Për të ruajtur demokracinë dhe vlerat europiane në rajon, Bashkimi Europian duhet të pranojë Shqipërinë dhe të gjitha shtetet ish-jugosllave si anëtare të BE-së me të drejta të plota për arsye gjeopolitike – tani — përpara se të jetë tepër vonë.

Nga ANDI BALLA

Një dekadë më parë, në një konferencë në Tiranë ku diskutohej zgjerimi i Bashkimit Europian në Ballkan, dy diplomatë, një gjerman dhe një kroat, u pyetën mbi irritimin që shumë shqiptarë ndjenin mbi progresin me hapa breshke që vendi po bënte drejt anëtarësimit në BE. Këto ishin ditët entuziaste të zgjerimit të BE, dhe të paduruarve dhe optimistëve i dukej se brenda një dekade Shqipëria dhe gjithë fqinjët e saj do të bëheshin anëtare me të drejta të plota në BE.

Përgjigja gjermane ishte e shkurtër: Jo, do të duhet shumë më shumë kohë pasi rajoni është tepër mbrapa themeleve të BE nga të gjitha aspektet. Kroati, një diplomat i thekur nga periudha jugosllave, ishte më optimist: Mos u dëshpëroni, tha ai, mund të ndodhë më herët, por vetëm nëse kushtet janë të përshtatshme.

Kushtet e duhura, që BE të ecë përpara dhe të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor menjëherë si vende anëtare nuk kanë qenë më të dukshme se tani. Këtu sigurisht nuk bëhet fjalë për përmbushjen e standardeve gjithnjë e më të rrepta burokratët e BE-së po imponojnë për të adresuar një mori prirjesh negative në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë javë, ashtu si çdo dhjetor, qeveritë e rajonit morën një përgjigje zyrtare nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Është e njëjta përgjigje që kanë dëgjuar për vite me radhë: Keni bërë ca progres, përpiquni më shumë, keni vite të shumta bisedimesh përpara, por ne dëshirojnë që ju të na bashkoheni – në një moment të caktuar. Me fjalë të tjera: Prisni, pafundësisht.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati sipas standardeve të Gjermanisë dhe Francës. Ato mund të mos jenë për dekada. Por Spanja nuk ishte gati kur u bë anëtare e BE-së. As Greqia. Rumania dhe Bullgaria ishin pak a shumë në të njëjtin pozicion si Ballkani Perëndimore kur u pranuan. Ato vende u pranuan për të njëjtën arsye që Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të pranohet sa më shpejt: gjeopolitika.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, shtete kyçe që kanë investuar për qëndrueshmërinë dhe ringjalljen demokratike të Ballkanit Perëndimor për më shumë se dy dekada, janë në procesin e tërheqjen së fokusit të tyre prej rajonit. Vota për Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump nuk do të thonë një tërheqjen brenda natës e vëmendjes nga rajoni, por gjasat janë që këto dy shtete nuk do të luajnë një rol aq të madh në rajon si në të shkuarën.

Vakumi që ato lënë pas është masiv dhe nëse nuk mbushet nga anëtarësimi në BE, ashtu siç vakumi i sigurisë u mbush me anëtarësimin në NATO në rastin e Shqipërisë dhe së shpejti të Malit të Zi, vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e gjahut në sferën gjeopolitike. Aktorët jashtë rajonit janë gati të mbushin vakumin për qëllimet e tyre dhe ata që do të humbasin më shumë do të jenë banorët e Ballkanit Perëndimor, ata që sot besojnë në fuqinë e vlerave dhe demokracisë europiane dhe që nesër mund të detyrohen të mendojnë ndryshe.

Për të shpëtuar demokracinë dhe vlerat europiane në rajon, Bashkimi Europian duhet të pranojë Shqipërinë dhe të gjitha shtetet ish-jugosllave si anëtare të BE-së me të drejta të plota për arsye gjeopolitike – tani — përpara se të jetë tepër vonë.

Anëtarësimi në BE nuk do të zgjidhë problemet brenda natës. Por, do t’i sjellë këto vende në gjirin e BE-së, duke siguruar një identitet të qartë europian që ato aq shumë e kërkojnë. Gjithashtu do t’i japë një shtytje ekonomike rajonit nëpërmjet lëvizjet së lire së njerëzve dhe kapitalit. Mjafton të shihet rritja e PBB për Rumaninë dhe Bullgarinë në dekadën e kaluar për të kuptuar përfitimet ekonomike të menjëhershme të anëtarësimit.

Por, më shumë se përfitimet ekonomike, kjo bëhet për të legjitimuar politikisht një fakt gjeografik: Ballkani Perëndimor është tashmë i rrethuar nga Bashkimi Europian dhe blloku ka nevojë për rajonin të jetë i shëndetshëm në mënyrë që të evitohen kriza të mëtejshme.

