Brexit vs. Albania

0

Nga Besnik Mustafaj

Qysh në mëngjesin e zyrtarizimit të rezultatit të referendumit britanik, Presidenti i Komisionit
Europian Jean-Claude Juncker, deklaroi se në vazhdim do të ketë “më pak Europë për të vegjlit”. Pra, të vegjlit, për të cilët në vazhdim do të ketë më pak Europë, jemi ne, pavarësisht se zgjedhja jonë është krejt e kundërta.

Shqipëria është vend kandidat për në BE dhe në prag të çeljes së negociatave për anëtarësim. Kam ndjekur me vëmendje të veçantë sidomos deklaratat e udhëheqësve
europianë lidhur me të ardhmen e Bashkimit pas daljes së Britanisë së Madhe. Pothuaj të gjithë, qofshin në pushtet e qofshin në opozitë, e kanë prekur çështjen e zgjerimit. Ata
kanë përmendur ose “zgjerimi do të stopohet”, ose “zgjerimi do të ngadalësohet”, që është e njëjta gjë. Në asnjërin rast nuk na kanë dhënë shpresë të madhe. Një qëndrim i tillë ka shpjegimin e vet

“Teprimi me zgjerim” ishte një nga argumentat më të theksuara nga ithtarët e daljes gjatë fushatës katër mujore në Britani. Sipas tyre, BE me 28 anëtarë është bërë një organizëm i rëndë, i pamanovrueshëm dhe se anëtarët e rinj, të ardhur nga Lindja ish-komuniste, vetëm janë bërë barrë mbi taksapaguesit europianë me fondet që thithin nëpërmjet Brukselit, siç edhe krahu i punës i ardhur nga këto vende është konkurent i pandershëm për punëkërkuesit në vendet perëndimore nëpërmjet pagave të ulta që pranon.
Për shoqërinë e një vendi si Shqipëria, mesazhet që vijnë nga Brukseli kanë një rëndësi jetike. Ne kemi një klasë politike pa ideale demokratike dhe pa aftësi shtetformuese të vërteta. Por kemi një opinion publik me dëshirë të madhe për t’u integruar në Bashkimin Europian. Në këto kushte, ka patur dhe ka një aleancë të qëndrueshme midis institucioneve europiane dhe opinionit tonë publik. Rrjedhimisht, ku më shumë e ku më pak, shoqëria jonë i ka plotësuar nevojat e veta për reforma nëpërmjet presionit që institucionet europiane kanë ushtruar mbi klasën politike shqiptare. Ky presion do e humbte peshën në rast se atij i hiqej ose i dobësohej argumenti i vet madhor: plotësimi i kushteve për çeljen e negociatave.

Është edhe programi i para aderimit (IPA). Gjatë këtyre 25 vjetëve Shqipëria ka marrë nga BE më shumë se një miliard euro. Këto fonde nuk kanë qenë as kredi e as ndihmë humanitare. Ato kanë ardhur, si mbështetje për infrastrukturën shqiptare për të rritur standardet. Deri tani ishte premtuar një rritje e ndjeshme e këtyre fondeve pas çeljes së negociatave, siç ka ndodhur edhe me vendet e tjera ish-komuniste gjatë rrugëtimit për në BE. Ma merr mendja se Shqipërisë në javët e në muajt në vazhdim nuk do t’i thuhet zyrtarisht se mbërritja e saj në Bruksel është shtyrë për një afat të pacaktaur. Por de facto janë të gjitha gjasat që fondet për IPA të rrudhen. Edhe kjo masë do të bëjë pjesë te
shembujt që udhëheqësit europianë do të përpiqen t’i japin shpejt e shpejt opinionit të tyre publik mbi mësimet që kanë nxjerrë nga “gabimet e së shkuarës”.

SHPËRNDAJE