GABRIEL PARTOS
Njëzetë e gjashtë vite kanë kaluar që prej ditëve trallisëse të dhjetorit të 1990-s kur protestat studentore mbi kushtet e jetesës u kthyen në një revolucion politik kaotik, por që ishte në vija të përgjithshme, një revolucion paqësor. Për pak muaj, revolucioni e transformoi Shqipërinë nga një shtet totalitar komunist në një demokratik në zhvillim e sipër, teksa zgjedhjet multipartiake të 1991 dhe 1992-it nisën të pasqyrojnë vullnetin politik të shumicës së popullsisë. Së shpejti do të kishte pengesa në rrugën e demokratizimit – këto të ilustruara më së miri nga kriza politike e viteve 1996-97-s kur shqetësimi i rrëshkitjes drejt një forme qeverisjeje më autoritare i shtoi një qasje politike zemëratës publike mbi rënien e skemave mashtruese piramidale. Revolta anti-qeveritare në fillim të 1997-s mund ta kishte çuar vendin drejt një lufte civile por kjo u shmang falë marrëveshjes së kompromisit, të ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila i parapriu mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në qershor/korrik 1997, dhe si rrjedhojë procesi i ndërtimit të demokracisë rifilloi.
Megjithatë, siç dëshmojnë raporte dhe studime të ndryshme, demokracia në Shqipëri vazhdon të ketë një sërë të metash. Ka disa mënyra për të vlerësuar sukseset apo dështimet e demokratizimit. Ndërmjet vlerësimeve zyrtare të përgatitura nga organizma ndërkombëtarë ose shumëpalësh, raportet vjetore të Komisionit Europian sigurojnë një vlerësim sistematik mbi zhvillimin e institucioneve dhe praktikave demokratike në Shqipëri në përputhje me kriteret e Kopenhagenit, të vendosura në 1993-in, për shtetet që kërkojnë t’i bashkohen Bashkimit Europian. Raporti më i fundit i publikuar në nëntor 2015 jep një vlerësim të matur, duke cilësuar që “progres i qëndrueshëm” po bëhet në shumë aspekte të lidhura me konsolidimin e qeverisjes demokratike[1]. OSBE, nëpërmjet Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) siguron raporte të detajuara mbi zhvillimin e zgjedhjeve. Ka gjithashtu edhe disa organizata jo-qeveritare (OJQ) siç është Freedom House dhe Fondacioni Bertelsmann që përpilojnë vlerësime sistematike dhe të vlefshme mbi fatin e demokracisë nëpër botë, përfshi dhe atë në Shqipëri.
Njësia e Inteligjencës së Ekonomistit (EIU) – kompania për të cilën punon autori i këtij artikulli – publikon në mënyrë vjetore një indeks të demokracisë që rendit 167 shtetet sipas respektimit dhe aplikimit të parimeve të demokracisë që ato kanë. Në këtë shkrim unë do t’i përmbahem klasifikimit të përdorur nga indeksi i demokracisë, që është i bazuar në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi politik; funksionimi i qeverisë; pjesëmarrja politike; kultura politike; dhe liritë civile. Ky klasifikim ka avantazhin e të përftuarit një vlerësim gjithëpërfshirës të gjendjes së demokracisë në zhvillim, që shkon përtej shtrirjes së formave të tjera të vlerësimit që shpesh janë të kufizuara në vlerësimet e një fushe më të ngushtë kriteresh, kryesisht në zgjedhjet ose në të drejtat e njeriut.
