Albert Rakipi
Përpjekjet për një reformë në sistemin e drejtësisë të filluara më shumë se një vit më parë kanë mbërritur më në fund në një produkt: Një draft propozimesh përmes të cilave synohen të bëhen ndryshime strukturore në sistemin e drejtësisë. Duke qenë një reformë strukturore drafti i përgatitur sugjeron ndryshime kushtetuese, pra, ndërhyrje në ligjin kushtetues të
Republikës.
Reforma në sistemin e drejtësisë është mbështetur në mënyrë spektakulare nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe të SHBA në Tiranë. Partitë politike në Shqipëri demonstruan përsëri paaftësinë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të arritur konsensus në një çështje të rëndësishme për vendin siç është reforma në sistemin e drejtësisë. Kjo nuk është diçka e re në politikën shqiptare. Bashkëpunimi dhe konsensusi kanë qenë të rralla në Shqipërinë politike të 25 viteve të fundit.
Në vend që të kujdeseshin për të ndërtuar një reformë funksionale në interes të vendit, udhëheqësit politikë u kujdesën për interesat e tyre politike. Ata thjesht u përpoqën të fajësonin njëri-tjetrin dhe të krijonin avantazhe politike. Procesi për reformimin e kushtetutës u dëmtua nga lufta e brendshme politike midis qeverisë dhe opozitës. Reforma në drejtësi
gjithashtu u përdor për luftën e brendshme politike brenda shumicës parlamentnare, ku PS u përpoq në mënyrë konsistente të merrte flamurin e reformës dhe ta projektonte partnerin në
qeveri, LSI si një pengesë reale për reformën në drejtësi. Madje pati edhe mjaft përpjekje foshnjarake për ta shpallur opozitën, PD, si antiperëndimore, kundër BE dhe SHBA, kurse PS dhe Qeveria ishin me reformën në drejtësi dhe kësisoj me Perëndimin.
Partia Demokratike në opozitë dhe Partia Socialsite në pushtet kanë rënë dakord për draftin më të fundit të ofruar nga ekspertët ndërkombëtarë, por ndahen në një çështje, në fakt
themelore. Opozita propozon vetëm një rol monitorues për të ashtuquajturin operacioni ndërkombëtar i monitorimit, por jo kompetenca ekzekutive dhe vendimmarrje. Edhe LSI, partneri strategjik i PS në pushtet, që me rolin e kingmaker bëri të mundur ardhjen e të majtës në pushtet, është rreshtuar kundër propozimit që iu jep kompetenca vendimmarrëse
një grupi ekspertësh të huaj. Përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë demonstruan
një paradoks të sjelljes politike të udhëheqësve shqiptarë ndaj të huajve: Kështu ndërsa u dëshmua se ende është e pranishme kultura e varësisë së madhe politike nga faktori ndërkombëtar, po kaq e gjallë është i pranishëm instikti dhe ndjenja e një kulture që
lidhet me sovranitetin e shtetit që ndonëse i vogël dhe i dobët, duhet të qeveriset nga shqiptarët.
CILËT JANË ARMIQTË E REFORMËS NË DREJTËSI?
S’ka dyshim se ruajtja e status kuosë në sistemin e drejtësisë ka qenë dhe do të vijojë të jetë në interesin e njerëzve të korruptuar, zyrtarë të të gjitha niveleve, politikanëve të korruptuar, kriminelëve dhe organizatave kriminale. Një sistem drejtësie që jo në pak raste operon jo sipas sundimit të ligjit, por sundimit të korrupsionit është qartësisht kundër interesit publik. Ambasadori i SHBA në Tiranë në një përpjekje për të shtyrë përpara procesin e reformës iu referua pak a shumë këtyre “armiqve “ të reformës në drejtësi.
