Buzëqeshje dhe standarde

1

Sapo lamë pas një tjetër verë dhe raundi i radhës së deklaratave dhe njoftimeve publike nga institucionet zyrtare na thotë se Shqipëria përjetoi një tjetër bum në numrin e turistëve të huaj që u magjepsën nga bukuritë e vendit tonë, çmimet e favorshme dhe shpirti mikpritës. Një shqyrtim më i vëmendshëm i karakteristikave të turizmit veror shqiptar të sivjetshëm do të nxirrte në pah disa mospërputhje me këtë panoramë të përsosur për të cilën flitet.

Këtë verë, rrugët në Shqipëri ishin një makth: në fundjava, në mbrëmje, në segmentet që po ndërtoheshin dhe po rindërtoheshin, në kryqëzime dhe nëpër kthesa. Ndodhën mjaft aksidente. Pati mjaft radhë të gjata trafiku të bllokuar që prishnin përvojën e udhëtarëve. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Vlorën, nyje-kalimin bazë për të gjitha rrugëtimet që të çojnë në Jug dhe për segmentin ndërmjet Lezhës-Fushë-Krujës që mban mbi supe peshën e të gjitha rrugëtimeve që të çojnë drejt Malit të Zi dhe plazheve veriore të Shëngjinit dhe Velipojës. Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që ngecjet në trafik ndodhin në mbarë botën, vendimi për të punuar në rrugë dhe për të rifilluar gërmimet nëpër akse rrugore të cilat janë veçanërisht të prekura nga trafiku i rënduar gjatë verës, nuk është mjaft i zgjuar. Operatorët e shërbimit publik rrugor kanë gjithë kohën e dimrit në dispozicionin e tyre për t’i kryer këto rregullime, por ata preferojnë të rrinë e të presin sezonin e verës për t’i bërë. Përsëritja e kësaj historie vit-për-vit e ka bërë këtë temë aq të rëndomtë sa që dhe vetë njerëzve u duken ankesat e tyre absurde.

Për ata që kërkojnë t’i arratisen tiranisë së pushimeve në bregdet, Veriu i vendit është një mundësi fantastike për të marrë ajër të pastër, midis maleve mahnitëse dhe përrenjve të shumtë që mund t’ju ofrojnë mundësi për të bërë pushime aktive, duke bërë hiking. Megjithatë infrastruktura rrugore është zhgënjyese edhe këtu. Segmenti Vau i Dejës-Koman, në rrugën që të ҫon drejt Valbonës është tepër i dëmtuar, madje dhe i rrezikshëm. Për të përshkuar më pak se 35 kilometra duhet një kohë e gjatë absurde dhe makinës i shkakton dëme të rënda. Destinacioni tjetër verior, Thethi, ka rrugë edhe më të vështira të pashtruara ku lipsen makina të veçanta për t’i kaluar.

Përpos infrastrukturës, edhe kultura e shërbimit të klientëve nuk përjetoi ndonjë përmirësim pozitiv. Shqipërisë iu dedikua një artikull në mediat ndërkombëtare ku theksohej ajo që shqiptarët e dinë prej vitesh: kamerierë famëkeq që sillen në mënyrë arrogante me klientët! Pyesni këdo që ka pushuar në Greqi apo Mal të Zi dhe do t’ju rrëfejnë krejt të kundërtën: kamerierë të buzëqeshur, njerëz shërbimi të buzëqeshur, recepsionistë të dobishëm dhe çmime të sakta.

Kjo lloj sjelljeje arrogante dhe mashtruese njëherazi e rëndon mungesën e shërbimeve themelore. Hotelet e Jugut nuk hezitojnë të vendosin 5 apo dhe 6 yje në fasadat e tyre, por ndërkaq kanë probleme për të ofruar ujë të ngrohtë dhe mëngjesi (që supozohet të jetë i përfshirë në çmim) mbaron brenda 10 minutave të para. Hotelet dhe operatorët që i ofrojnë këto shërbime punojnë në stresin e një sezoni të shkurtër 2-3 mujor, kur në fakt po të marrim parasysh motin në Shqipëri, sezoni bregdetar do të duhej të zgjaste së paku 5 muaj. Shumëllojshmëria e aktiviteteve verore mungon edhe për turistët të cilët nuk kanë shumë opsione për të shkuar nga njëri plazh në tjetrin ose për të vizituar destinacione historike, përveçse nëse marrin me një qira të kripur ndonjë automjet.

Hapësirat publike thuajse janë zhdukur plotësisht. Ato po zvogëlohen me shpejtësi edhe në zona ku ka pasur respekt për hapësirat publike siç është Pogradeci. Ndërkaq, konkurrentët tanë në rajon, si Mali i Zi dhe Kroacia kanë shezlongë shumë të shtrenjtë por lejojnë hapësirë gjithashtu edhe për plazhet publike për ata që nuk janë të interesuar të paguajnë. Në Shqipëri kjo mundësi po vjen duke u rralluar.

Duke nxituar të bëjnë para në sezonin e shkurtër të vetë-imponuar, operatorët e turizmit në Shqipëri dhe shteti shqiptar po i zhgënjejnë turistët; si të huajt, edhe vendasit. Duhet t’i mësojnë vlerën kombinimit fitues nga i cili po përfitojnë fqinjët tanë të rajonit: buzëqeshje dhe standarde.

SHPËRNDAJE