Koncesionet: sa pak të ardhura në buxhet dhe sa shumë probleme për ekonominë shqiptare

0

nga Zef Preçi

Edhe pse shifrat zyrtare flasin për një rritje ekonomike vjetore në kufijtë midis 2 dhe 3 për qind, mjafton një kërkim i thjeshtë në Internet rreth treguesve kryesorë makro-ekonomikë për të kuptuar stanjacionin e sotëm të ekonomisë shqiptare. Në fakt, kjo situatë është thuajse e pandryshuar gjatë tre-katër viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës qeveria shqiptare ka adoptuar një politikë të njohur si “marrja e borxhit të ri për të shlyer borxhin e vjetër”, ndërsa vetë borxhi publik ka arritur në limitet e mundshme për t’u menaxhuar nga qeveria. Po kështu, politika e rritjes së tatim-taksave gjatë dy viteve të fundit duket se ka qenë tejet kundër-produktive: është prishur raporti ndërmjet taksës mbi punën dhe asaj mbi kapitalin duke rënduar të parën; vendi po humbet dita-ditës avantazhet e veta konkurruese ndërsa investitorët e huaj të pranishëm në ekonominë shqiptare, po shfaqin nervozizëm dhe një numër syresh janë larguar apo po shqyrtojnë opsionet e largimit nga Shqipëria drejt vendeve fqinje të rajonit tonë. Një “exit strategy” të ngjashme duket se po shfaqin edhe një numër investitorësh të njohur si “gjigantë të ekonomisë së tregut” dhe që në fakt janë marrë dy dekadat e fundit me shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit në naftë, në nxjerrjen e kromit, etj. Në këtë vorbull janë përfshirë edhe ata investitorë të cilët kanë hyrë në tregun shqiptar kundrejt marrëveshjeve koncesionare, në të vërtetë të pafavorshme për shtetin shqiptar, përmes të cilave kanë përfituar të drejta ekskluzive të shtetit, pra duke siguruar pozita monopol në treg për periudha të gjata kohe (p.sh. koncesioni mbi fluturimet ajrore në aeroportin e Rinas-it), duke “rrëmbyer” shërbime te mirëfillta e “tradicionale” të shtetit (si p.sh. koncesioni i skanimit të kontejnerëve në sistemin doganor të vendit, rast unik në kundërshtim me praktikat ekonomike, ku qytetarët dhe bizneset paguajnë për një shërbim që nuk e marrin); duke keqadministruar dhe sjellë në prag të falimentimit edhe de jure kompani strategjike te rëndësishme publike (p.sh. koncesioni i dështuar i kompanisë ceke CEZ në shpërndarjen e energjisë elektrike), si dhe vihet re një “garë me kohën” e kabinetit aktual qeveritar për të përcjellë në duart e operatorëve ekonomikë privatë të një numri shërbimesh publike apo “koncesionesh të pakërkuara” (term ky jo vetëm juridik për mungesën e konkurrencës së nevojshme në këtë proces, por në fakt shprehje e interesimit të madh për të siguruar fitime në një kohë të shpejtë, pa ndonjë investim dhe risk serioz të investimit dhe kryesisht falë lidhjes politike me njërin apo tjetrin grupim qeverisës të vendit). Një grup më vete përfituesish të dyshimtë, për të cilët në shtypin vendas flitet edhe për dyshime për shkelje të konkurrencës në tenderim e të procedurave përkatëse e për rrjedhojë edhe hetime në proces të organit të akuzës, janë koncesionet në sistemin shëndetësor të vendit, të cilat vlerësohet se “kanë kontraktuar”  paraprakisht më shumë se 1/5 e fondeve në dispozicion të shëndetësisë edhe për 20 vitet e ardhshme, kur dihet që shërbimi shëndetësor ishte dhe është sektor prioritar i shpenzimeve buxhetore të dekadës së fundit e do të mbetet i tillë të paktën në periudhën afatmesme. Të dhënat e agjencive publike të auditimit të përdorimit të fondeve buxhetore siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit flasin për përkeqësim të kësaj dukurie, për përzgjedhje pa konkurrim të kompanive fituese, për mungesën e infrastrukturës, të përvojës specifike si dhe të kapaciteteve financiare të “fituesve”, merita kryesore e të cilëve duket se janë lidhjet e tyre të dukshme dhe të padukshme me lobet e fuqishme të biznesit që ndikojnë dhe diktojnë vendim-marrjet politike në Kuvend dhe në qeveri.

