik dhe të orientuar kah konsensusit.
Pasojat e Brexit për Ballkanin Perëndimor
Me gjithë pasiguritë për pasojat specifike, implikimet e votës për Brexit-in për Ballkanin janë të qarta dhe përgjithësisht negative. Pyetja kryesore nuk është nëse Brexit do ta dëmtojë anëtarësimin në BE dhe ҫ’është më e rëndësishmja, zhvillimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor – por sa do t’i dëmtojë ato dhe për sa kohë.
Procesi i anëtarësimit në BE ka qenë motori lëvizës për reformat politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vite me radhë. Serbia dhe Mali i Zi janë në bisedime për t’u anëtarësuar, Shqipëria është kandidate, sikurse dhe Maqedonia – megjithëse kjo e fundit me një pikëpyetje pas krizës politike të vitit të shkuar.
Bosnja dhe Hercegovina parashtroi aplikimin e saj për anëtarësim në BE vetëm pak muaj më parë; Kosova mbetet shumë pas por ka arritur së fundmi marrëveshjen e stabilizim-asociimit.
Por edhe teksa zgjerimi ka vijuar, ky proces teknik ka humbur shumë nga mbështetja politike në BE, dhe qeveritë e Ballkanit janë shfaqur shpeshherë të shqetësuara për t’iu angazhuar reformave të nevojshme për anëtarësim. Largimi i MB nga BE mund të jetë goditja përfundimtare për anëtarësimin e tyre.
Së pari, me largimin e Britanisë nga BE, shtetet e Ballkanit Perëndimor po humbasin një ndër përkrahësit kryesorë të zgjerimit. Duke qenë se shumë shtete anëtare janë bërë kritike kundrejt zgjerimit, MB ka përkrahur fuqishëm zgjerimin dhe reformën në rajon. Së bashku me Gjermaninë, ka qenë i vetmi vend i madh i BE që ka udhëhequr politikë-bërjen në rajon gjatë dekadës së shkuar. Tanimë ky përkrahës i zgjerimit do të zhduket. Sigurisht, MB do të mund të përkrahë reformat dhe anëtarësimet në BE nga jashtë saj, në një mënyrë të ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara , të cilët kanë përkrahur zgjerimin e BE dhe kanë mbështetur politikat e BE në rajon. Megjithatë, nëse MB do të ndiqte një politikë të tillë, do të cilësohej si një rast ekstrem i “bëj siç them unë, mos bëj si bëj unë”.
Së dyti, përcaktimi i marrëdhënieve ndërmjet Britanisë dhe BE do të jetë një detyrë herkuliane, jo vetëm për MB, por edhe për Unionin. Jo vetëm vëmendja politike por i gjithë aparati burokratik i BE do të fokusohet në menaxhimin e kësaj marrëdhënieje. Cilido qoftë rezultati, kjo marrëdhënie do të marrë të gjithë vëmendjen e BE. Procesi i zgjerimit dhe i reformës në Ballkanin Perëndimor do të kthehet kështu në një çështje të dorës së dytë, por anësore dhe të parëndësishme për perspektivën e BE. Në të njëjtën mënyrë, nëse MB largohet por Skocia shkëputet prej saj dhe më pas kërkon të qëndrojë, do lindin pyetje të vështira mbi mënyrën e qëndrimit ose nëse Skocia mund të qëndrojë pa “iu bashkuar” BE edhe njëherë. Një makth i tillë ligjor dhe politik do ta komplikonte shkëputjen e MB prej BE dhe për vite të tëra me radhë do të merrte vëmendjen e politikë-bërësve dhe shërbyesve civilë në Bruksel dhe nëpër kryeqytetet e BE.
