Plani i Përbashkët i Veprimit Austro-Shqiptar për vitin 2017

Një partneritet i qëndrueshëm dhe intensiv

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz

Shqipëria dhe Austria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Austria gjithmonë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj marrëdhënieje e cila daton që nga themelimi i shtetit modern shqiptar. Së bashku, të dy palët duan ta shohin gjithmonë në rritje këtë partneritet.

Jam i bindur që 2017-a do të shënojë një tjetër vit produktiv për marrëdhëniet Shqiptaro-Austriake. Si shenjë e prekshme e përkushtimit tonë të fortë për partneritetin tonë, një “Plan i Ri Veprimi Bilateral” për vitin 2017 do të udhëheqë punën tonë të përbashkët gjatë këtij viti dhe do të përforcojë marrëdhëniet tona. Në këtë plan parashikohen një gamë e gjerë aktivitetesh të përbashkëta të cilat shkojnë që nga procesi i integrimit europian deri tek intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike, ashtu edhe të projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit, arsimimit, shkencës dhe shoqërisë.

Në vitet e ardhshme marrëdhëniet tona dypalëshe giithashtu do të pasurohen me një program të larmishëm kulturor duke përfshirë koncerte, ekspozita dhe konferenca, dhe me krijimin e një “Konsullate Nderi” në Vlorë.

Kohët e fundit BE është përballur me disa sfida të tilla si: kriza e emigrimit në rritje, kërcënimi i terrorizmit dhe erozioni i besimit dhe solidaritetit, të cilat bëjnë jehonë edhe në rajonin e Ballkanit. Prandaj, është shumë e rëndësishme për vendet e këtij rajoni të qëndrojnë të fokusuara në perspektivën europiane. Në këtë drejtim, është shumë inkurajuese dëshira e vazhdueshme e popullit shqiptar për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Megjithatë, progresi në sferën politike si reforma në drejtësi do të jenë shumë të nevojshme jo vetëm për të përmbushur aspiratën e Shqipërisë për në BE, por edhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për investitorët dhe zhvillimin e turizmit.

Unë mund t’ju siguroj që Austria do të vazhdojë të mbështesë procesin e reformave në Shqipëri. Ne qëndrojmë të palëkundur për sa i përket perspektivës së rajonit të Ballkanit në BE dhe në veçanti të Shqipërisë. Gjithashtu, jemi të bindur që e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor ndodhet në Bashkimin Europian.

_____________________________________________________________________

Ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler

Koha e europianëve të vakët ka përfunduar

Intervistë me Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler

1) Austria dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të veçantë që shkon shumë pas në histori. Jo shumë vende mund të pretendojnë të kenë pasur marrëdhënie të tilla dypalëshe, që vijojnë prej më shumë se 100 vjetësh. Ishte si fillim Perandoria Austro-Hungareze që ka luajtur një rol vendimtar në momente historike të vështira dhe kyçe të historisë shqiptare dhe këtë traditë e vazhdoi më pas shteti i Austrisë duke e ruajtur dhe zhvilluar më shumë marrëdhënien ndërmjet dy vendeve. Në këtë prizëm, si do ta vlerësonit Ju marrëdhënien e tanishme ndërmjet dy qeverive dhe popujve? A është rritur kjo marrëdhënie?

Unë mendoj se jam me fat që shumë paraardhës të mi kanë qenë dhe studiues të shkëlqyer, që janë marrë me studimin e Shqipërisë, të cilëve unë kam fatin t`i referohem sot. Një prej tyre – themeluesi i albanologjisë moderne – Johann Georg von Hahn ka shkruar 160 vjet më parë në studimin e tij të njohur “Studime shqiptare” rreth mistereve të zakoneve, traditave dhe frazeologjizmave shqiptare, për të cilat, sikurse është shprehur ai vetë, mund të jenë çelësi për ta njohur këtë popull. Shqipëria është akoma një terren i pashfrytëzuar në këtë drejtim. Unë do t‘ia rekomandoja shumë këtë libër kujtdo që është i interesuar të njohë më shumë shpirtin e kombit shqiptar. Për ta përmbledhur mund të them „Po“ kjo marrëdhënie është rritur ndër shekuj dhe është e shkëlqyer në ditët e sotme.

2)A mendoni se gjithë ky potencial historik, kulturor dhe ekonomik është shfrytëzuar dhe përmbushur nga marrëdhëniet dypalëshe? A ka ende gjëra të tjera që mund të bëhen për të forcuar dhe zgjeruar forma të tjera bashkëpunimi?

Unë dyshoj se një marrëdhënie ndërmjet dy popujve, shoqërive dhe shteteve përkatëse mund të arrijë të shfrytëzojë deri në kufij potencialet e saj. Gjithmonë mund të identifikohen fusha të reja bashkëpunimi, prandaj ne do të vazhdojmë edhe në vitin 2017 të jetojmë me këtë qëllim. Në këtë kuadër ne kemi përpunuar një plan të hollësishëm vjetor „Action Plan 2017“, i cili është prezantuar dhjetorin e kaluar nga ministrat e Jashtëm përkatës të të dy vendeve, si z. Ditmir Bushati dhe z. Sebastian Kurz. E thënë kështu mund të duket pak burokratike, por është mënyra më e mirë për t’u përqendruar tek arritjet, në mënyrë që t`i materializojmë në vepra. Ky plan veprimi mbulon aktivitete, që nga procesi i aderimit të Shqipërisë në BE deri tek aktivitetet ekonomike, mjedisore, të zhvillimit, emigracionit dhe të fushës së kulturës.