 

Nga analiza e kuadrit ligjor mbi koncesionet, fushën e shtrirjes së tyre dhe e amendamenteve të këtij kuadri gjatë tre-katër viteve të fundit vihet re se udhëheqja politike e vendit është e vetëdijshme ndaj kufizimeve buxhetore në burimet financiare për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit në zbatim të programit politiko-qeverisës të shumicës. Kjo si për shkak të pranisë së krizës ekonomike botërore në ekonominë e vendit, ritmeve të ulëta të rritjes ekonomike, rënies se konsumit të brendshëm, papunësisë konstante dhe në rritje sidomos ndër moshat e reja,  mungesës së kreditimit të ekonomisë reale nga bankat tregtare, ashtu edhe për shkak të presionit në rritje për sfera investimi dhe fitimesh të sigurta nga ana e përfaqësuesve të oligarkisë post-komuniste në vend, e cila e gjykuar nga CV-të e një numri deputetesh rezulton se është e përfaqësuar gjerësisht në Kuvendin e Shqipërisë. Këtu mendoj se duhen kërkuar edhe shkaqet kryesore të ndryshimeve ligjore lidhur me koncesionet gjatë viteve të fundit, përmes të cilëve është zgjeruar ndonjë fushë-veprimi e shtrirjes së koncesioneve duke kapërcyer konceptin e investimeve strategjike që zakonisht përdoret në literaturën përkatëse, por njëkohësisht është rritur dukshëm edhe mundësia që qeveria “të nxjerrë në treg” edhe shërbime publike të rëndësishme, t’i “shesë” ato për periudha të gjata kohe, deri edhe duke përdorur fonde të posaçme buxhetore si garanci nëse operatorët ekonomike private (koncesionarët) nuk realizojnë fitimet e tyre sipas parashikimit. Nuk mbeten pas qeverisë qendrore edhe një numër njësish të qeverisjes vendore, të cilat në periudhën e zbatimit të reformës administrative dhe riorganizimit për shkak të këtij pushteti, kanë nxituar të japin me koncesion shërbime të tilla si menaxhimi mbetjeve urbane, vend-parkimet publike, deri edhe ndriçimi në dy qytete të mëdha (Tiranë  e Durrës) që është në diskutim javët e fundit. Duke e marrë të mirëqenë kuadrin ligjor për koncesionet, vihet re se në procesin e zbatimit të tij mangësitë kryesore shfaqen në kohën e pamjaftueshme të shpalljes publike të tyre; në predominimin e “propozimit të pakërkuar” një metodë e kuptueshme për fillimet e viteve 2000 kur ekonomia e vendit nuk njihej në botë dhe burimet natyrore të saj nuk ishin studiuar mjaftueshëm; në “ofrimin” e investitorëve kryesisht të regjistruar në “parajsat fiskale” (shtypi shkruan për rreth 1/2 e tyre p.sh. në sektorin e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës dhe të gazit); institucionet shtetërore të mbikëqyrjes së zbatimit të këtyre kontratave “kontrollohen” nga lobistët më të mëdhenj të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa i tërë procesi i përzgjedhjes së kompanive të huaja është përgjithësisht hermetik, trajtohet si e drejtë ekskluzive e pak personave me pushtet në vend, dhe vendim-marrja e Kuvendit është tepër formale. Ka dyshime edhe për raste kur vendim-marrja për t’u dhënë me koncesion për periudha të gjata kohe (20, 25 apo 99 vjet) kompanive të huaja pasuri kombëtare të rëndësishme influencohet prej këtyre të fundit dhe përgjithësisht në Kuvend mungojnë zërat që analizojnë përfitimet financiare dhe dobinë qe këto koncesione sjellin për ekonominë kombëtare, buxhetin, punësimin, etj. Ndërsa mbikëqyrja e zbatimit të tyre mbetet përgjithësisht e limituar deri edhe për institucionet kontrolluese kushtetuese. Vlen të theksohet se kompanitë e njohura botërisht ose markat e mëdha nuk vijnë në Shqipëri kryesisht për shkaqet e njëjta që lidhen edhe me klimën e biznesit në vend, dmth thjesht për shkak të korrupsionit të lartë të klasës politike drejtuese, për shkak të dështimit të qeverisë në ndëshkimin e korrupsionit në radhët e saj, d.m.th. për shkak të mosrespektimit të ‘rregullave të lojës’ të ekonomisë së tregut, moszbatimit të detyrimeve kontraktore, të sistemit gjyqësor të korruptuar gjerësisht në të gjitha nivelet e tij, etj.

