Me Xhonin e dashur u takova rreth 19 vjet të shkuara, kur infermierja e maternitetit që më ndihmoi gjatë lindjes e solli në sallën e bebeve të porsalindura, për të ma treguar. I kalova me radhë krevatet, me kockat super të vogla, me doçkat që i dridheshin si gjethe plepi, dhe pa e parë fare numrin në byzylykun e dorës që të vënë në maternitet, shqova çunin tim 2 kg e 700!

A i mbaruam të gjitha? Mos harruam ndonjë gjë? Unë them se jo! -“Jo”, -thotë dhe babai i Xhonit. Ai sapo është kthyer nga banka ku i hapi Xhonit një llogari personale, i ka blerë një biçikletë të vjetër, të përdorur, dhe ka matur me kronometër së paku tre herë, sa shkon distanca nga shtëpia në fakultet. Për siguri po i përmbledh edhe unë punët e mia: të blej detergjentë për enët, për banjën. Të blej dy lloj sfungjerësh si dhe doreza për larjen e WC, shkop për larjen e çimentove. Shampo, dy lloje, balsam, sapun likuid, pa harruar sparcen e dushit, të cilën Xhoni e do pak më të ashpër se e zakonshmja. Te kuzhina, të blej fruta të freskëta, fruta të thata, disa lloj djathërash, bukë, vezë. Asnjë zarzavat. E di se Xhoni nuk do të gatuajë që në fillim, por për siguri të blej një pako spageti. Të blej vaj ulliri, kripë Himalaje, vaj peshku. Kutinë me vaj peshku e ndava veçmas, ia vura te koka e krevatit. I shkrova sipër: dy kokrra në ditë. Në qytetin M, ku Xhoni i dashur ka shkuar për studimet universitare bën tepër ftohtë. Por, veç kësaj, ai nuk e fut në gojë peshkun, ndaj detyrohem t’ia zëvendësoj me pilula.

Ju mund ta merrni me mend vetë atë që ndodhi direkt pas kësaj, pasi ia bëmë shtëpinë xixë dhe i shtruam çarçafët e pastër. Ne thjesht morëm valixhen e bërë gati më parë dhe dolëm.

Në rrugën “Wilhelminasingel”, poshtë shtëpisë nr. 73, e shtrënguam çunin fort në zemër. Dy minuta më pas ai ktheu qoshkun e rrugës pa kthyer kokën. Ne të dy u zumë për dore si fëmijët e braktisur dhe morëm për nga stacioni i trenit. Pa një gjysmë ore, çatitë e ndërtesave të ulëta të qytetit M. u zvogëluan, u zvogëluan aq shumë, sa u bënë sa një mizë, derisa u zhdukën krejt.

 

….

Me Xhonin e dashur u takova rreth 19 vjet të shkuara, kur infermierja e maternitetit që më ndihmoi gjatë lindjes e solli në sallën e bebeve të porsalindura, për të ma treguar. I kalova me radhë krevatet, me kockat super të vogla, me doçkat që i dridheshin si gjethe plepi, dhe pa e parë fare numrin në byzylykun e dorës që të vënë në maternitet, (me siguri që zonjat e dinë për çfarë e kam fjalën), shqova çunin tim 2 kg e 700!

“Ky është”, -thirra me vete! Ai qe!

Nuk mund t’ju tregoj tani, fill e për pe, gjithë historinë; se si vajti puna dhe se si u rrit Xhoni, deri ditën kur na tha mirupafshim. Por edhe nja dy lezetlliqe nuk mund të rri pa ua thënë.

Xhoni i dashur vinte i urtë, nuk më zgjoi kurrë natën, nuk më dha asnjë bezdi! Aso kohe punoja në një gazetë të përditshme, kështu që pjesën kur unë isha në punë ai rrinte te gjyshi. Kush ka punuar në një të përditshme e di se puna kryesore fillon pasdite, deri natën vonë, derisa të mbyllet faqja. Por po aq e rëndësishme është të mbledhësh faktet paradite, në mënyrë që të kesh ç’të shkruash pasdite. Kështu që, e merrni me mend vetë, mua më shkonte gjithë dita pranë gazetës e larg Xhonit.