Sidoqoftë, përpara se të trajtohet kjo çështje, ia vlen të përmendet që ka dhe një tjetër metodë për të njehësuar suksesin e konsolidimit të demokracisë në Shqipëri: duke e parë atë nëpërmjet syve të qytetarëve shqiptarë. Maturia e rrënjosur thellë e shqiptarëve, deri dhe mosbesimi ndaj institucioneve të tyre demokratike është ndofta i ilustuar më së miri nga fakti se institucioni më i besuar për ta – sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim – nuk është as një institucion shqiptar, dhe as një demokratik: është NATO, të cilit i besojnë 71% e pjesëmarrësve në atë sondazh. Në fakt, asnjë prej organizmave politikë shqiptarë nuk figuron në pesë institucionet më të besuara të identifikuara nga sondazhi, në të cilin NATO ndiqet në rend zbritës për nga niveli i besimit nga BE, forcat e armatosura të Shqipërisë, institucionet fetare dhe media. Institucioni politik i parë më pozitivisht është qeveria, në të cilën shprehën besim 37% e atyre që iu përgjigjën pyetjeve të sondazhit. Nivelet e besimit tek parlamenti (29%) dhe tek presidenti (25%) janë edhe më të ulëta, ndërkohë që vlerësimet më negative i rezervohen partive politike dhe sistemit gjyqësor, në të cilat më pak se një e pesta e të anketuarve mund t’u besonin[2].
Për t’u kthyer tek indeksi më i fundit i demokracisë i EIU[3], pesë kategoritë që ai përdor për vlerësimin e gjendjes së demokracisë në secilin vend japin një sërë të dhënash se përse disa aspekte figurojnë më problematike se të tjerat dhe se cilët faktorë frenojnë progresin e Shqipërisë. Gjithashtu, do të pasqyroj shkurtimisht sesi Shqipëria krahasohet me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor. Në indeksin e demokracisë Shqipëria është në vendin e 81-të, pothuajse në gjysmën e dytë të listimit global, pas Serbisë (e 58-a), Maqedonisë (e 78-a) dhe Malit të Zi (i 79-i), por shumë përpara Bosnje-Hercegovinës (e 104-a). Duke mbajtur parasysh progresin që Shqipëria ka bërë në 12 muajt pas sondazhit të 2014-s (ku ajo renditej në vendin e 88-të) dhe në prapakthimin e ndjeshëm të Maqedonisë (ra nga pozicioni i 72-të në 2014-n), indeksi i fundit i demokracisë dëshmon së Shqipëria pothuajse e ka mbyllur plotësisht hendekun e gjerë më fqinjët e saj.
Shqipëria shënon relativisht mirë (7 prej 10 pikëve maksimale) në kategorinë e procesit zgjedhor dhe pluralizmit, gjë kjo që mund të tingëllojë disi surprizuese, meqënëse zgjedhjet mbeten të diskutueshme dhe rezultatet e tyre vihen në dyshim nga pala humbëse pothuajse gjithmonë. Një arsye për dyshimet që hedhin hije mbi zgjedhjet është se përvoja fillestare e Shqipërisë me votimet multipartiake në 1990-n ishte negative: rrethanat e votimeve të 1991, 1996 dhe 1997-s ishin gjithashtu veçanërisht të diskutueshme.
Që prej vitit 2001 ka patur progres të konsiderueshëm, hera-herës të pabarabartë, siç dokumentohet dhe nga raportet e njëpasnjëshme të ODIHR. Manipulimet e shumëpërfolura të votave, kanosja dhe dominimi i mediave nga pala fituese që karakterizuan zgjedhjet e 1990, janë gjëra që i përkasin së shkuarës. Fillimisht këto të meta të rënda i hapën udhën problemeve më teknike, përfshi këtu regjistrimin e votuesve, përditesimin e listave elektorale dhe seriozitetin e dokumentave të identifikimit të votuesve. Këto vështirësi teknike shpeshherë shfrytëzoheshin nga pala fituese, si në nivel kombëtar, ashtu dhe në atë lokal, në dobi të tyre. Në vitet e fundit është bërë një përmirësim i ndjeshëm në administrimin teknik të procesit zgjedhor, duke nisur që prej zgjedhjeve të 2009-s, ku listat e votuesve ishin të bazuara për të parën herë në të dhënat e kompjuterizuara të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Pajisja e qytetarëve me letërnjoftime të reja, më të sigurta dhe pasaporta biometrike kontribuoi gjithashtu në uljen e mundësive për votim të shumëfishtë[4].