 

Gjatë dekadës së fundit, është interesant fakti se përgjithësisht grupimet politike që synojnë pushtetin përqafojnë parullat populiste të “rikthimit të pasurive të grabitura popullit (nga qeveria e mëparshme”, gjë që ushqen një klimë mosbesimi publik ndaj tyre, por që menjëherë pas ardhjes në pushtet, i gjithë aparati shtetëror vihet ne dispozicion te tyre, gjë që shprehet ne kontrollin e dobët qeveritar në respektimin e normave dhe standardeve ligjore për mbrojtjen e ambientit, për pagesën e rregullt të detyrimeve fiskale nga ana e kompanive, deri edhe në tolerimin e moszbatimit të normave ligjore për dëmet e shkaktuara prej tyre ndaj komuniteteve të caktuara, ndaj punëtorëve të larguar masivisht nga puna, etj. Vlen të theksohet se gjatë tre viteve të fundit është bërë e modës zgjidhja me mirëkuptim e problematikës së kontratave koncesionare, si për probleme për të cilat nevojitej thjesht zbatimi me korrektesë i kuadrit ligjor në fuqi, ashtu edhe për probleme për të cilat nevojitet asistencë e specializuar ne fushën e juridiksionit ndërkombëtar. Ajo që bie në sy në këtë proces është transparenca e pamjaftueshme e negociatave, mosndëshkimi i personave përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj ekonomisë kombëtare si dhe mungesa e akteve ligjore dhe institucionale që pamundësojnë përsëritjen e shkeljeve dhe te dëmeve prej tyre në të ardhmen.

 

Për me tepër, një numër kontratash koncesionare të shtetit shqiptar me investitorë te huaj, të trumbetuara në mas-media si “investime strategjike” po ndërrojnë pronësinë e tyre pa ndonjë konsultim me autoritetet përgjegjëse te shtetit shqiptar, kur dihet se argumenti kryesor i dhënies së tyre me koncesion, ne shumicën e rasteve me një kërkese te vetme “te pakërkuar”, ka qenë përvoja e tyre e njohur botërisht në sektorin përkatës dhe kapacitetet financiare për të investuar në sjelljen e teknologjisë, rritjen e zënies me punë të punëtoreve shqiptarë, përmirësimin e menaxhimit dhe shtimin e prodhimit, eksportit, e kështu edhe të përfitimeve buxhetore për shtetin shqiptar. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e zbulimit muajt e fundit nga Panama Papers të disa kompanive “offshore”, një proces ky që duket se do të sjellë edhe zbulime të reja tronditëse mbi mënyrën se si është fshehur pronësia e vërtete dhe është shkaktuar një evazion i konsiderueshëm fiskal me taksat që këto kompani do te duhej t’i kishin paguar shtetit shqiptar në vite. Monitor shkruante pak kohë më parë se sipas UNCTAD-it, – një organizatë e Kombeve të Bashkuara – sa më shumë investime nga parajsat fiskale, aq më pak qeveritë tatojnë fitimet. Në Shqipëri, renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën dhe pasuri të tjera natyrore nuk i ka kaluar 100 milionë euro në vit, apo rreth 3-4% të totalit të të ardhurave në buxhet, ndërsa eksporti i burimeve natyrore, pa vlerë të shtuar, ka zënë edhe gati një të tretën e totalit të shitjeve jashtë vendit. Ditët e fundit u raportua se kjo e ardhur në buxhetin e vitit 2015 ishte vetëm 22 milionë Euro…

