Politizimi i mundësive ekonomike, klima politike e polarizuar, praktikat e këqija zgjedhore dhe mungesa e përgjigjes nga institucionet publike kanë rritur mosbesimin, cinizmin dhe pashpresshmërinë për sistemin politik dhe perspektivën për ndryshim.
Më herët këtë vit, një grup kërkuesish nga Woodrow Wilson School of Public and International Affairs në Universitetin e Prinstonit (Princeton) erdhën në Shqipëri për të paraparë problemet me të cilat përballet sistemi zgjedhor para zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri. Ata intervistuan anëtarë të organeve drejtuese të zgjedhjeve, partitë politike, zyrtarë qeveritarë, gazetarë, grupe të shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare. Më poshtë janë disa prej gjetjeve të tyre. Kjo është vetëm një pjesë e raportit, për versionin e plotë dhe të dhëna mbi autorët, ju lutemi shikoni raportin e plotë tek: https://goo.gl/VrG9Kn.
Mangësitë në proceset politike dhe zgjedhore shqiptare janë majft të dukshme. Sipas disa prej bashkëbiseduesve me të cilët grupi i kërkuesve u takua, përqëndrimi mbi reformën në gjyqësor e shtyrë nga Bashkimi Europian bëri që reformat zgjedhore të qendronin në prapavijë. Si pasojë, dobësitë në procesin zgjedhor që shenjuan zgjedhjet në Shqipëri në vitin 2013 dhe 2015 pritet të shfaqen përsëri vitin tjetër. Këto dobësi mund të përmblidhen përgjithësisht në kategoritë në vazhdim: dobësi në procesin zgjedhor; dobësi në procesin politik; çështje të lidhura me pjesëmarrjen e femrave dhe të rinjve; dhe çështje të shoqërisë civile, medias dhe kulturës politike.
DOBËSITË E PROCESIT ZGJEDHOR
Praktikat e këqija zgjedhore; Intervistat me një sërë palësh të interesuara në Shqipëri treguan se ka një përshtypje të gjerë praktikash të këqija në zgjedhje. Praktikat e këqija të supozuara që u përshkruan përfshinin si blerjen e votes ashtu dhe frikësimin e votuesve. Në rastin e së parës, bashkëbiseduesit përshkruan praktika që fillonin nga shkëmbimi i drejtpërdrejt i votes për para ose ushqim, deri tek lidhjet afatgjata klienteliste. Në rastin e dytë, ata përshkruan praktika si marrje me dhunë e numrit të identitetit të votuesve në ditët para një zgjedhjeje, megjithëse grupi i kërkuesve nuk ishte në gjendje të vërtetonte këto të dhëna. Sidoqoftë, mbizotërimi i tyre tregon të paktën mosbesimin tek integriteti i procesit zgjedhor në Shqipëri.
Mungesa e alternativave për votimin në mungesë: Që prej rënies së regjimit komunist, një përqindje e madhe e popullsisë shqiptare emigroi në vende të tjera në kërkim të mundësive ekonomike. Sipas rregullave të tanishme, ata qytetarë nuk lejohen të votojnë nëse nuk janë fizikisht të pranishëm në vend në ditën e zgjedhjeve. Kjo e kufizon rëndë përfshirjen në procesin zgjedhor dhe ndërkohë që persona të ndryshëm kanë folur për këtë çështje, asnjë zgjidhje gjithëpërfshirëse për këtë problem nuk është diskutuar në Parlament.