Tani kur procesi ka arritur në një fazë kritike, ideja e armiqve apo të paktën kundërshtarëve të reformës në drejtësi është deformuar dhe për më tepër është përdorur për përfitime politike, interesa afatshkurtra, që synojnë vënien nën kontrollin politik të sistemit të drejtësisë dhe ndoshta edhe përdorimin e reformës dhe rezultateve kundër kundërshtarëve politikë. Një ide me të cilën po ushqehet publiku kohët e fundit në mënyrë intensive është se kundërshtari, nëse jo armiku i reformës në drejtësi, është Partia Demokratike, pra, opozita e vendit. Një kundërshtar tjetër i reformës, sipas pozitës, është Kryetari i Shtetit, është vetë Presidenti që thotë se ka një propagandë tërësisht politike që midis të tjerash përpiqet të prezantojë idenë se Presidenti është kundër reformës, për ta paraqitur si një perceptim
të publikut.
Së fundi, por jo i fundit për nga rëndësia, si një kundërshtar i fshehtë i reformës në drejtësi, nëse jo një “armik”, është synuar të perceptohet edhe Ilir Meta, Kryetari aktual i Parlamentit. I vetmi partizan i kësaj reforme të rëndësishme mbetet kryeministri, të
cilin opozita e ka akuzuar qartë se po përpiqet të kapë dhe të kontrollojë sistemin e drejtësisë pikërisht në emër të reformës. Po nëse të gjitha idetë e mësipërme burojnë nga lufta e ashpër politike midis qeverisë dhe opozitës apo luftës politike brenda llojit, siç është konkurrenca midis Metës dhe Ramës, apo qoftë edhe nga teori të konspiracionit, që turbullojnë shpesh mendjet e shoqërive të prapambetura ballkanike, një pyetje është themelore: A është e duhura dhe a është realiste një reformë në drejtësi që kërkon ndryshime kushtetuese, pra, një reformë për të cilën kryetari i shtetit, opozita dhe LSI në qeveri, nëse nuk e kundërshtojnë, të paktën është e qartë se nuk e mbështesin?
IT IS THE CONSENSUS, STUPID!
Mosmarrëveshjet për draftin e propozimeve për reformën në drejtësi kanë qenë të pranishme qysh në fillim të procesit. Në mënyrë më të qartë mosmarrëveshjet dhe kundërshtimet kanë qenë konsistente midis qeverisë dhe opozitës, Partisë Demokratike, por qëndrime të ndryshme dhe deri edhe të kundërta ka shprehur në momente kyçe të përgatitjes së reformës dhe sidomos dhe për çështje të rëndësishme të kësaj reforme edhe
partneri kyç në shumicën parlamentare LSI. Kjo ka bërë që Komisioni Ad hoc në parlament e dërgoi për një opinion në Komisionin e Venecias draftin e përgatitur nga një grup ekspertësh lokalë. Partia Demokratike në opozitë, por edhe LSI në qeveri, i dërguan këtij komisioni edhe komentet dhe propozimet e tyre konkrete të ndryshme dhe të kundërta me draftin e përgatitur nga ekspertët lokalë. Për opozitën, por edhe për ekspertë të pavarur opinioni i Komisionit të Venecias, në fakt, e ka rrëzuar draftin e përgatitur nga ekspertët, draft që opozita e quan draft të reformës të përgatitur nga qeveria. Pavarësisht nga leximet e ndryshme që qeveria dhe opozita i bënë opinionit të Komisionit të Venecias, me ndërhyrjen e ambasadorit të SHBA dhe BE, palët ranë dakord të punonin për një draft të përbashkët. Mirëpo mosmarrëveshjet filluan përsëri dhe ekspertët e opozitës braktisen bisedimet.
