Ushtrimet e melankolisë – Preç Zogajt

0

Poezi të shkëputura nga libri “Ushtrimet e melankolisë” së Preç Zogajt

 

 

 

Ngado më shtyn kjo natë, ky mall

 

Ngado më shtyn kjo natë, ky mall

përveçse te ti atje ku nuk më pret,

E lamë të thënë të rrimë pa u parë

me terrin e pakalueshëm ndërmjet.

 

Tani që s’të kam jam bërë më i shkuar,

një zot më mban peng nëpër kujtime

të lashta, të huaja që s’di t’i kem jetuar-

Jam unë fantazma e jetës sime.

 

Asnjë largësi,  arrati a ikje

s’më çon dot matanë kësaj lëngate,

Kudo është mungesë, kudo  përshpirtje,

Një letër  e gjatë pa shkrim zotnisë sate.

 

Një shtjellë e purpurt, magji e vjetër

na mbajti në jerm një vit përqafuar.

Dhe nuk mund të kishte vazhdim tjetër

nga kjo vetmi që nuk ka të mbaruar.

 

 

 

 

Duhej të kishim ikur…

 

Dukej të kishim ikur në anë të kundërta të botës

jo për t’u humbur, as për t’u harruar

jo për të provuar forcën e një dhimbjeje

që mbledh në grusht oqeanet.

 

Nuk ka kohë në të ikurit  prapa të mendimeve.

Ti je e  do të jesh e dashura ime

në krahëtdhe shtratin e çdo menelau.

Fëmija yt, i cilitdo burrë

me kujtimin tim do të ngjizet.

 

Duhet të kishin ikur në anë të kundërta të kohës,

Duhej të kishin ikur në anë të kundërta të botës,

Për hir të çasteve kur dikur

nepër ne u  ngjit kuqëlimi…

Por ne jetojmë njëri pa tjetrin

në të njëjtin qytet të veremit,

Në të njëjtat rrugë,

Në të njëjtën gjuhë.

Kupa po mbushet,

nuk e ka të gjatë durimi.

 

 

Anekënd baresin fantazmat tona

Shkëmbehen me ne, na e bëjnë me dorë,

na pyesin për orën, na shkundin nga supet,

na thonë: ç’po bëni?

 

Edhe vdekja, edhe ajo

mëri të madhe zuri me ne,

Në fytyrë na i mbylli portat.

 

 

Koha

 

Kam dalë nga vuajtja ime me gjithë karmë

në këtë cep të panjohur të yllit.

Gati po kënaqem me errësirën,

të cilën arrij ta qëndis me nge

me lloj-lloj fijesh dhe ngjyrash.

 

S’do të jetë kurrë më vonë,

as kurrë më herët.

S’do më duhet kurrë më

të vë në provëdurimin.

 

Gati po kënaqem me asgjënë.

Jam i pacenueshëm dhe e ndjej se mund të qaj

si Çesllav Milosh në livadhin e harlisur

që e ndjente se ishte zhdukur dhe qante prej gëzimit.

 

Por koha rrëshqet si magmë në agim përtej dritares,

plot keqardhje që ishte, është e do të jetë tirania ime.

Format e saj prej bishe treten në lulka të vogla mjegullore,

Zemra  më ka dalë jashtë dhe rreh me forcë

Duke këqyrur majtas e djathtas ku janë armët…

 

Fillon prapë dita,

Më masakrojnë

në çdo degë ku vë këmbën si të zogut.

As më lëshon,

As më dënon

Bisha koha.

 

Janar 2012

 

 

 

 

 

 

Te ndalesh…

 

Të ndalesh, të pushosh gjatë, gjatë

në limbo, në ujdhesën e ndërmjetme,

të mendosh e të mendosh për gjëra

që kanë pritur e pritur.

 

 

Si njeri,

në emër të hyjnores te njeriu

dhe në emër të njerëzores te Hyu,

do të duash të mos ngutesh me u zhyt në enigmë

pa lënë të thënë apo të shkruar mendimet e fundit

në kufirin më të largët të kësaj ekzistence.

 

Të harrosh çfarë dite është

dhe çfarë plagësh ke marrë,

o, bir i paregjistruar i zotit.

 

 

 

 

Vetëm syri e thotë mallin që kam

 

Kam një fjalë me të thënë- fjalë është fjala.