Kodi zgjedhor i krijuar për t’i dhënë përparësi partive të mëdha politike; Struktura e tanishme zgjedhore në Shqipëri është ndërtuar mbi themelin e një mosbesimi të thellë ndërmjet dy partive kryesore dhe si rrjedhojë, përfshin një grup të ndërlikuar kontrollet ndërmjet këtyre dy partive. Në të njëjtën kohë, këto dy parti kanë një marrëdhënie ‘’mik-armik’’, nëpërmjet së cilës ato mbrojnë statusin e tyre të përbashkët si dy lojtarët kryesorë të sistemit partiak. Kjo dinamikë e dyfishtë e bën tejskajshmërisht të vështirë – në mos dhe të pamundur – për parti të reja që të krijojnë një pushtet të dukshëm. Politizimi i komisioneve zgjedhore si në nivelin kombëtar ashtu dhe vendor, ashtu si dhe i procesit të numërimit të votave, janë të ndërtuara në mënyrë të tillë si për të mbrojtur karakterin dypartiak të sistemit, dhe në të njëjtën kohë të dy partitë nuk e besojnë njëra-tjetrën. Për shembull, zyrtarë tek Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor caktohen nga dy partitë e mëdha ekskluzivisht, por mosbesimi ndërmjet tyre është kaq i madh sa shpesh ndodh që secila parti mund të ndryshojë zyrtarët e vetë edhe një ditë para zgjedhjeve nëse mendojnë se ata mund të jenë korruptuar nga partia tjetër. Përjashtimi i partive të tjera nga KZAZpraktikisht mbyt zhvillimin demokratik në vend, meqë partitë e reja të cilat përndryshe kanë potencialin të marrin mbështetje të gjerë, kanë vështirësi edhe të fitojnë një pikëmbështetje fillestare.
Mungesa e aftësive institucionale: Ndërkohë që janë bërë përpjekje për të rritur aftësitë teknike të KQZ-së, ende është me mungesa në burime. Në anën tjetër, në nivelin vendor, partitë politike shpesh cungojnë çdo përpjekje për profesionalizimin dhe trajnim për shkak të frikës së joshjes së zyrtarëve të tyre nga kundërshtarët. Rrjedhoja e këtyre dy forcave janë zgjedhje të drejtuara nga mbështetës vendore të partive dhe të mbikëqyrura nga KQZ me aftësi të kufizuara për të zbatuar kërkesat për të arritur zgjedhje të lira dhe të ndërshme sipas standarteve dhe normave ndërkombëtare.
DOBËSITË E PROCESIT POLITIK
Mungesa e çështjeve në konkurencës politike; Sistemi politik në Shqipëri është dukshëm jo ideologjik. Nuk ka politikë të drejtuar nga çështjet dhe kështu që cilësia e debatit politik është e ulët dhe sipas disa bashkëbiseduesve, konkurenca politike është bërë një garë për të blerë sa më shumë vota dhe për të zgjeruar besnikëritë afatgjata. Partitë adaptohen ndaj rolit të tyre si qeveri dhe opozitë, duke i ndryshuar pozicionet e tyre politike në varësi të rolit që luajnë. Për shembull një ndër partitë e mëdha mund të përkrahë një legjislacion të caktuar kur është në pushtet dhe ta kundërshtojë me vrull të njëjtin legjislacion kur është në opozitë. Ky është rasti i ligjit për menaxhimin e mbetjeve, i cili u paraqit nga Partia Demokratike kur ishte në pushtet para vitit 2013 me qëllim lejimin e importit të mbetjeve nga vendet e tjera në Shqipëri dhe u kundërshtua furishëm nga Partia Socialiste. Sot, në 2016, rolet janë kthyer: ligji pothuajse i njëjtë kundërshtohet nga Partia Demokratike dhe mbështetet nga koalicioni socialist. Në tërësi, mekanizmat e sistemit partiak, megjithëse jo të nxira prej konflikteve etnike apo fetare, janë ato të një sistemi jofunksional, i shkëputur prej qytetarëve të tij.
Demokracia e dobët brendapartiake e theksuar nga listat e mbyllura; Ashtu siç u përmend më parë, sistemi shqiptar me lista të brendshme e përqëndron shumicën e pushtetit vendimmarrës tek udhëheqësi i partisë, duke promovuar në këtë mënyrë një ambjent thellësisht servil. Ndërkohë që disa parti kanë rregulla të brendshme për të zgjedhur kandidatët e tyre, mekanizmat nëpërmjet të cilave bëhen listat përfundimtare nuk janë plotësisht të qarta. Udhëheqja e partive politike di që duhet të presë nivel të ndryshëm suksesi në zona të ndryshme zgjedhore, bazuar mbi popullatën e zones (dhe si pasojë, numrin e vendeve të caktuara në parlament), ashtu si dhe mbi historinë e mbështetjes për një parti ose tjetër. Duke u bazuar mbi këto të dhëna, partite krijojnë listat e tyre strategjikisht. Problem në këtë rast është se udhëheqësit e partive kanë pushtet të tepërt veprimi për ta përdorur këtë të dhënë strategjike për të ndaluar ose promovuar kundërshtarë të brendshëm ose anëtarë besnikë të partisë. Prandaj ata mund të vendosin të pozicionojnë disa kandidatë të partisë më lart ose më poshtë në listë për secilën zonë, duke siguruar praktikisht që ata të jenë në vende pothuajse të sigurta ose kandidatë sa për shenjë.
