EQREM ZENELAJ
Rënia e Kostandinopojës më 1453, e pasuar nga depërtimi i furishëm i Perandorisë Osmane në tokat e Evropës, shkaktoi një frikë të përgjithshme te princat e vegjël si dhe te mbretërit e Evropës, të cilët shumë herët i bashkuan forcat në koalicione ushtarake, për ta ndaluar këtë depërtim të osmanëve në thellësi të Evropës. Depërtimi osman arriti kulmin me rrethimin e parë të Vjenës, më 1529. Rrethimi i dytë i Vjenës nga Perandoria Osmane, më 1683, do të jetë edhe lufta e fundit pushtuese osmane në kuptim të zgjerimit osman në tokat evropiane.
Rrethimi i dytë i Vjenës më 1683 shënoi po ashtu edhe rënien graduale të fuqisë ushtarake të Osmanëve, e cila do të mbarojë si Perandori Osmane më 1922. Epërsia e Vjenës (Dinastisë Habsburge) ndaj Perandorisë Osmane, që fillon më 1683 e këtej, shpesh edhe në aleanca ushtarake të saj me Venedikun, Poloninë, Rusinë, etj., do të sjellë edhe interesa gjeopolitike e traktate të ndryshme të paqes midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane. Prandaj, zhvillimet politike e ushtarake, si dhe traktatet e ndryshme të Austrisë me Perandorinë Osmane, duke filluar që nga Traktati i Karlovcit më 2 mars të vitit 1699, pastaj Traktati i Pasarovit më 1719, Traktati i Beogradit më 1739, dhe Traktati i Sistovës më 13 gusht 1791, do të sjellin vazhdimisht humbje të territoreve nga ana e Perandorisë Osmane, si dhe një dobësim të vazhdueshëm ushtarak të kësaj në raport me fuqitë e tjera të Evropës: me Austrinë, Rusinë, Prusinë, Francën e Anglinë.
Porta e Lartë dhe sulltanët osmanë i bënin luftërat e tyre pushtuese “në emër të islamit”, kështu që edhe luftërat apo aleancat ushtarake midis shteteve të Evropës, të cilat bëheshin kundër Perandorisë Osmane, quheshin dhe ishin aleanca të krijuara për “luftëra të shenjta” kundër depërtimit “islam” në thellësi të Evropës. Në fakt, nga viti 1856 gjeopolitika e Fuqive të Evropës do të ndryshojë, ngase Perandoria Osmane nuk do të konsiderohet më si diçka e ndarë nga Evropa, por si pjesë e saj. Me Traktatin e Paqes të Parisit, të vitit 1856, Perandoria Osmane për herë të parë do të pranohet në “Koncertin Evropian”, si dhe do të merret në mbrojtje nga Fuqitë e Evropës përballë Rusisë Cariste, për ruajtjen e statukuosë në Evropë. Rusia Cariste në këtë periudhë ishte forcuar mjaft ushtarakisht dhe kishte plane të vazhdueshme që ta shkatërronte Perandorinë Osmane dhe të vinte diktatin e saj politik e ushtarak në Evropë. Nga ajo kohë, Rusia ishte bërë një tjetër forcë kërcënuese për ruajtjen e statukuosë; në njëfarë mase, Rusia Cariste u kishte dalë disi nga dora Fuqive të Evropës.
Lidhur me Krizën e Lindjes (Kriza Lindore), më së paku do të jetë e interesuar Prusia e Bismarkut, ndërsa më e interesuara do të jetë Rusia Cariste. Deri në këtë periudhë, Perandoria Osmane ishte dobësuar tej mase ushtarakisht nga luftërat e gjata në Evropë e në Ballkan, e sidomos nga luftërat e saj me Rusinë. Me vendimet e Traktatit të Parisit të vitit 1856, Rusisë nuk do t’i lejohej më ndonjë veprim ushtarak apo diplomatik i njëanshëm, i cili do ta ndryshonte në mënyrë të njëanshme statukuonë në Evropë e që do të prekte interesat e fuqive të tjera evropiane. Ndaj, në dëm të interesave të Rusisë do të jenë edhe dispozitat e Traktatit të Parisit të vitit 1856, sipas të cilave Rusisë nuk do t’i lejohej më ndonjë veprim ushtarak kundër Perandorisë Osmane, pa pëlqimin e fuqive të tjera të Evropës. Me Traktatin e Parisit të vitit 1856, Deti i Zi demilitarizohej dhe bëhej i lirë për lundrim e tregti për të gjitha shtetet. Po kështu, ndalohej militarizmi i tij nga ana e Rusisë dhe i Perandorisë Osmane. Këto dispozita të Traktatit të Parisit do të jenë halë në sy për Rusinë dhe për interesat e saj hegjemoniste. Nga Konferenca e Paqes e Paristi, fillon edhe haptas një rivalitet dhe një pabesi diplomatike midis Rusisë dhe Austrisë. Kjo armiqësi dhe ky rivalitet do të kamuflohet herë pas here me ndonjë marrëveshje politike, tregtare, apo me ndonjë aleancë ushtarake mes tyre, por këto marrëveshje nuk do të jenë jetëgjata dhe as të çiltra.