Si pasojë e progresit të bërë në administrimin teknik të zgjedhjeve, shqetësimet janë përqëndruar më shumë në zënkat politike, që lidhen për shembull me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kohën e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013. Diskutime të kësaj natyre kanë helmuar atmosferën politike, duke zbehur besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve. Vlerësimi i përgjithshëm i ODIHR i zgjedhjeve të 2013-s ishte i mirë-balancuar midis aspekteve pozitive dhe atyre negative. Raporti cilësoi se zgjedhjet ishin konkurruese, me pjesëmarrje aktive qytetarësh përgjatë fushatës dhe me respektim të përpiktë të lirive themelore. Megjithatë, mosbesimi ndërmjet dy partive kryesore politike ka njollosur mjedisin zgjedhor dhe pengoi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor.
Përveç politizimit të vazhdueshëm të procesit zgjedhor, ka edhe shqetësime mbi profesionalizmin e autoriteteve zgjedhore. Vlen të përmendet se përpos progresit të konsiderueshëm të arritur në mbajtjen e zgjedhjeve që nga fundi i viteve ’90, në ato raste kur rezultatet e votave përafrojnë shumë dhe ka shumë gjëra në lojë, siç ishte rasti i zgjedhjeve bashkiake të Tiranës në 2011-n, priren të shfaqen disa forma manipulimi zgjedhor, dhe këto u pikasën prej zyrtarëve të BE[5]. Megjithatë, në vija të përgjithshme zhvillimi ka qenë në drejtim të mbarë. Zgjedhjet parlamentare të 2013-s u shoqëruan nga më pak ankesa të pavaruara nga ç’kishin parashikuar sondazhet e mëparshme, dhe përmirësimi u mbajt edhe gjatë zgjedhjeve të autoriteve lokale në 2015-n.
Duke qenë se rezultati i zgjedhjeve pasqyron gjerësisht vullnetin e elektoratit, mangësitë e mbetura që lidhen me procesin zgjedhor nuk ka shumë gjasa të jenë shkaktarë nxitës të pakënaqësisë së shqiptarëve me institucionet demokratike të vendit të tyre. Cilidoqoftë rasti, zgjedhjet në mbarë vendin mbahen vetëm një herë në dy vjetë (me zgjedhjet e autoriteteve lokale të mbajtura në gjysëm të mandatit katër vjeçar të parlamentit), ndërkohë që ka aspekte të tjera të jetës publike që kanë një impakt të vazhdueshëm, të përditshëm në jetët e qytetarëve. Më i rëndësishmi prej të cilëve është funksionimi i qeverisë në kuptimin e gjerë të saj, përfshirë këtu ekzekutivin, administratën shtetërore, legjislaturën dhe gjyqësorin. Në këtë kategori shënohen pikët më të ulëta në indeksin e demokracisë (4.36 nga 10) dhe rezultati i ulët nuk është i papritur, duke qenë se paaftësia, pazotësia dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht në administratën publike kanë ngulur rrënjë, gjë kjo që shkakton një zhgënjim të thellë tek qytetarët.
Mund të argumentojmë se mbarëvajtja e qeverisë nuk është domosdoshëmrisht një komponent thelbësor i demokracisë. E thënë ndryshe, ekzistojnë shembuj në histori të administratave që funksiononin relativisht mirë edhe në shtete autoritare. Megjithatë disa prej atributeve më të rëndësishme të demokracisë, siç është liria e shprehjes, si në median tradicionale, edhe në rrjetet e reja sociale që janë të ndaluara në shtetet autoritare, kryejnë rolin e kanaleve publike të kritikimit të të metave të qeverisë. Për këtë arsye, demokracitë janë institucionalisht në një pozicion më të volitshëm për të përmirësuar mënyrën sesi administratat e shteteve të tyre funksionojnë, sepse ato mund t’i përdorin kritikat dhe mospërputhjet e ideve në dobi të tyre. Anasjelltas, një nivel i ulët i kapaciteteve institucionale në qeveri ose në gjyqësor zbeh besimin e publikut tek demokracia. Ky është një fenomen që mund të vëzhgohet në Shqipëri si dhe në vende të tjera të rajonit që kanë probleme të ngjashme.