ÇËSHTJE TË LIDHURA ME FEMRAT DHE RININË
Pjesëmarrja e femrave: Disa individë të intervistuar për këtë raport treguan se veçanërisht në zonat rurale të Shqipërisë, ndodh që femrat të kenë më pak përfaqësim në politikën shqiptare. Për shembull, një femër mund të përfshihet në listën e kandidatëve të partisë për një zonë zgjedhore rurale, duke dhënë përshtypjen e barazisë gjinore, e megjithatë e vendosur mjaftueshëm poshtë në listë sa do të jetë e vështirë në e pamundur për të të fitojë një vend në Parlament. Votimi familjar, nëpërmjet të cilit të gjithë anëtarët e një familjeje nxiten të votojnë në një mënyrë të caktuar nga kreu mashkull i familjes, është gjithashtu një çështje në zonat rurale. Sipas studimeve të fundit të ndërmarra nga UN Women Albania, trysnia nga kreu i familjes nuk ushtrohet drejtpërdrejt në vendin e votimit. Praktika më shpesh ndodh në shtëpi, me anëtarët më të ulët të familjes (shpesh femra) të cilët urdhërohen të votojnë në një mënyrë të caktuar nga kreu mashkull i shtëpisë.
Pjesëmarrja e rinisë; Partitë e mëdha politike kanë organizatat e rinisë, disa prej të cilave duken shumë entuziaste. Sidoqoftë, ka disa shqetësime për shkak se disa prej këtyre të rinjve trajnohen për politikën brenda një sistemi të korruptuar, grupi i ardhshëm i udhëheqësve mund të mos jetë në gjendje të çlirohet nga modeli i gjeneratës së tanishme në pushtet. Në këtë këndvështrim, organizatat e riisë shihen më shumë si zgjatim i veprimeve politike të një partie se sa si një burim i udhëheqjes së re politike.
SHOQËRIA CIVILE, MEDIA DHE CËSHTJET E KULTURËS POLITIKE
Mungesa e një shoqërie civile të fortë dhe të pavarur: Ndërsa mund të gjenden disa organizata të pavarura, një numër i lartë OJQ janë në aleancë ose të kontrolluara nga partitë në qeveri nëpërmjet dhënies së fondeve publike. Këto organizata mund të bëhen zëdhënëse të partisë në pushtet, në vend që të jenë vëzhguese të pavarura të programeve të tyre qeveritare. Kur OJQ janë vërtetë të pavarura, ato marrin pjesë aktivisht në vëzhgimin elektoral ose në përpjekjet për të promovuar reformën e financimit të partive. Sidoqoftë, anëtarët e tyre përballen me kostot e të mosqenurit besnikë ndaj një partie, në terma të bllokimit të mundësive ekonomike apo mohim fondesh për organizatat e tyre. Si rrjedhojë e mosbesimit të përgjithshëm, organizata të tilla të pavarura mund të akuzohen gjithashtu sikur po rreshtohen ndër radhët e aleatëve të partive, edhe kur nuk janë duke e bërë këtë gjë -dhe si rezultat, besueshmëria e tyre është në rrezik. Kjo, e kombinuar me mungesën e politikave të orientuara ndaj çështjeve, krijon një mjedis në të cilin është e vështirë të krijohet mobilizimi në masë, në emër të së mirës së përbashkët apo për të kërkuar ndryshime politike.