 

 

Të bie në sy heshtja ndaj këtyre zbulimeve e institucioneve shtetërore përgjegjëse për ndjekjen e veprimtarive kriminale ne fushën e pastrimit te parave, konfliktit të interesave, etj., si dhe përcjellja qetësisht nga ana e qeverisë e ndjeshmërisë publike në rritje rreth këtyre zbulimeve, por edhe ndaj rritjes se pranisë së investimeve kineze e ruse në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit (p.sh. qëndrimi tejet pajtues i Ministrisë së Energjisë rreth sitjes së aksioneve nga njëra nga kompanitë më të mëdha të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, pavarësisht se kjo e fundit, sipas dokumenteve të publikuara nga BIRN Albana kishte probleme serioze në fryrjen e shpenzimeve dhe për rrjedhojë, fshehjen e detyrimeve ndaj buxhetit te shtetit sipas kontratës koncesionare përkatëse, etj). E kjo ndodh kur në vendet perëndimore janë vënë në lëvizje gjithë mekanizmat ligjore, institucionale, bankare dhe ndër-qeveritare për rritjen e kontrollit mbi kompanitë “offshore”, me qëllim pengimin e korrupsionit politik dhe të evazionit fiskal që dëmton veçanërisht vendet e varfra si Shqipëria, por edhe pengimin e grabitjes së pasurive kombëtare të këtyre vendeve nga lidershipi politik i korruptuar e nga funksionarët e lartë shtetërorë, përgjegjës për dhënien me koncesion të pasurive natyrore në vendet përkatëse.

Një tipar tjetër i kontratave koncesionare në Shqipëri mbetet kohëzgjatja e tyre. Duke filluar nga lejet njëvjeçare për ndërtimin e kioskave të përkohshme për fillimin e një biznesi çerekshekulli me parë, sot flitet për qindra hektarë tokë bujqësore apo tokë truall në bregdet për t’u dhënë kundrejt një plan-biznesi pa asnjë mekanizëm detyrues për kryerjen e investimeve të parashikuara në të dhe arritjen e parametrave ekonomikë e financiarë të këtij plan-biznesi në punësim, në kontributet në taksa, etj. deri edhe për 99 vjet (p.sh. koncesioni në proces i përsëritur në Spitallë, Durrës). Në njëfarë kuptimi, rritja e kohëzgjatjes përtej mandatit te zakonshëm të një qeverie (4 vjet) sjell implikime për teknologjinë që përdoret – ajo ndryshon mjaft shpejt; për vetë plan-biznesin – sjellja e tregjeve ndryshon; për konkurrencën – afati i gjatë ngrin konkurrencën dhe pengon hyrjen e operatorëve të rinj në treg, etj. Nuk duhet harruar se çdo qeveri ka mandatin e qytetarëve për të vendosur përparësi politiko-qeverisëse në programin ekonomik dhe koncesionet afatgjata janë “vargonj” ne lirshmërinë e ndërtimit te këtij programi, në përputhje me shtresat shoqërore qe përfaqëson, duke deformuar kështu edhe vete demokracinë dhe funksionimin normal te saj. Ne këtë kuptim, vijmë te situata paradoksale e sotme që qeveria aktuale shpenzoi borxhin publik kolosal të rritur gjatë tre viteve të mandatit të saj për të shlyer borxhin që gjeti dhe krijoi vetë, duke mos realizuar thuajse asgjë nga premtimet e saj për investime të reja në infrastrukturë, etj., duke shërbyer si njëlloj “llogaritareje” e qeverisë së mëparshme. Ndërsa nëse qeveria aktuale, nën presionin në rritje të lobistëve në përbërje të shumicës aktuale dhe të oligarkëve përreth saj, do të nxitojë të japë koncesione përmes të ashtuquajturit “partneritet publike privat”  një numër pasurish publike të mbetura ende në duart e shtetit si edhe shërbimet bazë qeveritare (mbledhjen e TVSH-së, doganat, etj.) ekziston rreziku që qeveria pas saj të jetë thjesht një “agjente fiskale” e ligjëruar e oligarkëve, çka përbën në vetvete një kërcenim real deri edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës në vend dhe procesin e integrimit Evropian të tij.