Njëra ndër marrëveshjet e fshehta “miqësore” mes dy perandorive, Rusisë Cariste dhe Austro-Hungarisë, ishte dhe Marrëveshja e fshehtë e Rajhshtatit në Boemi (Reichstadt-Boemen), e vitit 1876, e lidhur midis perandorit të Austro-Hungarisë, Jozefit I, dhe ministrit të tij të jashtëm, Andrasit, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër Carit rus, Aleksit II, dhe ministrit të jashtëm të Rusisë, Goçakovit. Kjo marrëveshje e fshehtë ruso-austro-hungareze do të jetë e një rëndësie të veçantë, si në rrafshin kombëtar shqiptar, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar të diplomacisë evropiane dhe në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare. Kjo rëndësi qëndron në faktin se çështja kombëtare shqiptare, për herë të parë, jo vetëm që pranohet se ekziston si një problem i pazgjidhur, por ajo kërkon një zgjidhje. Pra, në fakt, më 1876, në marrëveshjen e fshehtë austro-hungarezo-ruse, për herë të parë në diplomacinë evropiane çështja shqiptare shtrohet për t’u zgjidhur dhe i jepet edhe një kah i caktuar.
Gjysma e dytë e shekullit XIX ishte një periudhë e lindjes së shteteve kombëtare, por jo edhe periudhë e formimit të shtetit kombëtar shqiptar. Në këtë periudhë do të krijohen dy taborë të mëdhenj nacionalistë, armiqësorë dhe të papajtueshëm me njëri-tjetrin, të cilët përfundimisht do të ndikojnë në rreshtimin politik, diplomatik, kombëtar dhe ushtarak të shteteve evropiane: nga njëra anë, taborri i politikës pansllave, ruso-ortodokse; nga ana tjetër, taborri i politikës dhe i ideve pangjermane. Nga fundi i shekullit XIX, por edhe në fillim të shekullit XX, këtyre dy gjeopolitikave, herë në mënyrë të fshehtë e herë në mënyrë të hapur, do t’u bashkohen edhe shtete të mëdha, si Franca, Anglia, Italia dhe Perandoria Osmane.
Idetë pansllave në Evropë dhe në Ballkan në fillim ishin instaluar nga qarqet sllave: polako-çeko-sllovake (1844). Këto qarqe synonin fillimisht krijimin e një shteti të madh të sllavëve të jugut në Ballkan, pa dallim feje (ortodoksë apo katolikë). Më pas, Rusia këto ide do t’i shndërrojë në ide pansllave ruso-ortodokse. Mjerisht, këto ide gjejnë vend edhe në fund të shekullit XX, në të katër luftërat që ka zhvilluar Serbia në Ballkan, që nga viti 1990 e deri më 1998-1999.
II
Austro-Hungaria, për një kohë të gjatë, do të jetë edhe shpresë lirie e çlirimi për të gjithë popujt e krishterë të Ballkanit, sidomos pas fitores së saj kundër Perandorisë Osmane më 1683 dhe Traktatit të Karlovcit të vitit 1699. Popujt e Ballkanit asohere sytë i kishin të drejtuar nga Vjena; mes tyre, edhe shqiptarët.
