MATTEO GARAVOGLIA
Përpara batakut që Putin, Brexit dhe Trump kanë provokuar në Perëndim, mund të duket e guximshme të flitet për Europën si një fener shprese. Megjithatë, unë mendoj që 2017-a mund të jetë viti kur Europa, në vend që të shpërbëhet, të kthehet pikërisht në një fener shpresash për forcat liberale dhe progresive nëpër botë. Ndërsa jemi të gjithë në dijeni mbi çka ka shkuar keq dhe çfarë mund të shkojë keq sërish, mendoj se duhet të qëndrojmë gjithashtu vigjilentë ndaj një sërë shenjash pozitive (shpeshherë të nën-raportuara) që na vijnë nga përtej brigjeve të Atlantikut.
E kryesuar nga euroskeptiku Geert Wilders, Partia e Lirisë, që mbështet politikat anti-imigratore, nuk ia doli mbanë në zgjedhjet e 15 marsit në Holandë. Ka plot arsye për të festuar! Ajo e Wilders është e vetmja parti e madhe në vend që promovon haptazi diskursin ksenofobik, nacionalist, populist dhe racist. Pesë partitë e tjera të mëdha në Holandë janë liberale, progresive, apo pro-europiane. Liberalët gëzojnë mbështetjen e shumicës dërrmuese të qytetarëve dhe në disa raste kanë rritur ndjeshëm mesataren e tyre të pragut elektoral. Përsa kohë forcat progresive do të refuzojnë të bëjnë kompromis me vlerat e tyre duke hyrë në një aleancë me Partinë e Lirisë, Geert Wilders do të vijojë të bëjë zhurmë, por jo politikë.
Qytetarët francezë do të shpenzojnë shumicën e pranverës nëpër qendrat e votimit. Së pari, ata do të votojnë (me shumë gjasa dy herë) për një president të ri. Më pas do të votojnë (sërish dy herë) për Asamblenë Kombëtare. Nëpërmjet një fushate të paparë në marrëdhënie me publikun, Marine Le Pen është treguar mjaft e zonja duke e kthyer në qendër të vëmendjes partinë e saj të ekstremit të djathtë, Frontin Nacional. Tani ajo ëndërron presidencën. Për fatin e saj të keq, në raundin e parë të zgjedhjeve elektorale ajo nuk ka shumë gjasa të marrë 50+1% e votave që i nevojiten. Meqenëse më pas do t’i duhet të përballet me një kandidat të vetëm në raundin e dytë (centristin Emmanuel Macron ose konservatorin François Fillon), sondazhet parashikojnë një humbje të madhe për të.
Ndryshe nga në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar, sistemet proporcionale dhe praktika e partive politike të grupuara në koalicione ia bëjnë shumë të vështirë formimin e një qeverie populistëve të ekstremit të djathtë, si Wilders dhe Le Pen. Për të njëjtën arsye, në Gjermani, zgjedhjet federale të shtatorit do të dëshmojnë për dështimin e Alternative für Deutschland për të ardhur në pushtet. Brenda këtij konteksti – dhe natyrisht kundrejt dëshirave të tyre – Putin, Brexit, Trump, Wilders, Le Pen, dhe Alternative für Deutschland janë duke kontribuuar rrënjësisht në rritjen e një Europe të hapur, liberale, progresive dhe të bashkuar.
Menjëherë pas Brexit-it vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dëshmoi të paimagjinueshmen: dhjetëra mijëra që marshonin për Europën. Më vonë, zgjedhja e Donald Trump tmerroi mjaft europianë që iu bashkuan marshit të grave (Women’s March) anembanë Europës. Vetëm muajin e shkuar, rumunët demonstronin kundër korrupsionit në shifra që nuk ishin regjistruar që prej fundit të qeverisjes së Nicolae Ceausescut. Dhe të gjithë lëkundnin flamuj europianë. Qytetarë të shqetësuar po bashkohen për të mbrojtur arritjet e projektit europian dhe për të bërë thirrje për më shumë Europë, teksa përpiqen të ndërtojnë të ardhmen e tyre të përbashkët. Çështja kryesore është nëse duhet, dhe deri në ç’masë munden ta ndërtojnë në këtë moment.
Të Shtunën, më 25 mars, Marshimet për Europën (Marches for Europe) janë planifikuar të kryhen në mënyrë të koordinuar dhe simultanisht nëpër mjaft qytete europiane. Të organizuara në mënyrë të pavarur nga cilado parti politike, këto aksione publike do të bashkojnë europianë nga përtej spektrit politik, për të sjellë një mesazh të fortë paqeje, tolerance dhe bashkimi. Ndërsa priten të organizohen të tjera veprimtari pan-europiane përpara ardhjes së verës, ne mund të jemi duke dëshmuar shenjat më të hershme të një pranvere (shumë të papritur) europiane.