Vlen të theksohet se për shkak të përfshirjes së gjerë të lobeve të biznesit deri edhe atyre kriminale në jetën politike të vendit, nuk janë vetëm oligarkikët që kërkojnë sfera investimi të sigurta dhe fitime rrjedhëse në dekadat që vijnë, duke ngushtuar konkurrencën dhe funksionimin e lirisë së investimeve dhe tregjeve, por edhe një numër “sipërmarrësish” me të shkuar të dyshimtë e lidhje kriminale, të cilët hap pas hapi po tentojnë të marrin nën kontroll pasuri të rëndësishme publike, tendera, etj., ndërsa komuniteti i biznesit në përgjithësi bashkëpunon dobët ose heziton deri në refuzim bashkëpunimin me agjencitë ligj-zbatuese për shkak të rritjes së rolit dhe influencës së këtij grupi “biznesmenësh” nga bota e nëndheshme e krimit.

Probleme të tjera në lidhje me koncesionet janë ato që kanë të bëjnë me kapacitetet e kufizuara dhe ekspertizën e pamjaftueshme të agjencive publike të monitorimit të zbatimit të kontratave koncesionare dhe për mbikëqyrjen e  tregjeve, politizimi i tyre dhe paqëndrueshmëria e stafeve dhe drejtuesve që ndërrohen sa herë që ndryshojnë shumicat qeverisëse, vendosja në poste të larta të personave pa asnjë përvojë profesionale e drejtuese, apo më keq në disa raste edhe të personave që vijnë drejtpërdrejtë nga industritë që teorikisht duhet të mbikëqyrin përmes institucioneve publike qe drejtojnë, etj.

 

Një bllok më vete zënë koncesionet në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, të dhëna kryesisht nga administrata e mëparshme qeveritare. Studime të ndryshme tregojnë se këto koncesione kanë sjellë me vete probleme jo të pakta ambientale, një numër syresh janë dhënë në zonat e mbrojtura në të cilat ndërtimet e çfarëdolloji janë të ndaluara, kanë sjellë ndryshime klimatike dhe vështirësim të funksionimit të bujqësisë dhe furnizimit me ujë te pijshëm të disa zonave të banuara, kanë probleme në sigurimin e financimeve për ndërtimin e tyre, qeveria ka rishikuar kushtet e blerjes me shumicë të energjisë në një treg që ende nuk është i hapur, etj. Pavarësisht kësaj, të dhënat e fundit të Entit Rregullator të Energjisë flasin për rritjen e peshës specifike të këtij grupimi prodhuesish në raport me totalin e energjisë qe prodhohet ne vend.

