SARA KELMENDI
Emri i Camille Claudel asociohet rëndom me dy emra burrash të njohur: të vëllain, njeriun e letrave Paul Claudel dhe mësuesin e saj, Auguste Rodin. Ky i fundit e mori në studion e tij Claudel kur ajo ishte ende studente, si bashkëpunëtore.
Auguste Rodin konsiderohet si një pararendës i skulpturës moderne, megjithëse i ka qëndruar besnik edhe stilit tradicional me të cilin ai është edukuar. Në fillim të viteve 1880, kur Rodin filloi të bënte fitimet e para të mëdha nga veprat e tij, ai mblodhi një grup ndihmësish për të punuar krah tij në studion së cilës Claudel iu bashkua në 1885. Duke punuar në studion e Rodin, ndërsa ishte ende një studente në Akademinë Colarossi, Claudel pati shansin të studiojë nudon dhe anatominë – gjë kjo që ishte një mundësi e pazakontë për gratë në shekullin e XIX. Shumë shpejt marrëdhënia e Camille me mentorin e saj do të kapërcente kufijtë profesionalë dhe do të kthehej në një romancë të përfolur: ai ishte 45 vjeç, ndërsa ajo vetëm 21. Kështu vëmendja e publikut u zhvendos përkohësisht nga talenti i Camille dhe u përqendrua në marrëdhënien e stuhishme mes dy artistëve.
Punët e Claudel gjatë kësaj periudhe dëshmojnë për ndikimin e Rodin mbi artin e saj, por nuk mund të jenë kurrsesi të njëjtë. Nicole Barbier, kuratori i Muzeut Claudel shkruan për artin e saj: “Veprat janë tejet të gjalla, mënyra sesi skulpton Camille është e pazakontë dhe që nuk mund të gjendet asgjëkundi tjetër, madje as tek Rodin – arti i së cilit është më viril, por më pak shpirtëror sesa ai i Camille. Veprat e saj janë thellësisht prekëse.” Jo më kot dhe vetë Rodin ka thënë lidhur me artin e saj: “Unë i tregova ku ta gjejë arin, por ari që ajo nxjerr i përket asaj.”
Mbizotërimi absolut i Rodin në arenën artistike franceze e bënte të vështirë për skulptoren e re të bënte përpara, megjithatë në 1893, ajo e mbylli veten në studion e saj dhe kanalizoi të gjithë energjinë dhe kohën e saj për të krijuar veprat që do të konsolidonin emrin e saj në botën e artit.
Më 26 mars të këtij viti, në shtëpinë e familjes Claudel në Nogent-sur-Seine ku skulptorja ka jetuar vetëm tre vite, Muzeu Claudel hapi dyert për herë të parë. Në të janë të ekspozuara 43 vepra të saj si dhe arkivi i dokumentarit “Ari i Camille Claudel” i cili na njeh me fatin tragjik të artistes së madhe, të ndërlidhur me atë të Auguste Rodin, i cili përkujtohet sivjet në 100-vjetorin e vdekjes së tij.