Siguria kombëtare është tema kryesore e diskutimit për të gjithë kandidatët që janë në garë për të marrë postin e presidentit të ardhshëm në maj.

Sipas sondazheve të fundit, çështjet e sigurisë mbeten shqetësimi kryesor për votuesit francezë të zgjedhjeve presidenciale të majit. Siguria renditet përpara çështjeve sociale, përfshirë këtu papunësinë e cila po kapërcen mesataren e 10 përqindëshit, dhe të ardhmen e sistemit të sigurimeve shoqërore që po kërcënohet nga nevoja për të reduktuar edhe më tej financat publike.

Kjo është rrjedhojë e kontekstit të kërcënimeve të vazhdueshme terroriste që e mbajnë Francën në ankth që prej valës së sulmeve që filluan në 2015, e ndjekur kjo nga kandidatë presidencialë që po ushqejnë frikën me qëllimin për t’i dhënë besueshmëri programeve të tyre dhe për të grumbulluar pas vetes një elektorat shumë të dyshimtë dhe të paqëndrueshëm.  

Përqëndrimi në konceptin specifik të Francës për sekularizmin – diçka që askush nuk di ta implementojë më – është kthyer në një praktikë të volitshme për kandidatët të cilët shmangin adresimin e çështjes së ndjeshme të islamit në Francë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kështu, kandidatët po shmangin rrezikun e përballjes me akuza ndaj islamobofobisë dhe krijimit të një amalgame ndërmjet islamit dhe terrorizmit.

Sekularizmi përdoret de facto si një mekanizëm rregullues për të përcaktuar si të rivendoset identiteti francez, kultura, rrënjët dhe si të mbrohet Franca nga çdolloj përpjekjeje për të ndryshuar ADN-në e saj.

Ky përcaktim shënon vijën ndarëse që e ndan shoqërinë franceze në dy kampe në betejën politike: a është diversiteti i sotëm i racave dhe besimeve fetare, globalizimi dhe emigrimi – një mundësi apo një kërcënim?

 

Mbjellja e frikës kundër myslimanëve

Për Frontin Nacional të Marine Le Pen, i cili, me 26 përqind kryeson për momentin qëllimet e votuesve për raundin e parë, Franca duhet të barrikadohet nga të huajt për të garantuar njëherazi unitetin dhe sigurinë e saj.

Në kuadër të sloganit të fushatës “Franca në paqe me vetveten” ajo po e përhap rrjetën e saj tradicionale edhe më gjerë.  

Myslimanët nuk janë armiqtë tanë por qytetarë të denjë të Republikës – nëse pranojnë asimilimin si “myslimanë sekularë” në një shoqëri rrënjësisht të krishterë.

Armiku i vërtetë i kombit është islamizmi radikal të cilin Le Pen zotohet ta gjunjëzojë, së bashku me vëllain e tij binjak, xhihadizmin.

Në frontin e brendshëm, ajo mbështet mbylljen e xhamive salafi, dëbimin nga vendi të imamëve që predikojnë urrejtje, ndalimin e financimeve të huaja ndaj organizatave myslimane, deportimin e qytetarëve me dyshtetësi që kanë lidhje me xhihadin dhe heqjen e shtetësisë franceze kur kthehen në Francë prej frontit xhihadist.

Të gjitha këto pikëpamje i ndan dhe kandidati i partisë kryesore të djathtë, Republikanëve, François Fillon – fati i së cili është ende i pasigurt që nga skandali “Penelopegate” – me disa ndryshime të vogla në program.

Për ish-kryeministrin Fillon, ndalimi i shprehjes së radikalizmit në tokën franceze si pjesë e luftës ndaj totalitarianizmit islamik përfshin salafizmin, si dhe Vëllazërinë Myslimane dhe Uahabizmin.

Të dy kandidatët pajtohen në nevojën për të përforcuar kontrollet mbi kufijtë kombëtarë dhe për të ndalur pritjen e refugjatëve për motive sigurie dhe shoqërore. Fillon gjithashtu bën thirrje për “të rishikuar marrëdhëniet tona diplomatike me Mbretërinë e Arabisë Saudite” dhe pret sqarime mbi “rolin e dyfishtë” të saj në shpërndarjen e ideologjive ekstremiste në mbarë botën, përfshi Europën dhe Francën.

