Turkish Weekly zhvilloi një intervistë të detajuar me Dr. Albert Rakipin mbi pozicionin e tanishëm të shqiptarëvë në Ballkan, me një fokus të veçantë në Shqipërinë.
- Cilat janë përparësitë e politikës së jashtme të Shqipërisë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar dhe si e vlerësoni ju procesin e tanishëm të integrimit të Shqipërisë në BE?
Politika e jashtme e Shqipërisë është në tranzicion. Transformimi i Shqipërisë pas rënies së komunizmit u mbështet gjerësisht te politika e jashtme. Në fakt, ka pasur një vizion strategjik për ta nxjerrë vendin nga një izolim ekstrem dhe për të ndihmuar rindërtimin e shtetit dhe të ekonomisë. Me një orientim pro-perëndimor të palëkundur, vendi u anëtarësua në NATO dhe bëri hapa të rëndësishme në procesin e integrimit europian. Këto janë arritje të mëdha, por tani mungojnë idetë e reja. Për me tepër, nuk ka qartësi, nuk ka prioritete, nuk ka hierarki të prioriteteve, ndërsa ka shumë improvizime, ka një qasje në përgjithësi ad hoc dhe shumë propagandë.
Prandaj them se politika e jashtme është në tranzicion. Në nivelin rajonal, administrata e re shpalli si prioritete zero probleme me fqinjët. Kjo ishte thjesht një huazim i tezës së Davutoglusë, por e pavend në rastin e Shqipërisë dhe ç’ndodhi? Në mënyrë paradoksale, Shqipëria ka probleme pothuajse me çdo fqinj.
Ndërsa në nivelin ndërkombëtar mungon realizmi dhe modestia. Hera-herës, Shqipëria, një mikro shtet, sillet si një gjigant në punët e jashtme. Ndoshta kjo vjen nga trashëgimia komuniste, nga marrëdhëniet krejtësisht asimetrike (me fuqitë e mëdha apo superfuqitë), kur Shqipëria komuniste sillej si qendra e botës .
Tani kemi një duzinë me shtete, ku nuk mungojnë edhe supershtetet, që Shqipëria i shpall partnerë strategjikë.
Integrimi europian mbetet themelor për të ardhmen demokratike të vendit. Procesi i integrimit ka qenë forca lëvizëse e rindërtimit të shtetit dhe e modernizimit të shoqërisë. Fakti që nuk po shënohen hapa përpara në këtë proces do të thotë se nuk ka përparime thelbësore në ndërtimin e një shteti dhe ekonomie funksionuese, në ndërtimin e një demokracie funksionuese. Nuk është anëtarësimi i Shqipërisë në BE që e transformon Shqipërinë. E kundërta është e vërtetë: përparimi në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimi i ekonomisë e afron Shqipërinë me BE-në. Integrimi Europian nuk është çështje e politikës së jashtme.
- Hashim Thaçi u zgjodh president i Republikës së Kosovës, ndërkohë që kriza politike në atë vend thellohet. Si i vlerësoni ju situatën e tanishme në Kosovë?
Hashim Thaçi është një figurë politike dominuese në Kosovë. Ai është një nga udhëheqësit politikë më të votuar, në mos më i votuari dhe si çdo politikan në botë, ai nuk mbështetet, madje edhe nuk votohet nga një pjesë tjetër e shoqërisë. Dhe kjo është normale si për një kryetar partie, ashtu edhe për një kryeministër. Mirëpo kryetari i shtetit është një figurë bashkuese dhe mendoj se kjo do të jetë një sfidë e madhe për Hashim Thaçin si president. Transformimi i tij nga një udhëheqës me jo pak dritë-hije i UCK-së në një politikan të moderuar, që ka çuar përpara procesin e ndërtimit të shtetit dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, është mbresëlënës. I zgjedhur në klimën e një konflikti të thellë politik midis shumicës dhe opozitës, kryetari i ri i shtetit në Kosovë përballet pikësëpari me gjetjen e rrugëve për ta nxjerrë vendin nga kriza politike. Po ky është vetëm hapi i parë. Sfida do të jetë nëse Z. Thaçi do të arrijë të jetë një president i të gjithëve, duke u larguar nga modeli politik i udhëheqësve të fortë, të përjetshëm, që nuk dinë dhe as nuk pranojnë ta ndajnë pushtetin apo të ndahen nga pushteti .