Së treti, nëse BE gjendet në një krizë ekzistenciale, atëherë ku do të qëndronte vlera e përpjekjes për t’u anëtarësuar? Në veçanti për elitat e Ballkanit, angazhimi i së cilëve kundrejt reformave ka qenë që në fillim i dyshimtë dhe anëtarësimin në BE e kanë pasur prioritet vetëm si pasojë e përfitimeve nga qeveritë perëndimore apo nga kërkesat e shumicës së votuesve. Ndërsa ndikimi i Rusisë dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor është shpeshherë i mbivlerësuar, ato përbëjnë modele tërheqëse qeverisjeje për një sërë udhëheqësish rajonalë, të cilët mund të duan t’i përshtatin politikat e tyre më mirë me ta sesa me aktorë të tjerë që nuk janë pjesë e BE.
Skenarët për Brexit dhe Ballkanin Perëndimor
Skenari 1: Britania dhe Europa të shpërbëra
Skenari i parë do të konsistonte në Britaninë e shpërbërë, me së paku Skocinë që do të largohej dhe me shumë gjasa Irlandën e Veriut dhe anëtarët e tjerë të BE që të mbanin referendume. Skocia mund të mos jetë e aftë të qëndrojë në BE, por do të detyrohet të ri-negociojë kriteret e pranimit, në të njëjtën kohë kur do të kryhet dhe largimi i MB. Negociatat e hidhura dhe të vështira do të ҫojnë në një përkeqësim të marrëdhënieve ndërmjet BE dhe MB si dhe përbrenda MB. Në të njëjtën kohë referendumi skocez do të nxisë referendume të tjera në Katalonja dhe në vende të tjera. Me të gjithë vëmendjen të përqendruar mbi MB dhe marrëdhëniet e ardhshme me të, aftësia e BE për të zgjidhur kriza të tjera, përfshi këtu atë të Greqisë dhe të emigrimit, do të zvogëlohet.
Në një skenar të tillë, BE mund ta gjejë veten të reduktuar, duke u kthyer në një strukturë me shtresa të shumëfishta integrimi në nivele të ndryshme dhe në emergjencë për një “BE bërthamë” në veri të Europës. Për Ballkanin Perëndimor, dinamika transformuese e BE mund të zhduket dhe t’i lërë vendin refuzimit të BE dhe reformave përkatëse. Për më tepër, lëvizjet përçarëse në rajon, si në Republika Srpska mund të nxiten nga dinamika më e gjerë europiane për të tentuar të shkëputen.
Skenari 2: Britania e shpërbërë, Europa e bashkuar
Sipas këtij skenari, Skocia shkëputet prej MB por qëndron në BE, duke krijuar kështu një përplasje me Brexit, teksa kostoja e lartë e kësaj vendimmarrjeje do të bëhet e qartë për votuesit britanikë të lënë pas. Kjo gjë mund të lehtësojë marrëveshjen që e bën Anglinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut anëtare të Zonës Ekonomike Europiane, duke e mbajtur të hapur kufirin me Skocinë dhe Irlandën. Në të vërtetë, BE do të mund të vepronte ende, duke qenë se përvoja britanike i dekurajon referendumet e tjera për t’u larguar prej BE ose çon në dështimin e tyre. Pas një periudhe vështirësish, BE do të mund t’i rikthehet çështjes së zgjerimit por shpërbërja e MB dhe largimi i Anglisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut do të rezultonte në një hegjemoni gjermane më të fuqishme në BE. Anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të rishfaqet si një opsion i zbatueshëm pas disa vitesh krizë, dhe Zona Ekonomike Europiane (ose një paradhomë e ngjashme e BE) do të zinte rolin e një hapi më imediat të anëtarësimit të plotë.