E drejta e kultprotektoratit të Austro-Hungarisë mbi të krishterët nën Perandorinë Osmane, e fituar me Traktatin e Karlovcit të vitit 1699 (neni 13), nga njëra anë është edhe një e drejtë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në pikëpamje të besimit fetar dhe të së drejtës ndërkombëtare. Traktati i Karlovcit (1699) dhe Traktati i Rajhshtatit (1876) janë dy ngjarje shumë të rëndësishme, sepse në Traktatin e Karlovcit për herë të parë shqyrtohet mbrojta e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërsa në Traktatin e Rajhshtatit për herë të parë në tavolinat e diplomacisë evropiane shtrohet çështja e formimit të shtetit autonom shqiptar. Në këtë kontekst, për hir të çështjes së tyre kombëtare shqiptarët do të lidhen dhe do të krijojnë raporte miqësore me Austro-Hungarinë. E drejta e Kultprotektoratit të Austro-Hungarisë mbi shqiptarët dhe Shqipërinë ka një kohëzgjatje prej 219 vjetësh, pra, që nga Traktati i Paqes së Karlovcit (1699) e deri me shkatërrimin e Monarkisë së Austro-Hungarisë (1918). Edhe pavarësia e Shqipërisë, ndonëse Konferenca e Ambasadorëve në Londër i dha trajtë të cunguar, në të gjitha dokumentet gjermanofone, po edhe ato arkivore të huaja, përshkruhet si “projekt dhe meritë e veçantë” e shtetit të Austro-Hungarisë.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), disa herë janë bërë të njohura të gjitha projektet e shteteve të ndryshme lidhur me caktimin e kufijve të Shqipërisë dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar (projekti rus; projekti i shteteve të Ballkanit – serb, grek; projekti francez; si dhe planet e projektet e Perandorisë së Austro-Hungarisë lidhur me madhësinë e shtetit shqiptar, etj.). Thënë shkurt, kjo Shqipëri siç është sot – e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 – si dhe pjesa e Shqipërisë Veriore, sidomos qyteti i Shkodrës, janë rezultat i synimeve dhe i përpjekjeve të Austro-Hungarisë për të krijuar një shtet autonom shqiptar në Ballkan, po aq sa edhe i luftës së vazhdueshme të shqiptarëve për liri e pavarësi.
Burimet arkivore diplomatike nga Vjena dëshmojnë se Shkodra shpëtoi nga Mali i Zi prej Austro-Hungarisë, sepse Mali i Zi e mbante atë të rrethuar Shkodrën dhe synonte ta aneksonte përfundimisht, në çastet e fundit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913. Konferenca e Londrës e vitit 1913 vërtet e njohu shtetin e cunguar të pavarur shqiptar (Principatën e Shqipërisë), por, nga ana tjetër, trojet e tjera shqiptare u copëtuan në mënyrën më të paskrupullt dhe iu njohën shteteve ballkanike.
Nga të katër vilajet shqiptare që ekzistonin deri më 1913, si provinca dhe pjesë të Perandorisë Osmane me rreth mbi 92.000 km2, Konferenca e Ambasadorëve e Londrës do të njohë një Shqipëri, e cila, me disa qortime të mëvonshme, do të jetë Shqipëria e sotme, me 28.000 km2. Pjesa më e madhe e territoreve shqiptare mbetën padrejtësisht jashtë shtetit amë, ose jashtë “Shqipërisë Londineze”, për t’u bërë pre dhe për t’iu dhuruar fqinjëve ballkanikë: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Në tekste të shumta dhe në burime apo literaturë gjermanofone, por edhe tek autorë perëndimorë, kemi hasur shënime e citime të ndryshme, të cilat Shqipërinë e pavarur të vitit 1913 e quajnë si “një shtet fëmijë”, apo si një “projekt dhe kreaturë shtetërore të Perandorisë së Austro-Hungarisë”. Një burim gjermanofon, lidhur me pavarësinë e Shqipërisë dhe me përpjekjet e Monarkisë së Danubit në dobi të saj, ndër të tjera thotë: “Shteti i Shqipërisë i vitit 1913 ishte shtet-fëmijë i Monarkisë së Austro-Hungarisë”. Apo, siç shkruan autori Ippen në gazetën “Rechspost” të Vjenës më 1924, në një artikull me titull: “Ndihma e Lidhjes së Kombeve për Shqipërinë” (Die Hilfe des Völkerbundes für Albanien), duke thënë: “Shqipëria si shtet është një krijesë e Monarkisë Austro-Hungareze”.[1]