Standardi përgjithësisht i dobët i administratës publike ishte një prej arsyeve pse Shqipërisë iu deshën më shumë se 5 vite për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, pas aplikimit të saj për t’u anëtarësuar në BE në prill 2009. Vendimi i BE për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në qershor 2014 ishte në vetvete njohje e hapave të parë të ndërmarrë nga qeveria e tanishme për të vënë në vijë dhe për të modernizuar administratën[6]. Skemat profesionale të trajnimit kanë ndihmuar në përmirësimin e nivelit të kompetencës në administratën shtetërore dhe zyrtarët e kualifikuar në shërbimin civil janë të shumtë. Megjithëkëtë, prirja për të zëvendësuar një sërë zyrtatësh të lartë sa herë që partia që ka qenë në opozitë fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë e re ndërpret funksionimin efikas të administratës. Progres është bërë gjithashtu në zgjerimin e llogaridhënies së qeverisë ndaj publikut. Rritja e përdorimit të platformave të mediave sociale ka kontribuuar në të paturit e një transparence më të madhe dhe ka ndihmuar në shpalosjen e punës së qeverisë përpara syve të publikut. Pak a shumë, tashmë Facebook dhe Tëitter përdoren nga politikanët për qëllime marrëdhëniesh me publikun ose thjesht për qëllime propagandistike.
Padiskutim pengesa më e madhe e qeverisjes demokratike është korrupsioni. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International (CPI) për 2015-n e pozicionon Shqipërinë të 88-ën (nga 168 shtete), poshtë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës (e cila është në vendin e 103-të) [7]. Shqipëria është ngjitur në renditje që nga CPI e 2014-s ku ajo renditej e 110-a, edhe pse një pjesë e përmirësimit është si pasojë e heqjes nga lista e mëparshme e 7 vendeve – të gjitha këto kishin rezultate më të mira se Shqipëria[8]. Përgjatë çerek-shekullit të shkuar, politikanët kanë qenë të vetëdijshëm për irritimin e thellë të publikut për shkallën e korrupsionit dhe shpeshherë kanë premtuar se do të veprojnë. Në 2005-n për shembull, Partia Demokratike (PD) u rikthye në pushtet, me liderin e saj, Sali Berisha i cili u zotua se do ta bënte luftën ndaj korrupsionit prioritetin e tij të parë. Premtime të ngjashme kanë bërë dhe politikanë, përfaqësues të të gjitha partive të cilat në një pikë kanë qenë në pushtet, pra, në një pozicion nga ku mund të vepronin. Por pavarësisht këtyre zotimeve, progresi ka qenë i kufizuar dhe shumë pak raste të profileve të larta kanë përfunduar në gjykatë, për të mos folur për denimet e të akuzuarve për përfshirje në praktika korruptive.
Arsyeja e mungesës së progresit këto vitet e fundit dhe shkaku i mungesës së dënimeve të figurave të rëndësishme të akuzuar për ryshfet, mund të jenë pjesërisht të shpjeguara nga fakti se gjyqet e para të korrupsionit nga mesi i viteve ’90 – ku më i spikaturi ishte ai i Fatos Nanos, ish-kryetar i Partisë Socialiste – u perceptuan si politikisht të motivuara. Që prej asaj kohe, influenca politike mbi gjyqësorin është pakësuar ndjeshëm, por kurrsesi nuk mund të themi se është zhdukur plotësisht. Më gjerësisht, disa nisma të kohëve të fundit dëshmojnë se autoritetet po përgatiten për ta ndaluar me vendosmëri korrupsionin. Në këtë kuadër, raporti i fundit vjetor i Komisionit Europian nënvizon rëndësinë e miratimit të një strategjie anti-korrupsion (2015-20) dhe një plan-veprimi të lidhur me të (2015-17) [9]. Me shumë gjasa, trysnia nga BE mund të rezultojë si nxitësi më i fuqishëm për të trajtuar korrupsionin, meqënëse progresi në këtë fushë është një prej kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë përpara se të hapë negociatat e anëtarësimit me BE.
