Shqipëri-Serbi: marrëdhënie strategjike dhe nevoja për pronësi lokale

1

Ka ardhur koha që Shqipëria dhe Serbia të ndërtojnë një marrëdhënie strategjike dhe nevojitet pronësia lokale për të bërë përpara drejt së ardhmes së përbashkët në BE, u
shpreh Dr. Albert Rakipi, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare gjatë tryezës së rrumbullakët mbi marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Serbi.
“Është koha që Shqipëria dhe Serbia të ndërtojnë një marrëdhënie strategjike. Kjo është e vetmja mënyrë që mbarë rajoni të përfshihet nga fryma e paqes dhe e bashkëpunimit.
Kjo do të thotë ta ndërtojmë Europën në shtëpinë tonë,” tha Dr. Rakipi të Mërkurën në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga AIIS dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, mbështetëse e projektit Shqipëri-Serbi. Qendra e Përbashkët për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi që është themeluar së fundmi, si një nismë e Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare dhe Lëvizjes Europiane për Serbinë, po ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të cilat kanë qenë pothuajse në një gjendje lufte të ftohtë deri kohët e fundit.

Forumet e mbajtura në Durrës dhe Beograd majin e shkuar si pjesë e Qendrës së Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi mblodhën përfaqësues të shoqërisë civile nga të dyja vendet, në përpjekje për të identifikuar mundësitë e bashkëpunimit konkret që do të normalizonin marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të cilat kanë mbetur të vështira që prej fundit të viteve 1940 kur Shqipëria komuniste dhe Jugosllavia e atëhershme i ndërprenë
marrëdhëniet e tyre si aleate kryesore. “Një marrëdhënie strategjike ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë mund të tingëllojë si herezi dhe me shumë gjasa do të sulmohet nga “patriotët’, të cilët do të përpiqen t’i zënë në befasi dhe t’i sulmojnë që prej bunkerëve të izolimit. Por marrëdhëniet me fqinjët janë gjithmonë strategjike. Lufta është strategjike dhe paqja është gjithashtu strategjike, por si paqja dhe lufta janë gjëra që ndodhin mes fqinjëve,” tha Dr. Rakipi. “Shtetet janë të lidhura nga interesat dhe midis Shqipërisë dhe Serbisë ka edhe më shumë interesa sesa midis Shqipërisë dhe shumë vendeve të tjera të BE. Duhet ri-shpikur një narrativë e re. E ardhmja e përbashkët europiane është një narrativë e bukur dhe
e nevojshme e cila ka patur rezultate. Jan Braathu, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe Shqipëri theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe Serbisë si dhe faktin që ato duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje nga jashtë. “Të huajt mund të jenë partnerë. Ata mund të ndihmojnë, por puna e vështirë dhe peshat e rënda duhet të ngrihen nga vendet e rajonit. Miqtë dhe partnerët e huaj mund të ndihmojnë përmes një kornize të tillë si Procesi i Berlinit, por në fund të ditës është në dorën e vendeve këtu se çfarë lloj marrëdhënie rajonale fqinjësore ata duan të kenë “, tha ambasadori. “Gjëra të vogla të tilla si muzika janë tregues i një dëshire për të pasur marrëdhënie normale midis shqiptarëve dhe serbëve”, tha z. Braathu.
“Puna e përbashkët dhe bashkëpunimi më i ngushtë është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve. Besoj se formula “biem dakord që të mos biem dakord” është përqasja më e
mirë. Konfliktet, në kundërshtim me marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, nuk kontribuojnë pozitivisht në shoqëri. Gjetja e një mënyre për të kapërcyer mosmarrëveshjet tona është e
rëndësishme. Njerëzit në Ballkanin Perëndimor kanë nevojë për punë”, shtoi ambasadori.
Kosova, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 ka qenë një problem i vështirë në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, por shteti me një shumicë dërrmuese shqiptare etnike i njohur nga 112 vende dhe që tashmë aspiron integrimin në BE, është duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për rrjedhojë nuk shihet më si pengesë në bashkëpunimin Shqipëri-Serbi.

13613284_1312212692142223_5116904424168158926_o
Ambasadori serb në Shqipëri Miroljub Zariç citoi kryeministrin Vuçiç, në takimin e tij të fundit me homologun e tij shqiptar Rama, këtë javë në konferencën e Parisit, kur ai tha se: “Ne do të punojmë për t’i bërë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë sa më të mira, me qëllim ruajtjen e stabilitetit rajonal, por edhe për shkak të interesave ekonomike të qytetarëve tanë. “
Takimet Rama-Vucic janë bërë tashmë mjaft normale. Pas vizitës së Ramës në Beograd në tetor të vitit 2014, kur ai u bë kryeministri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë në 68 vjet, mes
një klime të tensionuar pas incidentit të dronit në një ndeshje futbolli, duke hapur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat konsiderohen lojtarë kyç për sigurinë, zhvillimin ekonomik të rajonit dhe integrimit evropian të Ballkanit perëndimor.
Ambasadori i Serbisë njoftoi krijimin e një dhome të përbashkët të tregtisë Shqipëri-Serbi në Tiranë deri në fund të këtij viti, e cila do të paraprihet nga një takim i nivelit të lartë midis elitave politike dhe të biznesit. Fluturimet e përditshme direkte ndërmjet Tiranës dhe Beogradit nga Air Serbia kanë kontribuar edhe më shumë në rritjen e shkëmbimeve njerëzore dhe të biznesit në një kohë kur kompanitë e ndërtimit serbe janë në kërkim të mundësive për investim në bregdetin shqiptar. Përfaqësuesit e shoqatave të biznesit shqiptar nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës dhe Konfindustria kërkuan bashkëpunim rajonal dhe politika komplementare ekonomike, duke marrë parasysh madhësinë e Ballkanit Perëndimor, një treg i vogël prej 20 milionë konsumatorësh. “Shqipëria dhe Serbia janë të destinuara për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin si dy ekonomi të vogla rajonale dhe gjithashtu autostrada Nish-Prishtinë mund të rrisë bashkëpunimin”, tha ekonomisti Arjan Kadareja.
Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Serbi me vlerën vjetore të 173 milionë euro, janë të dominuara nga energjia elektrike, drithërat dhe perimet e freskëta.
Rekomandimet e IShSN
Tre studimet e përqendruara në tregti, turizëm dhe transport ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u prezantuan nga studiuesit e AIIS, të cilët gjithashtu identifikuan rekomandime për të rritur nivelet e bashkëpunimit midis dy vendeve. “Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë ata kanë një ndikim të madh
politik në rajon. Në këtë prizëm, marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve janë shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe integrimin e ardhshëm të rajonit në BE. Marrëdhëniet e tregtisë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve të brishta politike mes dy vendeve “, thanë studiuesit e IShSN Sokol Lleshi dhe Dritan Sulçebe.
“Ripërtëritja e lidhjeve të transportit mes dy vendeve përbën një investim të qëndrueshëm që jep efekte pozitive në rritjen ekonomike dhe në zhvillimin e infrastrukturës”, theksoi një
studim i AIIS. “Turizmi është një mjet i fuqishëm për të sjellë vende të ndryshme së bashku. Duke njohur më mirë njëri-tjetrin, njerëzit e kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme do ta kishin shumë të vështirë për të gjeneruar ndjenjat e urrejtjes dhe armiqësisë kundër njëri-tjetrit “, theksoi studimi për politikat e turizmit.

SHPËRNDAJE