J.G. Amerling në vitin 1879, në një libër të tij për shqiptarët kelmendas të ikur nga trojet e tyre, dhe për origjinën e tyre shqiptare, ndër të tjera shkruan: “Në Austri, shqiptarët e ardhur në mesin tonë quhen Klementinë, sepse disa prej tyre i përkasin fisit të Klementinëve në lumin LIVENA(ZEM)”.[2] Në librin e tij, lidhur me ngulitjet e familjeve shqiptare në Austri, Armeling shprehet: “Në çdo kohë Shqipëria kishte sjellë individualitete të shquara, bile të shkëlqyera, kështu në Greqinë e Lashtë, në Perandorinë Bizantine, në Turqi. Edhe në Itali ne gjejmë ministrin e Tregtisë Seismit Doda, gjeneralin Lecha (Leka) dhe të tjerë; në Austri familjen Petrino, Turkulus, Mazaraki, Balaban, me prejardhje shqiptare.” Nga familja e fundit Balabani kanë rrjedhur shumë peshkopë grekë, njëri prej të cilëve ndërton një kishë në Lamberg.”[3]
III
Në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe për tërë ato përpjekje të Austro-Hungarisë që të formohej dhe të ekzistonte një shtet i fortë e i pavarur shqiptar në Ballkan, natyrisht nisur edhe nga interesat e saj gjeopolitike, intelektualët dhe paria shqiptare në vitin 1917 kishin realizuar në Vjenë një vizitë falënderuese. Ata kishin shkuar te perandori i Austro-Hungarisë, Karli I, për të shprehur falënderimin e popullit shqiptar për çka Austro-Hungaria kishte bërë në të kaluarën për shqiptarët dhe Shqipërinë, sidomos në kohën më të re, për pavarësinë e Shqipërisë, apo për shporrjen e ushtrisë serbo-malazeze nga Shqipëria më 1916.
Në shumë burime austriake e gjermanofone gjerjmë përshkrime pozitive të shqiptarëve, ku ndër të tjera numërohen: besa, mikpritja, ndjenja e mirënjohjes. Ky virtyt i ndjenjës së mirënjohjes shqiptare për Austro-Hungarinë është shfaqur gjerësisht edhe në shtypin shqiptar, ku po veçojmë gazetën “Vullneti i Popullit”, botuar në vitin 1931. Në këtë gazetë, në artikullin e titulluar “Miqësia shqiptaro-austriake”, autori shqiptar ndër të tjera shkruan edhe për ndihmesën e Austro-Hungarisë në të kaluarën, e sidomos për pavarësinë e Shqipërisë, duke e përshkruar këtë mirënjohje si burim të ndjenjës dhe të virtytit që ka shqiptari.[4] Intelektualë të shumtë, poetë e patriotë, në shkresat e tyre, memorandumet e njoftimet e tyre, e mbështesin shpresën te Vjena dhe te simpatia për Austro-Hungarinë. Të tilla shkresa, telegrame, memorandume, njoftime dhe falënderime për Austro-Hungarinë, i mbërritën kësaj jo vetëm nga të gjitha vilajetet shqiptare, po edhe nga jashtë tyre: nga Vjena, Budapesti, Stambolli, Shkodra, Italia, Sofja, Bukureshti, Prizreni, Gjakova, Manastiri, Shkupi, Vlora, Tetova, Dibra, Peja, Konstanca, Amerika, Londra, Brukseli, etj. Disa nga autorët e tyre, ishin: Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, Ekrem Vlora, Dervish Hima, Fan Stilian Noli, Faik Konica, Gjergj Fishta, Isuf Xhelili, Hasan Prishtina, Ahmet Zogu, Gjergj Pekmezi, Bajram Curri, Hysni Curri, Dr. D. Klementi, etj.[5] Periudha e shkresave, ankesave, lutjeve, telegrameve, njoftimeve dhe memorandumeve të patriotëve shqiptarë dërguar Vjenës, përfshin vitet 1878-1918.
Janë të tmerrshme njoftimet e patriotëve shqiptarë, të cilët i drejtojnë telegrame Vjenës lidhur me vuajtjet dhe mizoritë e shumta që përjetonte populli shqiptar nga fqinjët ballkanikë, sidomos lidhur me vrasjet e masakrat që ushtronin ushtritë serbo-malazeze e greke në trojet shqiptare gjatë luftrave ballkanike 1912-13, si dhe gjatë Luftës I Botërore 1914-1918.[6] Të tilla thirrje, shkresa e kërkesa, i hasim në burimet arkivore të konsujve të Austro-Hungarisë në Ballkan edhe në periudhën e viteve të kohës së pushtimit të Shqipërisë nga Austro-Hungaria, periudhë që njihet si Administrim Ushtarak i Austro-Hungarisë në Shqipëri (1916-1918).