Le Pen ka shmangur t’i adresohet kësaj çështjeje në publik. Megjithatë si ajo, dhe Fillon, të dy e konsiderojnë Rusinë si një aleat në luftën kundër shtetit islamik të Irakut dhe Levantit në Siri dhe Irak, duke devijuar kështu nga linja e qeverisë socialiste nën presidencën e Hollande, e cila mbështetet prej Benoît Hamon, kandidatit të përzgjedhur socialist, i cili i denoncon operacionet e ndërhyrjeve ruse si “krime lufte”. Hamon ishte pjesë e një trendi “sfidues” përbrenda partisë së majtë.

 

Fronti i sigurisë

Avokuesit e vijës së ashpër të luftës sekulariste kundër “idiotëve të dobishëm” të islamit – zhargon politik për një person injorant apo naiv, i përdorur prej udhëheqësve propagandistë për të përhapur mesazhin e tyre – i referohen Benoît Hamon si “Bilal Hamon”.

Në të vërtetë, Hamon bën thirrje për një axhendë më efikase dhe një qasje parandaluese për të mundur radikalizmin dhe terrorizmin, në vend të një qasjeje vetëm represive (shtypëse), që përkundrazi, do ta ekspozonte Francën edhe më shumë ndaj terrorizmit, ndërsa do të diskriminonte dhe krijonte ndarje, duke i shërbyer kështu qëllimeve të axhendës së armikut.

Ndryshe nga kundërshtarët e tij, slogani i fushatës së Hamon “Bëjeni zemrën e Francës të rrahë!” i referohet vlerave të kampit të majtë dhe në mënyrë më specifike, traditës së bujarisë dhe tolerancës – apo asaj çka mbetet prej tyre.

Ai advokon për të bërë më shumë përpjekje për kohezion social përkundër rritjes së kapacitetit të burgjeve, përdorimin e nismave diplomatike për të zgjidhur krizat në vend të angazhimeve luftarake, dhe integrimin më të mirë të refugjatëve në vend të kthimit të refugjatëve në një shënjestër akuzimesh për dëmtimin e shpirtit francez dhe sigurisë kombëtare.

Me një qëndrim në dukje të ngjashëm me të Hamonit është Emmanuel Macron, i cili ka shërbyer dy vjet si ministër i ekonomisë gjatë presidencës së Hollande, përpara se të dorëhiqej gushtin e kaluar për të filluar lëvizjen e pavarur “Përpara” dhe të hynte në garën presidenciale si një “objekt i paidentifikuar politik” – si një ish-investitor bankash ai hedh poshtë çfarëdolloj përkatësie politike, duke mbështetur një qëndrim politik “as të së majtës, as të së djathtës”.

Pavarësisht se ai nuk ka shpalosur ende programin e tij politik, ai renditet momentalisht i dyti në sondazhe, duke i paraprirë Fillon falë “Penelopegate” i cili dëmtoi popullaritetin e të ashtuquajturit person të virtytshëm. Fushata e Fillon është mbështetur në moral publik dhe në vetë ndershmërinë e supozuar prej tij.

Për të riun Macron (ai është 39 vjeç) “është një gabim të konsiderosh që programi është zemra” e një fushate zgjedhore, duke qenë se “stili” dhe “zemra” janë më vendimmarrëse. Megjithatë, kur vjen puna në çështjet e sigurisë, ai mbështet një formulë më të përgjithshme, kryesisht duke i bërë jehonë propozimeve të Hamonit.

Përpos këtyre divergjencave, ekzistojnë dhe disa pika konvergjencash nga të dy kampet e tanishme në fushatën presidenciale në Francë mbi përballimin e kërcënimeve terroriste.

Gjendja e emergjencës, e cila është shtyrë pesë herë që prej nëntorit 2015, nuk mund të kthehet në një përgjigje permanente të jashtëzakonshme për t’u përballur me kërcënimet terroriste. Kapacitetet e forcave të inteligjencës dhe të sigurisë duhet të përforcohen dhe të koordinohen më mirë.

Përsa i përket adresimit të rrënjëve reale të radikalizmit dhe terrorizmit në shoqërinë franceze – si margjinalizimi, mundësitë e pabarabarta, zgjedhjet e bëra në politikën e jashtme – nevojiten përpjekje që do të mbijetojnë më gjatë së një brez.

Do të duhej një kohë më e gjatë se një mandat presidencial pesë-vjeçar, prandaj le t’ia kalojmë stafetën pasardhësve tanë…

 

ANNE GIUDICELLI është një eksperte ndërkombëtare në gjeopolitikë dhe çështjet e sigurisë. Ajo drejton Intelligence Cluster – Terr(o)Risc, një organizatë konsultimesh të themeluar prej saj në 2005. Më parë, ajo ka punuar si analiste e sigurisë në zyrën e Punëve të Jashtme franceze në Paris, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

SHPËRNDAJE