BESNIK MUSTAFAJ

Robert Schuman, i mirënjohur si babai i Europës, ka qenë disa herë Ministër i Jashtëm i Francës dhe madje në kohët më të vështira për vendin e vet, fill pas Luftës së Dytë Botërore si edhe në vitet pesëdhjetë, periudhë kjo kur mori formë konkrete ndarja brutale më dysh e Europës përmes perdes së hekurt. Pikërisht në këtë periudhë, nën drejtimin e Schuman u hodhën themelet e Europës së Bashkuar. Ai pati vizionin dhe kurajon të ndërmerrte krijimin e kësaj kryevepre në një kohë kur jo vetëm ishin të paktë ata që besonin në të ardhmen e kësaj ëndrre, por ishin të shumtë kundërshtarët edhe vetë brenda familjes politike të Robert Schuman në Francë. Për të treguar se në cfarë rrethanash të vështira u ngjiz ky projekt, po sjell këtu një episod të treguar nga vetë Robert Schuman. Gjatë vjeshtës 1949 dhe pranverës 1950, grupi i punës që do të hartonte platformën e organizatës së pritshme, i kryesuar nga Jean Monet, u mbyll në hotelin Martignac në Paris për të punuar në fshehtësi të plotë, jo vetëm larg syve të medias, por edhe larg vëmendjes së parlamentarëve dhe ministrave, të cilët do e merrnin vesh vetëm pesë orë para se ky dokument të kalonte për miratim në qeveri. Robert Schuman ishte i bindur se po të dilte sekreti, parlamentarët dhe ministrat e të njëjtit kabinet ku bënte pjesë edhe ai, do e kishin shkatërruar pa mëshirë projektin qysh në embrion.

Robert Schuman nuk ka shkruar kujtime. Nuk ka shkruar as libra mbi teorinë apo praktikën e diplomacisë, siç ka bërë për shembull Kissinger apo të mëdhenjtë e tjerë të kësaj fushe. Në mbyllje të jetës së tij, është gjetur vetëm një fletore me shënime, ku ai shtjellon me një stil të zhveshur e të ftohtë mendimet e veta për Europën e Bashkuar. Këto shënime u botuan më vonë në një libër të vogël me titull “Për Europën”. Unë e kam lexuar këtë libër në fillim të viteve ’90. Më pas iu ktheva në verën e vitit 2001, kur edhe më lindi dëshira ta përkthej, me shpresën për të qenë sadopak i dobishëm. Shqiptarët duhej ta kuptonin se çfarë ishte në thelb Bashkimi Europian, drejt të cilit po ecte vendi.

Në të vërtetë, tema e integrimit europin ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e pranishme në ligjërimin publik shqiptar. Por cilësia e këtij ligjërimi, sipas gjykimit tim, ka qenë e vazhdon te jetë e dobët, e sipërfaqshme me tepri, e përqëndruar tek aspekte më së shpeshti periferike, por që lidhen me përfitime imediate dhe materialisht të prekshme. Kjo situatë ka arsyen e vet. Shpalosja e aspekteve të tilla është doemos një punë më e lehtë qoftë për klasën politike që udhëheq procesin politik të integrimit e qoftë për shoqërinë civile, që është në mbështetje të këtij procesi. Po ashtu, shoqërimi i shpjegimeve edhe me tabelën e përfitimeve, e bënte fjalën më të perceptueshme nga qytetari i zakonshëm dhe shërbente si një joshje për opinionin publik drejt horizontit europian. Nuk është ndërtuar deri tani një punë vërtet e strukturuar, për t’u shpjeguar shqiptarëve thelbin e të ardhmes që i pret në Bashkimin Europian, që Robert Schuman, 65 vjet më parë, në projektin e tij e përmbledh si “shëndrrim rrënjësor i mentalitetit të mbarë shoqërisë”.

