Pothuajse në fund të mandatit Kryeministri Rama vendosi të shkarkojë katër anëtarë të kabinetit të tij, të gjithë nga PS, partia kryesore në qeveri.
Dy prej ministrave të shkarkuar mbanin pozicione kyçe: atë të Punëve të Brendshme, dhe të Shëndetësisë. Këta dy ministra janë bërë shumicën e kohës objekt akuzash të shumta për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe lidhje kriminale.
Dy portofolët e tjerë, ai i Ministrisë së Mirëqënies dhe ai i Qeverisjes Vendore janë dytësore dhe duket të jenë ndryshuar për të zbehur efektin dramatik të ndryshimit të parë.
Ndryshimi më befasues është padyshim ai i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i trumpetuar nga mazhoranca si historia e suksesit të Rilindjes dhe që ka qenë vazhdimisht pre e sulmeve të opozitës. Tahiri është konsideruar si një pretendent për të pasuar Ramën në udhëheqjen e partisë në të ardhmen.
Largimi i Tahirit nga Ministria ka qenë një mister i vërtetë përgjatë këtyre javëve. Kryeministri Rama e quajti atë “një lehtësim” – lirimin e Ministrit nga detyrat e ekzekutivit me qëllimin për ta lejuar atë të fokusohet plotësisht dhe ekskluzivisht në fushatën e ardhshme zgjedhore. Rama argumentoi se Tahiri është përgjegjës për rajonin e Tiranës, përfaqësimi me deputetë i së cilit në Kuvend është me një numër të pashembullt: 34 nga 140 deputetë në total. Kjo është e para herë në historinë e tranzicionit shqiptar që dikush përpiqet të deklarojë së një ish-ministër i brendshëm mund të bëjë më mirë në zgjedhje, sesa në një ministër.
Me shumë gjasa kjo arsye nuk është e vërtetë, por nëse është e vërtetë, është definitivisht mjaft shqetësuese. Në cilindo shtet dhe shoqëri demokratike interesi parësor duhet të jetë ai publik, dhe jo ai zgjedhor. Shkarkimi i një ministri të suksesshëm, sikurse e cilëson kjo qeveri, nga detyra publike vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve është një shenjë që interesi publik është në skenarin më të mirë të mundshëm, i rëndësisë dytësore. Zgjedhjet dhe pushteti janë një prioritet real këtu?!
Arsyeja e shkarkimit të Ministrit të Brendshëm, për të ndihmuar partinë socialiste në Tiranë për të fituar zgjedhjet është shumë larg nga praktikës demokratike, transparencës, llogaridhënies dhe legjitimitetit. Kjo arsye nuk e bën lëvizjen të drejtë! Konfuzioni mbi lëvizjen e bërë vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i faktit që për shumë ditë u diskutua nëse bëhej fjalë për një dorëheqje, dorëheqje të kërkuar, apo shkarkim nga detyra, derisa më në fund Kryeministri gjeti shpëtim tek termi “lirim”.
Në një përpjekje qesharake kreu i qeverisë gjithashtu u përpoq të bindte opinionin publik të mbante parasysh se me ministrat zëvendësues ekzekutivi përbëhej 50 përqind nga gratë. Duke u zbavitur me idenë për një minutë (se nuk ia vlen ta mendosh më gjatë), kjo do të ishte sërish një arsye e gabuar. Barazia gjinore nuk është dhe nuk duhet të jetë efekt anësor i lojërave politike ad hoc, por një objektiv konkret që duhet të ndiqet me integritetit dhe seriozitet.
Një tjetër motiv, po aq i pangjashëm, është që largimi i Tahirit ishte një kërkesë e partnerit të koalicionit, LSI. Sërish, edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, është një lëvizje e huazuar prej kohërave bizantine, kryesisht në formën e përpjekjes së kamuflazhimit me tre “lirime” të tjera.
Në të njëjtën linjë, shkarkimi i Ministrit të Brendshëm nuk ka kënaqur kërkesat e opozitës, e cila është ende në protestë përpara zyrave të Kryeministrisë duke vijuar të kërkojë publikisht një qeveri teknike. Përsa i përket sugjerimit të mundshëm, apo kërkesës nga komuniteti ndërkombëtar të lirimit nga detyra të Ministrit të Brendshëm, kjo do të ishte gjithashtu e pashpjegueshme.
Përfundimisht, qytetarët shqiptarë nuk kanë një arsye të besueshme përse Ministri i tyre i Punëve të Brendshme, ndoshta sektori më i rëndësishëm i vendit për gjithë këto vite, nuk është më në postin e tij. Arsyet e dhëna deri më tani janë tejet të turbullta. Prandaj me gjasa, ato fshehin një realitet akoma më të rëndë.