Kosova, ashtu si edhe shtete të tjera në Ballkan, është një shtet i dobët. Për fat të keq, hera-herës ajo demonstron tipare të një shteti të dështuar. Mosmarrëveshjet dhe ndarjet e thella po gërryejnë stabilitetin politik dhe mundësinë e zhvillimit të vendit. Institucionet paralele, prej të cilave Serbia nuk është shumë e gatshme të heqë dorë përfundimisht, e kanë dëmtuar jo pak procesin e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit. Por të thuash vetëm këtë është si ta drejtosh gishtin, të fajësosh vetëm “ armikun e jashtëm”. Problemi themelor sot është se partitë politike, megjithëse kanë rënë dakord për të ndërtuar një regjim demokratik, nuk u përmbahen dot rregullave të lojës demokratike. Në një vend ku tradita shtetërore është e varfër, ku përvoja demokratike dhe liberale ose kanë munguar, ose kanë qenë episodike, ndërtimi i shtetit nuk është i lehtë.
- Në Maqedoni a një krizë të vazhdueshme politike, ku dallohet tensioni etnik në rritje ndërmjet qeverisë dhe shqiptarëve. Si do ta vlerësonit ju situatën e tanishme në Maqedoni?
Maqedonia është fatkeqësisht viktimë e tiranisë së status quo-së. Tanimë, për më shumë se një dekadë, ai vend ka lënë në harresë integrimin e tij europian dhe si rezultat i mungesës së ndryshimit aty janë bërë hapa prapa dhe janë vonuar proceset.
Sistemi politik në Maqedoni sa vjen e po bëhet më autokratik dhe joliberal; ka gjithashtu dhe një përsëritje shqetësuese të retorikës dhe politikës populiste. Fakti që Maqedonia ka një ekuilibër të brishtë ndëretnik e bën realitetin edhe më shqetësues. Të gjithë faktorët e rrezikut në Maqedoni janë kërcënime serioze ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Kur bëhet fjalë për zgjidhje krizash politike, fatkeqësisht, në këtë rajon ka një kulturë varësie ndaj komunitetit ndërkombëtar, ndaj të huajve. Një gjë e tillë ngandonjëherë arrin në nivele aq absurde sa formohen dhe teori konspiracioni.
Situata duhet të merret në dorë nga elitat vendase, që duhet të marrin përsipër përgjegjësitë dhe zgjidhjen.
4. Si i konceptoni marrë dhëniet e Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë dhe cili është roli i Shqipërisë kur flitet për shqiptarët në Ballkan?
Me ndryshimin e hartës politike të Ballkanit, pra, me pavaresinë e Kosovës, është krijuar një realitet i ri. Marrëdhëniet midis shqiptarëve tani janë para së gjithash marrëdhënie ndërshtetërore. Dikush ka menduar se me pavarësinë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvilloheshin shumë shpejt dhe do të ishin të frytshme. Por nuk ndodhi kështu. Midis dy shteteve nuk ka asnjë problem, por ato kanë dy shoqëri të ndryshme, që kanë funksionuar jo vetëm të ndara, por edhe të izoluara nga njëra-tjetra. Hera-herës, në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës fillojnë “luftëra “për mishin, patatet apo qumështin e të tjera. Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës ka shumë fasadë, sidomos nga ana e Shqipërisë: mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, flamuj pa fund, shqiponja të mëdha që zbukurojnë daullet e propagandës. Ndërkaq të dy qeveritë nuk kanë arritur dot të krijojnë instrumente, që mund të nxisnin dhe fuqizonin marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Aktualisht, ka një vëllim shumë më të madh në marrëdhëniet midis Kosovës dhe ish-republikave të Jugosllavisë, përfshi edhe Serbinë, se sa midis Kosovës dhe Shqipërisë. Për më tepër, në planin ekonomik duket qartë një lloj restaurimi i asaj që Tim Juda i The Economist e quan “jugo-sferë.”
