Kini parasysh që Haili ka vetëm dy muaj që punon për ne. Është 24 vjeç dhe fiton 8.35 $ në orë. Ajo vjen në punë çdo mëngjes me një kupë të madhe kafeje, të cilën e ble nga një pikë e shitjes me pakicë (që nuk po ia përmend emrin), kafe me qumësht, pa shkumë përsipër.
Një kupë kafe e asaj madhësie në pikën e shitjes me pakicë kushton 4.25$. Ose 31 minuta si kohë pune, pa taksa.
Në rregull, deri këtu çdo gjë është OK! Dikush mund të zgjedhë t’i harxhojë të ardhurat e veta pikërisht në këtë mënyrë, duke blere kafen çdo ditë: kurrë nuk mund ta dish se ç’rëndësi ka për dikë pikërisht blerja e kafes nga shitja me pakicë apo diçka tjetër.
Të premten e fundit, me një mënyrë tepër të butë, u përpoqa t’i them Hailit se kafeja falas në qendrën tonë ishte nga e njëjta pikë pakice ku ajo blinte çdo ditë. Nuk gjykova absolutisht cilësinë e kafes në vetvete, por vetëm sesa i kushtonte asaj kjo e gjitha.
Javën tjetër vura re se ky informacion nuk ndikoi fare mbi zakonin e Hailit për të blerë kafe. U përmbajta, nuk i vura në dukje se blerja e përditshme e kafes lidhej, në fakt, me një stil jetese, të cilin, me të ardhurat e saj, që me thënë të drejtën i rrinin si një zgjedhë mbi kokë, ajo as që mund ta përballonte. Haili mund ta pinte atë kafe, aq sa arinjtë polarë mund të pinë coca-cola me kanoçe të kuqe! E di se këto vrojtime më bëjnë të dukem si kloun cirku ose si femër pedante. E kuptoj! Në fakt. mua Haili më pëlqen e madje, unë e admiroj, se ajo është një lojtare e skuadrës sonë. Përpiqem mos ta gjykoj në përgjithësi, megjithëse kohët e fundit më është dashur të bëj pikërisht këtë gjë.
Haili vjen në zyrën time duke qarë, një herë pse macja e saj, që quhet Dasti, ka problem në pjesën e pasme të kokës, herë tjetër sepse Dasti po luan me një tel të rrezikshëm në formë rrethi dhe mund të shpohet dhe një herë tjetër, se Dasti nuk po ha siç duhet dhe për këtë arsye Hailit i duhet pushim deri të dielën. E dëgjoj, i them mirë; fundja le të rrijë ca ditë në shtëpi për shkak të Dastit. Por që të jap leje të tilla nuk e kam edhe aq të lehtë. Në call center-in tonë, jam zgjedhur si një shembull, si një punonjëse me përvojë që trajnon të tjerët, sesi ata të punojnë për kontratat tona të reja të sigurimit. Më kuptoni: si një shembull! Ç’mund t’iu thosha më tepër?
Sjellja e Hailit me kafen, me zakonin e të blerit çdo ditë të kupës me kafe, e tregon atë si një njeri të paarsyeshëm. Ajo duhet ta kuptonte se gjëja më e mirë që mund të bënte për macen e saj ishte pikërisht ardhja në punë. E di se nuk mund të rri duke dhënë këshilla çdo minutë. Njerëzit duhet të arrijnë vetë te përfundimet. Por ç’ti bësh? Shpesh më duhet t’i them vetes se nuk jam kaq e prerë me Hailin si me të tjerët, sepse mbaj anë! Mundet të jetë edhe kështu. Haili është motra ime. Do më pëlqente që kjo të mos ndikonte mbi objektivitetin tim, por ndoshta kjo, thjesht, nuk është e mundur.
Me thënë krejt të vërtetën, më ndodh që ndonjëherë të shpik me mendje ngjarje e situata, që nuk kanë edhe aq lidhje me jetën tonë të përditshme. Ndonjëherë më bëhet sikur jam e ftuar diku, u flas njerëzve në një sallë të madhe, mbaj fjalime dhe aty, në mes të turmës, mund të jetë edhe Haili, që pret me padurim për të mësuar diçka nga unë. “Praktikisht jam një punonjëse e re, – i them turmës, {me këtë rast dhe Hailit}.- “Por bëj lekë! Arrij të kap një shifër jashtëzakonisht të lartë si xhiro vjetore dhe të zgjidh situata nga më delikatet. Nuk e teproj po t’iu them se i përkas atij grupi njerëzish, që njëherë e një kohë quheshin “burra [dhe gra] të mençura.”
