Të fillojmë me bisedimet e anëtarësimit – Mjaft më me përralla!

0

Nga Frank Hantke

Progres-raporti i fundit i 12E-së mbi Shqipërinë bëri të qartë një tendencë pozitive  ndaj Komisioni propozoi, që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë të nisin së shpejti. Por kushtet, që sipas Komisionit do të duhet të përmbushen ende për këtë qëllim, i lexojnë jo me aq saktësi këtu në vend. Ky skenar na duket disi i njohur: tekste me një tingull pozitiv, të formuluara në gjuhë diplomatike me shumë mundësi interpretimi. Kësisoj të gjitha palët e ndryshme e rigjejnë veten të konfirmuar në këtë raport, e po kështu edhe organizatat dhe mbështetësit ndërkombëtarë në fund të vitit shohin disi të kënaqur drejt  gjoja sukseseve. Por a veprojnë kështu edhe qytetarët shqiptarë, sepse në fakt për ta është fjala. Dhe a i mbajnë dokumentet e shumta premtimet e tyre?

 

Shumë “të vërteta“

Mesa duket momentalisht ka shumë “të vërteta“ – dhe  numri i tyre me gjasë rritet edhe më tepër në kohë fushatash elektorale. Njëra palë rreh gjoksin për një qeverisje shumë të suksesshme, pala tjetër  e sheh Shqipërinë në buzë të greminës. Por edhe mes këtyre dy poleve ka një shumësi të vërtetash të ndryshme – sipas ngjyrës dhe humorit, mund të thuhet. Dhe të gjitha këto mbështeten në një pafundësi dokumentesh, ekspertizash etj., të cilat hartohen më së shumti nga ekspertë të huaj ose ata janë për së paku bashkëhartuesit e tyre. Ndaj, a duhet të na habisë fakti që edhe shumë prej tyre shohin suksese? Po me realitetin e qytetarëve si qëndron puna?  A ka një atmosferë të përgjithshme ndryshimesh në vend, që t’i përgjigjet “gjendjes së mirë në letra?” Për fat të keq nuk është kështu! Po si është e mundur atëherë?

Le të trajtojmë fillimisht disa çështje që janë të rëndësishme për qytetarët dhe të shohim, nëse ky numër i madh vendimesh dhe ekspertizash, parashikimesh dhe dokumentesh suksesi kanë mbërritur në një formë apo në një tjetër në realitetin e përditshëm të qytetarëve. Le të dëgjojmë bisedat në tavolinat e kafeneve, vendi ku mund të krijosh më shpejt një ide rreth opinioneve të qytetarëve. Apo le të dalim njëherë jashtë Tiranës, e cila dëshiron të tregojë gjithnjë fasadën e bukur të një vendi modern në zhvillim.

 

Shumë pak realitet

Reforma aq shumë e lavdëruar në drejtësi nuk ka treguar asnjë lloj efekti, madje shpesh nuk ka zgjuar as shpresë te qytetarët. Sepse menjëherë pas atij bashkimi – të ngritur në qiell – të korrikut, kur pas grindjesh disavjeçare më në fund u mbërrit në një vendim unanim të parlamentit, u rishfaq e njëjta pamje: grindje, akuza dhe status-quo.  Dhe në tryezat e kafeneve nuk dëgjohet asgjë për shpresën tënde, se në vitet e ardhshme do të bëhet diçka konkrete në sistemin e drejtësisë për “të vegjlit”. Zor se dikush ka ndryshuar mendimin e vet për mundësitë, që në dyert e gjykatave ka për të gjetur vërtet të drejtën. Sepse në karuselin e pjesëmarrësve ka gjithnjë të paktën një grup, që di të frenojë deri edhe të pengojë këto realizime të suksesshme. Madje ka ndonjë, që hamendëson edhe një qëllim të fshehtë e të përbashkët pas gjithë kësaj.

 

Vetëm besimi nxit zhvillimin e demokracisë

Sepse njerëzit nuk kanë më besim te politika – dhe kjo është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë në zhvillimin e një sistemi demokratik, pikërisht kur shumë e shumë qytetarë nuk kanë më asnjë pritshmëri pozitive prej politikës. E si mendohet, që këta të bashkojnë forcat dhe energjitë në ndërtimin e vendit?

Përtej historive të suksesit të dhjetëra mijërave apo deri edhe qindra mijërave vendesh të reja pune, ende vazhdojnë të jenë pak a shumë po aq njerëz të papunë, apo që bëjnë një punë jashtë vlerës së dinjitetit njerëzor, sepse paguhen në kufijtë e urisë. Një numër njerëzish në rritje ndihen të pasigurt, sepse sistemet sociale nuk përmbushin as kriteret minimale për shumë e shumë prej tyre, dhe se siguria që vendin e punës do ta kesh edhe vitin e ardhshëm, zor se ekziston.  A thua u ka dalë nga mendja të raportohet edhe se sa shumë njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës e kësisoj edhe standardet minimale sociale për veten dhe familjet e tyre? Raporte më të sinqerta nuk është se do të përmirësonin situatën, por me siguri do të krijonin një besim më të madh.

