Marrëdhënia e qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore në Shqipëri me shoqërinë civile dhe në mënyrë të veçantë me organizatat joqeveritare (OJQ) në vendin tonë ka kaluar nëpërmjet disa etapash: së pari, në kaosin e viteve të para të tranzicionit kur kishte armiqësi të ndërsjellë midis këtyre të dyjave, indiferencë të madhe, deri në mospërfillje. Me kalimin e viteve marrëdhënia u përmirësua disi dhe u vendosën disa forma komunikimi, madje u kryen dhe konsultime sipërfaqësore. Gjatë këtyre viteve të fundit filluan të zbatohen forma më të sofistikuara të ndërveprimit: kooptimi i shoqërisë civile, korrupsioni i disa organizatave për t’i bërë ato ta mbyllin gojën, përdorja e ekspertizës për t’i justifikuar masat dhe për t’i shtuar legjitimitetin veprimeve të ndërmarra dhe denigrimi i të tjerëve për t’i bërë mendimet e tyre të pavlefshme. Megjithatë në 2 vitet e fundit duket sikur marrëdhënia ka arritur kulmin – kjo, e pasqyruar në versionin më interesant dhe post-strukturalist të mundshëm të marrëdhënies: imitimi dhe marrja përsipër e funksioneve dhe veprimtarive themelore nga njëra palë tek tjetra. Për të qenë më konkretë, qeveria dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë kanë gjetur një burim inspirimi në aktivitetet tipike të OJQ-ve dhe janë angazhuar për t’i imituar dhe replikuar ato deri në detaje.
Le të marrim si shembuj aktivitetet e javës së shkuar:
Parlamenti, më saktë, ajo pjesë e parlamentit që trajton integrimin europian, organizoi një shkollë verore për BE; Qendra e Ekselencës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme organizoi bisedime mbi politikën e jashtme, parë nga perspektiva e rinisë dhe Qendra për Hapje dhe Dialog (merreni me mend që nga vetë emri!) në zyrën e Kryeministrisë mikpriti ish-kancelarin gjerman për të folur mbi të ardhmen e BE në mes të krizës së emigrantëve.
Cilëndo javë të merrni si shembull, do të shihni strukturat më të rëndësishme të kabinetit ekzekutiv teksa organizojnë një sërë gjërash që lidhen në mënyrë tipike me veprimtari të organizatave studimore jo qeveritare apo organizatave kulturore: që nga akademitë formuese deri në ekspozitat, nga prezantimi i studimeve politike deri në forumet e debatit. Ekzekutivi dhe legjislativi po synojnë dalëngadalë të bëhen qendra diskutimi, debatesh, madje duke sfiduar vetë politikat, prirjet dhe vendimet e tyre, sado demokratike dhe të hapura mund të lejohen të jenë debate të tilla. Ka pak më shumë vështirësi në diskutimet me mikpritësin në shtëpinë e tij!
Sigurisht, në thelb, nuk ka asgjë të gabuar me këto aktivitete dhe me faktin që institucionet shtetërore janë organizuesit e tyre. Por nga vijnë këto lloj aktivitetesh? Kush i organizonte më parë? A është origjinal ky model që ndiqet nga organizuesit aktualë apo ata i kanë grabitur këto aktivitete nga OJQ-të që i kanë zbatuar prej vitesh duke u përballur me vështirësitë e ngritjes së fondeve? Fundja, kjo është një pyetje retorike.
Po ta marrim situatën në një konsideratë qesharake, mund të pyesim: sa kohë të lirë kanë këta njerëz nëpër duar? A janë ata vërtetë superheronj që përmbushin të gjitha detyrimet shtetërore, që japin zgjidhje problemeve të përditshme të qytetarëve, miratojnë e zbatojnë reforma kushtetuese, kujdesen për ekonominë dhe prapë u del koha të shpikin gjithfarëlloj aktivitetesh interesante kulturore dhe sociale që duken sikur të jenë të kopjuara nga raporti vjetor i ndonjë OJQ?
Megjithatë nevojitet një vrojtim më serioz. Organizatat e shoqërisë civile dhe shoqatat kulturore që konkurrojnë në terrenin e vet, po mbyten prej këtyre nismave të qeverisë, duke qenë se donatorët janë dhe do të jenë për një kohë të gjatë të prirur për të mbështetur qeverinë dhe jo OJQ kur flitet për ide të ngjashme. Komuniteti i donatorëve duhet të marrë gjithashtu në konsideratë magjepsjen e tyre të papritur me gjithçka që lidhet me shtetin. Ndërkohë që është e vërtetë që kur shteti kujdeset për diçka, detaje si përmasa e audiencës, mbulimi mediatik dhe një fjalim nga ministri janë të garantuara, objektivi i të gjithë aktivitetit bëhet marrëdhënia me publikun dhe promovimi i programeve specifike të cilat jo gjithmonë përbëjnë interes për publikun.
Prirja e institucioneve shtetërore dhe ministrave të qeverisë për t’u bërë më të hapur, më komunikues dhe më përfshirës në debat është më se e mirëpritur. Megjithatë, kjo nuk duhet të nënkuptojë që tanimë ata bëjnë pjesë ndër radhët e OJQ dhe përpiqen të shënojnë pikë në media apo të duken mirë në sytë e të huajve. Ka një sërë mjetesh propagandistike që mund të përdoren pa qenë nevoja t’ia tërheqin tapetin poshtë këmbëve shoqërisë civile në Shqipëri.