-“Punoj në një call center”, -vazhdoj fjalimin tim për turmën, por sidomos për Hailin.
-“Te thirrjet, jo te shitjet; jam në sektorin e shërbimit… me një fjalë, ndihmoj njerëzit! A e dini ju se pikërisht “ndihma për njerëzit” është cilësuar kohët e fundit si faktori nr. 1 në pyetësorin e titulluar: “Çfarë kënaqësie iu jep puna”? Gjithmonë, për shkak të pozicionit tim në call-center, e di se ka mjaft punonjës që nuk arrijnë të mbajnë vendin e punës për më shumë se dhjetë ditë. Dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për dështakët, por edhe për të suksesshmit si puna ime.
-“A e dini ju teorinë e katër hamburgerëve të jetës,” -vazhdoj unë fjalimin tim.
-“Jo,? Atëherë po ua përmend shpejt e shpejt: ka një lloj hamburgeri që, kur e ha, të shijon tani, por ama të bën të ndihesh keq më vonë. Ka një tjetër hamburger që ka shije të keqe tani, por të bën të ndihesh mirë më vonë. Ka një tjetër pastaj, që është i mirë, që të shijon, si tani, si pastaj dhe e fundit, ka një lloj hamburgeri krejt tjetër që s’futet në gojë, që është i keq, gjithmonë i keq, si tani, si pastaj. Pra, -vazhdoj unë, – duhet të dimë çfarë të zgjedhim…. ne të gjithë kërkojmë ushqimin, hamburgerin që shijon, por, nga ana tjetër, kërkojmë edhe atë më të shëndetshmin, hamburgerin që na ushqen siç duhet…
-“Kjo teoria e hamburgerëve që sapo iu përmenda, nuk është shpikja ime”, -vijoj unë më tej. “E kam marrë prej librit me titull ‘Lumturia.’ Tek ‘Lumturia’ autori shpjegon se të gjithë ne kemi nevojë të gjejmë, të fusim në gojë hamburgerin tonë metaforik, atë që mban në ekuilibër kënaqësinë e tashme me lumturinë e ardhshme, atë që të gjen kuptimin ose edhe argumentin e të ngrënit, atë që e zgjidh përgjigjen e pyetjes ‘përse ha unë?’ Autori i ‘Lumturisë’ ka dhënë mësim në ‘Harvard’. Por një libër tjetër që kam në dorë tani thotë diçka tjetër të rëndësishme; se ekzistojnë dy lloje, dy kategori njerëzish, të mbyturit, nga një anë dhe të shpëtuarit, nga ana tjetër. Edhe kjo më tingëllon tepër e vërtetë!
“Ju mund të pyesni së fundi, ç’i kam unë gjithë këto ide, përse më cilësojnë si jashtëzakonisht të mirë në punën që bëj në call-center. Përgjigja është shumë e thjeshtë: arrij të përshtatem me të gjithë! Të përshtatesh me të tjerët do të thotë t’i kuptosh ata. Besoj se pikërisht nga kjo gjë i ngjita me shpejtësi shkallët e karrierës. Tashmë nuk jam më ajo që iu përgjigjet thirrjeve telefonike! Tani u mësoj të tjerëve sesi t’u përgjigjen këtyre thirrjeve, madje, i drejtoj si t’u mësojnë të tretëve, atyre punonjësve që sapo kanë nisur punën, se si t’u përgjigjen telefonave. Përveç kësaj, këshilloj edhe telefonues të ndryshëm për çështje delikate, sepse, siç iu thashë, unë arrij t’i kuptoj njerëzit. Dikush edhe më bërtet, më thotë se me sinqeritetin tim dhe përpjekjen për të ndihmuar kthehem ndonjëherë në një, si ta them, në një si shishe me benzinë, nga ato që iu vënë zjarrin njerëzve dhe i çojnë në varr, sepse zbuloj që, për shembull, telefonuesi apo telefonuesja nuk është rimbursuar për testet laboratorike, që bëhen përpara fillimit të punës, teste të cilat shoqërohen me një operacion emergjence tejet të hidhur. Unë e kuptoj këtë njeri, këtë telefonues, sepse, siç iu thashë, unë arrij të kuptoj çdonjeri. … Po sikur të bëj një ndreqje të vogël në këtë fjalinë që iu thashë tani në fund … sikur të them më mirë se… jo tani, por dikur, dikur arrija të kuptoja çdo njeri. Kjo është e vërteta”!