Kërkesë dhe dëshirë e shumë patriotëve shqiptarë dhe e parisë së vilajeteve shqiptare ishte që në të ardhmen të theksohej, të shkruhej dhe të dihej për mbështetjen kulturore-kombëtare e njerëzore të Austro-Hungarisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gazeta shqiptare “Vëllaznija”, e cila më 1916 botohej në Vjenë të Austrisë, në një artikull të saj të atij viti ndër të tjera shkruante: “(…) Populli shqypëtar e di fort mirë përse i ka vû gjithë shpresët e veta në Monarki austro-ungare, qi ka për Pris të vet Dinastinë e famshme të Habsburgvet (…)”[7]
Simpatinë për popullin shqiptar, si dhe për virtytet e historinë e shqiptarëve, e shfaqin edhe diplomatë, ushtarakë, burrështetas, intelektualë dhe autorë të shumtë të Austro-Hungarisë. Ndër ta, në në interes të ekzistencës e të mirëqenies së kombit shqiptar kanë punuar dhe janë shprehur publikisht: J. G. Amerling[8], Friedrich Walisch[9], Dehn Paul[10], A.Hemberger[11], Ludwig Talloczy[12], M.Erikson[13], Baron von Nopska,[14] Leo Freundlich,[15] si dhe shumë intelektualë austro-gjermanë e hungarezë!
Miqtë e shqiptarëve, madje, formonin edhe shoqata e komitete të ndryshme miqësore austriako-shqiptare. Këto shoqata miqësore formoheshin me qëllim dhe synim të mbështetjes së mëtejme të afirmimit dhe zhvillimit të vlerave kulturore e kombëtare shqiptare, duke synuar një vazhdimësi të marrëdhënieve tradicionale miqësore austriako-shqiptare. Në kuadër të këtyre shoqatave dhe miqve shqiptarë vlen të përmendet edhe krijimi i një komiteti, i cili u quajt “Komiteti austriak për Shqipërinë” në vitin 1914, me seli në Vjenë, që kishte për qëllim mbështetjen dhe përparimin e kauzës shqiptare.
Ndër themeluesit e këtij komiteti austriako-shqiptar në Austri, ishin: Harnach, Eduard Prinz von und zu Lichtenstein, Fritz Spitzer, Viktor Freiherr von Fuchs, Ignaz Rippel, Harraci, Oberhummer, Bruno Pollack Edler von Parnau, Artur Breycha, Guido Freiherr, V. Samaruga, Artur Lamberger, Alexander Salkind, Oskar Shtein, Franz Eduard Sueß, Baron Florian Baumgartner, Leo Freundlich, e shumë të tjerë.[16]
Me rastin e 86-vjetorit të lindjes së perandorit të Austro-Hungarisë, Franz Josef, gazeta shqipe “Vëllaznija”, në një artikull të saj më 1916, titulluar “Perandori e Mbretit Frano Zefi I”, shkruan:
“Marrëveshjet e Monarkisë austro-ungare me popullin arbnuer janë fort të moçme të perzêmerta, tuj kjênë qi Dinastija e Madhnueshme e Habsburgut tregoi gjithherë nji mirësi atnore për kombin shqypëtar e j’u gjet ndihmë në nevojë të veta qi pat (…).
Populli shqypëtar e di fort mirë përse i ka vû gjithë shpresët e veta në Monarki austro-ungare, qi ka për Pris të vet Dinastinë e famshme të Habsburgvet. Me dorë të fuqishme e mbrojti Monarkija gjithmonë Shqypëninë prej thonjve t’anmikut, deri sa n’e mbram e shpetoj.
Me kishilla të mira u mundue gjithherë Monarkija austro-ungare me i bashkue Shqypëtarët ndër veti, tuj pasë për qëllim përparimin e qytetërimin e popullit shqypëtar. (…)[17]
Më tutje, në atë artikull të asaj gazete shkruhej:
“(…) Edhe populli shqypëtar e ka pasë dhe e ka të vetmin mbrojtës Perëndorin dhe Mbretin Frano Zefin I.