Dhe pikërisht ky mungon! Edhe ata njerëz, që i përkasin një shtrese të mesme shumë shumë të vogël me të ardhura momentalisht të sigurta, e kanë humbur besimin, pasi në shumë biseda me ta kupton qartë, se ata zor se kanë ende pritshmëri pozitive. Kjo sepse, p.sh., nuk besojnë se fëmijët e tyre do të marrin një arsim të mirë. apo që ekonomia do të përmirësohet ndjeshëm dhe se ata do të kenë mundësi më të mira. Thënë shkurt: përmenden shumë arsye për tu larguar nga vendi dhe tepër pak për të qëndruar këtu, për të përveshur mëngët dhe për të ngjallur shpresën.

 

Të zgjojmë potencialet ekzistuese

Si është e mundur të ndodhë kjo në një vend me kaq shumë potenciale si Shqipëria? Mos ndoshta është politika ajo që pengon shpërfaqjen e këtyre potencialeve? Le të marrim të ashtuquajturin kapital njerëzor, pra, faktin që Shqipëria ka ende popullsinë më të re në Evropë, arsye për të cilën Shqipërinë e kanë zili shumë vende të tjera. A po investohet në këtë kapital në  lidhje me perspektivën? Të paktën vetë të rinjtë nuk e konstatojnë hiç fare këtë gjë, pasi 60% e tyre duan të largohen nga vendi  – dhe kjo është një shifër konstante për shumë vite me radhë. Por këtij realiteti të rinisë në letra i vihet përkundër një “e vërtetë”, që zor se e beson kush: reforma në arsim, vendime e njoftime të rëndësishme etj.  E nëse pyet edhe të rinjtë, që nuk duan apo nuk mund të studiojnë, gjendja paraqitet edhe më keq. Në zonat larg qytetit papunësia është shtruar këmbëkryq. Zor se gabon ndokush rrugën atyre anëve për të çuar ndonjë lajm të mirë. Vendet e pakta e më së shumti të pasigurta në sektorin e shërbimeve ua marrin të diplomuarit e universiteteve, që detyrohen të punojnë si kameriere, në call-center etj. Këto punë vështirë se përkojnë me pritshmëritë e tyre të larta në fillim të studimeve. Të pastudiuarit  nxirren kështu plotësisht jashtë tregut të punës nga akademikët, të cilët më kot kërkojnë vende pune që t’u përgjigjen formimit të tyre. Kjo është “Brain-Waste”, pas së cilës vijon “brain-drain”- të rinjtë, apo – si e kanë  merak të thonë politikanët – “e ardhmja e vendit” dëshiron më mirë të largohet prej tij.

 

Premtime boshe

Zgjedhjet e reja parlamentare kanë nisur që tani të lëshojnë hije të fuqishme. Mediat po mbyten prej njoftimeve dhe premtimeve bombastike, që nga rritjet e pagave, ndërtimet e rrugëve – të lëna shkretë për vite të tëra – deri te njoftimet për më pak taksa apo më shumë vende pune. Pjesa më e madhe e njerëzve i njeh mirë tanimë këto rituale dhe prej kohësh nuk motivohen më prej tyre. Kudo dëgjon të njëjtën fjali: pse akoma u beson premtimeve elektorale ti?

Këto pak mbresa, që i paraqesin gjërat nga një këndvështrim i ndryshëm prej atij të progres-raporteve apo vendimeve të reformave, janë për së paku një prej “të vërtetave” të ndryshme që duhen parë, për të shpjeguar për shembull arsyet, që i shtynë rreth 100.000 shqiptarë në dy vitet e shkuara të largoheshin nga vendi apo ta dëshironin këtë gjë. Sigurisht, nuk ka “vetëm një të vërtetë” – ata që  pretendojnë këtë, kanë nisur sakaq të gënjejnë. Natyrisht që shënohet progres, natyrisht që shumë gjëra janë përmirësuar në dy dekadat e fundit  – dhe parë kështu, po, ka pasur progres dhe progres-raportet nuk kanë gënjyer. Por po kaq duhet të na bëjë të mendojmë fakti që, p.sh., një numër i madh të rinjsh thonë, që nuk kanë më shpresë apo që shtresa e mesme nuk rritet, përkundrazi po dorëzohet e nënshtruar. Fasada nuk është shtëpi e po kaq pak letra nuk është realitet.

 

Fakte dhe dije në një tryezë – kërkohet zbatim

Po si mund t’i bëjmë bashkë këta elementë? Si mund të shkrihen në një vizion të ardhmeje këto “të vërteta të ndryshme“, duke bërë të mundur kështu që Shqipëria, por edhe  më e rëndësishme, njerëzit e saj të vinë më afër BE-së?