Stolia e parë për këtë vit ishte në datën 2 janar, kur Ansambli Filarmonik i Vjenës solli tingullin karakteristik austriak në Tiranë. Gjithashtu pati dhe një numër vizitash të ndërsjella të rangut të lartë, përmendim këtu atë të ministrave të Brendshëm të dy vendeve dhe të ministrave të Mirëqenies Sociale. Duke qenë se viti 2017 është deklaruar edhe nga Kombet e Bashkuara si „Viti Ndërkombëtar i Turizmit të Qëndrueshëm“, në këtë kuadër edhe ne kemi planifikuar një sërë aktivitetesh jashtë në natyrë, si ngjitje apo aktivitete të tjera malore, të cilat do të shërbenin gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin mbi bukuritë natyrore shqiptare, sidomos tek të rinjtë. Ne kemi rënë dakord me Ministrinë e Arsimit që të përfshijmë në kurrikulat shkollore vjetore një ekskursion që konsiston në ngjitjen e malit të Dajtit për fëmijët e Tiranës. Natyra juaj është një dhuratë e madhe për zhvillimin e sektorit të turizmit në mënyrë sa më të qëndrueshme dhe ekologjike.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, synoj të jemi më shumë të pranishëm me aktivitetet tona, përveç se në veri të Shqipërisë, ku prania jonë atje tradicionalisht është mjaft e fortë, edhe në pjesën jugore të Shqipërisë. Për momentin jemi duke punuar për ngritjen e një Konsullate të dytë Nderi në Vlorë, e cila do të shërbejë si një qendër për aktivitetet tona në pjesët e bukura jugore të Shqipërisë.

3) A vazhdon Austria të mbështesë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht të Shqipërisë në BE?

Vërej një angazhim shumë të madh nga pala austriake për rajonin e Ballkanit, që mund të them vazhdon pa ndërprerje në histori. Zona ndërmjet Kroacisë dhe Greqisë, hendeku ballkanas, nëse mund ta quaj kështu, nevojitet të mbyllet. Ne do të vazhdojmë të mos i braktisim fqinjët dhe partnerët tanë në Europën Juglindore. Plani që sapo përmenda parashikon edhe një aktivitet në këtë kuadër si „takimi i miqve të Shqipërisë“, për periudhën e dytë të vitit 2017. Sigurisht do të ishte një ndihmesë e madhe në qoftë se deri atëherë Shqipëria do të ketë bërë progres të konsiderueshëm në procesin e reformave, veçanërisht në sektorin gjyqësor. Me fjalë të tjera: na ndihmoni ne që t`ju ndihmojmë ju!

4) Si e vlerësoni Ju situatën politike aktuale në Shqipëri? Çfarë pritshmërish keni për këtë vit të ngarkuar nga pikëpamja politike, në kontekstin e arritjes së progresit të dëshiruar në mënyrë që të hapen negociatat me BE-në.

Është shumë frymëzuese të shohësh dëshirën e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Unë uroj që politikanët e vendit ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të vazhdojnë këtë udhëtim me vendosmëri dhe kurajë. Viti 2017 në fakt do të jetë një vit kyç për Shqipërinë, në kontekstin e mundësive të mëdha por edhe të vështirësive. Fokusi këtë vit mbetet në reformën në drejtësi dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në kohë zgjedhjesh ka gjithmonë edhe rritje tensionesh, siç dëshmojnë aktualisht edhe protestat në Tiranë, por është e rëndësishme të ruhen emocionet dhe të mbahen veprimet nën kontroll, për të pasur një bashkëpunim më të madh ndërmjet forcave politike, por edhe me partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë që duhet të vazhdojë, edhe pas 18 qershorit. Nëse do të shohim zgjedhje të rregullta dhe përparim në reformën gjyqësore, Austria do të mbështesë fuqimisht një vendim pozitiv të BE-së për fillimin e negociatave.

5) Investimet austriake në sektorin financiar në Shqipëri janë mjaft të rëndësishme. A mendoni se më shumë kompani austriake do të ishin të interesuara të investonin në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë që të nxitet më tej një gjë e tillë?

Ka mjaft kompani austriake të vendosura në Shqipëri të cilat operojnë në mënyrë aktive veçanërisht në sektorin financiar, të sigurimeve dhe të hidrocentraleve. Sektorë të tjerë të rëndësishëm që shfaqin potencial të lartë në rritje janë bujqësia dhe padyshim sektori i turizmit. Edhe pse akoma në një nivel modest, ne shohim një ngritje të numrit të turistëve austriakë që vizitojnë Shqipërinë. Jam i bindur se ky trend në rritje do të vazhdojë, por duhet pasur parasysh se pushuesit janë të interesuar për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. Shqipëria ka të gjithë atë çfarë i duhet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, duke krijuar përfitime reciproke dhe të gjithë këtë në një atmosferë të sigurt dhe mikpritëse. Për investitorët sigurisht që nevojiten disa stimuj të mëtejshëm, veçanërisht një kuadër i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm ligjor, i cili sigurisht do të shërbente si bazë për investime të mëtejshme.

6) Ky vit në Tiranë filloi me një koncert të Ansamblit Filarmonik të Vjenës nën drejtimin e të talentuarit z. Shkëlzen Doli, i cili u realizua me mbështetjen e ambasadës austriake dhe ku vetë Ju z. Ambasador morët pjesë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ky koncert?