Pjesëmarrja politike shënon gjithashtu një rezultat të ulët (5.56 nga 10), duke reflektuar kështu pakënaqësinë e seksioneve të mëdha shoqërore ndaj zhvillimeve negative të sipërpërmendura, siç është progresi i ngadaltë në konsolidimin e demokracisë, standardet e ulëta të qeverisjes, përhapja e korrupsionit dhe qëndrimi vetë-shërbyes i një pjese të elitës politike ndaj tij. Këtyre faktorëve u shtohet ngadalësimi i rritjes ekonomike që nga rënia globale e 2008-2009-s që ka dobësuar vetëbesimin e publikut në aftësinë e qeverive për të rritur nivelin e mirëqënies. NIveli i ulët i besimit në institucionet politike, siç indikohej edhe nga sondazhi[10] i sipërpërmendur i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim shfaq një mungesë dëshire për të marrë pjesë në politikë.
Shumë qytetarë të thjeshtë, jo më kot besojnë se kanë fare pak liri veprimi për të influencuar tek politika, veçanërisht kur kjo e fundit krahasohet me fuqinë informale ose indirekte të ushtruar nga ekzekutivë të famshëm biznesi dhe manjat mediash, të lidhur ngushtë me politikanët. Në një sondazh të bërë në Europën Juglindore për Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit, vetëm 3% e shqiptarëve të anketuar thanë se kishin qenë të përfshirë në procesin e konsultimit të drejtuar nga qeveria gjatë përgatitjes së legjislacionit, qoftë në formën e pjesëmarrjes në debate publike, ose duke kontribuuar me komente në internet. Siç raportohet nga shqiptarët e anketuar, shkalla e pjesëmarrjes është më e ulëta në rajon pas Serbisë (ku ishte 2%)[11].
Pavarësisht zhgënjimit që pasqyrohet nga shumë sondazhe, një prej treguesve për interesimin në pjesëmarrjen politike, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje, ka treguar njëfarë përmirësimi dekadën e fundit. Nga 48.73% që ishte në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, pjesëmarrja e elektoratit është rritur deri në 50.77% në 2009-n dhe 53.31% në 2013-n. Sigurisht, këto shifra duken të ulëta, po t’i krahasojmë me pjesëmarrjen e 90% të popullsisë që u regjistruan në zgjedhjet e para multi-partiake të 1991 dhe 1992, por kjo gjë ishte e pritshme, duke qenë se ato zgjedhje i dhanë shijen e parë të demokracisë një publiku të etur për mundësi zgjedhjeje nën qeverisjen e një sistemi komunist një-partiak. Përmirësimi gjatë dekadës së fundit pasqyrohet gjithashtu dhe në shifrat e votuesve, në proporcion me popullsinë në moshë për të votuar. Duke qenë se shumë prej atyre që janë të regjistruar për të votuar janë emigrantë që jetojnë jashtë Shqipërisë të cilët nuk kanë mundësi për të votuar lehtësisht, shifrat janë edhe më mbresëlënëse dhe janë gjithnjë në ngjitje: që nga 2005-a kur pjesëmarrja e popullsisë në moshë për të votuar ishte 58.96%, deri në 69.11% në 2009-n dhe 76.68% në 2013-n[12].
Në kuadrin e zhgënjimit prej institucioneve demokratike, nuk është e qartë përse pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë në rritje 10 vitet e fundit. Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje mund të ketë shkaktarë një numër faktorësh, siç është përmirësimi modest i mënyrës së zhvillimit të procesit zgjedhor që i nxit njerëzit të votojnë, qasja më e sofistikuar e partive politike për të vënë në lëvizje mbështetësit e tyre, si dhe mënyra më të mira transporti, sidomos për punëtorët emigrant. Ka dhe një rritje të ndjeshme, megjithëse të ulët, të përfaqësimit të grave në parlament që është trefishuar në proporcion me numrin e deputetëve, nga 7.1% në 2005-n (kur ishin 10 gra në parlament) në 20.7% pas zgjedhjeve të 2013-s (29 gra anëtare të parlamentit)[13]. Megjithatë, kjo shifër mbetet relativisht e ulët dhe mbetet ende pas shifrave të përfaqësimit të grave në legjislaturat e Serbisë dhe Maqedonisë.