Skenari 3: Britania e bashkuar, Europa e shpërbërë
Ndërsa një referendum skocez dhe arritja e pavarësisë janë të mundshme pas Brexit-it, menaxhimi i pozicionimit të MB në marrëdhëniet e saj të ardhshme me BE mund të ketë ndikim të gjerë në të ardhmen e MB dhe mbijetesën e saj. Nëse MB përcakton një pozicion negocimi që pasqyron natyrën e përçarë të vendit dhe përpiqet të mbajë njëfarë “statusi anëtarësimi”, Skocia mund të qetësohet dhe vendi mund të mbijetojë. Udhëheqësit e BE mund të mos e pëlqejnë ose mund të mos e pranojnë një lëvizje të tillë, sikurse ka vënë në dukje dhe ministri gjerman i financave Schäuble në një intervistë të fundit për Der Spiegel me zyrtarë të tjerë europianë, kur shprehet se duke e lënë MB të ketë racionin e saj dhe të hajë shumë, kjo vetëm se do t’i inkurajonte edhe të tjerët. Megjithatë për ta parandaluar një gjë të tillë, BE mund ta pranojë dhe një skenar të ngjashëm. Për Ballkanin Perëndimor, një skenar i tillë do të ishte më i përafërti me status quo-në, por edhe kështu, ndikimi i MB si një përkrahëse e zgjerimit, shkëputja e vëmendjes politike nga shumë vite negociata dhe humbja e besueshmërisë në BE, gjithsesi do të dobësonte përafrimin e anëtarësimit.
Përfundime
Këto tre skenarë nxjerrin në pah rreziqet e shumta që Brexit mbart për Ballkanin Perëndimor. Përkundër një Bashkimi Europian egocentrik dhe të tkurrur, të fokusuar gjetiu për vite me radhë, shtetet e rajonit nuk do të mund të mbështeten më në BE për të përkrahur reformat dhe për të konsoliduar demokracinë. Duke qenë se tendenca transformuese e BE është fanitur dhe aftësia e BE për të vepruar është reduktuar, të tjerët do mbushin boshllëkun. Në terma afat-shkurtër dhe afat-mesëm, kjo me shumë gjasa mund të favorizojë përforcimin e liderëve gjysmë-autoritarë që do anohen kah cilitdo që u ofron më shumë: qofshin Turqia, Rusia, Kina ose fuqi apo investitorë të tjerë (përfshi këtu shtete individuale anëtare). Lëvizjet shoqërore, mediat dhe institucionet ndërkombëtare do të kenë më pak aleatë të jashtëm tek të cilët mund të mbështeten. Kjo gjë mund të përforcojë motorët lokalë të ndryshimit, por mundet edhe t’i shfuqizojë ata, nëse këtyre lëvizjeve u mungojnë modelet normative të përtej kufijve. Për t’i bërë ballë kësaj tendence negative, anëtarët kryesorë të BE, në veçanti Gjermanisë, por edhe Shteteve të Bashkuara mund t’u duhet të formojnë koalicione për të vazhduar të mbështesin ndryshimin demokratik në Ballkanin Perëndimor. Mbështetësve të demokracisë do t’u duhet të reshtin së përdoruri anëtarësimin në BE si pretekst. Pa rrezikun e konfliktit të armatosur, Ballkani Perëndimor me shumë gjasa do të mbetet në një shkallë të ulët prioriteti, ndërkohë që autoritarizmi nuk është vetëm një rrezik për rajonin por pjesë e një pafuqie të përgjithshme europiane që nuk mund të injorohet për shumë gjatë.
1 Shihni Denisa Kostovicova, “Reaction to Brexit around Europe: How the result affects the Balkans,” 24 June 2016, http://blogs.lse.ac.uk/ europpblog/2016/06/24/reaction-to-brexit-around-europe-how-the-result-affects-the-balkans/
2 For this scenario see Cas Mudde, “Will Brexit Become Britain’s Self-Sacrifice To Save The European Union?” Huffington Post, 24 June 2016, http://www.huffingtonpost.com/cas-mudde/will-brexit-become-britai_b_10657262.html
3 “Britisches Referendum: Bei Ja zu Brexit – Schäuble lehnt weitere EU-Vertiefung ab,” Der Spiegel, 10 June 2016, http://www.spiegel. de/politik/ausland/wolfgang-schaeuble-warnt-vor-weitreichenden-brexit-folgen-a-1096854.html
(Kortezi e Freedom House)