Përgatiti: LEDION KRISAFI
Fitorja e Donald Trump në SHBA dhe vota për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian kanë tronditur botën dhe kanë transformuar politikën në shumë vende. Politikanët e karrierës gjithmonë e më shumë po sfidohen nga njerëz jashtë politikës të cilët e akuzojnë elitën qeverisëse si të palidhur me nevojat dhe dëshirat e qytetarëve të zakonshëm. Jo vetëm fitorja e Trump apo Brexit, por edhe rezultatet e mira elektorale në vitet e fundit të partive populiste të majta dhe të djathta si Fronti Kombëtar në Francë, Podemos në Spanjë apo Partia e Lirisë në Hollandë interpretohen nga politikanët dhe analistët si një revoltë kundër politikës. Pyetja themelore që shtrohet në këto kohë është: ndaj kujt po revoltohen votuesit?
Vlerat tradicionale dhe frika ndaj globalizimit janë shfaqur në rrethet akademike si dy përgjigje ndaj pyetjes së mësipërme. E para thekson rendësinë e vlerave tradicionale dhe argumenton se elitat liberale i kanë shtyrë idetë e tyre ekonomike, politike dhe kulturore shumë larg, aq sa kjo revoltë e tanishme shihet si një kërkesë e popullsisë për të bërë një korrigjim. Tradicionalizmi, ose diçka që psikologët e politkës e quajnë autoritarianizëm, ka të bëjë me dëshirën e popullsisë për rregull dhe stabilitet kundrejt fleksibilitetit dhe ndryshimit.
Ky është një koncept që filozofi Karl Popper në librin e tij The Open Society e thekson si një prej themeleve të mendimit politik të Platonit i cili e shihte ndryshimin, edhe në politikë, si një formë degradimi. Në të njëjtin drejtim ka qenë dhe shkolla e Frankfurtit pas Luftës së Dytë Botërore në përpjekjen për të shpjeguar ngritjen e nazizmit në Gjermani si një përgjigje ndaj kaosit ekonomik në Gjermaninë e pas Luftës së Parë Botërore. Tradicionalistët preferojnë lidera të fortë që ruajnë status quo-në dhe vendosin rregull në një botë që prej tyre perceptohet si nën rrezik dhe në ndryshim.
Ndërsa përgjigjja e dytë, ajo e frikës ndaj globalizimit, thekson natyrën ekonomike të problemit. Njerëzit ndihen të lënë mënjanë prej globalizimit, se elitat politike nuk kujdesen më për ta. Njerëzit mbështesin kandidatura nga jashtë sistemit politik që arrijnë mjeshtërisht të artikulojnë frikërat e popullsisë për globalizimin duke i lidhur ato me gjendjen ekonomike dhe konkurrencën që vjen prej emigrantëve.
Studiuesit theksojnë faktin se globalizimi i vendos shoqëritë e sotme përpara një trileme: ato nuk mund të jenë njëkohësisht globalisht të integruara, plotësisht sovrane dhe demokratike. Një integrim më i madh ekonomik i shoqëruar me integrimin politik në një Europë të bashkuar do të sjellë reagimin e shtresave më vulnerabël ndaj këtyre fenomeneve të cilët do të kërkojnë një shpërndarje më të barabartë të pasurisë dhe punës. Në mediat perëndimore, fitorja e Trump dhe Brexit shpjegohen si votë e atyre që si pasojë e proceseve globaliste kanë ngelur pas në garën për punësim dhe të ardhura.
Përsa i përket çështeve të shpërndarjes së pasurisë dhe pabarëzisë, ekonomisti i njohur francez Thomas Piketty në librin e tij Le Capital au XXIe siècle (Kapitali në shekullin e XXI-të) thekson se bota e sotme po rikthehet në gjendjen që ishte para Luftës së Dytë Botërore, një kohë në të cilën pasuria ishte pothuajse e gjitha e përqëndruar në pak duar, në pak familje të pasura që qëndronin në majë të një strukture të ngurtë shoqërore.
Ndërkohë që Henry Kissinger, ish Sekretari Amerikan i Shtetit në vitet 1973-1977, në një intervistë për të përmuajshmen amerikane The Atlantic Monthly e sheh ‘fenomenin Trump’ në një masë të madhe si reagim të amerikanit të mesëm ndaj sulmit që komuniteti i intelektualëve dhe akademikëve amerikanë, thellësisht liberal në botëkuptimin e vet, ka bërë ndaj vlerave tradicionale amerikane.
Pikërisht për të shpjeguar këtë dualitet mes vlerave tradicionale dhe globalizimit që shfaqet themelor për të kuptuar proceset politike të sotme, fondacioni gjerman Bertelsmann ka realizuar një anketim në disa prej vendeve të Bashkimit Europian. Gjetjet e këtij punimi tregojnë se edhe popullsia e Bashkimit Europian është e dyzuar në dy qëndrimet e paraqitura në këtë shkrim. Rreth 50 për qind e të anketuarve mund të përkufizohen si tradicionalist dhe të frikësuar prej globalizimit, ndërkohë që gjysma tjetër shfaqin vlera progresive dhe e shohin globalizimin si një mundësi. Ata të cilët i frikësohen globalizimit janë më të prirur për të votuar partitë e ekstremit të djathtë, për të dëshiruar daljen nga BE, për të qenë më skeptik ndaj politikanëve dhe të huajve.
Sondazhi i fondacionit gjerman e drejton gishtin e përgjegjësisë për situatën e sotme politike në një masë të madhe drejt frikës ndaj globalizimit. Është kjo frikë që strukturon atë çka popullsia dëshiron nga politika. Gjetjet e sondazhit tregojnë se emigracioni është shqetësimi kryesor i njerëzve, por edhe pse emigracioni theksohet si themelor për atë pjesë të popullsisë që është e frikësuar prej globalizimit, ky grupim rezulton si më pak i ekspozuar ndaj kontaktit me të huajt.