Përfshirja politike në termat e anëtarësimit nëpër parti dhe grupe nxitëse si dhe pjesëmarrja nëpër eventet politike mbetet relativisht e kufizuar, edhe pse si në shumë shtete të tjera, mediat sociale i kanë hapur udhën një mënyre relativisht të pamundimshme për t’u përfshirë në jetën politike. Ka patur dhe një numër të lartë rastesh në vitet e fundit që dëshmojnë një rritje interesi në përfshirjen politike, i nxitur nga protestat apo kritikat publike që kanë shërbyer për të ndalur qeverinë të merrte masa të pakërkuara. Planet për të futur në depo dhe për të çmontuar armët kimike të Sirisë në tokën shqiptare u ndalën përballë protestave të ambjentalistëve[14]. Së fundmi, në gusht 2015, u braktisën përpjekjet për të ngritur taksat e atyre me të ardhura më të vogla, që u ndoqën nga një kundërshtim i fortë i publikut[15]. Në nëntor 2015, përpjekjet për të kriminalizuar shpifjen me ligj u braktisën kur u përballën me kundërshtimet e forta të medias dhe institucioneve ndëkrombëtare, përfshi këtu përfaqësuesen e Lirisë së Mediave të OSBE, Dunja Miljatović[16].
Qeveria jo vetëm që ka filluar t’i kushtojë më shumë vëmendje publikut (ose të paktën, sektoreve më me ndikim të publikut), por ka ndërmarrë gjithashtu dhe masa pro-aktive për të nxitur pjesëmarrjen në politikë. Votimet parlamentare në nëntor 2015 për të themeluar Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile (KKSHC) shënojnë një moment historik në këtë process, duke siguruar kështu një kuadër institucional për konsultime ndërmjet qeverisë dhe grupimeve joqeveritare[17]. Ashtu si dhe me shumë nisma të tjera që synojnë ta bëjnë vendimmarrjen një proces më transparent, polemikat do ta shoqëronin dhe këtë këshill të ri, të ngritur pa konsensus parlamentar dhe mes shqetësimeve që autoritetet do ta dominon dhe organizmin e ri[18]. Megjithatë, ky shërben si një pikënisje e vlefshme për rimodelimin e marrëdhënieve mbi një bazë më të barabartë midis zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve të një sërë organizatash joqeveritare – dy elemente këto, thelbësore të një shoqërie demokratike.
KKSHC ka gjithashtu dhe mundësinë për të kontribuuar në përmirësimin e nivelit të kulturës politike që momentalisht vlerësohet me 5 nga 10 pikët maksimale. Edhe pse rezultati është i ulët, është i mjaftueshëm për ta vendosur Shqipërinë në vend të parë së bashku me Serbinë në këtë kategori dhe përpara vendeve të tjera të rajonit, kandidate për në BE. Rezultati i ulët në kulturën politike demokratike pasqyron qëndrimet dhe sjelljet si të publikut, ashtu edhe të elitës politike. Rezultati i sondazhit të cituar më sipër mbi nivelin e besueshmërisë ndaj institucioneve tregonte se pas NATO dhe BE, institucioni më i besuar në Shqipëri ishte ushtria[19], pra, një organizatë jodemokratike, edhe pse në shoqëritë demokratike është nën kontrollin e qeverisë. Dëshmitë tregojnë një preferencë të publikut për liderët e fortë politikë, edhe pse ngandonjëherë këta të fundit mund t’i tejkalojnë kufijtë demokratikë.