Mund të shndrisë një rreze në gojën time sapo të hap zemrën,

të shfaqet një lule- lulja e Kolerixhit- në pëllëmbën time,

sapo të marr penën.

 

E di, nuk shkruhen më letra,

Kutitë e postës nuk hapen më,

Postierët vdesin rrugës njëri pas tjetrit,

I fundit do të bjerë me letrën time për ty,

më thotë parandjenja.

 

Dua me të pa

Para se të bjerë muzgu,

Para se të zgjohem dhe të mbarojë pranvera,

Para se të vinë krushqit e mbretit

Me kuaj, me ar, me def e të tjera.

 

Vetëm syri e thotë mallin që kam

tani që mendja mu lodh duke pyetur:

A kam të drejtë të lutem për hire

që ti i ke dhe nuk i kanë qiellorët?

Në logun e tyre zotat po mendojnë :

Vërtetë, pa e ditur, jemi tokësorë!

 

31 dhjetor 2013

 

 

 

 

Kjo dashuri

 

Cilën thikë ka në duar dhe kur

do ta tregojë fytyrën?

 

Kjo dashuri, kjo erë, kjo gjëmë

kjo jehonë yjesh,

Është këtu natë e ditë,

më e vërtetë se kamxhiku

prapa derës, poshtë dritares.

Nga larg erdhi dhe vuri ligjin

në tërë zërat, në tërë shikimet,

në tërë mbrëmjet, në tërë zgjimet.

 

Nuk flitet më vetëm heshtet

për këtë gjëmë që pllakosi,

Hesht ime shoqe, vajza ime, babai, nëna.

Një lianë zbriti nga rrezet e diellit

një ditë maji kur po më zbardheshin flokët.

U zgjova nga një jerm i gjatë,

U kujtova, më kishin thënë

do të vijë dikush nga ana e diellit

të të sjellë zemrën tjetër, atë të humburën…

 

Kjo dashuri, kjo erë, kjo gjëmë

cilën diademë ka në duar dhe kur

do ta tregojë fytyrën?

 

 

 

Epilog

 

                                                                                    Nënës

 

Me këmbët e veta, me hapin e vet të ngadalshëm,

si të Amstrongut, pushtuesit të hënës,

mbërriti nëna në fundin e jetës.

 

Vdekja e saj, vetëm e saj u zgjua nga gjumi shekullor

plot habi dhe përtesë,

pa asnjë ngut për ta pranuar

në banesën e zezë.

 

Ngjarje të mëdha po ndodhin në këtë shtëpi të vjetër,

në këtë oborr të vogël pesëdhjetë metra katror,

Vdekja largohet teksa nëna çapitet ta prekë,

Fshihet vdekja teksa nëna kthen sytë ta shohë,

nga qoshku i saj i hedh ditë dhe muaj shtesë…

 

Ngjarje  të mëdha po ndodhin këtu:

Nga ijet, nga brinjët e një gruaje

dalin e treten papushim në dritë

ditët e saj të ruajtura si monedha.

Pushon së qeni nënë  nëna.

Ka ardhur krijuesi- shpëtimtari, ajo i afrohet

me hap të lehtë e të sigurt prej vajze,

Është me të, nuk duhet ta shohë,

Por Ai e sheh, mrekullia

njofton sërish ekzistencën.

Alelulja! Edhe pse mua

më la pa nënë.

 

Janar 2013

 

 

Njëherë arrita në fundin e botës

 

 

Njëherë arrita në fundin e botës, ishte vonë,

bënte ftohtë, shtëpitë prej akulli dridheshin,

llambat përlesheshin papushim me kohën

që sulej t’i shuante.

Mendoja se isha nisur për Prishtinë,

Pyeta një burrë në rrugë si e kishte emrin ky qytet.

Ai me pa me habi dhe vuri gishtin mbi vetull:

A isha i marrë, a isha shqiptar?

 

 

Si perde e rëndë, e papërshkueshme

varej errësira në Fundin e Botës,

Era shpërndante kundërmimin e një pllenimi

që sillte në përfytyrim mizëri larvash ende pa soj,

Akoma më ngjethet mishi kur kujtoj

zëra njerëzish para trupave- hije…

 

O mësuesi im, dikur më the

pa fund dhe pa fillim është toka.

Përse papritur ndërrove mendje?

 

Dhjetor 2012

 

 

SHPËRNDAJE