Lamtumirë, poeti ynë shpirtbukur

0

PREÇ ZOGAJ

Dritëro Agolli vdiq, Shqipëria e thellë e brezave, ajo shpirtërorja, që nuk na numëron si individë, por na njeh si bashkësi e shpirtit shqiptar, është në zi. Dritëro Agolli erdhi në letrat shqipe nga kjo Shqipëri e të shumtëve,

e të gjallëve dhe e të vdekurve. Ai i ngjau Shqipërisë shpirtërore në të folur, në të shkruar, në të ecur, në paraqitjen e jashtme; e pasuroi dhe e lartësoi atë me veprën e tij me të mirë, i mbeti besnik në çdo rrethanë, nuk i ngjiti pamja e zyrtarit kur jeta e çoi në zyra dhe poste; në moshën e tretë filloi t’i binte një hir i rrallë, u bë një plak i bukur,  si për të vërtetuar thënien biblike se në muzgun e qetë të jetës shpirti shfaqet në pamjen e jashtme të secilit.

Kjo ishte bukuria e brendshme e poetit, shkrimtarit dhe njeriut Dritëro, një ndërthurje e talentit të lindur me kulturën e gjerë, e thjeshtësisë me sofistikimin e padukshëm, e mirësisë me refuzimin estetik, e zemërgjerësisë me atë ironinë vetëdëmtuese nganjëherë, që buron nga të jetuarit në idenë e përkohësisë së çdo gjëje. Dritëro Agolli modeloi poetin që mendon, shkruan dhe merr frymë si i tillë.

Lartësia e një shkrimtari janë kulmet e veprës së tij. Në kulmet e ndritur, mendimtarin e poezisë lirike të Dritëroit, letërsia shqipe ka dhe do të ketë kthjellët përgjithmonë një poet të madh që ia doli të krijonte një poezi sa të kuptueshme e të komunikueshme për një masë shumë të madhe njerëzish, aq edhe të kultivuar e elitare. Duke tretur të thellën në të thjeshtën, një punë për mjeshtra, siç do të thoshte poeti i madh i Argjentinës, Jorge Lui Borges. Në këtë mënyrë Dritëro Agolli ndikoi si pakkush me veprën e tij, duke shfrytëzuar për mirë edhe statusin e një laureati de fakto gjatë periudhës së regjimit komunist, për të rritur rëndësinë dhe popullaritetin e letërsisë së kultivuar në vend.

U formua dhe u realizua si shkrimtar në një kohë që nuk e zgjodhi dhe nuk mund ta zgjidhte vetë. Mbajti busullën e artit, promovoi brenda kornizave të kohës një frymë liberale dhe moderniteti. Si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe si person publik me autoritet, “shpiku” nga fundi i viteve tetëdhjetë trukun e shkollimit të lartë të talenteve të reja me “njolla” në biografi; ia doli të sfidonte kriterin ideologjik të biografisë që zbatonin komitetet e Partisë së Punës me kriterin e talentit që iu la në dorë Lidhjes së Shkrimtarëve, duke ndihmuar në këtë mënyrë dhjetëra të rinj e të reja nga kjo kategori të ndiqnin studimet e larta drejtpërsëdrejti ose pa shkëputje nga puna. Ishte i sinqertë kur besoi si shumë intelektualë të Pasluftës së Dytë Botërore në idealet e komunizmit, dhe ishte po aq i sinqertë kur u distancua prej tyre jo me pompozitetin e konformistëve të konvertuar, por me përjetimet dramatike të të zhgënjyerit.

I mori të gjitha nderimet në të dyja regjimettituj, medalje e çfarë janë­ por mbeti gjithnjë i përkorë si dikush që nuk ka marrë e nuk ka mundur të marrë gjësendi.

Disa javë më parë dëgjova të recituar nga një aktor i Teatrit Kombëtar poezinë e tij me titull “Mos ma kujto”. Një poezi e mrekullueshme, një diamant shpirtëror i Shqipërisë shpirtërore të të shumtëve që ka banuar ky njeri, një thirrje për shpirtgjerësi, për tolerancë, jo për atë fundit me të

banalen që dëgjojmë të predikohet me hipokrizi në tribunat politike, por për tolerancën si komponente e shpirtit dhe konstitucionit, si mënyrë të jetuari me të tjerët. E dëgjoja në radio, ndërkohë që aktualiteti shqiptar ishte rreth e rrotull plot me ngjarje të rënda dhe me fjalë të rënda të arsenalit të intolerancës, paragjykimeve, egoizmit, primitivizmit… Shqipëria kështu siç është vazhdon t’i mundë shkrimtarët e saj në këtë rrafsh e, megjithatë, një ndalim dhe një heshtje e rrallë, e kudogjendshme, po përcjell në këtë orë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Dritëro Agollit. Lexuesit e tij të shumtë, admiruesit e veprës së tij­ të poezisë, të prozës, të dramës, të përkthimeve, të eseve­ janë në dëshpërim. Kjo vdekje tingëlluese, që bashkon famën e shkrimtarit me imazhin e intelektualit dhe njeriut publik, ka prekur edhe ata që nuk kanë lexuar asnjë rresht prej tij, por vetëm e kanë dëgjuar në foltore dhe ekrane, apo e kanë parë në ndonjë kronikë në pamjen e një plaku të bukur, të cilit i ka dalë në fytyrë dhe e ka zbukuruar vetë shpirti i tij.

Ky njeri mbaroi dje. Ne që e njohëm, që ishin bashkëkohësit e tij, që mësuan dhe u ndihmuan prej tij, do ta mendojmë gjithnjë të gjallë. Ata që do të vijnë, lexuesit e tij të ardhshëm, do ta mendojnë gjithnjë të vdekur, në destinin e shkrimtarëve të mëdhenj që flasin nga mosqenia.

Lamtumirë, poeti ynë shpirtbukur.

SHPËRNDAJE