Një marrëveshje e re për Europën

0

nga Thomas Piketty

Në pak vite, ekstremi i djathtë në Francë ka patur një rritje votash nga 15 në 30 përqind dhe tani ka mbështetjen e gati 40 përqind të popullsisë në shumë distrikte. Kanë qenë të shumtë faktorët që kontribuuan për të përftuar këtë rezultat: rritja e papunësisë dhe e ksenofobisë, zhgënjimi i thellë i mënyrës së qeverisjes së të, ndjesia që “kemi provuar gjithçka dhe tani është koha të eksperimentojmë me diçka të re”. Këto janë pasojat e menaxhimit katastrofik të krizës së beftë financiare që e pati zanafillën në Shtetet e Bashkuara në 2008-n, krizë kjo, që ne në Europë e transformuam me veprimet tona në një krizë të qëndrueshme europiane. Për këtë, fajtorë janë institucionet dhe politikat që rezultuan tërësisht të papërshtatshme, veçanërisht në Eurozonën që përbëhet nga nëntëmbëdhjetë shtete. Kemi një monedhë të vetme me nëntëmbëdhjetë borxhe të ndryshme publike, nëntëmbëdhjetë norma interesi mbi të cilat tregjet financiare janë të lira për të spekuluar, nëntëmbëdhjetë norma tatimesh të korporatave që janë në konkurrencë të shfrenuar me njëra-tjetrën, pa një rrjet të përbashkët të sigurisë sociale apo standardeve të përbashkëta arsimore – kjo është e pamundur të funksionojë, dhe nuk do të funksionojë ndonjëherë.

Vetëm një rithemelim i vërtetë social dhe demokratik i Eurozonës, i hartuar për të nxitur rritjen dhe punësimin, i përqëndruar rreth një sërë shtetesh që do të ishin të gatshme të jepnin shembujt e tyre dhe të ngrinin institucionet e tyre të reja politike do të ishte i mjaftueshëm për t’iu kundërvënë impulseve të urryera nacionaliste që po kërcënojnë të gjithë Europën. Verën e kaluar, si rrjedhojë e fiaskos greke, Presidenti francez François Hollande kishte ndërmarrë vetë nismën për të ripërtërirë idenë e një parlamenti të ri për Eurozonën. Tani Francës i duhet t’i paraqesë partnerëve të saj kryesorë, një propozim specifik për një parlament të këtillë, si dhe të arrijë në një kompromis. Përndryshe programi do të kthehet në një monopol të vendeve që kanë zgjedhur izolacionizmin kombëtar, siç është Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia.

Pikësëpari, është e rëndësishme që liderët europianë, ata të Francës dhe Gjermanisë në veçanti, të pranojnë gabimet e tyre. Mund të debatojmë pafundësisht mbi çfarëdolloj reformash, të mëdha e të vogla, që duhen implementuar në shtete të ndryshme të Eurozonës: ndryshime në oraret e hapjes së dyqaneve, tregje pune më efikase, standarde të ndryshme për të dalë në pension, e kështu më rradhë. Disa syresh janë të dobishme, disa të tjera, jo dhe aq. Cilido qoftë rasti, dështimet për të bërë reforma të tilla nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar rënien e vrullshme në GDP-në e Eurozonës nga 2011-a në 2013-n, pavarësisht se ekonomia e Shteteve të Bashkuara ishte ende duke e marrë veten. Nuk ka dyshime tani që rigjenerimi i ekonomisë së Europës u “mbyt” nga përpjekjet për të shkurtuar shumë shpejt defiçitet mes viteve 2011-2013 dhe veçanërisht nga rritjet e taksave që në Francë ishin tepër të forta. Aplikimi i të tillave masa të shtrënguara buxhetore bëri të mundur që GDP e Eurozonës, as në 2015-n, të mos arrinte të ringjitej në nivelet e 2007-s.

Ndodhën ndryshime të rëndësishme si rrjedhojë e ndërhyrjeve të vonuara të Bankës Qëndrore Europiane dhe marrëveshjes për kontratën e re buxhetore të 2012-s, Kompaktit Fiskal Europian, i cili krijoi Mekanizmin Europian të Stabilitetit me një buxhet prej 700 milionë eurosh. Këto zhvillime bënë të mundur që të përparohej drejt krijimit të një borxhi të përbashkët, nëpërmjet së cilit borxhet e të gjithë shteteve të Eurozonës do të ishin së bashku të garantuara. Politika të tilla kanë mundur ta ndalin më në fund rënien, por pa zgjidhur problemet nën të. Rigjenerimi mbetet “i turpshëm”, ndërkohë që kriza e vetëbesimit në Eurozonë vazhdon.

