LEDION KRISAFI

Përvjetori i gjashtëdhjetë i nënshkrimit të Traktatit të Romës që krijoi Komunitetin Ekonomik Europian e gjen Bashkimin Europian në periudhën e tij më të keqe. Në fillim kriza financiare e nisur në vitin 2008, më pas vota për daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni, ashtu si vala pothuajse biblike e refugjatëve dhe rritja e të djathtës ekstreme e kanë çuar BE-në në pikën ku në tryezat e diskutimit është shtruar çështja e mbijetesës së tij. Në vitin 2016, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker (Zhan Klod Junker) tha se ‘’Bashkimi ynë Europian është, të paktën pjesërisht, në një krizë ekzistenciale’’.

Por në këto gjashtëdhjet vjet Bashkimi Europian ka arritur suksese që themeluesit e tij në Romë nuk i kishin imagjinuar. Britanikja The Economist shkruan se BE jo vetëm që ka siguruar paqen në Europë për gjashtë dekada (dhe ka marrë një çmim Nobel për këtë), por ka krijuar gjithashtu një treg të përbashkët dhe një monedhë të përbashkët duke bashkuar në gjirin e tij ish diktatura në Jug dhe ish komunistë në Lindje. Paralelet në histori me arritje të këtilla janë të vështira për t’u gjendur. Por ashtu siç janë të mëdha arritjet, ashtu janë dhe problemet e tanishme.

Një anketim i fundit i fondacionit gjerman Bertelsmann Stiftung zbulon pikërisht këtë dyzim në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Qytetarët e BE-së dëshirojnë të jenë pjesë e një Europe të bashkuar, por nuk janë dakord me drejtimin në të cilin po shkon BE-ja. Të dhënat tregojnë se mbështetja për Bashkimin Europian është shumë e lartë brenda vetë shteteve anëtare. Sipas anketimit të Bertelsmann Stiftung në gusht të vitit 2016 mbështetja për Bashkimin Europian në tërësi në vendet e BE-së ka qenë mbi 70% dhe më interesante është fakti që mbështetja më e ulët ka qenë në Itali, jo në Britaninë e Madhe që votoi për të dalë nga Unioni.

Preferenca për integrim më të gjerë politik dhe ekonomik në Europë

Përqindja më e madhe e mbështetjes për Bashkimin Europian është në Poloni, me më shumë se 80%, megjithëse një vit e gjysmë më parë polakët votuan me shumicë Partinë Ligj dhe Drejtësi thellësisht euroskeptike. Mbështetja e madhe e polakëve për Bashkimin Europian shpjegohet edhe në dritën e historisë së marrëdhënieve ruso-polake. Më shumë se sa dashuria për BE-në, është frika nga Rusia.

Në krahasim me mbështetjen për Bashkimin Europian, mbështetja për një përafrim më të madh ekonomik dhe politik të vendeve anëtare është më e ulët, në shifrat e 50%. Por, në një vështrim të përgjithshëm vetëm një e katërta e europianëve mendojnë se Bashkimi Europian po shkon në drejtimin e duhur.

Një fakt interesant është ndikimi që Brexit ka pasur në mbështetjen për BE-në në vendet e tjera të Unionit. Frika e teorisë së dominove që mund të pasonte daljen e Britanisë së Madhe ka qenë e pathemeltë, pasi anketimi i Bertelsmann Stiftung tregon se mbështetja për BE-në u rrit pas votes së Brexit dhe jo e kundërta. Madje, pas Brexit, qytetarët e BE-së janë më të prirur të flasin mirë për BE-në me miqtë e tyre, sipas anketimit. Shifrat më të larta arrijnë në Poloni dhe Spanjë, me 79 dhe 71 përqind përkatësisht.

Por vetëm 31% e polakëve mendojnë në gusht të vitit 2016 se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur në BE dhe kjo është shifra më e lartë. Në Itali kjo shifër shkon në 17%, në Francë 20 dhe Gjermani 23 përqind. Por anketimi nuk zbulon se pse kaq pak europianë mendojnë se BE-ja po shkon në drejtimin e gabuar. Rezultatet e këtij anketimi tregojnë se europianët janë kundërthënës në lidhje me BE-në. Ata mbështesin konceptin e Europës së bashkuar dhe përafrimit të mëtejshëm, por nuk mbështesin drejtimin e tanishëm të BE-së.

Përsa i përket përafrimit më të madh politik dhe ekonomik në Europë, shifra më e lartë arrin në Itali me 71% dhe më e ulëta në Britaninë e Madhe me 37%, ndërkohë që mesatarja e BE-së në tërësi është 51%. Për të gjitha grupmoshat mbështetja ndaj përafrimit të mëtejshëm është pothuajse e njëjtë, në rreth 50%.

Shkalla e dakordësisë me fjalinë: “BE po ecën në drejtimin e duhur” sipas Britanisë së Madhe, Spanjës, Francës, Polonisë, Italisë dhe Gjermanisë.

Rezultatet e këtij anketimi pohojnë dhe prirjet e zgjedhjeve të fundit në disa vende të BE-së në lidhje me partitë e djathta anti-europiane. Megjithëse partitë e djathta anti-BE kanë fituar terren në llogaritë elektorale, ato nuk kanë mundur të bëhen faktor vendimtar në vendet e tyre. Dy zgjedhjet e fundit në Austri për Presidentin dhe parlamentaret në Hollandë, pavarësisht sondazheve që nxirrnin para partitë anti-BE, fitorja i takoi partive dhe kandidatëve që pro-europianë, duke zmbrapsur kështu një valë populizmi që vinte pas Brexit dhe fitores së Donald Trump në SHBA. Die Zeit në Gjermani shkruan se kur populizmi përballet me realitetin, ai humbet dhe se tashmë është tejkaluar pika e tij më e lartë. Thelbi i politikës populiste, shkruan Die Zeit, është mohimi i realitetit.

Gjithashtu Marinë Lë Pen ka pak shance të fitojë presidencialet në Francë në fund të prillit, megjithëse mund të fitojë turin e parë të zgjedhjeve. Të gjitha sondazhet e deritanishme nuk i japin më shumë se 40% të votave në turin e dytë. Partia euroskeptike Alternative fur Deutschland në Gjermani, e cila fitoi vota të konsiderueshme në zgjedhejt në disa shtete gjermane vitin e kaluar,  gjendet në probleme të brendshme dhe zgjedhjet e reja parlamentare në Gjermani nuk do të ndryshojnë politikën europianiste të vendit, pavarësisht nëse në krye të qeverisë do të jetë përsëri Angela Merkel ose Martin Schulz.

Por si duhet të ndryshojë BE-ja që të shkojë në drejtimin e duhur? Për The Economist kjo është e vështirë për shkak se bisedimet për daljen e Britanisë së Madhe në dy vitet e ardhshme do i harxhojnë shumë energji Unionit. Shumica entuziastëve të BE-së mendojnë se zgjidhja gjendet tek një përafrim më i madh, sidomos i zonës euro, por edhe nëse kjo ndodh sipas The Economist, një nga traditat e BE-së është të shtyjë përpara pa ndryshuar ndonjë gjë. Tashmë kriza financiare në një masë të madhe është lënë pas, Brexit mund të menaxhohet në njëfarë mënyre dhe kriza e refugjatëve është përtej pikut të vetë. Alternativa sipas The Economist? Një BE më i shumëllojshëm, më fleksibël.

SHPËRNDAJE