Me këtë rast kam nxjerrë nga shënimet e Robert Schuman një dorë konceptesh, të cilat janë vendosur në themelet e Bashkimit Europian qysh në zanafillë. Shpjegimi i tyre sot mund të përfytyrohej si një pasqyrë, që vetë Robert  Schuman na e vendos përpara ne, shqiptarëve, që me sa duket do të jemi pjesë e fazës përmbyllëse të ëndrrës së tij madhështore për ta parë gjithë kontinentin tonë të bashkuar në një hapësirë mirëbesimi, paqeje dhe prosperiteti të përbashkët. Këto koncepte çojnë në thelbin e asaj çka është Bashkimi Europian e ku ne dëshirojmë të shkojmë. Por, në procesin e shpjegimit për opinionin tonë publik kërkohet medoemos vendosja e këtyre koncepteve në kontekstin historik, shoqëror, ekonomik e kulturor shqiptar. Pikërisht vendosja e përmbajtjes së re të këtyre koncepteve në kontekstin e trashëguar shqiptar, do të nxjerrë në pah çfarë pune të stërmadhe kemi ne ende për të bërë për të arritur te “shndërrimi rrënjësor i mentalitetit të shoqërisë” tonë, punë që nënkupton, ashtu siç thotë Robert Schuman, një “luftë të madhe me vetveten”. Rasti këtu më lejon të bëj vetëm një skicim, por që shpresoj të mjaftojë për të tërhequr vëmendjen te fenomeni.

 

Aleancë

Robert Schuman thotë se Europa e bashkuar do të ishte një aleancë. Por krejt ndryshe nga aleancat që kishte njohur Europa gjatë gjithë jetës së saj shumëshekullore, kur grupe shtetesh lidheshin me njëri-tjetrin kundër një grupi shtetesh, që kishin po ashtu aleancën e tyre. Këto aleanca kishin një karakter të përkohshëm dhe shpërbëheshin sapo njëra palë ia arrinte qëllimit duke mundur nëpërmjet luftës palën tjetër. Europa e Bashkuar do të ishte një aleancë e pashpërbëshme, sepse qëllimi i ekzistencës së saj nuk do të ishte për të vepruar “kundra”. Kjo aleancë ngrihej për të vepruar vetëm “pro”. Europa e Bashkuar do të vepronte vetëm “pro” interesave të qytetarëve të saj për mirëkuptim, mirëqenie, paqe dhe zhvillim të pandërprerë. Këtu do të qëndronte sekreti i zhvillimit dhe fuqizimit të parreshtur të kësaj aleance.

Shqipëria, në jetën e vet si komb, e më pas si shtet, ka qenë pothuaj gjithmonë pjesë e aleancave të tilla. Pra, ka qenë gjithmonë pjesë e një pale kundër një pale tjetër. Kjo histori dramatike sigurisht që ka lënë gjurmët e veta në mendësinë shqiptare, gjurmë që shfaqen sot e kësaj dite nëpërmjet një lehtësie më të madhe që kemi ne për të reaguar shpejt e pa u menduar shumë “kundra”. Ndërkohë që tregohemi të ngathët, ngurrues apo qoftë dhe pa entuziazëm për të reaguar “pro”. Procesi i përafrimit tonë me Bashkimin Europian është procesi i përafrimit me aleancën e njerëzve dhe shteteve “pro”, që do të thotë se gjatë kësaj rruge, krejt mendësia jonë si shoqëri do të transformohet me qëllimin për t’u pozitivuar sa më shumë ndaj tjetrit, njeriut apo grupit, me të cilin nuk na lidh përkatësia shqiptare.

 

Solidaritet dhe ndërvartësi

Ne kemi krijuar bindjen, – shkruan Robert Schuman, – se mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit tënd është sigurimi i ndihmës së të tjerëve me anë të përpjekjeve të ndërsjellta si dhe bashkimit të burimeve.

Sipas Robert Schuman, nocioni i solidaritetit përmblidhet te bindja se interesi i vërtetë i çdonjërit qëndron tek njohja dhe pranimi në praktikë i ndërvartësisë ndaj të gjithëve. Kjo ndërvartësi ka si pasojë që fati i mirë apo i zi i një populli nuk mund të mbetet i shpërfillur nga të tjerët. Megjithëse personalisht me një brumosje të thellë katolike, Schuman beson se solidariteti që do të lindë në Europën e Bashkuar nuk do të mbështetet thjesht në mirësinë njerëzore, “gjë e përgënjeshtruar kaq mizorisht gjatë dy shekujve të fundit”, shkruan ai. Solidariteti do të jetë një politikë e re, për të siguruar “bëshkëpunimin e organizuar aq qëndrueshmërisht midis popujve, sa që të mos i mbetet më rrugë tërheqjeje një qeverie të përfshirë në të”. Ky lloj solidariteti, pra kjo politikë e re realizohet si ndërvartësi midis vendeve dhe popujve.

