Të dielën e fundit të korrikut, të vitit dy mijë, halla pësoi një goditje në tru. Teksa po shkonte në banjë, iu morr mendja nga një ndjesi e huaj, e çuditshme dhe dy minuta më vonë është plandosur në dhe pa ndjenja. Urgjenca ka ardhur në derë plot pesë minuta më vonë. Pa asnjë hezitim mjeku ka konstatuar se bëhej fjalë për një hemorragji cerebrale. “Hemorragji cerebrale” ka pas menduar, gjak-ngrirë e në çast edhe e bija, sepse sytë e shqyer, mungesa e vetëdijes si dhe tre shenja të tjera, nuk linin shteg për diagnozë tjetër.
-Ç’është, çfarë ka, -ka pyetur me gjysmë zëri burri i hallës, i plandosur në kolltuk, në prag rreziku, pothuaj gati për të qenë edhe ai, viktima e dytë e paralizës në atë shtëpi.
– E ç’të ketë tjetër… Damlla, -ia ka prerë shkurt e bija.
Dy muaj më vonë, e goditur rëndë nga hemorragjia cerebrale, halla doli nga spitali publik i Athinës dhe pothuaj për një vit rresht u trajtua me fizioterapi në shtëpi. Një çun i qeshur, jo dhe aq shtatlartë, por me një teknikë të jashtëzakonshme të dorës, vinte çdo ditë në shtëpinë e tyre në nëntë të mëngjesit dhe, plot durim, përpiqej të ngjallte muskujt gjysmë të vdekur të të sëmurës, madje, një herë në sa kohë, ndoshta edhe pse vinte i qeshur dhe kish nevojë për pak muhabet, përpiqej t’i shkëpuste asaj deri edhe ndonjë buzëqeshje.
Mbas një viti masazhesh e ilaçesh mund të thuhej se halla as lëvizte, as fliste, as bënte ndonjë gjë. Rrinte për orë të tëra me sytë fiksuar lart në tavan dhe rrallë, në ditë të shënuara, shikimi i saj të shoqëronte në lëvizje. Damllaja i kish prekur hemisferën e majtë dhe ju e kuptoni se po thashë këtë, i kam thënë të gjitha.
E pashpresë, vajza e hallës, njeriu më mendje çelur në atë familje, vendosi ta kthejë të ëmën në Shqipëri, pardon e thashë gabim, të kthehen të gjithë në Shqipëri, me qëllimin që e sëmura t’i kalonte ditët e fundit në dheun e saj. Pa u keqardhur asnjë grimë, ajo vendosi të braktisë 10 vitet e saj në Athinë, punën si mësuese private e anglishtes, miqësinë, rehatllëkun, bollëkun, vetëm për këtë! Që Almidës do t’i kthehen në të mira gjithçka ajo ka bërë për hallën, kjo nuk ka ndonjë dyshim, por, ju lutem, më lini të vazhdoj më tej.
Almida ndërpreu marrëdhëniet me punën, lajmëroi pronaren e shtëpisë, se fillimi i tetorit 2001 do ta gjente jashtë, u nda me ngashërim, pothuaj e mbytur me lot e qurra me kolegët që i ishin kthyer në vëllezër e motra të shpirtit dhe e fundit gjë që iu kujtua të bënte ishte të fliste me të ëmën e saj.
Më falni por t’i flisje hallës ishte si t’i flisje askujt, ajo as belbëzonte, as të shikonte. Megjithatë Almida, i foli, i paska folur!
-“Mami, – i qenka lutur, si thua, a kthehemi në Tiranë?
E sëmura ka mbetur shtang, e pa lëvizur për plot 42 sekonda, pastaj është ngërdheshur nga sikleti dhe ka nxjerrë një JOOOOOO të fortë, po aq të fortë, sa u tund vendit edhe burri i saj në dhomën ngjitur!
Këtu, pikërisht në këtë moment e kam marrë vesh dhe unë përgjigjen e hallës. Almida ka rrëmbyer në çast telefonin dhe më ka bërtitur si e shkalluar nga gëzimi e shpresa bashkë:
-“Ninë Ninoçkë moj, halla foli!”
-“Si moj foli”?
-|Po moj po, foli”!
-Uauuu, ia bëra unë, epo… ç’tha?
-Tha … JOOOOOO, nuk shkoj në Shqipëri!
Gëzimin e pështjellimin bashkë të atij momenti, e mbaj mend edhe sot! Halla e dashur, njeriu i dytë i ëmbël në fëmijërinë time, halla me lëkurën si të foshnjave, me faqkat me topka të kuqka, në formë rrethi, halla që sa hapja gojën e flisja, shkrihej fare, dhe thoshte një në dy fjali: “e mençmja e hallës” , mendoi dhe foli në të njëjtën kohë!