Opozita akuzoi qeverinë se nuk po i përmbahet opinionit të Venencias për të cilin kishte rënë dakord. Mosmarrëveshjet janë për mënyrën se si do të zgjidhen nga parlamenti drejtues
të institucioneve të rëndësishme të drejtësisë. Dhe në lojë tani janë shifrat ,të cilat për publikun e gjerë dhe jo aq të painformuar, janë të parëndësishme. Kështu drafti i përgatitur nga eksperte të qeverisë propozon që këto zgjedhje të bëhen me tre të pestat e parlamentit, që kontrollohen nga qeveria. Ekspertët e opozitës e kundërshtojnë këtë dhe ashtu siç rekomandon opinion i Venecias, kërkojnë aplikimin e formulës 2 te tretat, që automatikisht
përfshin edhe opozitën. Shifrat 3 të pestat dhe dy të tretat nuk thonë gjë për publikun, madje krijojnë edhe konfuzion. (Për shembull, pse u dashka të zgjidhet një gjyqtar me tre të pestat kur presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë). Në thelb, Komisioni i Venecias ka rekomanduar konsensusin dhe jo shifra dy të tretat apo tre të pestat. Thelbi është konsensusi midis palëve. Supozoni, për shembull, që shumica parlamentare do të kishte vetëm 75 vende në parlamentin prej 140 vendesh. Në këtë rast Venecia, por edhe opozita nuk do të kishte arsye për të mos e pranuar shifrën 3 të pestat, sepse për miratimin e reformës do të duheshin edhe votat e opozitës., pra, 84 vota kur shumica kishte vetëm 75.
Ndryshimet strukturore në sistemin drejtësisë nuk kanë të bëjnë me pyetjet nëse duhet të ndërpritet mandati i prokurorit të përgjithshëm dhe ku do të punojë prokurori i përgjithshëm
pas ndërprerjes së mandatit. Një reformë strukturore nuk mban parasysh emra që duhet të lënë postet dhe të tjerë që duhet t’i zënë karriget bosh.
Një reformë e qëndrueshme dhe e suksesshme kërkon konsensus midis qeverisë dhe opozitës. Dhe pikë se pari brenda shumicës parlamentare. Sepse ashtu sikundër e kemi parë LSI në mënyrë konsistente ka deklaruar se është për një reformë që mbështetet te konsensusi dhe parimet e Komisionit të Venecias.
REFORMA NË DREJTËSI DO TË SJELLË… BEGATINË.
Ka një film popullor të realizimit socialist që tregon Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore të varfër dhe të rrënuar nga lufta, por dhe entuziazmin e regjimit komunist që besonte se po ndryshonte dhe lulëzonte Shqipërinë. Në një nga skenat e këtij filmi, sekretarit të partisë, që është heroi kryesor i filmit, i bën përshtypje një parullë gjigante ku shkruhej: “Plani dyvjeçar do të sjellë begatinë”. Ç’është kjo parullë, more shokë, thotë sekretari, lërini këto budallallëqe. Ç’është ky plan dy vjeçar që do të sjellë begatinë. Krahasimi ndoshta mund të duket jo dhe aq me vend dhe sigurisht politikisht nuk është korrekt, por e vërteta është se janë krijuar dhe po krijohen pritshmëri të mëdha për sukseset dhe rezultatet që do të sjellë reforma e drejtësisë. S’ka asnjë dyshim se ruajtja e status kuosë në sistemin e drejtësisë po gërryen besimin e qytetarëve te drejtësia, te politika dhe udhëheqësit e saj, madje edhe te demokracia si sistem politik, por gjithashtu edhe po pengon zhvillimin e vendit dhe sundimin e ligjit. Por nga ana tjetër, s’ka asnjë dyshim se kjo reformë nuk mund do të sjellë “begatinë” në sundimin e ligjit, do t’i japë fund të kulturës së pandëshkueshmërisë , në luftën kundër korrupsionit dhe shkëputjen e politikës me korrupsionin apo krimin. Përvoja të paktën ka treguar se në këtë vend, ashtu sikundër në vende të ngjashme, nuk mungojnë ligjet e mira dhe të duhura. Çështja është zbatimi i tyre. Kujtoni, për shembull, pritshmëritë e mëdha që u krijuan me heqjen e imunitetit për deputetët në parlament. Sado ironike të tingëllojë, me heqjen e imuniteteve për deputetët, parlamenti mbush me të fortë, me njerëz që kishin probleme me ligjin, përfshirë edhe me vrasës.
*With apologies to Bill Clinton and his advisor, James Carville, who coined the term “It’s the economy, stupid” as Clinton’s successful 1992 U.S. presidential campaign motto.