Ndonëse me këtë nuk mund të bien dakord të gjithë, është e qartë se krijimi i një tregu mbi baza etnike nuk është i mundur nëse tregu dhe ekonomia në Shqipëri dhe Kosovë nuk janë funksionuese. Një parti politike në Kosovë, një parti parlamentare, aktualisht është e vetmja që mbështet krijimin e një shteti të përbashkët me Shqipërinë, por “Shqipëri e Madhe” duhet të jetë “Shqipëria ekonomike”, siç propozon Bexhet Pacolli. Kosova dhe Shqipëria janë shtete të dobëta dhe jo funksionuese, jo për faktin se janë të ndara, por ndërtimi i tyre si shtete funksionuese nuk mund te ndodhë nëse ato bashkohen.
Përveç ekonomisë, ndërmjet shoqërive shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë ka edhe më pak komunikim kulturor, ashtu si edhe me Maqedoninë, megjithëse tani, kur të gjitha janë vende të hapura, kjo mund të duket paradoksale.
A ka për të luajtur Tirana ndonjë rol politik, kur flitet për shqiptarët në Ballkan. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në Ballkan duke mbështetur pa rezerva politikat e Perëndimit. Ky mendoj është konteksti i parë në të cilën duhet kuptuar roli i Shqipërisë edhe për shqiptarët.
Por në një rrafsh tjetër, Shqipëria është parë nga shqiptarët e Ballkanit si vendi mëmë. Në këtë kontekst, Tirana ka ushtruar një influencë përgjithësisht pozitive. Por kjo influencë ka ardhur duke u pakësuar. Të paktën për tri arsye. Rritja dhe në një farë mase, maturimi i elitave politike në Kosovë dhe Maqedoni. Refuzimi gradual i elitave politike në Kosovë dhe Maqedoni ndaj një lloj paternalizmi të Shqipërisë. Dhe e fundit, por ndoshta më e rëndësishmja: Krizat e herëpashershme të Shqipërisë deri në prag të dështimit të shtetit e kanë gërryer legjitimitetin, reputacionin dhe mundësinë e saj për të pasur një rol udhëheqës, si një model për shqiptarët në Ballkan.
- Shqiptarët kanë popullsinë më të madhe myslimane në Ballkanin Perëndimor dhe kanë vuajtur shumë nga radikalizmi islamik dhe rekrutimet nga ISIS. A mund të na jepni mendimin tuaj mbi radikalizmin fetar në Ballkan e në veçanti se si ai lidhet me shqiptarët myslimanë dhe luftëtarët e huaj në Irak dhe Siri?
Radikalizmi islamik dhe luftëtarët e huaj janë një fenomen global, i pranishëm edhe në Ballkan. Të paktën 100 qytetarë nga Shqipëria janë rekrutuar për t’u bashkuar me ISIS-in. Shumica prej tyre, ndoshta dyfishi, janë nga Kosova dhe Maqedonia.
Gjatë vitit të kaluar, nga agjencitë shtetërore është raportuar se drejt Sirisë nuk ka udhëtuar asnjë qytetar shqiptar nga Shqipëria. Shoqëritë shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, janë të ndryshme për sa i përket besimit fetar. Në të gjithë historinë moderne të Shqipërisë nuk gjen një rast të vetëm ku shoqëria të mobilizohet mbi baza fetare dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që feja në Shqipëri të shërbejë si ideologji organizuese e shoqërisë dhe aq më pak e shtetit. Gjithsesi, pavarësisht nga harmonia fetare unike, gati e pabesueshme, rreziku ekziston: dikur në Raka myslimanët ose nuk faleshin, ose nguronin shumë për ta bërë këtë gjë, por sot ajo është shpallur si kryeqyteti i shtetit islamik.
Shoqëritë shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni duket se janë më fetare dhe influenca e grupeve radikale islamike atje është më e madhe, duke pasur parasysh edhe numrin e luftëtarëve të huaj. Nuk ka dyshim që radikalizmi islamik mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare, duke rrezikuar, për shembull, harmoninë fetare në rastin e Shqipërisë dhe kjo do të ishte fatale. Shtetet në Ballkan në përgjithësi janë të dobëta, me kapacitete dhe aftësi të pakta për të siguruar së pari, shërbimet publike më të thjeshta për qytetarët. Kjo situatë ka gërryer besimin dhe legjitimitetin e shteteve, por sigurisht që përfshin edhe regjimet politike në Ballkan. Kjo situatë krijon hapësira për të influencuar grupet radikale dhe ekstremistët islamikë, të cilët, përveç shërbimeve bazë, iu premtojnë qytetarëve shtet, flamur dhe të ardhme.