Joschka Fischer
Duke iu adresuar për herë të fundit Parlamentit Europian më 1995, presidenti i atëhershëm francez, François Miterrand, shëndeti i dobët i së cilit ishte i dukshëm për të gjithë, zgjodhi këto fjalë të paharrueshme për të fshikulluar Europën: “Le nationalisme, c’est la guerre!”
Nacionalizmi dhe lufta ishin përvojat që i dhanë trajtat karrierës politike të Miterrand-it dhe ai nuk po i referohej vetëm të shkuarës së tmerrshme – gjysma e parë e shekullit të njëzetë, me dy luftërat botërore, diktaturat dhe Holokaustin. Ai e shihte nacionalizmin si kërcënimin më të madh për paqen, demokracinë dhe sigurinë e Europës në të ardhmen.
Pavarësisht se lufta nacionaliste po e ndante Jugosllavinë në atë kohë, pakkush prej atyre që e dëgjuan Miterrand-in në Strasburg atë ditë mund ta kishin imagjinuar se njëzetë e një vjet më vonë, nacionalizmi do të përjetonte një rizgjim në mbarë Europën. Por politikanët nacionalistë, synimi i të cilëve është të shkatërrojnë unitetin e Europës dhe integritetin paqësor, kanë fituar tashmë në zgjedhje të mëdha demokratike dhe referendume.
Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar në qershor për t’u larguar nga Bashkimi Europian shënjoi një klimaks të momentit për nacionalizmin në rigjallërim e sipër, por shenjat e rigjallërimit mund të duken edhe në Hungari, Poloni, dhe Francë, ku Marine Le Pen dhe Fronti Nacional i ekstremit të djathtë janë duke fituar pikë në periudhën përgatitore në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen vitin tjetër. Si mund të kemi mbërritur gjer këtu, duke pasur parasysh përvojën e Europës që e ka provuar mbi supet e saj fuqinë shkatërruese të nacionalizmit në shekullin e njëzetë, kur shkaktoi miliona vdekje dhe shkatërroi një kontinent të tërë?
Si fillim, kriza financiare e 2008-ës dhe recesioni global që e pasoi janë parë gjerësisht dhe në mënyrë të justifikuar, si dështime të mëdha të “institucioneve”. Ndjesia antielitare vijon të gërryejë solidaritetin ndër-Europian dhe besimin e ndërsjellë dhe BE ka ngecur në baltë në një periudhë të gjatë rritjeje të ngadalësuar dhe papunësie të lartë.
Në Perëndim, ka filluar të ndihen efektet e një ndjesie të përgjithshme dobësimi, kjo si pasojë e zhvendosjes së fuqisë dhe pasurisë globale drejt Azisë. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr gjeopolitikisht, ndërkohë që Rusia ka ringjallur ambiciet e saj për pushtet për të sfiduar hegjemoninë dhe vlerat perëndimore. Në mbarë botën, ndihet një pakënaqësi në rritje me globalizimin, digjitalizimin, dhe tregtinë e lirë, shoqëruar nga një zhvendosje e lehtë kah proteksionizmit. Europianët, në veçanti, duket se e kanë harruar që proteksionizmi dhe nacionalizmi janë pazgjidhshmërisht të ndërlidhura – nuk mund të kesh njërën, pa pasur tjetrën.
Së fundi, ka një frikë të përgjithshme ndaj të panjohurës, ndërsa shumë shtete përballen me çështje që lidhen me fluksin e të huajve – qofshin këta refugjatë ose emigrantë – dhe ndryshimet e brendshme që vijnë nga rritja ekonomike dhe rritja e fuqizimit politik të grave dhe minoriteteve. Këto zhvillime, që kanë përkuar me transformimet në një shkallë të gjerë dhe përçarjet në Europë që e kanë zanafillën në 1989, kanë nxitur frikën që themelimi i partive politike dhe institucioneve demokratike kanë dështuar për t’i zbutur.
Si gjithmonë, kur frika merr dhenë në Europë, njerëzit gjejnë shpëtim tek nacionalizmi, izolacionizmi, homogjeniteti etnik, dhe nostalgjia – “kohërat e bukura të shkuara”, atëherë kur kinse gjithçka në botë ishte në rregull. Pavarësisht se e shkuara e përgjakshme, kaotike, nuk ishte asgjëkund pranë të përsosurës. Udhëheqësit nacionalistë dhe mbështetësit e tyre sot janë duke jetuar në një realitet “post-empirik”, kur e vërteta dhe përvoja nuk kanë të paguar.
E gjithë kjo pasqyron një ndryshim të thellë në mënyrën sesi europianët e shohin veten. Pas dy Luftërave Botërore dhe përgjatë Luftës së Ftohtë, integrimi europian ishte i padiskutueshëm. Por kuptimi i përbashkët që uniteti mbart paqe, mbarësi dhe demokraci është dobësuar me kalimin e kohës nga krizat e vazhdueshme, dhe mund të zhduket tërësisht tani në rast se nuk mbështetet nga një mesazh progresiv.
Është absurde të mendohet se shtet-kombet historike të Europës janë një përgjigje e politikës së globalizuar, ekonomike dhe realiteteve teknologjike të shekullit të njëzetë-e-një. Nëse europianët e besojnë këtë gjë, atëherë ata duhet të jenë të gatshëm për të paguar çmimin për më pak integrim, në formën e prospekteve në rënie dhe varësive të reja. Vendimet më të rëndësishme globale të këtij shekulli nuk do të bëhen në mënyrë demokratike në Europë, por në mënyrë të njëanshme në Kinë ose gjetiu.
Gjuhët dhe kulturat e Europës kanë një histori të gjatë, Por, nuk duhet të harrojmë se shtet-kombet e saj janë një zhvillim i kohëve të fundit, veçanërisht ato jashtë Europës Perëndimore. Do të ishte një gabim i madh të mendohet se ato përfaqësojnë “fundin e historisë” së Europës. Përkundrazi, nëse modeli i shtet-kombit triumfon mbi integrimin, europianët do e paguajnë shtrenjtë gjatë këtij shekulli. Sesi do ia dalin mbanë vendet europiane në të ardhmen, është një pyetje së cilës mund t’i përgjigjemi vetëm kolektivisht, jo mbi bazat e një interesi të përcaktuar kombëtar, sikurse në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Për më tepër, me Rusinë, Turqinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën pranë, Europa jeton në një fqinjësi të vështirë dhe sfiduese. Ajo nuk mund të ketë luksin amerikan që e ka sigurinë të garantuar nga gjeografia. Siguria dhe mirëqenia e saj duhen mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme nga politika, e cila është domosdoshmërisht një përpjekje e përbashkët.
Pyetja kryesore për të ardhmen e Europës është sa pushtet i nevojitet BE në mënyrë që të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët e tij. Edhe kjo pyetje gjithashtu mund të adresohet vetëm kolektivisht. Ajo çka është tashmë e qartë është se europianëve nuk u duhet vetëm më shumë Europë, por një Europë ndryshe dhe më e fuqishme.