Çfarë mbetet tani për të bërë? Duhet të mbledhim në një konferencë shtetet e Eurozonës në borxhe, njësoj si në ato konferenca që mbaheshin në vitet e pasluftës, në përfitim të Gjermanisë. Objektivi do të ishte reduktimi i borxhit publik në tërësi, duke nisur me një sistem caktimi rrogash të bazuar në rritjet që kanë ndodhur në borxh qëkur filloi kriza. Në një fazë më të hershme, do të mund t’i vendosnim në një fond të përbashkët të gjithë borxhet publike më të mëdha se 60 përqindëshi i GDP, me një moratorium shlyerjesh, derisa çdo vend të rimerrte trajektoren e tij të rritjes ekonomike të 2007-s.  Historia na tregon se përtej një limiti të caktuar, nuk ka kuptim të shlyesh borxhet për dekada të tëra. Është më e këshillueshme të reduktohen haptazi borxhet në mënyrë që të investohet në rritje, kjo edhe nga pikëpamja e kreditorëve.

Një proçes i tillë kërkon një formë të re qeverisjeje demokratike, një që do të garantonte se fatkeqësi të tilla nuk do të lejohen të ripërsëriten. Në terma konkretë, interesat e taksapaguesve dhe buxheteve kombëtare kërkojnë themelimin e një parlamenti Eurozone të përbërë nga anëtarë që vijnë nga parlamentet kombëtare, numri i të cilëve duhet të jetë në proporcion me popullsinë e secilit shtet. (Një parlament i tillë, do të ishte sigurisht, shumë më i ndryshëm nga parlamenti i tanishëm i BE, që përfshin anëtarë të BE që nuk janë pjesë e Eurozonës dhe është relativisht i pafuqishëm.)

Duhet që gjithashtu, çdo parlamenti kombëtar të anëtarëve të Eurozonës t’i japim të drejtën e votës për vendosjen e një takse të përbashkët korporate, përndryshe përfundimi do të jetë i paevitueshëm: dumping fiskal dhe skandale si ai i LuxLeaks, në të cilin dokumentat e rrjedhur zbulonin përdorimin e Luksemburgut në skemat e shmangies së taksave. Një taksë e përbashkët korporate e tillë do të mundësonte financimin e investimeve në infrastukturë dhe në universitete. Për të marrë një shembull emblematik, programi arsimor Erasmus që i mundëson studentëve dhe profesorëve të studiojnë dhe të trajnohen jashtë shtetit, është tejmase i nënfinancuar. Ka një buxhet vjetor prej dy miliardë eurosh, përkundrejt 200 miliardë eurove të vëna mënjanë çdo vit për shlyerjen e interesave të borxhit të Eurozonës. Ndërkohë që duhet të ishim duke investuar me tepri në inovacion dhe tek të rinjtë. Europa ka çdo të drejtë dhe të gjitha kapacitetet e mundshme për të ofruar modelin më të mirë të mirëqënies sociale në botë; duhet të reshtim së shpërdoruari mundësitë tona.

Në të ardhmen, zgjedhja e nivelit të defiçitit publik që vendet e Eurozonës duhet të mbartin, duhet bërë në kuadrin e këtij plani të ri aksioni të përbashkët. Në Gjermani, janë të shumtë ata që do t’i trembeshin vendosjes së tyre në minoritet në një parlament të këtillë dhe do të preferonin t’i qëndronin besnikë logjikës së kriterit automatik buxhetor. Por ishte pikërisht gardhi i demokracisë së mbarë Eurozonës që me një sërë rregullash të ashpra na shtyu njëherë në buzë të greminës dhe është koha që t’i japim fund asaj qasjeje.

Nëse Franca, Italia dhe Spanja (pothuajse 50 përqind e popullsisë dhe e GDP-së së Eurozonës, përkundrejt asaj të Gjermanisë që përbën pak më shumë së 25 përqind) do të hartonin një propozim specifik për një parlament të ri dhe efikas, do të arrihej një kompromis medoemos. Dhe në rast se Gjermania vijon të refuzojë me këmbëngulje, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, atëherë argumenti kundër euros si monedhë e përbashkët do të ishte shumë i vështirë për t’u shmangur. Momentalisht, plani B që përfshin braktisjen e euros po trumbetohet nga ekstremi i majtë. Pse nuk ia nisim duke i dhënë një mundësi reformave të vërteta që do ta bënin Eurozonën të funksiononte njëherë e mirë?

SHPËRNDAJE