Duket gjithmonë e pamundur derisa kthehet në realitet. Teksa po dilnin rezultatet përfundimtare të referendumit nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të qëndronte ose ta linte Bashkimin Europian, shumëkush mund të ketë patur ekzaktësisht këtë reagim. Në Ballkanin Perëndimor ky realitet i ri është thellësisht turbullues. Për këto shtete, të cilat janë përpjekur prej vitesh të bëjnë përpara në rrugën e tyre drejt BE, vendimi për të dalë ngë Unioni i njërit prej shteteve anëtare më të rëndësishëm është i pakuptueshëm.
Në mënyrë paradoksale, brenda Europës, do të jenë pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor ato që do ta ndiejnë më pak impaktin e Brexit. Lidhjet e tyre ekonomike dhe tregtare me Mbretërinë e Bashkuar janë shumë modeste dhe niveli i investimeve nga Mbretëria e Bashkuar në këto vende është gjithashtu shumë i ulët. Për më tepër, Mbretëria e Bashkuar është një prej vendeve më të vështira për të udhëtuar ose për të studiuar duke qenë se politikat e tyre të vizave janë shumë strikte. Gjithë kësaj i shtojmë dhe faktin se lidhjet historike të Ballkanit Perëndimor kanë qenë më të forta dhe më organike me shtete të tjera anëtare si Austria, Italia, Franca dhe Greqia.
Thënë kjo, nuk ka asnjë dyshim që Brexit do të ndikojë në rajon po ashtu sikurse do të transformojë të gjithë Europën. Procesi i largimit të një vendi nga Unioni do të vendosë në provë, në mënyrën më të vështirë të mundshme, shanset e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar.
Së pari, me daljen eventuale të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, shtetet kandidate dhe aspirante të Ballkanit Perëndimor po humbasin një advokues të fuqishëm të politikës së zgjerimit. Mbretëria e Bashkuar ka qenë shpeshherë në mbështetje të potencialit të zgjerimit për ta rigjallëruar Europën dhe politika e saj në këtë aspect ka qenë pozitive, pavarësisht komenteve negative të shtypit që rajoni merr nëpër tabloidët britanikë.
Së dyti, impakti i Brexit do të shtrëngojë Komisionin Europian në veҫanti, të bëjë disa lëvizje të detyruara. Komisioni, ky institucion kyҫ i zgjerimit, me shumë gjasa do të jetë aq i angazhuar duke u marrë me procesin e Brexit sa që mund t’i përfshijë këtij fazat e reflektimit mbi Brexit, analizimin e situatës, marrjen me të nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve të reja dhe në njëfarë mënyrë, përshtatjen në një realitet të ri. Ky shpenzim energjie, fokusi dhe burimesh nga ana e BE do të jetë me siguri në kurriz të proceseve të tjera, përfshi këtu atë të zgjerimit.
Së treti, dhe ҫ’është më e rëndësishmja, atmosfera e re aktuale e BE është tanimë e zymtë dhe hezituese. Edhe më tepër hezituese nga ҫ’ka qenë më parë. Reflektimi post Brexit mund të kthehet në një qasje që e favorizon forcimin e Unionit, duke u siguruar që të mos shfaqen fraktura të tjera përpara se të eksperimentohet me shtesat e reja. Kjo atmosferë ka qenë e pranishme prej kohësh në BE dhe me shumë gjasa, tanimë po konsolidohet.
Në teori, gjërat mund të shkojnë dhe tërësisht ndryshe. Ndoshta BE, në kërkim të një historie të re suksesi, në kërkim të një mënyrë për të riafirmuar rëndësinë e saj historike, forcën dhe fuqinë e saj transformuese, si dhe duke u përpjekur të ndryshojë atmosferën e zymtë, mund të vendosë t’i japë një shans të ri më të fortë zgjerimit. Ndoshta mund ta bëjë këtë gjë me shtete si Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia. Fundja fundit, zgjerimi është kundërpërgjigja më e fuqishme ndaj tkurrjes. Ky skenar teorik ia vlen të shqyrtohet nga pala e Ballkanit Perëndimor. Çdo krizë është një mundësi. Megjithëse, që kjo të ketë një domethënie ata duhet të plotësojnë kushtet e integrimit dhe të dëftojnë një historic arritjesh në reformat e tyre. Sigurisht jot ë gjithë shtetet janë të afta ta bëjnë këtë gjë në këtë moment.
BE dhe në fakt mbarë Europa u zgjuan në një botë të re më 24 qershor me ndjesi hidhërimi, zhgënjimi dhe pasigurie. Unioni duhet t’i mbijetojë kësaj stuhie dhe të dalë prej saj më i zgjuar, më i fortë dhe më i vendosur. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kuptojnë që rruga e vështirë drejt integrimit europian ëshët vështirësuar edhe më shumë.