Editorial: Potemkinët e vegjël, të rrezikshëm të Shqipërisë

0

Princi Grigory Aleksandrovich Potemkin-Tavricheski ishte një udhëheqës ushtarak rus, burrë shteti, fisnik dhe i preferuari i Katerinës së Madhe. Qeverisja e tij asociohet me “fshatin Potemkin”, një metodë e trilluar dinakërie/dinake që konsistonte nëndërtimin e fasadave të pikturuara për të imituar fshatrat e vërtetë, plot me njerëz buzagaz e barkplot, që t’i shihnin zyrtarët gjatë vizitave të tyre.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shihet nga shumëkush si një individ i fuqishëm dhe karizmatik. Dhe me famën e madhe vijnë dhe lloj-lloj fansash. Ndër vite, ai ka tërhequr pas vetes në detyra të ndryshme publike të rinj që përpiqen ta imitojnë. Ata imitojnë mënyrën si ai flet, mënyrën si ai gjestikulon duart – imitojnë deri dhe nevojën e tij për t’i bërë gjërat të duken mirë.

Këta Potemkina të vegjël, siç sillen mushkonjat rreth dritës, i vijnë rrotull kultit personal të KM, stilit dhe përmbajtjes së tij. Shembulli më i qartë dhe më i përfolur është rasti i gruas që mbante postin e Drejtoreshës së Tatimeve. Sidoqoftë, njerëzit harrojnë se pas një individi fshihet një fenomen. Një ushtri në miniaturë me Potemkina të vegjël që përpiqen dëshpërimisht t’i bëjnë qejfin.

Pasi drejtoresha e QSUT, qendrës më të rëndësishme spitalore dhe universitare në vend që përballet çdo ditë me fluksin e pacientëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria, u emërua ministre e shëndetësisë, ajo u zëvendësua nga një tjetër fytyrë e re: ish-drejtuesin e një prej televizioneve kryesorë, të shkarkuar nga detyra pasi humbi një gjyq me pronarin.

Kanali televiziv në fjalë, nën drejtimin e tij ka qenë prej vitesh thellësisht besnik ndaj Ramës personalisht kur ai ka qenë në opozitë dhe tani që ai është në pushtet. Një person që ndoshta ka përvojën e duhur menaxheriale të një kompanie televizive por kurrfarë lidhjeje me sektorin e shëndetësisë, është tani duke menaxhuar qendrën më të rëndësishme spitalore në vend. Kjo histori nuk është fort e ndryshme nga ajo e ish-ministrit të Shëndetësisë, gjithashtu mik i KM dhe njëfarë Potemkini shumë i gjatë.

Sektori i shëndetësisë është ndër sektorët me performancën më të ulët në vend, me probleme të shumta në furnizimin me ilaçe, korrupsionin, ofrimin e shërbimeve për shtresat e diskriminuara, etj.

Pa mohuar të mirat e disa investimeve të lidhura me infrastrukturën, entuziazmi i administratës për t’i portretizuar si suksese ndryshimet e bëra, është qesharak. Dhe tanimë një prej personave kyçë që ka kontrolluar industrinë e reklamimit në një prej kanaleve më të pasura mediatike në vend do të jetë në timon, pikërisht në këto rrethana. Dhe aty ai mund të fusë në punë përvojën e tij. Fshati digjital Potemkin do të jetë realiteti virtual i sistemit tonë të ri shëndetësor. Duket mirë. Po është fals. Dhe sidoqoftë, le të mbajmë mend që çështja e vërtetë këtu nuk është individi, por fenomeni. Potemkinët sigurisht nuk janë të limituar vetëm në këtë administratë. Kryeministri i mëparshëm me agresivitetin e tij të pakontrolluar gjithashtu ka inspiruar tufën e tij të fansave. Specialiteti i tyre ka qenë i një natyre më pak të mprehtë, por më të dhunshme. Ata ishin ngandonjëherë të rrezikshëm, në luftë të përhershme kundër atyre që nuk pajtoheshin. Këta të tanishmit janë ndoshta më pak intensivë por po aq të rrezikshëm.

Potemkinët vijojnë të ngrenë fshatra prej kartoni apo të bëjnë propagandë virtuale duke u përpjekur të maskojnë realitetin, sipas shembullit të pararendësit të tyre të madh, gjeneralit rus për Katerinën e Madhe. Pasioni dhe besnikëria e tyre është i papërmbajtur. Do të bënin të pamundurën të mundur! Ata po mjegullojnë realitetin me metoda çuditërisht efikase. Për këtë ata përfaqësojnë një kërcënim të fshehur për këtë vend, qoftë kjo me apo pa bekimin e liderit të tyre.

SHPËRNDAJE