Tensionet Shqipëri-Greqi, populizmi si strategji

1

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë tensionuar sërish. Episodet e fundit janë zënkat mbi zhvillimet në Himarë, ku disa shtëpi planifikohet të shemben për t’i hapur udhë planit të ri të zhvillimit urban – shtëpi këto, që u përkasin minoritetit grek në Shqipëri, Ministri grek i Punëve të Jashtme ka ngritur menjëherë çështjen e protestës së pronarëve ndërsa qeveria shqiptare e ka cilësuar këtë si një ndërhyrje të pabazë dhe dashakeqe. Ndërkohë, pa dyshim që çështja e shtëpive në Himarë duhet të zgjidhet brenda kufijve të shtetit ligjor të Shqipërisë dhe autoritetet vendore të Himarës janë vetë të afta për të ekzaminuar arsyet që fshihen pas kësaj marrëdhënieje kaq të tensionuar dhe të nderë mes Tiranës dhe Athinës. Sikur kjo marrëdhënie të kishte qenë ndryshe dhe më pozitive, nuk do të ishte e gabuar të hamendësonim se reagimet kundrejt shtëpive në Himarë do të kishin qenë më të përmbajtura.

Marrëdhënia ndërmjet dy shteteve vuan nën peshën e çështjeve të vjetra dhe nën premisat e reja të përllogaritjeve politike që bëhen nga të dyja anët e kufirit për audiencat përkatëse, zgjedhjet e ardhshme dhe që janë në vijat e retorikës së vjetër konfrontuese. Në Shqipëri ekziston prirja për ta mitizuar çështjen çame dhe çka e bën situatën edhe më problematike është etiketimi i saj si “çështja kombëtare”. Në valën e këtyre termave të rinj nacionalistë, i gjithë diskutimi vërvitet rreth përmendjes ose jo të çështjes çame nga zyrtarët, në vend që të përqendrohen në përmbajtjen e vetë çështjes. Diskutimi po nxitet qartazi nga një parti që po teston dhe po testohet për qëllime elektorale. Diskutimi i çështjes çame në 2016 me të njëjtën terminologji dhe pathos si në 1912 është së paku e palogjikshme. Ndër radhët e elitës politikane shqiptare, duket sikur ka një ide të gabuar mbi pozitën e Greqisë si një vend aq të dobësuar financiarisht sa që është e prirur t’i djallosë punët. Në skenarin më të mirë, kjo qasje është e paarsyeshme; shumëkush mund ta cilësonte madje dhe të rrezikshme. Nga ana tjetër, diplomacia zyrtare e qeverisë shqiptare gjithashtu nuk shfaq aftësitë e nevojshme për të ruajtur këtë marrëdhënie strategjike fqinjësie – veçanërisht kur marrim në konsideratë lëvizjet e tyre hakmarrëse të bëra shpeshherë në nxitim e sipër. Pastaj, qershia mbi tortë janë postimet në Facebook të zyrtarëve të lartë që hedhin një rrjetë populiste mbi audiencën e tyre me referenca historike të dyshimta!

Një sërë çështjesh madhore mbeten në tryezën e negociatave dhe kanë nevojë të adresohen me seriozitet, pa vonuar dhe pa mohime. Pikësëpari, Shqipërisë dhe Greqisë u nevojitet një marrëveshje përfundimtare për kufijtë detarë, një marrëveshje që të përkojë plotësisht me ligjin dhe normat ndërkombëtare. Parlamenti grek nuk e ratifikoi marrëveshjen e qeverisë Berisha pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, duke sinjalizuar një masë respekti për situatën dhe duke lënë kështu hapësirë reale për negociata. Narrativës së “tradhtarëve që shesin territore” i ka ardhur fundi dhe duhet lënë mënjanë.

Të gjitha telashet e vjetra që i mbishtohen debatit të sotëm, po kthehen në pengesa të ngurtësuara që dëmtojnë bashkëpunimin për çështje praktike akoma më relevante se këto. Shqipëria dhe Greqia kanë çështje të panumërta mes tyre për të cilat nevojiten marrëveshje, duke mbajtur parasysh numrin e lartë të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë atje, duke filluar që me njohjen e kontributeve të tyre nëpërmjet një marrëveshjeje mbi pensionet. Përgjithësisht Shqipëria dhe Greqia duhet të fillojnë një marrëdhënie të re, të thellë dhe shumëdimensionale si dy shtete kryesore që e mirëpresin një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Europian.

Sigurisht që Greqia mbart peshën e saj të përgjegjësisë: retorika e saj fatkeqe dhe e dalë-mode mbi diskriminimin e pretenduar ndaj minoriteteve, përpjekjet për të përdorur politikisht fenë, varret e ushtarëve etj. Në pamje të parë, çështja e “gjendjes së luftës” gjithashtu ka nevojë për një zgjidhje përfundimtare. Dy shtete anëtare të NATO-s nuk mund ta lejojnë një situatë të tillë, edhe nëse bëhet fjalë thjesht për një vogëlsirë simbolike të dalë-kohe. Këtu Greqia duhet të mbledhë forcat dhe të bëjë gjënë e duhur për ta hequr qafe këtë mbetje të panevojshme dhe problematike të së shkuarës. Megjithatë, pala shqiptare duhet të tregojë gjithashtu më shumë seriozitet kundrejt problemeve në rritje që priren të ndodhin midis fqinjve; duhet të tregojë gjakftohtësi dhe t’i ndajë çështjet e rëndësishme nga tymnaja. Mënyra sesi debati mbi marrëdhëniet po zhvillohet në ditët e sotme është shumë i dëmshëm për marrëdhënien strategjike me kufijtë jugorë, në një kohë të tillë kur perspektiva e negociatave me BE po ia beh në horizont. Tensionet midis Shqipërisë dhe Greqisë dëmtojnë të dy vendet por le të përpiqemi të mbajmë mend: jo në përmasa të barabarta!

 

SHPËRNDAJE