Mungesa e medias së pavarur: Ndërsa ka ende mjaft burime mediatike në radio, TV dhe Internet, dhe shtypin e shkruar, shumë syresh përfaqësojnë interesa specifikë politikë dhe/ose ekonomikë. Media është shpeshherë (edhe pse jo gjithmonë) ose peng i interesave politikë, ose një instrument i interesave ekonomikë për të influencuar politikanët. Mungesa e një sektori të pavarur mediatik kufizon mundësitë për të adresuar cështjet e reformave të cilat sistemi elektoral shqiptar duhet të përmirësojë.
Zhgënjimi me kulturën demokratike/politike: të gjitha arsyet e sipërpërmendura kanë rezultuar në një mungesë serioze të kulturës politike demokratike. Njerëzit në Shqipëri e shohin politikën me cinizëm dhe zhgënjim. Politizimi i mundësive ekonomike, klima e polarizuar ekonomike, klima e polarizuar politike, neglizhenca elektorale dhe mungesa e përgjegjshmërisë të institucioneve publike kanë rritur mosbesimin, cinizmin dhe mungesën e shpresës për sistemin politik dhe perspektivat që ai do të ndryshojë.
ROLI I KOMUNITETIT NDËRKOMBËTAR
Komuniteti ndërkombëtar ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën shqiptare që prej epokës komuniste. Roli i komunitetit ndërkombëtar si donatorë, ndërmjetësues dhe katalistë të reformës së administratës publike në politikën shqiptare ka qenë kyç. Ndërsa shumë institucione luftojnë për të gjetur konsensusin dhe shpeshherë bien pre e shkeljeve nga aprit të fuqishme politike, komuniteti ndërkombëtar është kthyer në një burim primar të legjitimitetit në politikën shqiptare. Pavarësisht se roli i komunitetit ndërkombëtar ngjan të jetë zbehur dukshëm që prej dy zgjedhjeve të fundit, ata vijojnë të mbeten një burim ndikimi madhor në arenën politike, duke çuar kështu në disa kritika që argumentojnë se ka një mungesë të dukshme të ‘pronësisë lokale’ midis politikanëve shqiptarë dhe aktorëve të shoqërisë civile. BE ka qenë një ndikim i madh në Shqipëri që prej 1991, pas rënies së regjimit komunist. Në këtë aspekt, oferta për anëtarësim në BVE që iu drejtua Shqipërisë dhe shteteve të tjera të Ballkanit në 2000 rriti rolin e BE dhe i hapi udhën një sërë instrumenteve të rinj për të influencuar politikën dhe politikë-bërjen në Shqipëri. Partneritetet e BE të miratuara në bazë vjetore që prej 2004 kanë vendosur pika prioriteti konkrete që përfshijnë reformat administrative, gjyqësore dhe ekonomike. Integrimi i Shqipërisë në BE është me gjasa rrjedhojë e plotësimit të një prej këtyre synimeve. Shqipëria mori statusin zyrtar të një kandidati të BE në 2014. Ka mbështetje të gjithanshme ndërmjet partive politike për aderimin në BE. Megjithatë, reforma të rëndësishme janë penguar ose janë ndaluar si rrjedhojë e polarizimit të mosmarrëveshjeve ndërmjet dy partive madhore. Sipas kritikëve, nën dritën e procesit stagnant të reformës, deklaratat pro-europiane nga ata që janë në pushtet bëhen me shumë gjasa sa për të thënë. Komuniteti ndërkombëtar mbështet gjithashtu reformat zgjedhore në Shqipëri, implementimin e zgjedhjeve, trajnimin dhe ndërtimin e kapaciteteve ndërtuese të oficerëve zgjedhorë dhe koordinimin e palëve ndërkombëtare të interesuara. Roli i aktorëve ndërkombëtarë ka ndryshuar tani nga vëzhgimi aktiv i zgjedhjeve në mbështetjen e grupeve vendase të vëzhguesve si OJQ dhe institucionet vendase. Për shembull, momentalisht OSBE/ODIHR drejton një inspektim teknik të zgjedhjeve dhe organizon konsultime ndërmjet palëve të interesuara të procesit të votimit. Këshillli i Europës së bashku me OSBE organizojnë sesione trajnimi për anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor mbi administratën elektorale. Aktorët ndërkombëtarë gjithashtu ofrojnë mbështetje për të rritur ndërgjegjësimin e votuesve dhe për të organizuar fushata edukuese për zgjedhësit. Për shembull, diskutime të grupeve të fokusit organizohen nga programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim për edukimin e zgjedhësve, të fokusuara në çështjet gjinore, votimin familjar, trysninë për sanksione apo mashtrim dhe çështje të tjera të ngjashme.
