nga Javier Solana
Bashkimi Evropian ka një rast të rrezikshëm nostalgjie. Jo vetëm qe po kërkon “kohët e bukura të dikurshme”- përpara se BE të “shkelte” sovranitetin e shteteve- duke nxitur kështu ngjitjen e partive politike nacionaliste; udhëheqësit evropianë vazhdojnë të përpiqen që të zbatojnë zgjidhjet e të djeshmes, për problemet e të sotmes.
Supozohej që të gjithë duhej të kishin përfituar prej integrimit evropian. Kurdoherë qe futej një vend i ri ne BE, ai merrte ndihmë financiare, ndërkohë qe shtetet ekzistuese fitonin qasjen në një treg te ri. Pritej qe avantazhet te vinin jo vetëm prej tërësisë së të dhënave,por edhe prej përvojave individuale të vetë qytetarëve.
Por realiteti ka qenë më pak i qartë. Pas krizës financiare globale të vitit 2008, ekonomitë më të dobëta të BE-së u përballën me papunësi të lartë, sidomos mes të rinjve, ndërkohë që ekonomitë më të forta ndiejnë trysninë për të “shfaqur solidaritet”, duke shpëtuar vendet ne telashe. Kur ekonomitë më të forta i ofruan ato paketa shpëtimi, ato përfshijnë brenda tyre edhe kërkesa për masa kursimi,të cilat pengonin rimëkëmbjen ekonomike të marrësve të ndihmës .Pak mbeten të kënaqur, dhe shumë fajësuan integrimin evropian.
Në këtë kontekst, partitë dhe lëvizjet politike që kritikojnë apo kundërshtojnë BE-në, kanë fituar forcë tërheqëse të konsiderueshme, sidomos në Evropën Perëndimore. Ndërkohë që këto lëvizje nuk janë aspak të reja, mbështetja për to është rritur në mënyrë alarmuese gjatë trazirës që shkaktoi kriza. Në të vërtetë, pas çdo politike të dështuar për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike, evropianët janë ndjerë gjithnjë e më të pakënaqur, duke i fryrë kështu ndjenjave populiste dhe kërkesave për një rikthim tek sovraniteti kombëtar.
Udhëheqësit politikë që kanalizojnë këto kërkesa nuk duan vetëm rivendosjen e kontrollit kombëtar në të gjithë fushat; ata po përhapin gjithashtu një mesazh indiference- madje edhe kundërshtim te drejtpërdrejtë- ndaj të huajve, gjë që u reflektua në reagimin e tyre ndaj fluksit të refugjatëve në Evropë. Sipas tyre, secili shtet duhet të mbrojë veten me çdo mjet, edhe nëse ndërkohë vihet në provë sundimi i ligjit.
Por ndërkohë që dhimbja ekonomike që ndiejnë shumë evropianë është sigurisht reale, diagnoza nacionaliste e tyre është e rreme. E vërteta është se BE mund të kritikohet për mënyrën se si përballoi krizën; por nuk mund të fajësohet për çekuilibrimet ekonomike globale, që kanë shkaktuar vështirësitë ekonomike, që prej vitit 2008. Këto çekuiilibrime reflektojnë një fenomen shume më të gjerë: globalizimin.
Kjo nuk do të thotë se globalizimi është një e keqe. Hapja e shoqërive dhe ekonomive ndaj botës, natyrisht qe mbart shume pasiguri; por ofron edhe një sërë mundësish. Jo shumë kohë më parë, Evropa ishte udhëheqëse botërore sa i përket hapjes. Në fakt, projekti evropian është, ne thelbin e tij, një pasqyrë e hapjes, e cila është pasoje e pazgjidhshme e jetës në botën e sotme te globalizuar.
Ne vitin 200, kur BE pranoi formalisht tetë shtete ish komuniste si vende anëtare, hapja e Evropës arriti kulmin e vet. Dukej se në Evropë po agonte një epokë e re, në të cilën sundimi i ligjit, demokracia, dhe të drejtat e individit ishin të pakundërshtueshme. Megjithatë, pikërisht kur vendet e Evropës Perëndimore kanë filluar t’i rezistojnë hapjes, të njëjtën gjë kanë bërë dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.
