Europa mitike dhe Europa reale

1

Intervistë e Dr. Albert Rakipit për Deutsche Welle – reflektime mbi Europën në përvjetorin e 60-të të Traktateve të Romës.

 

Çfarë e rrezikon sot projektin politik europian të Schuman?  

I nisur si një projekt për sigurinë, Bashkimi Europian u shndërrua në një projekt paqeje dhe zhvillimi që i ka dhënë Europës jo vetëm paqen më afatgjatë gjatë gjithë historisë moderne të kontinentit por që ka influencuar dhe vijon të influencojë zhvillimin dhe liritë në një rrafsh global. Arritjet e shkëlqyera të projektit që themeluan midis të tjerëve edhe Robert Schuman, janë të pakrahasueshme dhe të pakonkurrueshme.

Ajo çfarë e rrezikon sot projektin politik europian të Schuman është shumë – është thelbësore, është vetvetja. 

Kjo situatë kur janë ngritur pikëpyetje edhe për vetë ekzistencën e BE sugjeron një reflektim të thellë se si duhet të përballet sot BE me sfidat serioze që qëndrojnë përballë tij, me zhvillime të brendshme kontroversiale që rrezikojnë themelet e BE, një proces reflektimi se si duhet të reformohet dhe të ndryshojë BE sepse përveç faktorëve të jashtëm BE rrezikohet edhe nga… vetvetja.

Rikthimi dhe rishqyrtimi i ideve, koncepteve dhe filozofisë së Robert Schuman dhe themeluesve të tjerë të BE është ndoshta një mënyrë e mirë për të reflektuar për të ardhmen e BE qe në një farë mënyre është edhe e ardhmja e Europës, e paqes, e lirisë, e zhvillimit dhe e përparimit.
   


 Me çfarë sfidash përballet aktualisht BE dhe politika e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke patur parasysh projektin europian të Schuman?


Përpara Bashkimit Europian qëndrojnë aktualisht sfida mjaft themelore për një numër faktorësh të lidhur bashkë: Brexit, marshimi i lëvizjeve populiste, rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë, përfshirë rritjen e kërcënimeve terroriste, krizën e emigrantëve, pa harruar stanjacionin ekonomik dhe në disa vende të BE, krizën ekonomike ende të pakapërcyer. Këto ndoshta janë sfidat më të mëdha me të cilat është ballafaquar ndonjëherë Bashkimi Europian.

Zhvillimet negative nën këtë skenar do të kishin mjaft implikime negative për përpjekjet dhe shpresat e shqiptarëve për ta parë vendin e tyre në Europë. Dhe ndoshta për herë të parë do të ballafaqoheshim me një pyetje shumë thelbësore: “A është e mundshme një e ardhme europiane për Shqipërinë, pa Bashkimin Europian?” Ose më qartë “A është e mundshme ndërtimi i një shoqërie demokratike, i një shteti funksionues dhe të drejtë që bazohet tek respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe i një ekonomie funksionuese pa Bashkimin Europian?”

Ndonëse e parakohshme, dhe sigurisht hipotetike, kjo pyetje është e lidhur me thelbin e integrimit europian.

Vetëm një Shqipëri demokratike, ku respektohen ligjet, vlerat dhe të drejtat e njeriut mund të jetë anëtare e BE. Sepse anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk do e shndërrojë si me magji Shqipërinë në një vend demokratik ku sundojnë ligjet dhe vlerat e lirisë e të drejtave të njeriut. E kundërta është e vërtetë.

 

A mbetet ky projekt i vlefshëm sot apo ka ardhur ora që ai t’i përgjigjet një realiteti tjetër nga ai i kohës së Robert Schuman? 

Ekziston një Europë mitike dhe një Europë reale. Gjithmonë ka qenë kështu. Bashkimi Europian i ka ndihmuar të dyja: edhe Europën mitike, edhe atë reale. Qysh nga themelimi i BE ka qenë një përpjekje konsistente për të ofruar Europën si një mit, me Europën si një realitet. Fuqia e  jashtëzakonshme tërheqëse e Europës, pushteti (the soft power) i Europës qëndron ndoshta në këtë bashkëjetesë të mitikes, magjikes me realen.

Çdo dobësim i BE, e pakta e dobëson këtë marrëdhënie midis mitit dhe realitetit që ka prodhuar paqe, zhvillim, ka forcuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Kohët e sotme duken të pangjashme me kohën kur Robert Schuman dhe baballarët e tjerë themeluan BE, por kërcënimet përballë BE kanë të bëjnë përsëri me paqen, zhvillimin, liritë, përparimin.

SHPËRNDAJE