Si të bëhesh gjigant në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare: praktikat më të mira nga Shqipëria

0

Asambleja Parlamentare e NATO-s, që u mblodh kohët e fundit në Tiranë, ishte një rast tjetër që specialistët dhe komentatorët kryesorë tëe politikës së jashtme të shpalosnin aftësitë e tyre. Komentet e zakonshme për BREXIT-in dhe premtimi për të mos ikur u shprehën edhe një herë. Doli përsëri në pah limonada e zakonshme e ekspozimit ndaj kërcënimit prej Rusisë apo radikalizmit – në qoftë se zgjerimi i Europës nuk arrin dot të mbajë ritmin. Shqipëria dha disa mendime të vlefshme se si të përballemi me Rusinë, si t’i kundërvihemi radikalizmit, se si ta ndreqim botën.

Njëri pas tjetrit, disa oratorë u ngjitën në skenë për një lojë që tani ka kohë që ka marrë formë: angazhimi dhe komentet rreth zhvillimeve dhe konflikteve ndërkombëtare, që në realitet janë thjesht tejet të mëdha dhe komplekse për t’i marrë përsipër Shqipëri, denoncimi me zjarr i të dyshuarve të zakonshëm, si Rusia dhe përfundimisht vënia e tyre në vëmendjen e BE-së, duke e tepruar me rreziqe kryesisht imagjinare në Ballkanin Perëndimor.

Le t’i marrim këto çështje një e nga një.

Pasi provoi një diktaturë izoluese, të pabesueshme, Shqipëria është mësuar me marrëdhëniet asimetrike me fuqitë kryesore të botës. Për një kohë ajo ishte, siç e perceptonte veten, rivali i madh i Shteteve të Bashkuara. Paralel me këtë ajo kishte miqësi vëllazërore me gjigantin kinez në Azi. Dhe mos harrojmë se ajo i tregoi botës se cilët ishin komunistët e vërtetë kur u prish me Bashkimin Sovjetik. Kjo ka krijuar një trashëgimi fatkeqe me bindjen sikur Shqipëria ka rëndësi në arenën ndërkombëtare, pavarësisht nga madhësia, ekonomia, pozita dhe gjithë faktorët e tjerë të saj.

Edhe komentet mbi këto çështje të rëndësishme të politikës ndërkombëtare jepen falas, ndaj secili është mjaft i lumtur të futet në këto debate. Kapen çështje të tjera të jashtme për të mënjanuar stresin që sjell marrja me çështje të rëndësishme brenda vendit.

Denoncimi i armikut të jashtëm mund të gjendet lehtë edhe në manualet bolshevike. Në kohën e diktaturës armiku ishte gjithmonë një objektiv praktik: titistët jugosllavë, revizionistët sovjetikë, imperialistët amerikanë. Duket se një pjesë e  madhe e saj ka mbetur. Tani është Rusia që lëshon bubullima. Ministrja Shqiptare e Mbrojtjes e bëri atë fokusin kryesor në daljen publike para Asamblesë së NATO-s duke iu dhënë këshillat e Shqipërisë (Perëndimit?) se si të tregohen të ashpër me Rusinë. Duket e habitshme se përse duhet të bëhesh protagonist në një kohë kur Shqipëria e ka bërë atë që duhej bërë. Ajo e ka treguar seriozitetin e saj duke u rreshtuar me politikën perëndimore, kur u vunë në zbatim sanksionet ndaj Rusisë. Çdo retorikë tjetër që e rëndon këtë angazhim duket e kotë.

Rreziqet mbi influencën dhe ndërhyrjen ruse në Ballkanin Perëndimor janë mbivlerësuar dhe keqpërdorur. Për të gjithë vëzhguesit e vëmendshëm të rajonit është e qartë se Rusia nuk ka hartuar ndonjë plan tjetër serioz për ndonjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor e aq më pak për Shqipërinë. Madje edhe cilësimi i Serbisë si një aleat historik i Rusisë nuk është në përputhje me lëvizjet e tanishme të udhëheqjes serbe, që janë mjaft të kujdesshme. Dhe siç dihet, kohët e fundit Serbia ishte ajo që hapi kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian dhe jo ne.

Së fundi, por jo pa rëndësi, edhe Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme përsëritën atë që tani po bëhet një akt bajat në lojën pasive-agresive që luhet në dramën e integrimit europian. Kësaj i thuhet pak a shumë kështu: në qoftë se BE nuk nxiton, atëherë aktorë të tjerë do të vijnë për ta mbushur boshllëkun.

Kjo gjë u shërben dy qëllimeve: së pari, ajo e devijon vëmendjen nga vështirësitë e brendshme, dështimi i shpejtë i disa reformave kryesore dhe së dyti, kjo i hap rrugën justifikimeve të ardhshme kur gjërat dështojnë. Institucionet e BE-së, sidomos ato që janë të pranishme në Shqipëri, duhet të ishin treguar vigjilente për të kundërvepruar ndaj kësaj shfaqjeje, duke e bërë të qartë se ku dhe te kush qëndron përgjegjësia për ecurinë e mëtejshme të integrimit. Përpjekjet për integrimin kanë qenë dhe do të jenë të lidhura më shumë me progresin dhe ndryshimet në Shqipëri se sa me skenën ndërkombëtare.

Në vitin 2003, Kryeministri Nano, në një letër të hapur dërguar Boston Globe i nxiste kombet europiane perëndimore, si Francën dhe Gjermaninë, të rishikonin qëndrimin e tyre ndaj vendimit të luftës së Administratës së Bushit, duke iu kujtuar atyre Normandinë dhe Luftën e Dytë Botërore. Me tone të ngritura për mbrojtjen e lirisë në të gjithë botën, Nano ishte tejet i zellshëm për t’i shpëtuar irakianët nga armët e shkatërrimit në masë të regjimit të Sadam Hysenit!

Në më shumë se një dekadë më pas shohim të njëjtën lojë. Përpjekja për të luajtur rolin e gjigantit në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare është, më e pakta, qesharake dhe shpesh herë mjaft e rrezikshme. Politika e jashtme dhe qëndrimi i Shqipërisë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të rikalibrohet te një mënyrë veprimi më realiste, më praktike dhe më modeste.

 

SHPËRNDAJE