Tek klasa politike, përdorimi i një stili dhe retorike të ashpër – me gjuhë që përdoret për t’i portretizuar kundërshtarët si armiq, më shumë sesa si kundërshtarë politikë – pasqyron një prej problemeve në konsolidimin e një niveli kulture politike më të lartë. Po kështu, praktika sistematike e largimit në formë proteste nga parlamenti dëmton atë që supozohet të jetë fortesa e demokracisë dhe zhvlerëson rëndësinë e atij që supozohet të jetë institucioni suprem i demokracisë në sytë e publikut. Në shtetet në të cilat vlerësimi i kulturës politike është më i lartë, bojkotet parlamentare përdoren vetëm nëse janë mjeti i fundit, pasi ato lënë të papërfaqësuara sektore të mëdha të elektoratit. Ndërkohë që në Shqipëri pothuajse çdo mandat zgjedhor ka njohur bojkote të gjata të opozitës, më i fundit ka zgjatur për pesë muaj në gjysmën e dytë të 2014-s nga PD, dhe më parë për një periudhë kohore edhe më të gjatë nga PS, përpara zgjedhjeve të 2009-s.
Niveli i kulturës politike pritet të përmirësohet dukshëm, i ndjekur dhe nga zbatimi i amendamenteve kushtetuese të dhjetorit 2015 për t’i përjashtuar personat me rekorde kriminale nga zyrat publike, përfshi këtu parlamentin, qeverinë, administratën shtetërore dhe autoritetet lokale[20]. Me t’u implementuar, amendamentet kushtetuese do të ndihmojnë në reduktimin e ndikimit të elementeve kriminale në jetën politike dhe me shumë gjasa, do të rrisin dhe besueshmërinë e qytetarëve në institucionet demokratike. Besimi më i lartë në institucionet shtetërore mund t’i nxisë gjithashtu qytetarët për t’u bërë pjesë aktive e jetës politike, duke bërë kështu që përfshirja e tyre të mos jetë thjesht një hedhje vote në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
Nota më e lartë e Shqipërisë, 7.65 nga 10, u shënua në kategorinë e lirive civile (të drejtave të njeriut). Në renditjen rajonale Shqipëria kryeson në vend të parë së bashku me Maqedoninë. Nuk kam ndërmend ta diskutoj me hollësi performancën e Shqipërisë në fushën e lirive civile, pjesërisht ngaqë është një histori relativisht e suksesshme dhe si rrjedhojë aty ka më pak vend për kritika, dhe pjesërisht sepse një element i rëndësishëm i kësaj kategorie që është liria e medias, është analizuar me ekspertizën e lartë të Remzi Lanit në një prej shkrimeve të tjera të publikuara në këtë volum. Rezultati relativisht i lartë pasqyron faktin që fushat e asociuara tradicionalisht me liritë civile – liria e të shprehurit, liria e pronës private si dhe liritë kulturore, fetare dhe të minoriteteve janë në thelb të respektuara. Sidoqoftë, masat ligjore dhe institucionale për t’i mbrojtur këto të drejta, jo gjithmonë aplikohen në mënyrë efikase apo të menjëhershme.
Ka mjaft hapësirë për përmirësim në ato aspekte të të drejtave të njeriut ku shteti duhet të ndërhyjë në mënyrë më pro-aktive, madje ndonjëherë edhe me një kosto financiare më të lartë për të zvogëluar format shoqërore të dalura kohe. Këto përfshijnë diskriminimin dhe dhunën ndaj gruas, abuzimin ndaj fëmijëve dhe shfrytëzimin e tyre në punë, dhe integrimin në shoqëri të njerëzve me paaftësi fizike ose mendore. Siç nënvizohet dhe në raportet vjetore të Komisionit Europian, mospërfshirja shoqërore e komunitetit rom mbetet një problem domethënës, pavarësisht vëmendjes në rritje që po i kushtohet përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës dhe të arsimimit[21].