Ne fakt,ne disa vende- sidomos ne Poloni dhe ne Hungari – janë shfaqur fort nacionalizmi dhe ndjenjat anti-evropiane. Fatkeqësisht, kjo ka shpënë në një gërryerje të sundimit të ligjit.
PoIonia është marrësja më e madhe e fondeve evropiane dhe i vetmi vend i Bashkimit Evropian që e shmangu recesionin gjate krizës; në fakt, ajo ka përjetuar 23 vite rritje ekonomike të pandërprerë. Veç kësaj, populli polak ka qenë mbështetës i BE-së, që kur u bë vend anëtar. Edhe Eurobarometri më i fundit tregon se 55% e polakëve e shohin pozitivisht BE-në.
Megjithatë qeveria e Polonisë, e udhëhequr nga partia e djathte Ligj dhe Drejtësi, po synon ta ndryshojë këtë, duke i paraqitur politikat evropiane si një rrezik ndaj identitetit kombëtar polak. Në vend që të diskutoje se si të përshtasë politika të caktuara me interesat kombëtare të PoIonisë,apo të rrisë zërin e vendit në nivel evropian, Partia Ligj dhe Drejtësi i quan të gjitha masat dhe vendimet evropiane si sfidë ndaj asaj që e bën Poloninë Poloni.
Këto pretendime, deri në njëfarë mase,u bëjnë jehonë atyre të qeverisë hungareze, udhëhequr prej partisë së djathte Fidesz. Reformat kushtetuese të zbatuara në vitin 2013, mes të tjerave, zgjeruan autoritetin e ekzekutivit dhe krijuan një këshill të ri shtetëror, të mbushur me anëtare të Fidesz, për të rregulluar mediat.
Disa thonë se nëse Hungaria do të kërkonte hyrjen në BE sot, me siguri që do i refuzohej. Sa për Poloninë, Komisioni Evropian ka nisur një hetim të paprecedent, në përgjigje të ligjeve më të fundit që, nën pretendimin e “mbrojtjes së sovranitetit kombëtar”, përqendrojnë më shumë pushtet në duart e qeverisë.
Kjo është një kthesë zhgënjyese. Në rolet e mi të mëparshëm profesionalë, kam qenë dëshmitar si pak të tjerë, i hyrjes së Polonisë dhe Hungarisë në institucionet Euroatlantike. Kam parë vetë dëshirën dhe shpresat e popujve të tyre në atë kohe të rëndësishme. Prandaj e kam kaq të vështire ta kuptoj pozicionin e tyre sot.
Sigurisht, nuk ishte e paarsyeshme që Polonia dhe Hungaria, sovraniteti i të cilave u uzurpua dikur prej Bashkimit Sovjetik, janë veçanërisht të ndjeshme ndaj përpjekjeve nga jashtë për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre si dhe kanë një ndjesi më të fortë të identitetit kombëtar në krahasim me vendet e tjera të BE. Por refuzimi i BE nuk do i izolojë prej pasigurisë që i shkakton globalizmi. Përkundrazi, do t’i lërë ato shumë më të prekshme nga risqet e shumta të fenomenit.
Disa i kanë përdorur përvojat e pakënaqshme me globalizmin, si një justifikim për një rikthim tek proteksionizmi dhe gjoja ditët e bukura të kufijve të fortë kombëtarë. të tjerë, duke kujtuar me trishtim një shtet-komb që nuk ka ekzistuar kurrë, kapen pas sovranitetit kombëtar, si një arsye për të refuzuar integrimin mëtejshëm të BE-së. Të dy grupet vënë në pikëpyetje themelet e projektit evropian. Por kujtesa u gabon, dhe nostalgjia nuk i shpie në drejtimin e duhur.
Marrë me autorizimin e Project Syndicate, 2016.