Disa muaj më parë, në një të premte pasdite, hyra në shtëpi dhe gjeta Hailin që po ngrohte një bagetë në mikrovalë. I thashë: -“Mos e ngroh në mikrovalë, vëre më mirë në thekësin e bukës, se e ruan shijen më mirë.”
Po përse i flas, përse i tërheq vëmendjen për çdo gjë? Tek e fundit ajo është motra ime, ja pse! Me Hailin unë mund të flas më hapur se me gjithë të tjerët.
Motra nisi të qajë.
-“ Trevis do mendojë se e bëra me qëllim”, – thotë Haili!
-“ Ai nuk do ta çajë kokën për një bagetë të ngrohur gabimisht”, – i them unë.
-“Janë binjakë, – vazhdon ajo. “Po t’i them se janë binjakë, ai do të më lerë përfundimisht! ”
Në të vërtetë Trevisi e kishte lënë Hailin qyshkur. Ai kishte ikur! Unë vetë nuk e kisha parë prej javësh dhe isha krejt e sigurt se as Haili nuk e kishte parë.
“Kam të drejtë ta mbaj për vete këtë sekret,- vijon Haili për punë të barrës së saj. -Ky është trupi im! Unë nuk do ta lejoj Trevisin të hyjë as në dhomën e lindjes! Nuk dua të më shohë në atë gjendje! ”
I vura në dukje sime motre se ajo nuk po jetonte më me Trevisin. Trevisi ishte larguar! Ajo tani po jeton me mua! Jemi të dyja, ne të dyja që po e ndanim atë bagetë në mikrovalë. Jam unë ajo që rri pranë saj dhe jo Trevisi…
-“Ai ka qenë gjithmonë tepër i kujdesshëm me ushqimin”, – foli me vete Haili. Pastaj u ndal një grimë, sikur po mendohej.
-“A mund t’i themi Trevisit se bebja e dytë është e jotja, se ti kishe vendosur të adoptoje një fëmijë dhe se kjo përkoi rastësisht me barrën time? Mund të ndodhë apo jo? Ti më ke adhuruar, ke dashur të më imitosh gjithë jetës, kështu që edhe ne punën e barrës …”. Heshti për pak dhe pastaj tha befas:”Po cilin nga binjakët të mbaj për vete.. ndoshta atë më simpatikun? Në fakt kjo është e gabuar! Mendo sa keq do të ndiheshe ti, nëse mamaja jonë do të kishte vepruar kështu… E lëmë fare, më mirë shtiem “kokë a pil”, pa e menduar, pa e vendosur!”
Po më zinte frymën dhe nga ky lloj arsyetimi sa nuk u mbyta. Vazhdoja të rrija pranë saj, sepse ishte motra ime, sepse e kishte gjithë atë stres. Por qeshë e ndërgjegjshme se duhet t’i vihesha edhe një herë leximit të atij paragrafit të hamburgerëve te ‘Lumturia,’ të cilin ua përmenda më lart. Jo për ndonjë gjë, por thjesht për t’i kujtuar vetes se si të merrja vendime në mënyrë të tillë që të mos pendohesha në të ardhmen.
Ime motër më tha se gjëja më e mërzitshme në këtë historinë e binjakëve ishte se, kur t’i shëtisnim me një makinë -vagon, nga ato makinat ku dera e shoferit është në anën e kundërt me atë të pasagjerit, kështu që duhet të dalësh nga dera e shoferit, t’i biesh rrotull makinës për të hapur derën e pasagjerit, dmth, të binjakëve. Ajo kishte parë shumë gra që bënin kështu dhe i qe dukur një gjë tmerrësisht e kotë!
Po a ishte e vërtetë historia e Hailit me ato makinat – vagonë? A nuk kanë këto lloj makinash dyer pasagjeri në të dyja anët? Nuk thashë se nuk e dija përse ajo duhet të merrte pikërisht atë lloj makine! As nuk thashë se shpresoj që ajo të mos mendojë se do t’ia blej unë me këste, atë makinë-vagon që kërkon! Thellë-thellë unë e di se do të bëja pikërisht këtë gjë! Kam shpresë vetëm se nëse negocioj me sukses, çmimi i makinës vagon mund të zbresë, njëlloj sa ai i makinës me një derë. Ajo për të cilën nuk lëshoj pe dhe nuk pranoj asnjë lloj negociate është pagesa për vendin e parkimit!
-“ A e di çfarë! – i thashë. -Mendoj se binjakët e vegjël janë një lajm shumë i mirë! Sa keq… po harrojmë se sa lajm i mrekullueshëm është kjo barra jote! Ne tani duhet të vendosim diçka krejt të thjeshtë; se barra jote është lajmi më i mrekullueshëm! Nëse e mendojmë këtë si një lajm të mrekullueshëm, binjakët kthehen vetvetiu në të mrekullueshmit e vërtetë”!