Një ditë u shkëputa me vrap nga redaksia për te djali. Më kujtohet se prisja edhe një telefonatë të rëndësishme, nga një ish-komandant i aviacionit shqiptar, gjeneral i vjetër, figurë e njohur. I kisha lënë nr. e telefonit të shtëpisë së gjyshit, meqë po shkoja aty. Nga një anë luaja me djalin, nga ana tjetër prisja me padurim telefonatën. Kish për të qenë një intervistë e mirë! Në një pikë, nuk durova dot më gjatë, i lutem Xhonit të rrijë urtë pesë minuta, sa të shkoj në banjë! Që andej cërr! zilja e telefonit!

-“Bobo! Ç’më gjeti”, -thashë me vete. Dëgjoj zërin e të voglit:

– “Alo jam Xhoni, kë doni ju”?

Nga ana tjetër, zotnia gjeneral do t’i ketë thënë: Jerinën dua!

-“Është në banjë”, -tha Xhoni.

Duket, zotnia gjeneral nuk po kuptonte kurrgjë, ndaj ngulmoi:

– “A mund të flas pak me zonjën Jerina ju lutem”!

-“Po bën çiçin të thashë, budalla”, -u përgjigj Xhoni.

Ç’t’ju them tjetër?…

Për nga fytyra e sjellja qe i gjithi si unë. Unë e shkurtër, ai i shkurtër, unë

kokëvogël, ai po, unë esmerkë, ai po. Edhe për të fjetur flinim njëlloj, në të njëjtin pozicion, me të njëjtën pozë! “Një njeri, dy herë”, -thoshte babai i Xhonit për ne të dy dhe kish të drejtë. Ne ishim dy qenie shkrirë në qejf e dashuri.

Kartoni ynë i preferuar? Goku!

Seriali ynë i preferuar? “Friends”!

Personazhi ynë i preferuar? Xhoi Trabiani

Shprehja jonë e preferuar? “Haw you doing”!

Kënga jonë e preferuar? “Fuck You”!

Sa herë dëgjojmë këtë këngë ne bëjmë të dy një shenjë me dorë, të njëjtën shenjë, sa herë që, ai që e këndon, thotë atë “fuck”… dhe jemi betuar se edhe kur nuk jemi bashkë dhe qëllon që dëgjojmë këngën në fjalë, secili të bëjë atë shenjën në ajër, në respekt të kohëve të vjetra, kur rrinim bashkë.

Dalëngadalë, pak nga pak dhe si pa e kuptuar, Xhoni më mësoi si të rrinim sa më shumë bashkë, gjithë kohën! S’di se si më lidhi pas vetes, ç’më bëri që i lashë të gjitha, pa e kuptuar, pa u merakosur fare! Rrallova kafetë me shokët, deri edhe shërbimet jashtë shtetit.

I vajta një natë te krevati, dhe iu luta të ikja vetëm tre ditë në Vjenë, (dy net të fjetura) meqë më patën ftuar në një work-shop. Më kish ardhur në majë të hundës me atë dreq jete të sforcuar si robot, doja pak pushim!

-“Po ti mama, kë do më shumë mua apo Vjenën”, -më pyeti Xhoni.

“Ty të dua shpirt i dashur,- i thashë, dhe, siç mund ta kuptoni, e grisa biletën!

Nuk mund ta zgjas më tepër.

Me siguri ju e keni kuptuar atë që desha të them. Për 19 vjet rresht Xhoni i dashur më ka mbajtur të lidhur pas vetes, ma ka marrë shpirtin fare, ndërsa aty, në “Wilhelminasingel” 73, më la të lirë!

Shpesh jam e mendimit se nuk ka ç’më duhet dhe aq kjo liria që djali ma dhuroi pikërisht tani. Liria është një shpikje për ata që nuk e kanë. Ndërsa unë e kam lirinë time. Ajo është tek rri me Xhonin, tek e shoh të bëhet burrë.

Por liria e tij është të burrërohet i vetëm.

Shko Xhoni, shko!

 

nga Jerina Zaloshnja

SHPËRNDAJE