 

Vitet e fundit janë bërë publike edhe një numër rastesh të mbylljes së aktivitetit dhe përgatitja për të kaluar ne procesin e falimentimit e një numri kompanish koncesionare, të cilat rezultojnë me detyrime tatimore të papaguara prej 4-5 vitesh në shuma prej disa dhjetëra miliona eurosh, si dhe me kredi bankare të pashlyera në afat me shuma shumë herë më të mëdha. Ne fakt, opinioni publik, qarqet e ekspertëve si dhe një numër institucionesh të shtetit janë të shqetësuar për parregullsitë e shfaqura në këtë proces. Kështu, nuk është normale që të mos analizohet dhe të nxirret përgjegjësia e administratës tatimore për mënyrën se si janë akumuluar detyrimet e papaguara ndaj shtetit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për detyrimet ndaj bankave, për të cilat ka dyshime se janë përfshira në afera korruptive në dhënien e kredive të tilla. Është një fakt i njohur se rreth gjysma e “kredive te këqija” në bankat tregtare që raportohen në rreth 700 milionë Euro u përkasin kompanive te njohura si “biznese te mëdha” (në termat e vendit përdoret emërtimi “biznese VIP”) ndër të cilat edhe një numër koncesionarësh. Institucionet audituese, si p.sh. Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë bërë thirrje që qeveria dhe agjencitë e tjera ligj-zbatuese të tregohen të kujdesshme në lidhje me disa raste falimentimi të këtij lloji sepse rezulton se ky hap po ndërmerret prej tyre për të anashkaluar detyrimet e prapambetura ndaj shtetit për mospagimin e taksave dhe kthimin e kredive bankare.

 

Nga vëzhgimi i konflikteve gjyqësore midis koncesionarëve dhe palës shtetërore shqiptare vihet re se thuajse në të gjitha rastet, pala e huaj (koncesionari) është në pozita të favorizuara, kjo si për shkak të përmbajtjes së klauzolave të kontratës së miratuar nga qeveria ose Kuvendi i Shqipërisë në disfavor të interesave të vendit dhe duke shkelur paritetin e palëve, ashtu edhe për faktin se kompanitë e huaja mbështeten nga studio avokatie të fuqishme, kanë mundësi edhe të influencojnë gjyqësorin vendas apo arbitrazhin ndërkombëtar, etj. Nuk mungojnë edhe rastet kur përfaqësimi i shtetit shqiptar bëhet nga individë jokompetentë dhe në disa raste edhe në konflikt të hapur të interesit me palën e huaj (koncesionarin).

 

Problematika e koncesioneve dhe nxitimi i qeverisë që në emër të partneritetit publik-privat për të “emëruar” si bashkëpronarë e përfitues të një numri shërbimesh publike pa bërë analizat e nevojshme kosto/përfitime, por edhe të perceptuara gjerësisht si favorizime klienteliste të saj në favor të lobistëve dhe oligarkëve brenda dhe jashtë Kuvendit të Shqipërisë është përballur edhe me kritika të drejtpërdrejta të institucioneve financiare ndërkombëtare siç është FMN dhe Banka Botërore, sidomos në lidhje me rreziqet e rritjes se kostos se shërbimeve publike përkatëse, etj.

 

Pavarësisht shqetësimeve publike për përkeqësimin e shërbimeve publike si në shëndetësi, dogana, et.j dhe rritjen e kostos së tyre ndaj qytetarëve e bizneseve, shqetësimeve të opozitës apo kritikave përherë e më të drejtpërdrejta të institucioneve ndërkombëtare, qeveria aktuale duket e angazhuar në avancimin e programit të saj në drejtim të shtimit të numrit dhe të gamës së shtrirjes së koncesioneve e partneriteteve publike private, ndonëse rezultatet e deritanishme dhe në periudhën afatmesme janë larg pritshmërive, për të mos thënë kundërproduktive e në cënim të interesave publikë, kompleksiteti i kontratave koncesionare shtohet, dhe ndikimet negative të shumicës prej tyre në ekonominë e vendit janë tashmë evidente.

 

SHPËRNDAJE