Haili qau fort. Unë fola edhe pak. Por duke u endur mes ndjenjave të rreme dhe mendimeve të këqija, kuptova se, në të vërtetë po bëja një gjë aspak të bukur.
E kapa veten tek i thosha Hailit se kisha menduar që ajo të vinte të punonte me mua në call -center. Besoj se isha unë që ia propozova së pari, kështu që mund t’ia vërtitja këtë fakt para surratit, kur ajo të më kthehej, duke me trajtuar sikur më kishte vënë përfund! Kjo nuk është fare e vërtetë! Megjithëse ndonjëherë më ka vënë për fund dhe m’i ka ngritur keq nervat, Hailin unë e kam në xhep kur të duash!.
Ç’mund t’iu them tjetër? Jam më e reja nga të tre fëmijët e familjes. Kur ishim të vogla, ime motër e hidhte mirë topin e futbollit, ndërsa vëllai rregulloi me duart e tij një makinë të vjetër dhe kurrë nuk e pati vështirë t’i mbushte ndenjëset e makinës me çupka me flokë të shndritshme. Të dy ata ishin më të qeshur, tipa më tërheqës se unë dhe më të lumtur. Vëllait i pëlqente të më detyronte t’ia hiqja nga këmba çorapet e pista dhe t’u merrja erë….Kësi lloj gjërash.. Më mungojnë ato ditë, ajo kohë e largët. Tani, vëllai im nga nëna ka dy fëmijë, për të cilët beson se e shoqja ia ka ngjizur me të atin e saj dhe.. se paska shkuar aq larg sa ka kërkuar AND-në për secilin! A besoni se ai mund t’u zërë besë atyre rezultateve? Ai është i papunë, gruaja ia ka marrë fëmijët me vete, në shtëpinë prindërore, në Wichita. Ajo më telefonon herë pas here, duke qarë dhe më kërkon lekë. Ndërsa ime motër, ndryshe nga ai, ka qenë, le të themi, më e kujdesshme, më e avashtë se ai në të tatëpjetën e saj. E di se ngjan sikur nuk çaj kokë për ta, por për fat të keq nuk është ashtu.!(Ku janë prindërit tanë në gjithë këto histori,- mund të pyesni ju! Epo, kjo është e thjeshtë: ata thjesht nuk janë!)
I shpjegova sime motre sesi të punonte në call center, se, tek e fundit, të punosh në një vend të tillë do të thotë të ndihmosh të tjerët, por të ndihmosh edhe veten duk e hequr mendjen nga hallet.
Të njëjtën gjë më ka thënë edhe vetë Haili kur morri pjesë në tre mbledhje të punës, meqë aty pëlqente një person! Rrinte me qejf në mbledhje dhe pastaj aty nga fundi më kërkonte t’i lija makinën asaj dhe atij tjetrit për të bërë një xhiro. Ua lija. Por sa prej jush do t’ia linin makinën ca alkoolistëve të sëmurë, si puna e atyre të dyve? Të mos përmend këtu edhe një gjobë shpejtësie që ata kishin marrë e për të cilën nuk dija gjë, derisa më dërguan një email ata të zyrës.
Isha krejt e sigurt se ajo do t’i thoshte jo propozimit tim për të punuar në call center; se do të më përgjigjej:”kjo punë nuk është për mua”! Aq sa sikur trupin ma përshkroi një valë gëzimi dhe në gojë ndjeva një shije të lezetshme hamburgeri, nga ata që për momentin duken të shijshëm, por që ta prishin keq stomakun më vonë.
-“Dua vetëm ta mendosh edhe një herë, përpiqu edhe një herë!,-i thashë.
-“ Do të përpiqem, do ta provoj..”
-“Ç’humbet po e provove?
-“ Dakord! Do ta provoj dhe kësaj here mund të kem edhe fat!”- tha me vendosmëri Haili.
