Babai vdiq. Ata më lajmëruan më gjashtë e gjysëm të pasdites pasi kish marrë fund cdo gjë, pasi kishin thirrur edhe mjekun e lagjes që ai të vërtetonte vdekjen klinike. Por edhe pa më lajmëruar ata, unë e dija se pikërisht në atë të mërkurë të 17 nëntorit ai do të më linte dhe ndaj, më gjashtë e një çerek fiks, dola nga shtëpia për ta lënë të jepte shpirt i vetëm, pa e bezdisur, pa e detyruar më të rrijë.
Po ta llogarisësh se sa njerëz vdesin cdo ditë në të gjithë rruzullin, sesa fëmijë në ditë humbin baballarët e tyre, po të llogaritësh gabimet e mëdha e të përditëshme të Zotit kur merr te vegjelit përpara prinderve dhe, më së fundi, po të shtosh në këtë llogari edhe moshën e babait, mund të thuhet me plot gojë se nuk kam shanc të ankohem!
Pikërisht kështu i thashë vehtes : qepe, mos ler nam, tek e pashë ashtu të shtrirë në divan, të urtë për çudi, pa hazër xhevapin e tij të zakonshëm, pa rromuzet e hidhta, sa herë i mbija në derë! Nuk ndjeja kushedi se çë, thjeshtë një si lloj zemërimi , një si lloj përvëlimi fizik i cili më erdhi dhe mu pështoll nëpër rropullitë, nëpër plaçkat e barkut për tu ngjitur lart. Çfarë babai ishte ky që iku pa fjalë, pa më thënë asgjë, që më braktisi si një shtupë, po, po, si një shtupë të mjeruar në mes të rruges, me një mal halle përsipër. Pse, ia mbathi me një xhest të ngjashëm me dezertimin? Ku shkoi deklarimi i tij i para disa diteve: .. “edhe kur të kem vdekur, një pjatë gjellë të ngrohtë do të jetë gjithmonë per ty, tek furra e sobës”?
Babain pra, e pashë shtrirë, por unë renda për nga kuzhina. Hapa furrën, furra drangull! Të binte miu thyente kokën! Pikë ushqimi në shtëpi, pikë arome që të të kujtonte jetën! “Gënjeshtar,- brita me vehte,- maskara i dreqit..” ! Çfarë nuk i thashë!
Dy orë më pas, ata e rregulluan hijshëm babain ,“dezertorin” tim, e vendosën në mes të dhomës, ndërsa mua, në një kolltuk pranë tij. Gjithë ajo pasdite kaloi me vizita dhe të nesërmen nga dreka e varrosëm. Kaq, nuk mund t’ju them, asgjë më tepër nga kjo ngjarje, ngaqë çdo fakt e kam të mjegullt, ngaqë jam tip i hutuar dhe nuk para mbaj mend. Nuk di t’ju them as kush hyri e kush doli, se çfarë tha e si e tha. Unë isha aty vetëm me përvëlimin tim të brendshëm, si i thonë fjalës.. pa nënë, pa babë, pa asnjë njeri, pa asnjë gjë.
Natën e parë si e kishim varrosur babain, ata më thanë se duhet të vazhdoja të rrija dhe të flija aty një javë të tërë, plot shtatë ditë, ngaqë, shpirti i të vdekurit ditët e para, në përgjithësi, nuk mund të rrijë vetëm dhe iu dashka nga pak shoqëri.
-“Mirë,- iu thashë,- pa merak! Do të rri unë me shpirtin e babait tim. Ju ikni, ju shlodhuni”!
Ata ikën të gjithë. Unë ndenja në kolltuk për rreth gjysëm ore, thjeshtë pa bërë gjë, thjeshtë duke e shtyrë, duke tundur këmbën.
-“Çfarë po bën, – i thashë vehtes.
– Hiç!
-Si hiç?
-E.. hiç!
Atëhere u ngrita vrik, i shkela syrin shpirtit të hamendësuar të “dezertorit” tim, i cili, sipas të thënave dhe të gjitha gjasave, sillej aty rrotull, mora me vehte dy sende t’vogla dhe dola jashtë.
Kundër përgjigja ime aty për aty ndaj dëmit që më shkaktoi babai 24 orë më parë më dha një kënaqësi të fortë, të thellë, të pa lehtë përshkrueshme. Si i thonë një fjale .. plumbit me plumb, zjarrit me zjarr… dezertimit me dezertim!