Shkëlzen Doli dha një performancë të mrekullueshme, veçanërisht në interpretimin e tij krijues të „Marshit të Radetzk-it“, duke përfshirë elementë simbolikë kombëtarë si „qeleshen“ dhe „një gotë raki“ për nxehje. Mund të them që kjo ishte patjetër një premierë ndërkombëtare. Unë personalisht, nuk kam parë ende në Shqipëri një koncert të tillë, ku turma të ishte aq e vëmendshme. Asnjë zhurmë nga telefonat celularë, pa „selfies“; ishte e qartë që njerëzit ishin të magjepsur thjesht nga magjia e Strauss-it, Lehár-it dhe e Brahms në skenë. Tepër e bukur ishte dhe përzgjedhja me pjesë muzikore shqiptare si shpirti kombëtar shqiptar dhe „Arbëresha ime“. Ajo ishte një mbrëmje koncertale për të mos u harruar.

7) Çfarë surprizash të tjera mund të mund të presim këtë vit nga ky bashkëpunim kulturor?

Për këtë vit ne kemi vënë së bashku një program të pasur me koncerte, ekspozita, filma, leksione të nivelit akademik dhe aktivitete të tjera. Risi do të jetë një ekspozitë e një artisteje të talentuar austriake si Deborah Sengl. Veprat e saj do të prezantohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në muajin tetor. Ajo ka krijuar një instalim që kombinon historinë, letërsinë dhe artin bashkëkohor në një stil. Përmes rreth 200 minjve të bardhë, kjo artiste do të vejë në skenë “Ditët e fundit të njerëzimit”, një pjesë e mirënjohur e letërsisë austriake nga Karl Kraus në 44 skena individuale.

Për momentin artisti i njohur multimedial Peter Kogler është duke punuar në një projekt shqiptaro-austriak për zbukurimin e “Sheshit Austria”, në qendër të Tiranës. Ne po presim me endje muajin tetor, pasi në vigjilje të “Ditës Kombëtare të Austrisë”, do të vihet në skenë një koncert klasik nën drejtimin e dirigjentit të shquar Uwe Theimer, i cili do punojë së bashku me orkestrën simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH). Por, përveç muzikës klasike austriake, ne përsëri do të sjellim një grup rrok nga Austria në Tiranë, për të mos lënë pa përmendur festën e planifikuar mbi Falco-n, yllin austriak të muzikës pop. Festivali i këtij viti për të drejtat e njeriut do të fokusohet në temën e radikalizimit dhe do të ketë mbështetje të konsiderueshme austriake, pasi lufta kundër radikalizmit është një nga shtyllat kryesore të presidencës austriake në OSBE. Ndërkohë, në vitin 2018 kemi planifikuar akoma më shumë aktivitete pasi Shqipëria do të jetë në fokusin e politikës së jashtme kulturore austriake, dhe është deklaruar si viti i kulturës austro-shqiptare. Pra, qëndroni vigjilent për më shumë surpriza në fushën e kulturës.

Nga ekspozita e “Ditët e fundit të njerëzimit” të Deborah Sengl.

8) Pavarësisht nga aspirata e shumë vendeve për të aderuar në BE, situata brenda BE-së shfaqet e pasigurt. Cili është këndvështrimi i Austrisë për gjendjen aktuale në BE? Çfarë nënkupton kjo situatë për procesin e zgjerimit?

Le të jemi të sinqertë, 2016 ka qenë një vit katastrofik për Bashkimin Europian dhe për këtë të gjithë ne duhet të nxjerrim mësimet e duhura. BE ka nevojë për punë të vazhdueshme dhe angazhim për të mbështetur projektin paqësor më të suksesshëm të parë ndonjëherë në historinë e Europës. Mos të harrojmë çfarë kishim përpara se të ishte BE, një mijë vjet luftë ku kombet përplaseshin dhe luftonin kundra njëri tjetrit. Pra, koha e mbrojtësve të vakët të Europës ka mbaruar, tani është koha për të luftuar për bindjet tona dhe arritjet tona. Ajo çfarë i nevojitet BE-së në këtë kohë është të ndalojë lojën e fajit, të fokusohet në gjërat thelbësore si siguria, gjenerimi i vendeve të punës dhe të mos imitojë populistët. Siç dëshmuan dhe zgjedhjet presidenciale austriake, populistët mund të mposhten, por vetëm nëse përballesh me ta, jo t`i imitosh ata.

Pra, me probleme të tilla të brendshme themelore në duart tona, patjetër që ka pasur kohë më të mira për zgjerimin. Por do të ishte dritë-shkurtër nga ana jonë të humbasim vëmendjen nga rajoni i Ballkanit, pasi këto vende rrezikojnë të humbasin vrullin në modernizimin e tyre dhe do të bëhen të cenueshme nga aktorë të tretë, të cilët nuk vijnë gjithmonë me qëllime dashamirëse. Dhe e fundit por jo nga rëndësia: braktisja e këtij rajoni do të ketë pasoja negative për sigurinë dhe prosperitetin tonë, pasi mungesa e qëndrueshmërisë në “oborrin e shtëpisë” sonë do të reflektojë efekte negative edhe tek ne. Siç e vuri në dukje edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, gjatë udhëtimit të saj të fundit në Tiranë: “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë pjesë e Europës, dhe ne duam që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt”.

9) Edhe në vendin tuaj ka pasur një ndjenjë të euroskepticizmit në rritje. Deri tani duket sikur është përmbajtur. A mendoni se kjo do të shfaqet si sfidë afatgjatë për Austrinë?