Në atë kohë ne nuk kishim nevojë për punëtore të rinj. Sapo kishim humbur një goxha kontratë me një shërbim telefonik veçanërisht të vlefshëm dhe papritur puna ra, aq sa u zvogëlua edhe koha e pritjes së telefonatave. Ndërkohë, nga përtej Suedisë se nga mbiu edhe një studim mbi rreziqet shëndetësore që shoqërojnë ata që punojnë në call center, një studim si pa lidhje, i bërë nga njerëz që kanë mungesë rrezesh diellore! Kërkimet e studimit ishin përqendruar vetëm në këtë çështje: sesi një hapësirë e call-center-it, ku pihej duhan fshehtas, të kthehej zyrtarisht në një hapësirë ku pihet duhani lirisht, por edhe ku meditohet në të njëjtën kohë, në përputhje me rregulloren e re dhe sigurisht të arsyeshme, sipas së cilës, një përqindje e caktuar e përfitimit autorizohet t’u shkojë atyre punëtoreve që gëzojnë shëndet të plotë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një tjetër ligj rregullues, që sapo pat hyrë në fuqi, lejonte që burgjet shtetërore të drejtonin qendra si kjo e jona dhe ku të punësuar të ishin vetë të burgosurit, të cilët paguhen vetëm 95 cent ora nga administrata e burgut.
-“Po le të mos shpërqendrohemi! Ti harrojmë të tjerët! Ne thjesht duhet të kujdesemi për qendrën tonë, – i thashë Kailit, shefit tim. Ai ngul sytë diku. Mendohet. Duke diskutuar për time motër, Hailin, i vura në dukje atë që ai, në fakt, e dinte, se sa me fitim del kur nuk rri të trajtosh përsëri nga e para, punëtorë të rinj; se ime motër mund të ishte rasti që ti e trajnon dhe ajo, ndryshe nga shumica, ia del mbanë! Nuk kuptova pse po e paraqisja Hailin si një vajzë të përgjegjshme, si një të besuar; se përse nuk po e përmendja shtatzëninë e saj, e cila për pak do të bëhej e dukshme. Shef Kaili tha se të gjithë ata që i kisha rekomanduar unë i kishin dalë për hajër.
Të hënën në mbrëmje i thashë Hailit se pas një jave kishte ditën e parë të punës, megjithëse, me thënë të drejtën, e marta do të kish qenë më mirë, (e marta më pak e ankthshme se e hëna), se për javën që do të trajnohej kishte gjysmë page, por nuk do të kishte më shumë se dy javë trajnim.
-“Desha të të them se jam lutur për këtë ditë-, tha Haili. -Por do marr tri javë të plota pushim, pastaj të filloj. Këto tri javë do të fokusohem vetëm te vetja! E kam vendimin dhe dua të më kuptosh”,- shtoi ime motër. Ishte si një lloj urdhri nga lart! Një urdhër përmbi çatinë e shtëpisë sonë. Ishte… si të të vënë përpara një pjatë speciale mbushur plot e përplot me tako të skuqura, bashkë me çanakun e sallatës; si të ta shtojnë e të ta shtojnë pjatën; si t’i derdhin përsipër edhe një garuzhdë vaj të nxehtë 80 gradë celsius. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, të ta afrojnë pjatën, të ta bëjnë gati drejt e në gojë!
-”Mendova se do të kënaqemi këto tri javë! Ty të pëlqen të gatuash”, – tha ime motër.
Po kjo nga doli!!! Mua nuk më pëlqen fare gatimi. Të bësh gjellë është si të bësh një punë!. Jo të gatuaj, por nuk para më pëlqen as të ha! Ushqimi për mua është një nevojë dhe aq! Unë nuk i dua hamburgerët, qofshin të shijshëm tani ose më vonë. Hamburgerët, të gjithë pa përjashtim për mua janë një ushqim i tmerrshëm!
Kur më në fund u shfaq për ditën e saj të parë të punës, Haili kishte veshur një fustan të shkurtër ngjitur pas trupit. I thashë se kjo nuk ishte një veshje e përshtatshme. M’u përgjigj se trupi i një gruaje shtatzënë ishte diçka e bukur dhe e shenjtë, ndaj ishte e trishtueshme që unë nuk mendoja si ajo. Ditën e dytë, Haili ndenji në shtëpi, e sëmurë. Javën që pasoi duhet ta kisha kuptuar se kurba e ardhjeve të saj në punë po vinte në rënie.
Ne si call-center, unë kryesisht, nisëm një studim mbi Mesataren e Kohës së Telefonatave (MKT) dhe Rezolutat e Thirrjes së Parë (RTHP) Ky lloj studimi nuk është një kureshtje, nuk është si të futësh hundës sa andej këndej, por është pjesë e qenësishme e punës sime. Nga studimi doli se MKT-ja e Hailit, nuk ishte brenda parametrave që synonim, kurse RTHP-në ajo e kishte si të punonjësit më me përvojë që kemi ne! A e përfaqësonin me të vërtetë Hailin këto numra?
