Koncesionet e naftës në Shqipëri: Të pasurit, të varfërit, të ndoturit…

0

ALBA CELA

Banorët e Zharrëzës, një fshat i vogël i qarkut të Fierit, i cili ka pësuar dëme të konsiderueshme nga ndërhyrjet e kompanive që nxjerr naftë aty, nuk u stepën para indiferencës së përgjithshme të politikanëve dhe nga heshtja drithëruese e mediave ndërkombëtare mbi grevën e tyre të urisë. Të mësuar nga vite të tëra vuajtjeje, me tokat e tyre shterpë e të helmuara, me muret e shtëpive të çara dhe familjet e tyre në rrezik të vazhdueshëm, ata nuk kishin asgjë për të humbur. Kështu ata organizuan një formë origjinale proteste: një marshim të gjatë më këmbë drejt Tiranës. Kjo lloj demonstrate e bërë nëpërmjet marshimit zhvillohej për të parën herë në Shqipëri dhe mobilizoi mbështetjen dhe simpatinë e shumë qytetarëve të thjeshtë. Gjatë ndalesave të shpeshta gjatë rrugës, qytetarët i duartrokisnin ata, u ofronin pije freskuese, madje shumë syresh edhe iu bashkuan marshimit të tyre. Shumë njerëz e njihnin tashmë kauzën e tyre, duke qenë se çështja vijon prej vitesh.

Sa herë që shpërthimet  e shpimeve minerare shkaktonin lëkundje sizmike në fshat, kompanitë deklaronin se bëhej fjalë për tërmete natyrore. Shumicën e kohës qeveria u shkonte pas fillit duke u vënë në dispozicion edhe raporte zyrtare sizmologjike. Por njerëzit e kuptonin fare mirë ç’po ndodhte. Ishte e qartë që ata po përpiqeshin të mbulonin një proces që përfton rezultate të ngjashme në mbarë botën. Fracking (injektimi i  likuideve për të realizuar shpërthime) është një procedurë e ndërlikuar e nxjerrjes së naftës me shumë efekte anësore. T’i mohosh këto, do të ishte së paku një budallallëk – për të mos thënë krim.

Protestuesit refuzuan ta lënë lëvizjen e tyre të interpretohet politikisht, ata ishin të painteresuar për ta parë kauzën e tyre të përdorej nga partitë e ndryshme. Duke zënë strehë para Ministrisë së Energjetikës, të duruar, ata negociuan me qeverinë dhe me formën e duhur të këmbënguljes qytetare, nuk morën parasysh asnjë ofertë, deri në momentin që t’i shihnin këto oferta të pasqyruara në vendimet e qeverisë. Ndërsa problemet e tyre mund të kenë gjetur sadopak ngushëllim, mbeten ende shumë pyetje të pazgjidhura.

Përse qeveria, ka lejuar një proces të tillë të dëmshëm të vijojë i patrazuar në dëm të qytetarëve? Si do të dëmshpërblehen këta qytetarë? Nëse kjo gjë do të bëhet nga fonde publike, a është e aftë qeveria të kuptojë se kjo do të ishte tradhti ndaj interesit publik? Si  është e mundur që kompanitë private të cilat përfitojnë, të mos shpallen  përgjegjëse për dëmet e shkaktuara por përkundrazi të përfitojnë nga përdorimi i fondeve publike për të korrigjuar gabimet e tyre? Dhe së fundmi, a do të mbajnë përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë ato institucione shqiptare dhe individë të cilët e lejuan këtë gjë të ndodhë?

Zharrëza pa dyshim nuk është një rast i izoluar. Raportimet  kanë nxjerrë në dritë fshatra të tjerë të ndikuar negativisht dhe të ndotur prej nxjerrjes së naftës, të cilët kanë fituar madje dhe çështjet gjyqësore por nuk u janë dhënë dëmshpërblimet ende pasi llogaritë bankare të kompanive janë të zbrazura. Çështja e këtyre koncesionarëve që duken se pësojnë mjaft humbje financiare ndërsa u transferojnë përfitimet e tyre reale nënkontraktuesve të tyre dhe kompanive-mëmë jashtë vendit është temë e një hetimi të mëtejshëm, i cili deri më tani nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Të gjitha këto indikojnë në nevojën e madhe të dukshme për të rivlerësuar dhe rikonceptuar në mënyrë strategjike të ardhmen e burimeve natyrore në Shqipëri. Drejtësia, transparenca dhe llogaridhënia shpeshherë mungojnë në kontratat koncesionare. Jo vetëm që ato nuk po prodhojnë fitime të prekshme financiare për buxhetin e shtetit, por për më tepër po i shkaktojnë dëme të konsiderueshme komunitetit vendas. Kjo gjë duhet të reshtë! U heqim kapelën protestuesve të Zharrëzës që u ngritën për të drejtat e tyre!

SHPËRNDAJE