Për arsye të ndryshme ne kemi parë gjatë viteve të fundit një shterim të besimit si në nivel europian, ashtu edhe në nivel kombëtar. Këtu kanë pasur ndikim të madh efektet e globalizimit, të cilat kanë çuar në një krizë të demokracisë dhe të qeverisjes në përgjithësi, pasi liderët e zgjedhur në nivel kombëtar nuk janë në gjendje të zgjidhin sfida, të cilat janë të natyrës ndërkombëtare. Kjo mungesë qartësie dhe besimi brenda BE-së për drejtimin e së ardhmes, ka forcuar lëvizjet populiste në shumë prej vendeve tona, duke përfshirë Austrinë. Pro-europianët ndjehen të sfiduar në dhënien e përgjigjeve të qarta dhe të kuptueshme të cilat nuk mund të përqendrohen sërish në të njëjtat gjëra, por në sjelljen dhe arritjen e besimit. Populizmi mund të mposhtet, por kjo kërkon koncepte të reja dhe të qëndrueshme. Përshtatja e politikës me një shoqëri që është në një ndryshim gjithnjë e më të shpejtë dhe gjetja e zgjidhjeve të zgjuara – mund të jenë ato të lidhura me ngrohjen globale, çështjet e migracionit, revolucionin industrial 4.0 dhe papunësinë e të rinjve – janë dhe do të jenë detyrat kryesore të politikës sonë edhe për shumë vite. Koha e europianëve të vakët ka përfunduar.

_____________________________________________________________________

Austria në Shqipëri

Njihuni me fushat e bashkëpunimit austriak për zhvillim në Shqipëri

Qeveria federale e Austrisë ka si qëllim fuqizimin e koherencës së bashkëpunimit austriak për zhvillim dhe përshtatjen e saj me sfidat e reja. Nëpërmjet një orientimi më të përforcuar ndaj rezultateve në bashkëpunimin me parlamentin, ministritë e linjës, partnerët socialë dhe OJF-të, si dhe të publikut të interesuar dhe harmonizimit më të ngushtë me grupet e synuara në vendet partnere synohet të ndryshohen pozitivisht kushtet e jetesës.

Që prej vitit 1993 Shqipëria është një vend prioritar i Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC), i cili është i përfaqësuar në Shqipëri që në vitin 1995 me një zyrë të vetën, zyra e koordinimit të ADA-s, e atashuar pranë Ambasadës Austriake në Tiranë. Më 3 Qershor 2008 është nënshkruar marrëveshja bilaterale për bashkëpunimin për zhvillim. Në Qershor 2014 u ndërmor vendimi politik, ndryshe nga sa ishte parashikuar fillimisht, për të mos përfunduar bashkëpunimin bilateral për zhvillim me Shqipërinë në fund të vitit 2014, por për ta vazhduar më tej pa afat.  

Strategjia e Bashkëpunimit për Shqipërinë 2015 – 2020 është përgatitur bashkarisht me vendin partner, Shqipërinë, dhe është konsultuar me Qeverinë shqiptare, me komunitetin e donatorëve në Shqipëri dhe me të gjithë aktorët qeveritarë dhe jo-qeveritarë të bashkëpunimit për zhvillim në Austri. Gjatë periudhës nga viti 1995 deri në vitin 2013 kontributet e përgjithshme publike të ndihmës për zhvillim të Austrisë (ODA) ishin 115 milion Euro. Gjatë së njëjtës periudhë kohore ADC ka financuar programe dhe projekte me një shumë të përgjithshme prej 38,5 milion Euro.

Mbështetur në përvojën e deritanishme dhe duke iu referuar sfidave të procesit të reformave, integrimit rajonal dhe aderimit te mëtejshëm me BE-në, Austria do të përqendrohet gjithnjë e më tepër tek zhvillimi i kapaciteteve dhe shkëmbimi i njohurive në fushat prioritare tematike të qeverisjes dhe shtetit ligjor, menaxhimit të integruar të ujit dhe punësimit/formimit profesional të orientuar nga tregu i punës, duke kontribuar kështu në mënyrë të qëndrueshme në zbatimin e reformave sektoriale kombëtare të Shqipërisë, si dhe në aderimin në BE.

Një fokus tjetër do të jetë në nxitjen e qeverisjes së mirë në kuadrin e procesit në vazhdim të decentralizimit, për të fuqizuar kapacitetet planifikuese dhe zbatuese në administratën publike, dhe integrimin e grupeve shoqërore të marxhinalizuara  dhe në nevojë, si dhe rajonet e disfavorizuara nga ana ekonomike dhe në zhvillimin rajonal.

Objektivat strategjikë të zhvillimit

  • Mbështetja e integrimit të Shqipërisë në BE;
  • Nxitja e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit perëndimor dhe fqinjët e Shqipërisë anëtarë të BE-së, ku një rol të rëndësishëm do të luajnë Strategjia e BE-së për rajonin Adriatik dhe Jonian/EUAIS dhe RCC;
  • Mbështetja e procesit të reformave në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore dhe nxitja e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe përfshirjes sociale, si dhe fuqizimi i shtetit ligjor/ përgjegjësisë dhe zbatimi i parimeve të të drejtave të njeriut;
  • Nxitja e qeverisjes së mirë në kuadrin e  procesit të vazhdueshëm te decentralizimit për fuqizimin e kapaciteteve planifikuese dhe zbatuese të administratës publike.

Fushat e prioriteteve tematike

1) Qeverisja dhe Shteti Ligjor;

2) Menaxhimi i Integruar i Ujit;

3) Arsimi Profesional (AFP) i orientuar nga tregu i punës dhe punësimi.