Shifrat, shifra mbeten. Ato matin vetëm atë çka mund të matet dhe nuk mund të matin atë që dikush e quan në mënyrë të përgjithshme të pamatshme! Kur them këtë rrekem të mendoj se ekziston një instinkt, i drejtuar keq, një prirje e jona për të mbivlerësuar “të pamatshmen”, si me qenë ajo e barasvlershme me dashurinë, me dinjitetin apo artin. Në të vërtetë, sa më të lehtë të jenë faktorët që çojnë në një përfundim, aq më i ngatërruar del rezultati. Është e vërtetë se mirësjellja njerëzore nuk mund të matet ende në një thirrje telefonike apo operacione të tjera, por mendoj se mirësjellja si faktor përfaqësohet në shifrat e MKT-së.
Të dhënat e Hailit, sidoqoftë, nuk ishin aq mbresëlënëse sa të shpjegonin se përse Kaili, shefi im, mbeti si i gozhduar përpara kabinës së saj. Një ditë ai i solli Hailit një top të vogël prej llastiku, nga ata që mbajmë në dorë si antistres. E shtypte me gisht, i fliste asaj për përbërjen e topthit me një buzagaz të paparë. Një pasdite tjetër dëgjova time motër duke qeshur. Zëri vinte nga zyra e Kailit. Pashë se ajo e kishte lënë kupën e kafesë mbi një parvaz druri mbrapa kabinës. I rashë përmes zyrës me qëllim që ta flakja në plehra kupën prej kartoni të kafes së Hailit, por kafeja ishte pothuaj e pa vënë në buzë. Thjeshtë një send i braktisur. Mos nuk e pëlqen më kafenë motra ime? Diçka kuptova. Haili po përpiqej të shfaqej si një grua që ka lekë , që mund të prishë sa të dojë dhe duke u reklamuar kësisoj, ajo mund të matej fare haptas me një të pasur si shefi ynë. Duke parë Hailin ai mund t’i thoshte vetes: ”kjo qenka dora jonë.” Madje mund ta ftonte edhe në ndonjë klub e t’i hidhte dorën mbi supe. Pra, mesa kuptova, në vend që t’i avitej shefit, këtij livadhi të gjelbër, me punë, aq sa dinte ajo, ime motër, sido që edhe shtatzënë, po përpiqej t’i afrohej me metoda seksuale. I thashë Hailit atë mbrëmje se metoda e saj në vend që t’i ndreqte, do t’i prishte punë! Po kush të dëgjon?
Në fillim të shkurtit. 31 javë që kur Haili filloi punë (kush tha se 31 është një numër fati?) ….. me një fjalë duhet të shkonim urgjent në spital. Turma na hapi rrugë.
-“Të paralajmërova të mos pije kaq shumë kafe”, – i thashë ndërsa i jepja makinës.
-“Asgjë nuk më ke thënë, por kjo s’ka lidhje me kafen!”, -u përgjigj Haili.
-“Ka lidhje me vendimet e tua”, -ia ktheva unë. “Ti ke bërë zgjidhjet e tua, njëra pas tjetrës. Dhe hallet që ke ti s’ka për të t’i zgjidhur Kaili”.
-“Zot i madh! Ndonjëherë gjërat thjeshtë ndodhin, pa ndonjë shpjegim.”
-“Kështu mendojnë vetëm dështakët”.
-“ Nëse jam apo nuk jam një dështake, këtë nuk e vendos ti”-, u përgjigj Haili. Më je bërë si një mama e tmerrshme! ”
“Ç’po thua? Unë nuk jam as mama dhe as e tmerrshme”,- ia preva unë
“Je mamaja ime”, – tha ajo.
-“Jo nuk jam”!
-“Ti e di ku e kam fjalën”…
-“Unë nuk jam e keqe.. Unë sillem mirë me të tjerët, – iu ktheva unë. – Njerëzit duan të punojnë me mua.”
Haili tha se isha e mirë me njerëzit vetëm kur u flisja në telefon. Atëherë shpërtheva! I thashë Hailit të vërtetën, se ajo dukej për ibret… më keq se çdo grua tjetër shtatzënë dhe se tani, për shkak të vendimeve të veta, ajo do të përfundonte në mes të katër rrugëve me dy krijesa të vogla, të lindura prematurë, me një mal me probleme. I thashë gjithashtu se shpresoja që ajo të korrte atë që kish mbjellë.
-“ Ndalo makinën të lutem”, – thirri ajo.
-“Çfarë the? A je në rregull? Mos luajte nga mendtë?