Letra dhe vendime ka mjaft – dhe po kaq e sigurt është se ajo që mungon është zbatimi i tyre. “Zbatimi“ është fjala kyç në progres-raporte dhe në rekomandimin e Komisionit të Bashkimit Evropian drejtuar Këshillit të BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë.

Me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit do të kishim një ndryshim të madh në historinë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian: më në fund “realiteti“  do të mbërrinte në tryezën e bisedimeve, e cila deri më tani është e tejmbushur vetëm me letra. Ky do të kishte qenë në një farë mënyre fundi i rrëfimeve dhe përrallave. Bisedimet do të tregonin se sa e parehatshme dhe sa punë do të hapte dëshira, që gjërat të realizohen në mënyrë të përjetueshme drejt për së drejti nga qytetarët, në vend që  thjesht të hidhen në letër përmes butonave të lëmuar të një tastiere.

 

Bisedimet do të sjellin shumë punë – transparenca krijon potenciale edhe më të  mëdha

Sikurse dihet, për anëtarësimin në BE nuk ka automatizma kohore, si p.sh., “kur të nisin bisedimet e anëtarësimit, pas tetë apo dhjetë vjetësh do të jemi anëtarë të BE-së”. Në këtë kontekst ka shumë shembuj pozitivë dhe negativë. Ndaj fillimi i bisedimeve nuk do të ishte në mënyrë absolute një hap sasior kohor, por shumë më tepër një hap vendimtar cilësor për vendin. E njëkohësisht një hap që do të sillte shumë punë për t’i bërë nga të gjithë.

Por kusht paraprak do të duhej të ishte transparenca e këtyre bisedimeve, sepse transparenca tregon realitetet dhe krijon njëkohësisht besim. Pra, qytetarët do të duhej të informoheshin rreth bisedimeve, gjendjes aktuale të problemeve, që diskutohen, sikurse edhe rreth projekteve konkrete, që do të zbatohen. Madje qytetarët do të duhej të merrnin pjesë – dhe kjo jo thjesht në fund të bisedimeve në formën e një referendumi, por në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë procesit. Ndoshta jo në të gjitha fushat, por në shumë prej tyre grupet e interesit të qytetarëve kanë një shkallë të lartë kompetence si dhe zotërojnë një masë të mirë vullneti dhe gatishmërie për t’i vënë gjërat në zbatim. Ky mund të jetë rasti i shumë sektorëve të ekonomisë ashtu si dhe i grupeve të personave të caktuar, si p.sh., rinisë, grave apo edhe njerëzve të shkencës. Edhe në këtë drejtim kemi shembuj pozitivë, që vinë nga vendet fqinje.

Nëse politika dhe qytetarët do të punonin bashkë gjatë bisedimeve, kjo do të bënte të qartë, se shumëçka do të jetë shumë më e vështirë se sa mendohej fillimisht. Njohja e kërkesave reale dhe zhvillimi i hapave konkrete drejt zgjidhjeve të nevojshme do të mundësojë gjithashtu zgjimin dhe aktivizimin e potencialit të vërtetë që ekziston në vend.

 

Rruga është qëllimi – jo data e anëtarësimit

Bisedimet për anëtarësim do të bëjnë të qartë edhe diçka tjetër. Puna për anëtarësimin duhet të bëhet në vend, nga vetë politikanët dhe qytetarët e këtij vendi. Nuk mund të vazhdohet duke bërë përgjegjës të tjerët apo deri edhe të shprehësh kërcënime, pavarësisht, nëse është fjala për një ndikim, siç pretendohet, në rritje të Rusisë apo për mbërritjen e islamizmit radikal.  Të gjitha këto qytetarët shqiptarë nuk i duan – sikurse nuk duan nga ana tjetër edhe rritjen e ndikimit në zhvillimin ekonomik të vendeve të tilla, që zor se ndjekin modelin ekonomik apo social të BE-së, siç janë shtetet e Gjirit Persik, Turqia apo edhe Kina.

Jo, në procesin konkret të anëtarësimit do të duhej të bashkoheshin të gjitha forcat  brenda vendit për të përmirësuar hap pas hapi kushtet ekonomike dhe sociale të tij.  Dhe kjo përpjekje do të jetë e suksesshme – e për këtë nuk mund të ketë pikë dyshimi – vetëm nëse të gjithë do të tërheqin të njëjtën anë të litarit. Atëherë anëtarësimi formal në BE do të jetë vetëm një rezultat, në vetvete shumë më pak i rëndësishëm se sa përafrimi i vazhdueshëm i Shqipërisë me standardet minimale dhe kushtet e jetesës së Bashkimit Evropian. Sepse i rëndësishëm është zbatimi i reformave  dhe krijimi i shpresave të reja, por reale te njerëzit gjatë tërë procesit. Këto janë objektivat e vërteta, që do të ngjallnin entuziazmin e qytetarëve, pasi vetëm kështu jeta e tyre do të ndryshonte pozitivisht.

SHPËRNDAJE