Megjithëse u mbushën kaq vjet që Bashkimi Europian e asiston vendin tonë me programe të ndryshme, ku më shumë e ku më pak të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës, me qëllim rritjen e standardeve ekonomike dhe shoqërore si edh epërmirësimin e qeverisjes, rrallë ose hiç fare ka dëgjuar opinioni ynë publik të thuhet se këto projekte janë pikërisht shprehje e politikës së solidaritetit, mbi të cilën mbështetet fort BE, dhe se kjo politikë solidariteti ka posaçërisht për qëllim vënien në eficiencë të atyre burimeve, me të cilat Shqipëria do të mund të bëhet nesër kontribuese brenda Unionit, duke krijuar kështu dhe ndërvartësinë, për të cilën flet Robert Schuman si e pandashme nga solidariteti. Në mentalitetin e shqiptarëve sot ka vetëm pritje për ndihma nga Brukseli dhe thuajse aspak vetëdije për arteriet e ndërvartësisë që do të kenë edhe vendet europiane ndaj nesh, sado modeste që të jetë kjo ndërvartësi. Rrënjosja e një përfytyrimi të drejtë dhe koherent për kuptimin e solidariteti europian përbën një nga sfidat e vështira, por të domosdoshme për krijimin e mentalitetit të ri të shoqërisë shqiptare.

 

Vendosja me ligj e kufirit midis lirisë dhe lejimit

Kjo është një nga tezat më të guximshme të Robert Schuman. Sigurisht që ai e bën të qartë se të gjitha vendet anëtare të Europës së Bashkuar janë e do të jenë plotësisht të lira dhe domokratike. Madje, pa këtë kusht, ato nuk mund ta ndërtojnë familjen e përbashkët. Në vitin 1950, kur u hodh kjo tezë, Europa, e sidomos bota intelektuale, i kishte ende shumë të freskëta plagët e hapura nga fashizmi dhe nazizmi. Po ashtu, në gjysmën tjetër të kontinentit po pllakoste stalinizmi. Kjo tezë ngjallte në publik lehtësisht frikën e censurës. Robert Schuman shpjegon se demokracia krijohet në vazhdimësi dhe se vetë demokracia e di që mbetet gjithnjë e përmirësueshme. Ai thekson se kufiri ndërmjet lirisë dhe të lejueshmes është në gjendje të ndryshojë sipas rrethanave të kohës dhe vendit. E lejueshmja në kuadrin e një bashkësie shërben për të mbrojtur demokracinë, por edhe për t’i dhënë kohezion veprimit të përbashkët të komunitetit.

Objektivi i integrimit europian ka qenë i qëndrueshëm për politikën shqiptare gjatë këtyre 26 vjetëve liri. Por, gjatë viteve të fundit kemi parë disa herë drejtues shumë të lartë politikë t’i drejtohen Brukselit me një gjuhë shantazhi: ose përshpejtoni procesin e integrimit tonë në BE ose ne do të kërkojmë drejtim tjetër, duke aluduar kështu për afrim me Rusinë, apo edhe më keq, me Turqinë e me vendet e tjera islamike të Linjdes së Mesme. Çdo vend është i lirë të zgjedhë orientimin e vet për aleanca në politikën e jashtme. Por në rastin e vendeve anëtare ose aspirante për në Bashkimin Europian, kjo liri kufizohet. Çdo vend duhet të veprojë brenda të lejueshmes. Robert Schuman, si vizionar që ishte, kishte parashikuar qysh në gjenezë se mund të vinte një ditë që qeveria e një vend të caktuar europian, për të mbuluar paaftësitë e veta për të ecur me hapin e të tjerëve në rrugën e vlerave të përbashkëta, mund të zgjidhte një shantazh të tillë. Prandaj duhej ngritur paraprita me ligj.

Parimi i të lejueshmes i çel rrugën politikës së detyrimit, i cili gjithashtu është delikat në zbatim. Politika e detyrimit mban parasysh nevojën që kanë vendet për reforma të caktuara, siç është në rastin tonë reforma në drejtësi, për shembull, dhe i lejon bashkësisë të ushtrojë presion të kushtëzuar mbi autoritetet shtetërore si dhe mbi opinionin publik të njërit apo tjetrit vend për kryerjen në kohë dhe me cilësi të këtyre reformave.