-“Ndalo tani! Ka marrë fund! Nëse nuk ndalon do të thërras policin! ”
Sigurisht që nuk do ndaloja! Por ama, në semaforin e kuq në rrugën “Eufaula” m’u desh të ndaloj. Haili hapi derën, doli jashtë makinës pa e mbyllur derën dhe iu afrua një kamioni të bardhë që po vinte përballë, seç foli nga dritarja me shoferin dhe u hodh brenda.
A mos duhej ta ndiqja nga pas, me njëzetë e pesë milje në orë për në spital? Asgjë nuk do të ndryshonte! Apo krejt e kundërta, mos duhet të kthehesha në punë, ku, e pafaj siç isha, rrezikoja të gjykohesha si njeri i ftohtë dhe i pakuptueshëm? Apo mos duhej të ndalesha për pesë minuta, të merrja frymë, sa për të kuptuar se në ndonjë moment ndodh që edhe të të erret gjykimi? Mos ishte kjo një nga situatat kur mendimi i parë që të vjen është edhe më i miri, ndërsa errësimi i mendimit ndoshta vjen pikërisht pse kemi pasur një diskutim të zgjatur. Çfarë isha në të vërtetë për Hailin, mos vetëm një rastësi e shansit biologjik? Lere fare, varja!
Ndërkohë që këto mendime më vinin njëri pas tjetrit, si një seri kopjesh të vogla, nga të cilat në të vërtetë nuk arrija të merrja vesh asgjë, e pashë veten tek po kaloja pranë një shtëpie qesharake të stilit “Tudor”, me një kopsht të vockël, të zbukuruar, në cepat e të cilit rrinin disa pemë po aq të zbukuruara. E njihja atë shtëpi! Në anën e pasme kishte disa kuaj, më pas një fermë gjithë bar, me një sipërfaqe rreth dhjetë milje. Në fillore dhe vazhdimisht deri në shkollë të mesme isha marrosur pas një djali që rrinte në këtë shtëpi, Xhoshua Mendelsonit, një çun krejt i paarritshëm. E doja Xhoshuan me gjithë mend, por dashuria për të mbeti e pa kthyer. Një ditë, mbasi mbaruam së shkruari rezultatet e një pune laboratori, gjë që duhet ta bënim të dy në grup, babai i tij më ftoi të qëndroja për darkë!
Në shtëpinë e tij, sa të shtrohej darka, Xhoshua më tregoi një frigorifer special, me një hapësirë ngrirjeje tepër të madhe, ku futej një sasi e madhe mishi, pothuaj sa një e katërta e një lope të tërë, që sapo e patën blerë; si dhe një serrë të mbjellë me pemë të ulëta dhe fidanë domatesh. Përtej tryezës së kuzhinës, në një raft të lartë, rrinte një pjatë ngjyer në të kuqe, për të cilën më tha se ishte pjesë e besimit kuaker. Në të shkruhej: “Sot ti je i veçantë”! Pjata përdorej vetëm kur dikush kishte ditëlindjen ose në ndonjë ngjarje tepër të rrallë. E pata dashur shumë Xhoshuan edhe më përpara se të më ftonte në familje, por tashmë e doja me intensitetin e dikujt që ka pasur nderin të vërë këmbë në një mbretëri: në mbretërinë e tij. (Ndërsa në shtëpinë time asokohe mund të mburresha vetëm me disa qindra peshq të verdhë, të cilët i pati sjellë mamaja në ca qese plastike, në një nga dallditë e saj për blerje, që ajo në fakt e quante “shpërthim personaliteti”.)
Xhoshua ishte më i madhi nga pesë vëllezërit, kurse në tryezën e tyre rrinte edhe një grua xhuxhe, nga Hungaria, së cilës nuk ia kuptova emrin. E para herë që shikoja një xhuxhe. Flokët e saj të mëndafshta ngjyrë gruri, ishin të kapura si bisht- kali, i cili i jepte kokës së saj një formë të veçantë dhe goxha volum. Asnjëherë nuk arrita t’ia imitoj. Nuk e di ku qe mamaja e Xhoshuas atë mbrëmje, por, sidoqoftë, ndjeva se isha ulur në mes të familjes më të bukur dhe më të zgjuar në botë!
Pas darke babai i Xhoshuas më çoi në shtëpi. I thashë të më zbriste dy dyer para portës time. Mamaja po flinte. Streha e hyrjes sonë qe e pa ndriçuar. Jashtë, në oborr Haili i kishte mbledhur qeskat plastike të peshqve të vegjël nga të gjitha qoshet e shtëpisë dhe po i bënte stivë aty te kopshti, me një copë letër përsipër: “t’i marrë kush të dojë”!