Në kohënat e tmerrshme e fort të vështira, qi i duhej me i kalue kômbit Shqypëtar, në ç’do zêmbrë të ç’do Shqypëtari jetonte nji shpresë, se hiri atnuer i Axhës Franë nuk e ka harrue popullin e ngratë Shqypëtar e se kurr ndonjiherë s’ka me i lânë anmiqtë e ti për me e poshtnue e shkelë.
Në kohë të luftës Balkane, kur u verbuenë prej madhështisë, Serbët e mallkuemë e deshtnë me e shkelë tânë Shqypninë, vetëm vullneti i Perandorit e Mbretit Frano Zefit me ushtrinë e vet të armatosun i ndaloj këta.
Sikûndër e fuqiplota fjalë e Perandorit i përzûni Malazezët prej Shkodre, gjithashtû i dëboi dhe çetat hajdute të Serbëve prej mâ të shumave vise të Shqypënise, q’i lakmoshin aq fort me i pasë.
Edhe kur shpërtheu lufta e madhe dhe tânë anmiqtë e popullit Shqypëtar, të cilët prej kohe ia kishin pregatit vorrin këti populli, pa mëshirë ju turrnë e deshnë me e përpî, edhe atëherë vetëm vullneti i Perandorit përzû anmiqtë prej Shqypënisë dhe iu dha e drejta e vet këti populli.
Shpeshherë e ka kallxue çiltas Perëndori Frano Zefi me pakë fjalë, por me punë të njimêndta, se mirëkjênja e kômbit Shqypëtar âsht dëshira e zêmbres së Ti atnore (…)”[18]
Gazeta tjetër shqipe, me titull “Përparim”, e cila botohej në Shkodër, në artikullin e titulluar “Deka e Franz Josefit – Bamirsit mâ t’madhit t’Shqypniis”, ndër të tjera shkruan:
“Më 21t’Nandorit dha shpirtin ner duer t’Atit madhnia e Tii Franz Jozefi – perandori i Austris e Regji apostolik i Ungariis.
(…) Por edhe na Shqyptarët jena të detyruem me bekue Êmnin e Franz Jozefit e me i lutë paqë e dritë shpirtit t’Tii , per dasht nii t’pashoqe qi gjithmonë i diftoj Shqypniis. Permentoret e dashniis t’Franz Jozefit për Shqypnii janë shkollat, janë Koshnat e qelat e priftniis, meshtaria marë, qi me bamirsina t’Tiat rritet e mahet. Ja shpërbleftë Zoti me dritë e me gzime t’jetës pasosme.”[19]
Me qëllim të forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe për ta mbështetur përparimin e zhvillimin kombëtar të Shqipërisë, në vitin 1914 ishte formuar “Komiteti Austriak për Shqipërinë”.
Edhe pas Luftës I Botërore e pas shkatërrimit të Monarkisë së Danubit, raportet miqësore dhe simpatia e ndërsjellë kanë ekzistuar dhe janë shfaqur në forma dhe mënyra të ndryshme. Në vitin 1929, me këmbënguljen dhe mbështetjen e shtetit të Austrisë, në Vjenë ishte formuar edhe një shoqatë shqiptare me emrin “Shoqata e miqësisë Austri-Shqipëri”. Kjo shoqatë, e mbështetur nga intelektualë, akademikë, diplomatë dhe ish-ushtarakë të njohur austriakë, kishte për qëllim kultivimin e mëtejmë dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira tradicionale miqësore kulturore dhe ekonomike mes dy popujve. Shoqata e miqësisë kishte dhe organet e veta dhe kryesinë, ndërsa për kryetar i kësaj shoqate austriako-shqiptare ishte zgjedhur intelektuali, shkrimtari, historiani, publicisti, politikani i njohur i Austrisë dhe albanofili, Dr. Fridrih Valish. Nënkryetar i shoqatës “Austri-Shqipëri” ishte zgjedhur skulptori i njohur Gustav Gurschnerin. Shoqata kishte tubuar edhe shumë figura e intelektualë të njohur të Austrisë. Në kryesinë e shoqatës ishin edhe shumë figura të njohura publike e letrare, politike e ushtarake, si p.sh. kapiteni ushtarak Karl Clossmann dhe shumë figura e miq të tjerë.