Nga një vëzhgim më i detajuar i sondazhit të fondacionit Bertelsmann rezulton se një numër i konsiderueshëm i popullsisë së Bashkimit Europian, përkatësisht 45 për qind e sheh globalizimin si kërcënim, ndërkohë që pjesa tjetër e sheh si mundësi. Nga anketimi në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian rezulton se midis tyre ekzistojnë diferenca të konsiderueshme përsa i përket këndveshtrimit ndaj globalizimit. Ndërkohë që shumica e austriakëve dhe francezëve e shohin globalizimin si kërcënim, përkatësisht 55 dhe 54 për qind, ky tregues është më i ulëti në Itali, Hollandë, Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Ashtu si në reagimin ndaj globalizimit edhe në qasjen ndaj vlera, tradicionale apo progresive, brenda Bashkimit Europian ekzistojnë diferenca të theksuara. Nivelet më të larta të tradicionalizmit vërehen në Poloni, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, në të cilat rreth 55 për qind e popullsisë mbështet vlera tradicionale, ndërkohë që mbështetja për vlerat tradicionale është në nivelet më të ulta në Austri, Gjermani dhe Hungari, në rreth 38-39 për qind.
Nga shifrat e mësipërme rezulton se ndarja midis atyre që e shohin globalizimin si kërcënim dhe atyre që e shohin si mundësi ndihmon në shpjegimin e rritjes së partive populiste në Europën e viteve të fundit, ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë me interpretimin e mbështetjes së vlerave tradicionale në popullsinë e Bashkimit Europian.
Duke i dhënë të drejtë në një masë të konsiderueshme atyre që thonë se njerëzit ndahen më shumë prej klasës shoqërore se sa kombësisë, nga sondazhi i fondacionit gjerman rezulton se kundërshtimi ndaj globalizimit në vendet e Bashkimit Europian i kalon kufinjtë shtetërorë dhe etnikë kur bëhej fjalë për klasat shoqërore. Punëtorët në vendet e BE-së janë në një masë të konsiderueshme të prirur për ta parë globalizimin si problematik, përkatësisht 47 për qind, në krahasim të dukshëm me klasën e mesme, ku vetëm 37 për qind kanë të njëjtin këndvështrim për globalizimin.
Në të njëjtën kohë personat me një nivel të ulët edukimi janë më të prirur për ta parë globalizimin si kërcënim, përkatësisht 47 për qind, ndërkohë që vetëm 37 për qind e atyre me nivel të lartë edukimi ndajnë të njëjtin mendim për globalizimin.
Ata që e shohin globalizimin si kërcënim kanë diferencë të theksuar në kërkesat politike në vendet e tyre por edhe kundrejt BE-së, në krahasim me ata që e shohin globalizimin si mundësi. Nga të dhënat rezulton se 47 për qind e atyre që e shohin globalizimin si kërcënim do të votonin për daljen e vendit të tyre nga Bashkimi Europian, kundrejt 83 për qind të atyre që e shohin globalizimin si mundësi të cilët do të votonin për qëndrimin në BE. Gjithashtu një këndveshtrim pozitiv ndaj globalizimit sjell dhe dëshirën për më shumë integrim politik dhe ekonomik në Europë.
Fakti që frika ndaj globalizimit është faktori kyç për rritjen e partive populiste në Europë, tregohet edhe nga rezultat e sondazhit të fondacionit gjerman, që tregojnë se shumica dërrmuese e votuesve të partive populiste i frikësohen globalizimit. Në Francë, 76 për qind e votuesve të Frontit Kombëtar të Marine Le-Pen e shohin globalizimin si kërcënim. Në partinë gjermane Alternative fur Deutschland, e cila ka bërë kauzë të vetën kundërshtimin e emigracionit, kjo shifër shkon në 78 për qind dhe në 69 për qind për votuesit e Partisë së Lirisë në Austri, një parti e ekstremit të djathtë kandidati i së cilës për President të Austrisë ka një mundësi të mirë për të fituar raudin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në 4 dhjetor të këtij viti.
Në krahun e majtë të populizmit europian mbizotëron gjithashtu frika nga globalizimi por në shifra më të ulta në krahasim më partitë e ekstremit të djathtë.
Thelbi i shqetësimit dhe frikës ndaj globalizimit tek popullsitë e BE-së lidhet më së shumti me emigracionin, ku 53 për qind e atyre që e shohin globalizimin si kërcënim theksojnë emigracionin si problemin kryesor ndër pasojat e globalizimit, ndërkohë që gjithashtu një numër i konsiderueshëm, përkatësisht 40 për qind, e atyre që e pranojnë globalizimin mendojnë se emigracioni është problemi më i madh i ardhur prej tij. Por, në këtë pikë qëndron dhe një prej paradokseve të situates së sotme politike në Europe. Shumica e atyre që e evidentojnë emigracionin si pasojë problematike e globalizimit, kanë pak kontakt me të huajt në vendin e tyre. Shumica e votuesve të deritanishëm të partisë së djathtë gjermane Alternative fur Deutschland janë të përqëndruar në pjesën lindore të vendit, aty ku shifrat e të huajve janë shumë më të ulta në krahasim me pjesën perëndimore.
Elitat politike europiane duhet të përballet me pasojat e globalizimit, duke përfshirë dhe emigracionin, një fenomen që po ndryshon strukturën e shoqërive të vendeve të Bashkimit Europian. Në të kundërt, pasuria ekonomike, kulturore dhe shkencore që ka sjellë globalizimi, siç theksonte nobelisti Amartya Sen, do të jetë pjesë e së shkuarës.