 

Disiplina

Në themel të Europës së Bashkuar është dyshja franko-gjermane. Robert Schuman analizon vështirësitë specifike që kishte Gjermania, posaçërisht shoqëria gjermane, për t’u përfshirë në një projekt të tillë. Më e theksuara ndër këto vështirësi ishte mungesa e vullnetit të gjermanëve për të bashkëpunuar si të barabartë me popujt e tjerë. Gjatë më pak se gjysmë shekulli, Gjermania e kishte përfshirë Europën në dy luftëra thellësisht të përgjakshme, të frymëzuara nga ideja e epërsisë së tyre mbi të tjerët. Sado që kjo ide ishte e gabuar, ajo ekzistonte në trashëgiminë kulturore gjermane dhe duhej mbajtur medoemos parasysh. Përndryshe, projekti për Europën e Bashkuar do të dështonte. Robert Schuman shpreh bindjen se gjermanët, në sajë të disiplinës që e kishin në karakter, do të vinin duke e përvetësuar me shpejtësi kulturën e bashkëpunimit si të barabartë. Dhe nuk doli i gabuar.

Por ai e sheh disiplinën si një nevojë për të gjitha shoqëritë që do të përbëjnë Europën e Bashkuar. Disiplina në një cilësi të re do t’i ndihmojë këto shoqëri të triumfojnë mbi veset e trashëguara nga historitë e tyre kombëtare si egoizmi i tepruar, nacionalizmi, anarkia apo dhe plogështia. Disiplina e treguar në përditshmëri ndaj punës dhe ndaj ligjit si dhe në angazhimet bashkëpunuese me të tjerët.

Themeluesit e shtetit shqiptar, si mendimtarë të vërtetë që ishin dhe vëzhgues të mprehtë të tipareve tona kombëtare, kanë theksuar mungesën e disiplinës si një nga dobësitë më të mëdha të shoqërisë shqiptare, dobësi kjo që do e pengonte kombin të përparonte brenda shtetit të tij të pavarur. Në gjykimin tim, mungesa e disiplinës vazhdon të jetë ende një dobësi shumë e dukshme në vetëdijen e shqiptarit të sotëm, gjë që e pengon shoqërinë tonë për të krijuar një kohezion të qëndrueshëm për të vepruar në mënyrë të organizuar qoftë për të rritur standartin e prodhimit në ekonomi, qoftë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe qoftë për të qenë faktori ndikues mbi politikën nëpërmjet shoqërisë civile. Nuk ka integrim europian pa një ndryshim rrënjësor në qasjen tonë ndaj disiplinës. Për këtë nevojë opinioni ynë publik duhet të jetë i qartë. Hendeku i madh që ekziston sot midis cilësisë së mirë të teksteve të ligjeve dhe cilësisë mediokre të zbatimit të tyre është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së disiplinës që na karakterizon.

 

Rëndësia e konsumatorit

Ekonomia e vendeve europiane, qofshin ato shumë të zhvilluara apo më pak të zhvilluara, kishte përparuar gjatë dy shekujve të industrializimit duke mbajtur parasysh interesat e prodhimit. Sipas parimit të ekonomistëve, cilësinë e prodhimit parë nga interesi i konsumatorit, e rregullonte vetë tregu nëpërmjet parimit të kërkesë-ofertës. Çdo ndërhyrje tjetër do të ishte arbitrare dhe në dëm të lirisë së tregut.

Robert Schuman mendonte se në Europën e Bashkuar ky realitet, duhej të ndryshonte. Interesat e konsumatorit përsa i përket cilësisë së prodhimit, qoftë në lidhje me shëndetin e konsumatorit e qoftë në lidhje me çmimin e shitjes, duhej të mbroheshin me ligj. Kjo ishte një risi e madhe në historinë e zhvillimi të kapitalizmit. Për zbatimin e ligjeve në mbrojtje të interesave të konsumatorit duhej të ngriheshin institucione të posaçme. Në Europën e Bashkuar nuk duhej të kishte vend për spekullatorët.