Ndjenja miqësore e mirënjohjes shqiptare përballë Austrisë është e freskët dhe e vazhdueshme edhe në vitet ’30 të shekullit XX. Gazeta zyrtare e Mbretërisë Shqiptare, me titull “Vullneti i Popullit”, e cituar më lart, në një artikull të saj të vitit 1931 lidhur me miqësinë dhe ndihmesën austriake, të titulluar: “Miqësija Shqiptaro-Austriake”, ndër të tjera shkruan:
“Populli i ynë, midis virtyteve të tjera, e ka të gjallë ndjenjën e mirënjohjes. Kur sheh që sidomos një i huaj përpiqet për të mirën e tij, këtë të mirë nuk e harron kurrë dhe mundohet të gjejë rastin për t’ia shpërblyer.
Sikur të ishte një popull i madh dhe i pasur, shqiptari nuk do të kursehej kurrë t’u vinte në ndihmë, materialisht dhe moralisht, të gjith’ atyreve të cilët i di dhe ka bindje të plotë se kanë punuar çiltërsisht për të.
Për fat të keq është një popull i vogël dhe mirënjohjen e tij s’ka se si ta tregojë, veçse me një çfaqje të nxehtë simpathije, sa herë që t’i bjerë rasti.
E shkuara historike e vëndit t’onë tregon hapur se në çdo koh’e çdo rast Austria është përpjekur për të mirën t’onë, aqë nga pikëpamja kulturale, sa nga pikëpamja politike.
Nuk është e mundur në shtyllat e ngushta të një fletoreje të zhvillojmë gjatë’e gjërë përpjekjet e Austrisë jo vetëm për indipendencën politike po, mund të themi, për konsolidimin e jetës kombëtare të Shqipërisë: këtë mision ka për tá kryer Historia e së shkuarës së afërme të vendit t’onë.” [20]
Kjo miqësi tradicionale dhe kjo simpati austriake për popullin dhe shtetin shqiptar ka vazhduar në forma të ndryshme deri në ditët e sotme. Këtë rrugë tradicionale miqësore austriako-shqiptare e kanë ndjekur edhe ish-ministri i Jashtëm i Austrisë, diplomati i njohur, Aloiz Mock; kryetarja shumëvjeçare e “Shoqatës së miqësisë Austri-Shqipëri”, Elizabeth Gehrer, e cila njëherësh ishte edhe ministre e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në qeverinë e Wolfgang Schüssel-it dhe nënkryetare e Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP); vetë Wolfgang Schüssel-i, kancelar i Austrisë, e shumë të tjerë.
Me rastin e luftës së fundit në Kosovë, më 1998-99, shteti i Austrisë, strukturat qeveritare e diplomatike dhe i tërë populli austriak treguan një solidaritet të madh me vepra për popullin shqiptar të Kosovës, duke shpalosur edhe një herë ndjenjën miqësore e mirëbërëse të tyre ndaj popullit shqiptar, me anë të aksionit humanitar me titull: “Fqinji në emergjencë” (Nachbarn im Nott).
Qeveria dhe shteti i Austrisë, gjatë kohës së Luftës së Kosovës më 1998-99, ndihmuan materialisht, diplomatikisht dhe moralisht popullin shqiptar të Kosovës. Kjo ndihmë u jetësua edhe me mbështetjen materiale për të gjithë studentët nga Kosova, me anë të një mbulese materiale (bursë) për dy vjet me radhë, e cila u mundësoi studentëve të Kosovës një jetë dinjitoze dhe kushte për t’i vazhduar studimet në atë kohë të pashpresë për ta.
Shteti i Austrisë gjatë luftës së Kosovës dha edhe 1500 lejeqëndrimi për të shpërngulurit shqiptarë, si dhe strehoi rreth pesë mijë refugjatë shqiptarë të Kosovës, duke u premtuar atyre që u ishin shkatërruar shtëpitë edhe meremetimin dhe ndërtimin e shtëpive në Kosovë, pasi të ktheheshin. Dhe kështu edhe ndodhi.
Qeveria e Austrisë, me anë të diplomacisë së saj, edhe pse e proklamuar si shtet neutral, përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, ndërsa luftën e Milosheviçit kundër shqiptarëve të Kosovës e cilësoi si krim.