Përzgjedhja e këtyre fushave prioritare është rënë dakord me Qeverinë shqiptare për të arritur objektivat e synuar strategjikë të zhvillimit. Këto prioritete janë në linjë me orientimin strategjik të politikës së BE-së për zhvillim për kuadrin kohor 2014 – 2020 për Shqipërinë, i cili përmban prioritetet tematike ne fushat e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut, konkurrencës dhe inovacionit dhe gjithashtu për arsim, punësim dhe politika sociale. Rritja ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme për zhvillimin njerëzor përfshijnë para së gjithash zvogëlimin e pabarazisë së mundësive dhe nxitjen e arsimit, në mënyrë të veçantë të arsimit profesional, në mënyrë që të rinjtë të pajisen me njohuritë dhe aftësitë, të cilat kërkohen në tregun e punës dhe që u nevojiten atyre si pjesëtarë aktivë të një shoqërie që zhvillohet, si dhe për aftësinë e tyre konkurruese kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.

Qeverisja e mirë dhe shteti ligjor

Një objektiv i rëndësishëm i Qeverisjes së mirë është modernizimi dhe dixhitalizimi i institucioneve nëpërmjet përmirësimit të cilësisë dhe sasisë së shërbimeve publike dhe para së gjithash aksesi i qytetarëve tek këto shërbime. Ky objektiv synohet të arrihet nëpërmjet luftës kundër korrupsionit, reduktimit të shpenzimeve burokratike dhe qeverisjes elektronike (e-Government).

Zhvillimi rajonal, për shkak të reformës së administrimit territorial (TAR) dhe të reformës në administratën publike (PAR), që po kryhen nga Qeveria shqiptare, zë një vend të veçantë në reduktimin e varfërisë dhe të pabarazisë midis zonave rurale dhe urbane, si dhe midis bashkive dhe rajoneve.

Në vitet e fundit, ADA ka perfeksionuar profilin e saj si një qendër e njohur e kompetencës dhe si një partner zbatues për partnerët e tjerë të zhvillimit. Si një kompani moderne shërbimesh ne u ofrojmë partnerëve tanë burime dhe ekspertizë. Në këtë kontekst, projekti PPF (Project Preparation Facility) është një shembull i shkëlqyer i zbatimit të suksesshëm të një projekti, të iniciuar nga BE dhe të zbatuar e bashkë-financuar nga ADA. Objektivi kryesor i këtij projekti ka qenë përmirësimi i planifikimit, programimit dhe zbatimit te Instrumentit të Ndihmës së Para-Aderimit (IPA) dhe mbështetja e mekanizmit për një proces të integruar të aderimit të Shqipërisë në BE. Projekti PPF ka mundësuar që autoritetet shqiptare të paraqesin në Komisionin Europian projekt-propozime me cilësi të mirë për zbatimin efektiv të Partneritetit Europian (EP) dhe të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Rezultatet janë thelbësore: 1200 nëpunës civile janë trajnuar, 278 dokumente të IPA janë zhvilluar, kontrolluar dhe miratuar dhe cilësia e propozimeve është përmirësuar me 70%.  

Kontributi i Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC) në Sistemin e Planifikimit të Integruar (IPS) të qeverisë synon të fuqizojë proceset e buxhetimit afat-mesëm, të përmirësojë efektivitetin e shpenzimeve publike dhe të mbështesë aktivitetet e planifikimit strategjik në ministritë e linjës.

ADC mbështet përmirësimin e efikasitetit të gjykatave, duke u fokusuar në 18 gjykata të rretheve dhe 1500 punonjës të stafit gjyqësor në të gjithë vendin nëpërmjet financimit të projektit “Drejtësi pa vonesa”,  të zbatuar nga OSBE në bashkëpunim me USAID. Zbatimi i projektit ka filluar në gjykatat e Kukësit, Durrësit, Shkodrës, Dibrës dhe Pogradecit. Zbatimi do të fillojë së shpejti në 2017 në gjykatat e Tiranës, Kurbinit dhe Matit.

Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve të Kontrollit të Lartë (INTOSAI) prezantoi në nëntor 2016 gjetjet e të parit vlerësim të kolegëve mbi pavarësinë e Kontrollit te Lartë të Shtetit në Tiranë. Ky vlerësim u financua nga ADA.

Për më tepër,  ekspertë austriakë te projektit EURALIUS (projekt i BE) ofrojnë ekspertizë për profesionet ligjore dhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Projekti EURALIUS organizoi në dhjetor 2016 një vizitë studimore ne Vjenë për një delegacion prej pesë anëtarësh nga administrata e buxhetit gjyqësor. Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i informacionit dhe marrja e njohurive në praktikat më të mira se si përgatitet dhe menaxhohet buxheti i gjykatave. Anëtarët e delegacionit u pritën nga gjashtë institucione në Vjenë si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Këshilli i Lartë, Ministria e Shkencave, Kërkimeve dhe Ekonomisë, Burgu i Josefstadt-it dhe Institucioni “NeuStart” i shërbimit të provës dhe dënimit alternativ.

Ekspertë austriakë nga Departamenti i Kontrollit Kufitar dhe Migrimit të Ministrisë Federale të Brendshme dhe një inxhinier i teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit mbështesin projektin e financuar nga BE PAMECA IV (Konsolidimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri), duke përmirësuar performancën e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe të Prokurorisë së Përgjithshme drejt standardeve te BE.

Austria dhe Gjermania janë zgjedhur nga Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore si partnerë binjakëzimi për zbatimin e projektit “Mbështetje për hartimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave  kundër korrupsionit.  Një kriter vendimtar në përzgjedhje ishte niveli i lartë i njohurive ne fushën e drejtësisë në Austri dhe Gjermani.  