Dy ishin çështjet që duhej të sqaroja shpejt e shpejt ngaqë aty për aty mbeta dhe unë, pa ditur të jap ndonjë përgjigje: Si kish arritur të fliste halla, meqenëse hemisfera e majtë e saj ishte jashtë pune, dhe e dyta, përse i kish thënë jo kthimit në Atdhe?
Si në ethe m’u kujtua Jill Bolte Taylor, po po, pikërisht ajo, Jill Bolte Taylor, neuro anatomistja, ajo që mbajti pezull audiencën me temën: “My stroke of insight”{goditja ime nga brenda}. Kërkova në google, e dëgjova nga e para. E ridëgjova prapë!15 min fjalim!
“ Një të mërkurë në mëngjes, duke pësuar unë vetë goditje në hemisferën e majtë, -thotë Jill, – në atë gjendje pra, mes vetëdijes dhe humbjes së saj, u gjenda papritmas, e lirë, e lehtë, e pa kufij, pjesë e universit. Unë isha gjithçkaja, larg stresit, larg hallit. Befas u godita nga një zbulim. Ndërsa ishte duke ndodhur kjo goditjeje unë, po pësoja një goditje, të dytë, në nënvetëdije, po arrija Nirvanën! Unë po arrija “Nirvanën”, teksa vazhdoja të isha gjallë!”
Kush kishte qenë “Nirvana”, që e goditi së brendshmi dhe e bëri të reagojë, hallën e shkatërruar plotësisht nga damllaja, por ende në jetë? Pse i tha jo kthimit në shtëpi dhe, me tej akoma, a mos kishte qenë halla në jetën e saj të mëparshme një e goditur, një e damkosur dhe pikërisht për t’i ikur këtij kujtimi kish britur aq fort joooo!
Jo, në asnjë mënyrë! Ne nuk mund të themi se ajo kishte qenë një e goditur gjatë regjimit të kaluar! Te ne, të goditurit nga regjimi ishin ose nën dhe, ose në internim, ose në burg. Halla, për fat të mirë nuk pati provuar asnjë nga këto të tria. Personat që goditeshin nga sistemi zakonisht i ngrinin me kamion, në të gdhirë dhe i degdisnin nëpër fshatra e kampe Internimi. Unë vetë kam parë gra te qanin e ulërinin duke mbledhur ç’tu zinte dora ndërsa i thoshin lamtumirë jetës së rehatshme në lagje! Halla ime jo! Ajo e kishte shtëpinë 3 km larg bllokut, punonte edukatore në kopshtin e fëmijëve, ndërsa burri i saj punonte në një ministri!
Po atëherë çfarë?
Ajo çfarë mund të themi me siguri matematike është se ajo ishte një ndër “të pagoditurit” e goditur, një individ nën diktaturë, jeta e të cilit në thelb shkon keq, edhe në rastin kur shkon mirë.
“Nirvana” pra, nuk lidhet me jetën e parë, por përkundrazi, me jetën e dytë të hallës sime, atëherë kur i tha Tiranës “mirupafshim” dhe filloi në Athinë jetën e re!
Çfarë i kanë parë sytë dhe si, në ç’mënyrë i ka rënë shpirti rehat, aq sa nuk deshi të ikë prej andej?
Përpara se t’i jap një përgjigje kësaj, kam një pyetje për të gjithë ju, në fakt, për të gjithë ne:
Çfarë na shohin sytë ne kur dalim jashtë shtetit, për shkollë, për punë, për hall, te të afërmit ?… Ja,ulini pak qepallat për një çast, ju lutem dhe përpiquni të shihni me mendje: A nuk ju çon vështrimi juaj i brendshëm nëpër rrugë të tjera, jo si këto që ne kemi; nëpër njerëz dhe shoqëri të tjera, jo si kjo që ne kemi; nëpër shkolla të tjera, jo si këto që ne kemi; nëpër spitale të tjera, jo si këto që ne kemi? A nuk ju çlodhet vështrimi juaj nëpër luginat e gjelbra të imagjinimit të botës tjetër? A nuk ju mbahet fryma nga gjithë ky ndryshim nga gjithë kjo ëndërr? A nuk ju vjen pastaj të turreni vrap dhe të bëheni edhe ju pjesë e ëndrrës? A nuk është kjo një “Nirvanë” juaja?
… Ju mund të pyesni më në fund se si vajti me tej historia e hallës sime?
Në çastin kur vdekja i ka trokitur, e bija i ka bërë të njëjtën pyetje si herën e parë. Por ndryshe nga hera e parë, herën e dytë ajo i ka thënë po kthimit në Atdhe…, halla ime e “Nirvanës”.
nga Jerina Zaloshnja