Shumë argumentojnë se vetë e ardhmja e Bashkimit Europian nuk është më e sigurt, dhe si e tillë çështja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimore lihet në heshtje. Ekziston një debat për se si Bashkimi Europian do të jetë në të ardhmen, dhe ata që mbështesin anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Evropën Qendrore, dëshirojnë të shikojnë një Bashkim Europian që ngadalëson shpejtësinë e shndërrimit në një union federal dhe shton shpejtësinë e zgjerimit sipas modelit të tanishëm të një unioni me shtete të pavarura. Për Ballkanin Perëndimor, mundësia e dytë është me përfitim, sepse i lejon një anëtarësim të menjëhershëm dhe siguron një identitet të qartë europian, edhe pse nuk mundet t’i sigurojë mirëqenie si në Evropën Perëndimore.

Është turp që në vitin 2017, kufiri i vjetër perëndimor i Perandorisë Osmane, nën sundimin e së cilës popujt e Ballkanit Perëndimor jetuan për shekuj, vazhdon të mbijetojë në hartë duke e rrethuar Ballkanin Perëndimor nga Bashkimi Europian por duke e lënë jashtë tij. Gjashtë vendet që tashmë përbëjnë rajonin gjithashtu kanë vuajtur nën një regjim tjetër për dekada – komunizmin, të frymëzuar prej Bashkimit Sovjetik. Anëtarësimi në Bashkimin Europian për popujt e rajonit ka të bëje edhe me korrigjimin e padrejtësive historike që u përpoqën të shkatërronin identitetin e tyre europian. Për këtë arsye Ballkani Perëndimor nuk ka mbështetës më të mëdhenj se sa vendet e Evropës Qendrore si Polonia dhe Hungaria të cilat vetë e dine se ç’është të ketë fuqi të huaja që përpiqen të të ndryshojnë identitetin.

Por, si i bëhet për korrupsionin, varfërinë dhe qeverisjen e keqe? Po, ato janë të gjitha të vërteta. Por rruga e tanishme që Brukseli ka krijuar për rajonin – ajo e shtyrjes së pafundme të anëtarësimit deri sa kushtet ideale jane përmbushur — është e pasinqertë qoftë për rajonin dhe qoftë për ata në Evropën Perëndimore të cilët e kundërshtojnë zgjerimin e BE-së si koncept. Brukseli po i thotë njërës pale që do të jenë anëtarë në një moment të caktuar në të ardhmen nëse vazhdon punën e mirë, ndërkohë që palës tjetër i thotë se nuk do të ketë zgjerim në të ardhmen e afërt, kështu që nuk ka pse të shqetësohen.

Mbështetësve të vërtetë të anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor duhet t’i thuhet e vërteta e hidhur: Nëse nuk veprojnë masivisht tani për të lobuar pranimin e menjëhershëm, shtetet e Ballkani Perëndimor po i drejtohen rrugës së Turqisë – kurrë mjaftueshmërisht mirë për të qenë antarë të BE-së. Në dallim nga Turqia, shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë kthyer akoma shpinën projektit të BE-së, por me ndikimin e keq-duhur të jashtëm dhe rritjen e frustrimit të brendshëm me rritmin e integrimit, ata që deri tani kanë qenë mbështetës të integrimit mund të kërkojnë zgjidhje të ndryshme në të ardhmen.

Të lënë në punët e tyre, klasat oligarke dhe politike të cilat janë plotësisht në pushtet në gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilët në shumë raste përfitojnë nga mungesa e zbatimit të ligjit dhe identitetit të plotë europian, vetëm do të sillen sikur dëshirojnë hyrjen në Bashkimin Europian ndërkohë që përfitojnë nga shtyrjet pafund të integrimit në kurriz të demokracisë dhe mirëqenies së popujve të rajonit.

Siç treguan dhe zgjedhjet e fundit në Maqedoni, një qeveri e provuar e korruptuar e Ballkanit Perëndimor dhe që punon kundër interesave më të mira të popullit të vet mund të fitojë zgjedhjet nëpërmjet një kombinimi të përkrahjes politike, blerjes së votave dhe ofertave për punë të rehatshme në administratë. Maqedonia nuk është vetëm. Kjo dhe trende të tjera po ndodhin në rajon. Krimi i organizuar në Shqipëri është rikthyer frikshëm ndërkohë që perspektiva europiane e vendit ngec në vend. Në Serbi, trupat ruse kanë kryer stërvitje ushtarake në kufi me Kosovën. Tensionet etnike në Bosnje dhe Hercegovinë po rriten. Rritja ekonomike ka qenë pothuajse jo-ekzistente në rajon për vite me radhë, në një kohë kur ekonomia duhet të rritet me ritme që t’i mundësojë atyre afrimin drejt standardit të BE-së. Rajoni qartazi po ecën prapa, jo përpara.

Nëse BE nuk ndërhyn për të mbushur zbrazëtinë, rajoni do të ecë drejt errësirës. BE-së tashmë i ka humbur kërbaҫi për reformat. Popujt e rajonit duhet të marrin kulaҫin përfundimtar — antarësimin e plotë në BE.

SHPËRNDAJE