Projekti i binjakëzimit te BE “Zbatimi i një sistemi modern të menaxhimit dhe kontrollit financiar dhe inspektimi financiar publik në Shqipëri“ (në bashkëpunim me Ministrinë e Financave te Austrisë dhe Francës) përfundoi aktivitetet ne nëntor 2016. Ministria e Financave rishikoi kuadrin ligjor dhe ligji i ri “Mbi inspektimin financiar publik”  ndan detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira dhe fuqizon Drejtorinë e Inspektimit në Ministrinë e Financave (rishikon/mbikëqyr procedurat e ankesave dhe të informacionit). Shërbimi i koordinimit kundër mashtrimit siguron një shkëmbim efektiv informacioni me Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) mbi ndihmën financiare të BE-së në vend.

Në dhjetor 2016, kompania austriake Bit-media prezantoi platformën dixhitale për arsimin para-universitar në Shqipëri. Bit-media organizoi 157 trajnime në të gjithë vendin për 3.100 mësues dhe drejtorë shkollash nga 1.426 shkolla. Sistemi EMIS (Sokrates) regjistroi 326.661 nxënës dhe 28.000 mësues si dhe kontrata, profile, programe dhe klasa. Sistemi funksionon dhe ka lehtësuar punën e përditshme administrative për mësuesit dhe administratën e shkollave.

Menaxhimi i integruar i ujit (IWM)

IWM duhet të zhvillojë një perspektivë afatgjatë të qeverisjes së ujit, ku përqendrimi do të jetë në zhvillimin e kapaciteteve dhe në përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal. Përveç kësaj synohet të arrihet edhe përmirësimi i koordinimit midis të gjitha institucioneve shqiptare përgjegjëse për sektorin e ujit.

Kjo kërkon jo vetëm hartimin e ligjeve të reja, direktivave dhe standardeve dhe në vijim zbatimin e tyre në praktikë nëpërmjet një koordinimi dhe bashkëpunimi të përmirësuar midis qeverisë qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore, por mbi të gjitha kërkon më tepër inovacion dhe efikasitet energjie, si dhe përgjegjësi vetjake menaxhimi dhe njohurish (know-how).

Në Europë, Austria është në krye në monitorimin e ujit, dhe disa nga kompanitë vendase në teknologjinë e ujit janë në krye të listës mbarë-botërore. Austria ka dhjetëra vite eksperiencë dhe është e angazhuar për të investuar në kërkime dhe zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre.  

Kohët e fundit mbështetja e ADC në sektorin e ujit është përqendruar në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Projekti më domethënës që ADC ka mbështetur në Shqipëri është sigurimi i furnizimit me ujë të vazhdueshëm dhe përmirësimi i menaxhimit të sistemit të furnizimit me ujë në qytetin e Shkodrës. Mbështetje u dha gjithashtu për katër fshatra në rrethinat e Shkodrës: Bushat, Barbullush, Ana e Malit dhe Rranxa. Një shembull tjetër është projekti i ujësjellës dhe kanalizime në Koplik. Projekti në bashkinë e Kastratit përfshiu rehabilitimin e sistemeve qendrore të furnizimit me ujë në fshatrat e largëta Kastrat dhe Bratosh. Rehabilitimi i sistemeve të furnizimit me ujë në fshatrat Lac dhe Sanxhak ka përmirësuar ndjeshëm nivelin e shërbimit me ujë. Në të njëjtën mënyrë, Austria mbështeti rehabilitimin e hidrocentralit në Vaun e Dejës, Ulzës dhe Shkopetit.

ADC ka mbështetur në mënyre aktive hartimin e “Strategjisë Kombëtare të Sektorit të Shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime”, si edhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikat e vendit mbi çështjen e ujit.

Vlerësimi i BE për sektorin e ujit dhe ujërave të ndotur në Shqipëri arriti në përfundimin që Austria/ADA ka dhënë kontribut në sektorin e ujit duke përforcuar aksionet e IPA –s  me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe plotësim sinergjik. Vlera e shtuar e BE në projekt është manifestuar veçanërisht në bashkëpunimin e mirë të krijuar midis Delegacionit të BE dhe ADA. Si rrjedhim, ADA do të zbatojë projektin e IPA-2016 “Menaxhimi i Integruar i Ujit” i planifikuar të fillojë në 2017. ADA gjithashtu do të financojë një studim për të vlerësuar koston e aseteve të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime në më shumë se 1700 fshatra në të gjithë vendin.

Arsimi profesional i orientuar nga tregu i punës

Arsimi profesional i orientuar nga tregu i punës ka qenë dhe mbetet  një prioritet i angazhimit austriak në Shqipëri, ku Austria është një nga aktorët kryesorë dhe jep një kontribut thelbësor në reformat e arsimit profesional, ndër të tjera me mbështetjen e të nxënit me bazë punën (work-based learning), rritjen e cilësisë së arsimit profesional në shkollë dhe mësimin e sipërmarrjes (Entrepreneurship Learning), si dhe duke dhënë konsulencë në çështjet strategjike të reformës.

Në të kaluarën, Austria ka mbështetur krijimin e shkollës së turizmit në Tiranë. Kulturkontakt Austria në partneritet me OJF-në shqiptare “Sot për të ardhmen” mbështet shkollat e turizmit Antoni Athanas në Sarande dhe Isuf Gjata në Korçë. Fokusi i projektit është kryesisht në trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve, të nxënit me bazë punën, modernizimin e programeve, fuqizimin e bashkëpunimit me sektorin privat, shkëmbimin e njohurive me shkollat profesionale austriake, gjithë-përfshirjen sociale dhe barazinë gjinore. Të dyja shkollat do te përfitojnë ndihmë për të modernizuar ambientet e mësimdhënies.