Duke vlerësuar gjendjen e demokracisë në Shqipëri në bazë të kritereve të vendosura nga Indeksi i Demokracisë, analiza është fokusuar, ndoshta në mënyrë të paevitueshme, në disa nga pengesat e zhvillimit demokratik të vendit. Nga një qasje historike dhe duke krahasuar politikat pluraliste të së tashmes me diktaturën një-partiake të epokës komuniste, bie në sy progresi i madh që është bërë gjatë kësaj gjenerate. Për disa prej arritjeve nuk u desh shumë kohë: mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e të shprehurit dhe të grumbullimit, u siguruan brenda pak vitesh. Aspekteve të tjera të demokracisë do t’u duhet më shumë kohë për t’u ngulitur në jetën publike shqiptare. Këto përfshijnë evolucionin e një kulture politike tolerante dhe gjithëpërfshirëse dhe themelimin e një sistemi institucionesh funksionale dhe të respektueshme, përfshi këtu gjyqësorin dhe shërbimin civil. Megjithatë, shumë vende të tjera me traditë të vjetër demokratike vazhdojnë gjithashtu të përpiqen për të ngritur institucione që meritojnë besimin e publikut. Ndoshta do të ishte naive të prisnim që Shqipëria ta gjente zgjidhjen e duhur më shpejt se të tjerat.
Përktheu: Sara Kelmendi
___________________________________________________________________
[1] Komisioni Europian, Strategjia e zgjerimit e BE 2015. Online: http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2015/20151110_strategy_paper_en.pdf p.15
[2] Policy Association for an Open Society (PASOS) 2015. Online: http://pasos.org/13867/pasos-project-polling-military-institutions-most-trusted-groups-in-balkans/
[3] The Economist Intelligence Unit, Democracy Index 2015: Democracy in an age of anxiety, 2016. Online: https://www.eiu.com/public/topical_report.aspx?campaignid=DemocracyIndex2015
[4] Gabriel Partos, “Why are Albanian Elections so Controversial?” In Südosteuropa Mitteilungen, Vol.51, No.1 (2011), p.91.
[5] Balkan Insight website, 20 July 2011. Online: http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-disputed-poll-receives-failing-grade-from-the-eu
[6] European Commission, Report on Albania’s Progress in the Fight Against Corruption and Organised Crime and in the Judicial Reform, 2014. Online: http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2014/al_report_june_2014.pdf
[7] Transparency International Corruption Perceptions Index 2015. Online: http://www.transparency.org/cpi2015
[8] Transparency International Corruption Perceptions Index 2014. Online: http://www.transparency.org/cpi2014/results
[9] European Commission, EU Enlargement Strategy 2015, op.cit. p.4
[10] PASOS survey, op. cit.
[11] Balkan Barometer 2015, Regional Cooperation Council Secretariat. Online: http://www.rcc.int/seeds/files/RCC_BalkanBarometer2015_PublicOpinion_FIN_forWeb.pdf
[12] Institute for Democracy and Electoral Assistance (IDEA), Voter turnout data for Albania. Online: http://www.idea.int/vt/countryview.cfm?id=7
[13] Inter-Parliamentary Union (IPU) Women in national parliaments, December 2015. Online: http://www.ipu.org/wmn-e/arc/classif011215.htm
[14] The Guardian, 15 November 2013. Online: http://www.theguardian.com/world/2013/nov/15/albania-rejects-request-disposal-syrian-chemical-ëeapons
[15] Balkan Insight website, 10 August 2015. Online: http://www.balkaninsight.com/en/article/leaked-plan-to-raise-income-tax-cause-outrage-in-albania-08-10-2015
[16] OSCE website, 12 November 2015. Online: http://www.osce.org/fom/199446 and Albeu website, 12 November 2015. Online: http://english.albeu.com/news/news/government-withdraws-law-on-defamation/220034/
[17] Dritan Sulçebe, Preparing for Accession Negotiations: what role for civil society organizations in Albania? Albanian Institute for International Studies (AIIS) Policy Brief, 2015. Online: http://www.aiis-albania.org/sites/default/files/Policy%20Brief_AIIS.pdf
[18] Balkan Insight website, 9 November 2015. Online: http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-forms-national-council-for-civil-society-11-06-2015
[19] PASOS survey, op. cit.
[20] Balkan Insight website. Online: http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-adopts-decriminalization-of-politics-law-12-18-2015
[21] European Commission, EU Enlargement Strategy 2015. Op. cit, passim