Ajo nuk dinte të mbante asnjë sekret të familjes. Unë po. As Hailit dhe as dikujt tjetër nuk u tregoja asnjë sekret. Por atë natë, kushedi se pse, ndoshta se ime motër kishte një talent të pamohueshëm në lidhje më meshkujt, i tregova se kisha rënë brenda me Xhoshua Mendelsonin. Ajo më dëgjoi e heshtur aty mbrapa peshqve. Qetësia ishte krejt e rrallë për Hailin. Atë familje e njihte.
-”Ai nuk është gjë para teje, – foli ajo më në fund . -Mbaje mend këtë: nuk po të lë ai, por je ti që po e le Xhoshuan! ”
E dija që nuk ishte e vërtetë, por nga mënyra sesi u soll motra ime-sikur më mori nën mbrojtje, sikur më pështolli në një strehë të fshehtë, të artë, e besova. Kjo zgjati vetëm një çast.
Binte telefoni. Isha tek parkimi i disa dyqaneve me ëmbëlsira, sapo kaloje rrugën nga call centër-i im.
-”Si mund t’iu ndihmoj”, – u përgjigja automatikisht. Nga ana tjetër, një infermiere po përpiqej të më thoshte se Haili edhe qe, edhe nuk qe aq mirë. Ajo ishte absolutisht jashtë rrezikut, situata, nën kontroll, por duhet të shkoja menjëherë në spital. Çalltisja telefonike e infermieres ishte e qetë, e matur, me rezultat dhe e mirëkuptueshme. I dhashë makinës për nga spitali si nën një kllapi, siç janë thirrjet telefonike të punonjësve tanë të rinj, ashtu mëk-mëk dhe më pauza të stërzgjatura, aq sa, me telefonin në dorë, harrojnë të të kthejnë përgjigje, të të thonë në fund fjalinë gjithmonë të detyrueshme: “a mund të bëj diçka tjetër për ju. ”
Pa hyrë në spital, mu në cep të sheshit të parkimit, dikush kishte menduar për një ashensor, sikur të më dinin, sikur të më njihnin, sikur të kishin marrë vesh shqetësimin tim për Hailin. Befas, ai spital mu duk një mrekulli e organizimit dhe e përgjegjësisë qytetare. Dhe ta mendosh, unë nuk kisha asnjë kontribut, as në ngritjen, as në mbështetjen financiare të kësaj ngrehine, megjithatë, spitali me priste, pa kushte, për të më ndihmuar. Ishe si të rastisje para një katedraleje në mes të shkretëtirës, si të kishe fatin të hyje brenda. Ishe ti që hyje brenda. Drita nëpër mure shpërndahej ngado, e dukshme, njësoj e ndritshme.
Stafi i specializuar, gati për të ndihmuar hynte e dilte, tabelat me emrat e mjekëve ishin krejt të lexueshme. Shigjetat në dysheme i drejtonin njerëzit për nga rezonanca magnetike, imazheria, endoskopia…Si ishte bërë dhe si funksiononte kjo e gjitha? Për mua dhe familjen time? E dija se spitalet janë fole infeksioni dhe shpesh herë ta shkatërrojnë kartën e kreditit. Por e gjithë kjo ngjante si një tis i hollë për perimetrin e pamjes sime. Në vend të zemërimit ndjeva sikur kisha hyrë në një rezidencë të madhe, të bukur dhe ndryshe nga gjithë pritshmëritë, ime motër ishe aty brenda. Recepsionistja më pyeti kë kërkoja.
“ Haili Vardin,-i thashë.-Jam dadoja e binjakëve të saj.”
Megjithëse nuk kisha marrë ndonjë vendim, u ndjeva e lumtur, e veçantë. Kisha nevojë për një familje. Haili po më dhuronte një të tillë. Dashuria matet me praktikën, thotë ai libri për lumturinë (ose nuk e thotë, po kjo nuk ka dhe aq rëndësi).
Tani besoj se dëshira ime për të fituar me çdo kusht, në çdo rrethanë, fiksimi për t’u treguar e mirë, e zgjuar, me gjithkënd varet nga praktika, nga vërtetimi në praktikë. Ju mund të më pyesni tani si do të veproj, si do t’ia dal, si do të eci unë në shtegun e kësaj praktike, si një dado për binjakët e dashur të motrës sime. Epo.. këtë nuk e di. Kjo është një e fshehtë që do ta zbuloj rrugës.
Përktheu nga anglishtja Jerina Zaloshnja
*Rivka Galchen është autore e përmbledhjes me tregime të shkurtra “ Shpikje Amerikane” dhe i librit me ese “ Punëtorët e Vegjël”