Këtë muaj media shqiptare, duke cituar një uebsajt amerikan raportoi që Partia Socialiste ka siguruar shërbimet e lobimit prej një kompanie të lidhur ngushtë me fushatën zgjedhore të Trump, ‘Ballards Partners’ me seli në Florida. Është e treta herë brenda këtyre pesë muajve të parë të 2017 që bëhet një kontratë e tillë lobimi. Më parë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë lidhur kontrata të ngjashme me firma amerikane. Kjo e fundit raportohet të ketë deri në tre kompani të ndryshme lobimi që përpiqen t’i ndërmjetësojnë lidhjet me administratën e re amerikane. Shumat e përfshira janë të konsiderueshme: PS do të paguajë 20 000 dollarë në muaj, ndërsa kontrata më e fundit që PD ka nënshkruar vetëm një muaj më parë me ‘Stonington Strategies’ kap vlerën e 25 000 dollarëve në muaj. Vetëm vitin e shkuar LSI shpenzoi afro 300 000 dollarë për shërbime lobingu të cilat i siguruan atyre, mes të tjerash, ftesa në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri.

Është tashmë një realitet i konsoliduar që partitë politike shqiptare po i paguajnë shuma marramendëse kompanive që kanë potencialin për të përmirësuar marrëdhëniet e partive politike dhe veçanërisht liderëve të tyre, për të mundësuar raste takimesh që lëvdohen në atdhe, si dhe për të përcjellë narrativa që i shërbejnë më shumë njërës palë. Firmat prestigjioze në Washington D.C. janë kthyer çuditërisht në emra të njohur në Shqipërinë e vogël dhe qytetarët e saj.

Shqipëria nuk është kurrsesi i vetmi shtet i vogël që përdor burime të çmueshme për të blerë ndikim politik jashtë shtetit. Shumë prej shteteve fqinje të cilat ndajnë pak a shumë të njëjtat probleme me ne, sillen po kështu. Kontrata të tilla janë të zakonshme për dinastitë autoritare të Lindjes së Mesme apo ish republikave sovjetike të cilat udhëhiqen tashmë nga diktatorë të përjetshëm.

Nga ana tjetër, edhe vende të mëdha demokratike po përdorin think tanks si mjete lobimi për të blerë influencë në Shtetet e Bashkuara, sipas raportit të New York Times të vitit 2014. Megjithatë me një diferencë kryesore: këto kontrata kanë objektiva më dobiprurëse pasi i shërbejnë qëllimeve kombëtare dhe jo një krahu të veçantë politik. Autoriteti Britanik i Turizmit është i justifikuar më së miri në lobimin për interes ekonomik kombëtar të shteteve të tij në kompanitë në Shtetet e Bashkuara.

Asnjë prej këtyre shembujve të tjerë nuk e bëjnë të drejtë atë ç’ka po ndodh ën Shqipëri. Është shumë e vështirë të hidhet dritë si mbi mënyrat e financimit dhe mbi impaktin real të shërbimeve të blera. Përsa i përket kësaj të fundit, është e qartë që nuk i shërbejnë kurrfarë interesi publik, sikurse përpiqen ta shesin liderët politik, nën pretendimet që po zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe po përmirësojnë imazhin e Shqipërisë përtej kufijve. Është e qartë që këto shërbime i shërbejnë në kohë afatshkurtër interesit politik duke njollosur të vërtetën gjatë procesit. Asnjë kontratë lobimi e partive politike nuk duhet të mbulojë kostot e shërbimeve dhe detyrave që në fakt duhet t’i kryejë vetë qeveria. Zgjatja dhe konsolidimi i marrëdhënieve dypalëshe është detyrë e qeverive dhe institucioneve shtetërore, dhe jo e partive politike. Nëse partitë politike duan të marrin në dorë frerët e politikës së jashtme, mund të vijojnë ta shpërbëjnë tërësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme atëherë!

Pyetja kryesore është se nga vijnë paratë. Ka fare pak transparencë mbi financimet e partive politike në Shqipëri kështu që burimi i fondeve është i zhytur në errësirë. Nuk ka absolutisht asnjë garanci që paratë e shpenzuara janë legjitime dhe nuk janë të marra nga fondet publike apo nga donacione të dyshimta.

Këto kontrata fitimprurëse përkundër sfondit të një shteti të vogël, të varfër, të nënzhvilluar, përftojnë një kontrast të zymtë, si dhe shtojnë ndjesinë e të qenurit i nëpërkëmbur. Sigurisht, partitë mund të deklarojnë që janë duke përdorur fondet e tyre partiake sikurse e gjejnë ato të nevojshme. Megjithatë kjo nuk përjashton faktin që këto lloj shpenzimesh duken kriminale kur krahasohen me emergjencat në rritje që vendi ka si ofrimi i infrastrukturës elementare dhe të mirave themelore, përfshirë këtu arsimimin dhe kujdesin shëndetësor, deri në komunitet e margjinalizuara rurale.

Shqipëria gjendet në mes të një krize politike me bojkotin parlamentar, ngërçin në implementimin e reformave kyçe dhe një perspektive shumë pesimiste për ndërmarrjen e hapave të tjerë në rrugën e integrimit. Fushata elektorale ka filluar pavarësisht se opozita insiston të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor. Në këto kohëra të dëshpëruara, absurditeti i kontratave të lobimit bëhet edhe më tepër i dukshëm.

SHPËRNDAJE