Një politikane e njohur austriake e qeverisë së Schüssel-it, Ursula Stanzel, deputete në Parlamentin Evropian, në një intervistë për televizionin shtetëror të Austrisë, ORF, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi pozicionet serbe më 1999, pyetjes provokuese të gazetarit: “Pse Austria nuk qëndron neutrale në këtë konflikt?”, ajo iu përgjigj me vendosmëri: “(…) Nuk ka neutralitet mes krimit dhe viktimës (…)”.
Po ashtu, edhe kancelari austriak, Wolfgang Schüssel, gjatë kohës së Luftës së Kosovës më 1999, në një debat të hapur me publikun vienez, me shumë pjesëmarrës, ku bëhej fjalë për Luftën e Kosovës dhe për veprimin e qeverisë së Beogradit ndaj popullit shqiptar të Kosovës, akuzoi në ligjëratën e tij dhe e dënoi pa ngurrim politikën vrastare të Sllobodan Milosheviçit.
Është për t’u theksuar se në Austri, si e djathta, ashtu edhe e majta, gjatë kohës së luftës në Kosovë, 1998-99, kanë mbajtur qëndrim të drejtë, real dhe objektiv përballë vuajtjeve dhe interesit të popullit shqiptar të Kosovës. Ndër personalitetet e asaj kohe, duhet të përmendim: Otto von Habsburg, Wolfgang Petrisch, Johannes Svoboda, Albert Rohan, etj.[21]
Eqrem ZENELAJ
PhD Universiteti i
[1] Th. Ippen: “Die Hilfe des Völkerbundes für Albanien” – (Reichspost)- 3 Jahrgang, am 8. Jänner, 1924, f.1.
[2] J.G.Amerling: “Neue Bewerbungen Österreich-Ungarn an der Albanischen Küste”, Wien, 1879, f.449. “…In Österreich nennt man die in unsere Mitte geflüchteten Albanesen Clementiner, weil einige derselben dem Stamme der Clementi an dem LIVENA(ZEM) – Flusse angehörten (…)”.
[3] J.G.Amerling: “Neue Bewerbungen Österreich-Ungarn an der Albanischen Küste”, Wien, 1879, f.442.
[4] HHStA. Wien. NPA-Albanien-Vullneti i Popullit, Tiranë, 27 Kallnor 1931, nr.235.
[5] HHStA. Wien. Nachlass-August Kral. E-57-Karton nr.1, f.1.
[6] “Shqypnia e Re”: Shkodër, 14 Shtatuer 1913, nr.21.
[7] “Vëllazënija”, Vjeta e I. No. 24-Wien, 13. Gusht, 1916
[8] J.G.Amerling: “Neue Bewerbungen Österreich-Ungarn an der Albanischen Küste”, Wien, 1879, f.442.
[9] Friedrich Walisch: “Neuland Albanien”, Wien, 1929, f.112-113.
[10] Dehn Paul: “Die Völker Südosteuropas und ihre politische Probleme”, Halle a.S. 1909, f.18.
[11] A. Hemberger: “Illustrierte Geschichte des Balkankrieges 1912-1913”, I-Heft-Wien-Leipzig, 1914, f.71.
[12] Ludwig Talloczy: “Österreich-Ungarn und die Balkanländer”, Budapest, 1901, f. 12.
[13] George-Fred-Williams: “Shqiptarët” (përkthyer nga Shaban Balla), Tiranë, 1934, f.72.
[14] Dr. Franz Baron Nopsca: “Die Albaner”, Wien, 1913, f.14.
[15] Leo Freundlich: “Albaniens Golgathha”, Wien, 1913, f.1.
[16] “Albanien Mitteilungen des Österreichischen Vereines zur Förderung-Albaniens /Albanien-Kommittee/-I Jahrgang nr.1, Wien, den 21 April 1914.
[17] “Vëllazënija”, Vjeta e I, no.24, Wien, 13 Gusht 1916.
[18] Po aty.
[19] Gazeta: “Përparimi”, nr. XII. Shkodër, 17 kallnduer, 1916, f. 186.
[20] HHStA. Wien. NPA-Alanien- “Vullneti i Popullit”, Tiranë, 27-Kallnor,1931, Nr. 235.
[21] Teksti më sipër është marrë nga monografia “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë (1699-1918), e autorit Eqrem Zenelaj; botuar nga “Faik Konica”, Prishtinë 2010, fq.12-24. Falenderojmë autorin që e ka përshtatur këtë tekst, me qëllim për t’i paraprirë si Parathënie këtij botimi. (Shënim i redaksisë)