Parë në këtë aspekt, Shqipëria është ende në një stad shumë të prapambetur. Të gjithë e dimë se prodhimet tona bujqësore ende arrijnë të hyjnë shumë pak ose hiç në tregjet europiane, megjithëse marrëveshjet midis qeverisë së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për lehtësira në tregëti ekzistojnë qysh në vitin 1992. Arsyeja e vetme është se prodhimet tona bujqësore ende nuk përmbushin standartet e cilësisë për t’iu dhënë konsumatorit europian. Ndërkohë që konsumatori shqiptar ushqehet çdo ditë me këto prodhime, ku përdoren pesticide apo kimikate të tjera të ndaluara si të dëmshme për shëndetin e konsumatorit europian. Kjo tregon sigurisht ndërgjegjen ende shumë të dobët të fermerit shqiptar si prodhues, por edhe funksionimin krejt të pamjaftueshëm të agjencive shtetërore të ngritura me ligj për mbrojtjen e konsumatorit. Procesi i integrimit europian do të shënojë një përmirësim rrënjësor edhe në këtë fushë, gjë që do të jetë patjetër në dobi të konsumatorit shqiptar, por do të jetë edhe në dobi të prodhuesit shqiptar, i cili do të mund të shpërblehet më mirë për punën e tij duke zgjeruar tregun. Duke mbrojtur konsumatorin sipas normave europiane, prodhimet tona nuk do të kenë më dy standarte, një për eksport e një për ne, vendasit dhe as nuk do të zgjidhen prodhimet më të mira për t’u shitur në Romë apo në Bruksel e të këqiat për ne, që blejmë në lekë. Duke patur një standard në emër të interesave të konsumatorit, jeta e të cilit do të vlejë njësoj si në Tiranë edhe në Berlin, vetë prodhimet tona si pasuri kombëtare do të fitojnë vlerën e vërtetë.

 

Shërbimi ndaj njerëzimit

Deri në shfaqjen e projektit për Europën e Bashkuar, trashëgimia e sjelljes europiane ndaj pjesës tjetër të njerëzimit përmblidhej esencialisht te trashëgimia e kolonializmit. Robert Schuman kërkoi edhe këtu një ndryshim rrënjësor. Ai thotë se në Europën e Bashkuar, shërbimi ndaj njerëzimit është për çdo europian si individ dhe për çdo shoqëri si bashkësi në vendet anëtare detyrë njësoj si detyra që na dikton besnikëria ndaj kombit. Vënia e kësaj shenje barazie midis besnikërisë ndaj kombit me besnikërinë ndaj mbarë njerëzimit do të ishte çelësi për të shndërruar Bashkimin Europian në një hapësirë rrezatuese paqeje, bashkëpunimi dhe solidariteti me mbarë njerëzimin.

E vërteta është se ne shqiptarët, për shkak të vonesës që patëm për të zënë vend me shtetin tonë në familjen e kombeve, për shkak të vogëlsisë, por edhe për shkak të aleancave të mbrapshta ku jemi gjendur, nuk kemi patur rast të bëhemi pjesë sado modeste e shërbimeve të rëndësishme ndaj njerëzimit. Integrimi në Bashkimin Europian do të na e japë këtë mundësi. Pjesëmarrja si pjestarë të familjes europiane në shërbime të dobishme për mbarë njerëzimin, do të jetë me ndikim shumë të madh në krenarinë tonë kombëtare. Sepse Europën e Bashkuar duhet ta përbëjnë kombe krenare.

E thashë edhe në krye të kësaj fjale se qasja ime kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen mbi disa nga konceptet themeltare, ku mbështetet Bashkimi Europian, krahasuar pastaj me problematikën që paraqet realiteti shqiptar sot, qoftë për arsye historike e qoftë për arsye që lidhen me zhvillimet e ditës. Nisur nga këto koncepte themelore, të formuluara nga vetë babai i Europës, del qartë se procesi i integrimit europian nuk është e nuk mund të jetë çështje vetëm e elitave politike. Ai është çështje e të gjithë shoqërisë, ku bëjnë pjesë edhe elitat politike bashkë me rolin e tyre të veçantë. Rrjedhimisht, krahas detyrës që kanë elitat politike për t’i përcaktuar reformat e nevojshme dhe për t’i udhëhequr ato, detyrë të pazëvendësueshme ka edhe opinioni publik për t’i përvetësuar këto reforma e për t’i mbështetur ato duke ushtruar presion demokratik mbi elitat udhëheqëse.

Për këtë qëllim nevojitet një angazhim që ka munguar ose ka qenë tepër i zbehtë për t’i shpjeguar opinionit publik përmbajtjen e vërtetë të procesit të integrimit, i cili është një proces kompleks, i gjerë dhe që nuk mund të kryhet pa një shoqëri të vetëdijshme për arsyet pse dëshiron t’i bashkohet familjes europiane.

SHPËRNDAJE