Partneritetet e biznesit me kompanitë austriake si Pendl & Piswanger/AIEx (Austrian Institute of Excellence) kanë mundësuar krijimin e Qendrës Austriake të Saldimit, certifikimin e 400 saldatorëve, 10 trajnerëve dhe trajnimin e 1000 shqiptarëve të papunë.

Partneriteti i biznesit me kompaninë “Naber Damen und Brautmoden” ka për qëllim përshtatjen e praktikave të orientuara nga sistemi dual i arsimit dhe trajnimit profesional në industrinë e veshjeve në Shqipëri.

Shkolla Austriake e teknologjisë së informacionit “Peter Mahringer” në Shkodër është një shkollë  ekselence dhe shërben si model për shkollat e tjera të teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Shkolla e IT “Hermann Gmeiner” në Tiranë synon të bëhet një shkolle tjetër model ne fushën  e teknologjisë së informacionit me ndihmën e Ministrisë Austriake të Arsimit (Kulturkontakt Austria).

Volkshilfe Austria dhe OJF-ja shqiptare “Sot për të ardhmen” mbështesin zhvillimin e arsimit dhe te punësimit në nivel rajonal (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri). Një vëmendje të veçantë do te ketë fuqizimi i aksesit të grave/vajzave në profesione jo-tipike si dhe përfshirja sociale, veçanërisht për personat me aftësi te kufizuara. Kjo eksperiencë më pas do të përsëritet në shkolla të tjera.

Përfshirja sociale

Situata e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri është shumë e vështirë. Për shkak të barrierave të ndërtimit, infrastrukturës, shërbimeve të pamjaftueshme shëndetësore, mungesës së arsimimit dhe mundësive për punësim, personat me aftësi te kufizuar shpesh vuajnë nga varfëria ekstreme.

Në partneritet me CARITAS Austria/Albania, Zyra e Bashkëpunimit Austriak të Zhvillimit mbështet projektin “Të jetosh pa barriera”. Rehabilitimi sipas nevojave dhe planet e përfshirjes për Lezhën, Vaun e Dejës dhe Laçin ofrojnë ndihmë ligjore dhe sociale për qindra persona me aftësi të kufizuara në qendrat ditore.

ADC (Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim) mbështet organizatën ‘Terre des Hommes Albanie” për të ofruar një hartëzim të plotë të sistemit të mbrojtjes sociale dhe të kontekstit profesional dhe arsimor të punonjësve të shërbimit social. Projekti gjithashtu do të identifikojë nevojat dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm profesional, trajnime dhe/ose ngritje kapacitetesh për të fuqizuar punonjësit e mbrojtjes sociale në vend.

Ne këtë mënyrë, Austria mbështet “Terre des Hommes” për të zhvilluar një model të plotë për qendrat komunitare shumë-funksionale me shërbime të integruara në nivel lokal në përputhje me reformën territoriale dhe objektivat e decentralizimit.

UNICEF dhe organizata “ADRA” janë partnerë të Bashkëpunimit Austriak të Zhvillimit që kanë për qëllim përshpejtimin e përfshirjes së barabartë të fëmijëve romë në zhvillimin e hershëm, në të mësuarit e hershëm dhe ofrimin e shërbimeve bazë cilësore te arsimit. Një përqasje integrimi është zbatuar më tepër për të përfshirë fëmijët romë ne sistemin ekzistues parashkollor sesa në krijimin e qendrave të reja.

Në partneritet me UNWOMEN dhe ekspertizën austriake është përgatitur dokumenti i parë “Raporti për çështjet gjinore 2016 për Shqipërinë”, i cili do të shërbejë si dokument reference për aktorë të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë që janë aktualisht në procesin e zbatimit të projekteve në reformën e qeverisjes vendore. Barazia gjinore është tani një prioritet i Delegacionit të BE dhe do të vazhdojë të rritet nëpërmjet mbështetjes buxhetore të IPA. Për të parën herë, BE kërkon të adresojë problemin e barazisë gjinore përpara aderimit.

Mjedisi/ndryshimet klimaterike

Shqipëria ka një shumëllojshmëri të llojeve dhe habitateve natyrore, duke bërë që një potencial i madh për turizmin të jetë edhe përdorimi i burimeve natyrore. Megjithatë, dëmtimet e mjedisit të shkaktuara nga erozioni dhe ndotja shkaktojnë një kërcënim të madh për këtë potencial. Parashikimet e pasojave të ndryshimeve klimaterike tregojnë për periudha më të gjata të thatësirave dhe zvogëlimit të sasive të ujit në burimet natyrore, gjë e cila dëmton jo vetëm bujqësinë, por edhe funksionimin e hidrocentraleve. Ndërkohë që edhe rreziku i përmbytjeve është rritur.

Viti 2017 është viti ndërkombëtar i turizmit të qëndrueshëm për zhvillim. ADC dhe ADA kane mbështetur iniciativat për të promovuar turizmin ekologjik si ecjet/ngjitjet në parkun kombëtar të Dajtit, printimin e hartave në nivel kombëtar për ecjet me këmbë, biçikletë si dhe ruajtjen e traditës dhe kulturës në fshatra të largëta si në Shishtavec.

Konkluzion

ADA (Agjencia Austriake për Zhvillim)  mbështet projekte të përbashkëta me aktorë të tjerë të bashkëpunimit për zhvillim si Ministria Federale e Arsimit, Ministria e Financave, Ministria Federale e Ekonomisë, Familjes dhe Rinisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë si dhe Ministria Federale e Mjedisit.

