Europa e para!

0

JEAN-DOMINIQUE GIULIANI*

Prej një kohë të gjatë tashmë, shumëkush ka kërkuar që Bashkimi Europian ta shfaqë veten më fuqimisht në arenën ndërkombëtare. Kjo e fundit po transformohet me hapa të shpejtë dhe Europa nuk e ka më ndikimin që duhet të ketë. Konteksti i ri strategjik dhe politik i tanishëm kërkon që Europa t’i përkushtohet vetvetes si prioritet. Siguria, ekonomia dhe modeli i saj politik janë në lojë.

I përçarë, Bashkimi Europian nuk është më i aftë, si rrjedhojë e historisë, kompetencave dhe traktateve të tij të ngrihet mbi një sërë sfidash që vijnë gjithnjë në rritje. Në të vërtetë, nuk mund të ketë diplomaci të fuqishme pa mjetet ushtarake që kontribuojnë në besueshmërinë e saj. Nuk mund të ketë paqe kohëgjatë pa një betejë pro-aktive që ta garantojë dhe ta imponojë paqen. Dhe sidoqoftë, vetëm disa shtete anëtare ndajnë të njëjtin këndvështrim për botën dhe kanë mundësitë për të ndërmarrë veprime ushtarake. Shumë janë të varura nga një aleancë e bërë me Shtetet e Bashkuara në NATO. Brexit dhe zgjedhjet presidenciale në Amerikë kanë dëshmuar se një aleancë, sado e fortë dhe e domosdoshme qoftë, nuk mund të zëvendësojë autonominë e mendimit të lirë që është themeli i pavarësisë. Një traktat europian mbrojtjeje do të ishte i nevojshëm për të rivendosur sigurinë e vërtetë kolektive, me qëllime, mjete dhe strategji. Ndjekja me kokëfortësi e një komuniteti instrumentesh që, në skenarin më të mirë, do të funksiononin vetëm pas një bashkimi të plotë politik, nuk i përshtatet emergjencës së situatës me të cilën po ndeshemi. Sidoqoftë, është vendimtare që të bashkojmë vullnetin politik dhe aftësitë tona.

E njëjta përsiatje i aplikohet dhe fushës së ekonomisë. Europa, një kontinent shumë më i fuqishëm se përmasat e saj demografike dhe gjeografike, duhet të jetë e hapur ndaj botës. Duhet të kapërcejë dallgën e zmbrapsjes nacionaliste që po ndodh kudo, nëse e cilëson veten si një njësi autonome dhe efikase që mund t’u përgjigjet pritshmërive të popujve të saj. Duhet t’i rimendojë politikat e saj të konkurrencës dhe tregtisë, me mendje të hapur. Duhet të mendojë në terma reciprociteti dhe qasjeje europiane. Monedha e saj e përbashkët është një aset, kapacitetet e saj tregtare janë një avantazh i konsiderueshëm, dhe mund të përdoren gjithashtu edhe si armë në shërbim të një politike të caktuar.

Përsa i përket çështjes së emigrimit, me të cilën do të na duhet të përballemi për një kohë të gjatë dhe në vijim, ajo ngre një sërë pyetjesh mbi identitetin, ekonominë dhe çështjet sociale për të cilat as vetë shtetet anëtare nuk kanë përgjigje. Në terma konkretë, shumë prej këtyre të fundit mund të udhëheqin një grup pionier në parashtrimin e një politike të përbashkët mbi azilin, që të jetë në të njëjtën linjë me vlerat tona dhe një politikë ekonomike të emigracionit – me pak fjalë, një politikë që merr në konsideratë nevojat e ndryshme të secilit shtet anëtar.

Për të bërë përpara në tri fusha jetike për projektin europian: siguria, ekonomia, emigracioni – Europianët mund të kenë besim tanimë në institucionet e përbashkëta që mund të ndihmojnë dhe lehtësojnë bashkëveprimin. “Plani i Junkerit” është konkret. Është politik dhe i mirëmenduar. Por asgjë nuk mund të shkarkojë krerët e shteteve dhe qeverive prej përgjegjësive të tyre. Është në duart e tyre për t’i dhënë drejtim. Prandaj integrimi progresiv nëpërmjet normave dhe ligjeve mund të pasohet nga integrimi sipas shembullit; duke i treguar udhën disave, duke mbetur të hapur ndaj shteteve që duan të bashkohen. Në njëfarë mënyre, ne po u kërkojmë atyre të marri një vendim politik dhe të veprojnë, përtej indiferencës që shfaqin ndaj integrimit europian dhe madje kritikës së butë, frikacake që bëjnë ndaj politikave të përbashkëta. Në njëfarë mënyre, është radha e tyre për të thënë: Europa e para!

 

Përktheu: Sara Kelmendi

SHPËRNDAJE