REKOMANDIME
- Mbështetja e KQZ në grumbullimin e oficerëve zgjedhorë të trajnuar mirë
Organizatat ndërkombëtare duhet të vijojnë të asistojnë KQZ në drejtimin e trajnimeve dhe ndërtimit të kapaciteteve për komisionerët zgjedhorë. Ndërtimi i kapaciteteve të oficerëve të përforcimit ligjorë në fusha si zgjidhja e konflikteve dhe teknikat hetuese për çrregullti financiare dhe trajnim teknik të numëruesve zgjedhorë dhe komisioneve të qendrave të votimit në përdorimin e software-eve dhe hardware-ve duhet të përfshihet. Një sfidë përsëritëse gjatë zgjedhjeve është zëvendësimi i shpeshtë i oficerëve të KQV dhe numëruesve si rrjedhojë e kërkesave të një partie politike të mbështetura në akuza për korrupsion. Kjo rezulton në oficerë të patrajnuar që i caktohen detyra zgjedhore një ditë para zgjedhjeve. Shumëfishimi i oficerëve të trajnuar do të siguronte që transfertat e minutës së fundit të mos ndikojnë seriozisht në implementimin e zgjedhjeve.
- Inkurajimi i koalicioneve të partive që udhëhiqen nga të njëjtat cështje dhe ndërtimi i kapacitetit të tyre
Si aktorët vendas, edhe ata ndërkombëtarë duhet të japin shtysën për reforma zgjedhore dhe politike që lejojnë formimin dhe konsolidimin e koalicioneve të reja politike ndërmjet partive të udhëhequra nga të njëjtat çështje. Duhen inkurajuar programet që synojnë rritjen e partive të reja dhe liderëve partiakë, si dhe aftësimin menaxherial të tyre. Është vendimtare të fuqizohen partitë më të reja të prirura ndaj të njëjtave çështje, pasi stagnacioni politik si pasojë e pak alternativave është një pengesë për zhvillimin në Shqipëri.
- Përmirësimi i transparencës në proceset e brendshme partiake
Komuniteti ndërkombëtar duhet të asistojë partitë politike në hartimin dhe implementimin e metodave që promovojnë përfshirjen e anëtarëve të partisë në vendimmarrje dhe në diskutimet brenda strukturës së partisë. Funksionimi i brendshëm i partive politike, përfshi këtu rregulloret e përfshirjes së kandidatëve, zgjedhjet e brendshme për krerët e partisë dhe përfaqësimi i grave në parti duhet të jenë transparente dhe objektive. Duhen marrë si shembull praktikat më të mira nga vendet e tjera për të promovuar kulturën demokratike përbrenda partive.
- Përforcim më strikt i standardeve mediatike duke fuqizuar organizmat rregullatorë mediatikë
Grupet ndërkombëtare vëzhguese duhet të konstatojnë një proces të drejtë dhe transparent të zgjedhjes së anëtarëve të AMA. Duhet vendosur një ndarje strikte ndërmjet përmbajtjes editoriale dhe reklamës politike. Për më tepër, duhen vendosur kontrolle cilësie mbi përmbajtjen e burimeve mediatike online dhe duhet caktuar një organ rregullator monitorues për standardet e mediave online.
- Promovim i financimit të pavarur të, OShC, OJQ, shtëpive mediatike
Agjencitë e ndihmave ndërkombëtare duhet të asistojnë në strategjitë e rritjes së fondeve në Shqipëri në mënyrë që të inkurajojnë në mënyrë të pavarur OJQ-të dhe burimet mediatike të financuara në mënyrë të pavarur. Qeveria duhet të inkurajohet të ofrojë ulje taksash dhe nxitje të tjera për sektorin prvat në mënyrë që të inkurajojë mbështetjen ndaj shoqërisë civile. Një sektor i brendshëm i fortë dhe një zmbrapsje nga mbështetja e tepërt mbi organizatat ndërkombëtare është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë civile.