Binte shi.. Më mirë që binte shi. Kështu, në këtë mënyrë mund të qaja pa çarë kokë se dukem, se le nam. Mund të lëshohesha në krahët e dëshpërimit, plotësisht, përfundimisht, pa asnjë pengim, si një jetime e vogël e rishtare që isha, së cilës i duhet edhe pak më shumë shfryrje, edhe pak më tepër qarje, sa të fitojë drejtim. Ju tregova se mbaja në krahë dy sende t’vogla? Ato ishin “Lupo”, qeni im prej plastike që ma pat fale babai dhe të cilin e mbaj me vehte kudo që jam, dhe një fotografi familiare, ku qeshnim si budallenj ne të katërt.
Një javë pas ngjarjes, ata me pyetën mua se çdo të bëja me sendet e shtëpisë së babait; dhomën e bukës, dhomën e gjumit, dhomën e miqve si dhe gjithë sendet e tjera, të cilat prindërit i kishin vënë me punën e një jete. Iu thashë se nuk kishte pike rendesie! Se tani që prindërit nuk janë, mund t’i merrnin,mund të bënin çtë donin.
A i hyjnë në punë kujt sendet, mobiljet e vjetra shtëpiake pasi “ata të shtëpisë” të kanë braktisur duke shkuar të gjithë? Mua për vehte jo dhe nuk çaj kokë ta them këtë me zë të lartë! Kështu që ata erdhën dhe zmontuan pikë për pikë tavolinën e madhe të bukës, krevatin matrimonial, të gjerë dy fish më shumë se krevatët e sotëm, dy- tre boro, divanin, në syprinën e të cilit vizatoja me gisht përpara se të më zinte gjumi, bufenë prej dru arre me xham, mbi të cilin qenë gdhendur përsipër 4 vile te mrekullueshme rrushi, me16 kokrra në çdo vile.
Nuk po humbisja ndonjë gjë të madhe! Mobiljet italiane, të gjitha në dru arre që mamaja i pat blerë në dyqanin e vetëm të shitjeve me valutë në vitet ‘50, ishin bërë copë- copë! Sakohë qe gjallë ajo, mobiljet shkëlqenin ngaqë, me dy gra, punonjëse të ndërmarrjes së mobiljeve, ajo iu jepte çdo vit një dorë llak. Por nga fundi i viteve ‘90 ndërmarrja u mbyll, apartamenti ynë mbeti pa zonjë shtëpie dhe këmbët e larta të tryezës së bukës, aty ku fshihesha kur qeshë e vogël për të luajtur me sendet e mia, po i gërryente krimbi dhe qenë gati në të shkërrmoqur.
Brenda pak ditësh shtëpisë sonë të dikurshme i mbetën vetëm muret, të cilat, me thënë të drejtën, i meremetova edhe ato, meqë apartamentin do ta jepja me qera për banim ose zyra pune.
Pata shanc! Më eci! Që atë ditë që meremetova shtëpinë e babait dhe e dhashë me qera, nuk ka pushuar telefoni, ofertat, kush e kush ta marrë më parë atë dy gisht hapesire, modeste, tëpër të vogël, por të meremetuar bukur.
Një vit më pas, me lekët e qerasë, unë e zhvendosa jetën time në nje qytet tjetër, duke u kujdesur që asnjë gjë të mos më kujtojë në asnjë detaj shtëpinë, njerëzit që më rrethuan për mbi katër dekada. Me këtë mënyrë, me këtë stil t’lezetëm dezertimi në përgjithësi ia çoj mirë. Kam gjetur punë tjetër, kam zbuluar hobe të tjera, të cilat, nuk iu ngjajnë aspak atyre që kam patur më parë. Doni nje shembull? Po ja, kam marrë një qenushe të vogël, Çarlin, për të cilën kujdesem me dashuri të pamatë!
Hobi i dytë janë antikuarët, sendet e vjetra, mobiljet e përdorura të të gjitha llojeve. Që ta dini, unë jam kthyer në një fanse të fortë të tyre! Veç të më shohësh tek vdes nga qefi, kur, një të djelë po, një të djelë jo, kaloj nga merkatinoja e antikuarëve buzë lumit, tek studioj më nge, vetëm me vështrim dhe duke përdorur nga pak vetëm mollëzat e gishtave: mobiljet, pasqyrat, gramafonët, shandanët librat, lugë t’argjendta, pirunj…. çtë jetë! Veç të më shohësh tek bëj muhabet me shitësit, të cilët, në përgjithësi e njohin me hollësi historinë e çdo sendi! Veç të më shohësh tek më kujtohet…
…Ah si më kujtohet e gjitha! Çdo këmbë karrikeje, çdo shilte, lulet e bukura dhe abazhurët e varur deri poshtë, shqiponja prej allçie, çdo cep tavoline, cdo pasqyrë e ciflosur, çdo xham i gdhendur dhe të katër vilet e rrushit. Dhe mbetem pa frymë! Një send pa linfë në mes të merkatinos së vjetër. .
Ku isha? Ku i pata mëndtë? Pse ika? Pse ua dhashë?