Zyra e bashkëpunimit në Tiranë ka një funksion të rëndësishëm në koordinimin e aktorëve austriakë të interesuar për krijimin dhe fuqizimin e kontakteve me institucionet qeveritare, autoritetet lokale dhe rajonale të vendit partner, gjatë zbatimit të projekteve dypalëshe dhe shumëpalëshe, si edhe koordinimin me donatorë të tjerë. Për këtë qëllim, Zyra e Bashkëpunimit të ADA-s i ka ofruar mbështetje Qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe ka siguruar shpërndarjen efektive të burimeve.

_____________________________________________________________________

Domosdoshmëria për turizëm të qëndrueshëm

Aktivitetet natyrore dhe sportive austriake në Shqipëri

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur vitin 2017 si “Viti Ndërkombëtar i Turizmit të Qëndrueshëm për Zhvillim”. Duke marrë parasysh që turizmi llogaritet si 10% e GDP-së botërore dhe një në dhjetë profesione ka të bëjë me turizmin, shumë rezultate varen edhe nga zhvillimi i këtij sektori.

Shqipëria ka çdo gjë çfarë mund të kërkojnë udhëtarët e sotëm. Ky vend është i bekuar me një varietet të gjerë asetesh natyrore, që nga plazhet e mrekullueshme në jug, deri tek  varg-malet madhështore në veri. Përveç këtyre parakushteve natyrore dhe gjeografike, duhet marrë në konsideratë fakti që turizmi është gjithmonë në varësi të faktorit të mbivendosjes të situatës politike, pasi shumë vende rreth detit Mesdhe janë të ekspozuara ndaj trazirave të ndryshme që po ndodhin dhe duke qenë kështu, Shqipëria mund të përfitojë nëpërmjet stabilitetit  dhe mikpritjes së mirënjohur. Të gjithë këta faktorë mundësojnë një bazë të qëndrueshme, që do të vlente si një ofertë e veçantë për të qenë tërheqëse si një destinacion turistik, që në aspektin e largësisë është më pak se 90 minuta kohë fluturimi larg nga Europa Qendrore.

Një detaj tërheqës dhe që bie në sy sipas këndvështrimit të çdo udhëtari që vjen në Shqipëri, është fakti që fluksi i turistëve të huaj ka filluar jo shumë kohë përpara.  Në këtë peizazh natyror të këtij vendi ndesh shpesh blloqe të tëra të betonizuara në çdo hapësirë boshe ose fusha të tëra të pashfrytëzuara përgjatë vijës bregdetare. Në disa zona Shqipëria ka ende mundësi të fillojë nga zero dhe të zhvillojë projekt-ide në lidhje me qëndrueshmërinë në fushën e turizmit. Është e rëndësishme që Shqipëria të mos përsërisë gabimet e së kaluarës, të cilat janë kryer aty-këtu.

Për fat të mirë gjithmonë e më shumë investitorë në fushën e turizmit po kuptojnë dhe respektojnë faktin që vlera e vërtetë në zhvillimin e turizmit nuk qëndron në mbishfrytëzimin e burimeve natyrore të planetit tonë. Një akt i tillë jo vetëm që nuk do të përkonte me një gjykim konsensual të përbashkët, por do të ishte një veprim kundër për perspektivën afat-gjatë ekonomike të vetë industrisë së turizmit.

Fokusi në sportet malore

Për Ambasadën e Austrisë së bashku me “Austrian Development Co-operation” sportet malore dhe natyrore janë një prioritet dhe kanë një fokus të veçantë për 2017-n. Një platformë e mirë hartuar për turizmin malor mund të çojë në të mira të përbashkëta, nga njëra anë në ruajtjen dhe mbrojtjen e rajoneve natyrore, dhe nga ana tjetër në kënaqësinë që mund të marrin entuziastët e sporteve natyrore, si edhe në përfitime ekonomike të cilat mund të shkojnë për vendin nga këto aktivitete.  

Austria ka shumë për të ofruar në këtë drejtim. Ekspertiza austriake alpine është e bazuar në qindra vjet të historisë alpine dhe nga klubet e saj alpine, të cilat përbëhen nga qindra e mijëra anëtarë. Për këtë arsye, u ftuan në shtator të vitit 2016 dy përfaqësues të lartë  nga dy seksionet më të mëdha të “Shoqatës Alpine Austriake” për të takuar homologët e tyre shqiptarë, për të ndarë ekspertizën dhe për të rënë dakord mbi një projekt të parë të përbashkët në veri të Shqipërisë. Sikurse një infrastrukturë e sofistikuar alpine nuk mund të merret si e mirëqenë, ky projekt gjithashtu synon zbatimin e konceptit të punës vullnetare në zonat malore. Koncepti i vullnetarizmit është thelbësor, pasi shtigjet/rrugët e ngjitjes malore dhe shenjat/gjurmët e tyre duhet të mirëmbahen. Gjithashtu ka dhe shumë detyra të tjera. Në mënyrë që të kthehet në një rajon të synuar për ngjitësit malorë, kërkohet gjithashtu edhe një rrjet i besueshëm shtigjesh/rrugësh të gjurmuara. Një rrjet shtigjesh i gjerë nga ana tjetër, kërkon punë vullnetare dhe përkushtim nga komunitetet lokale. Asnjë institucion qendror nuk mund ta arrijë këtë krejtësisht i vetëm.

Meqenëse kryeqyteti i Shqipërisë është i pasur me male të mrekullueshme në afërsi të tij, kjo mundëson që eksperiencat natyrore mund të zhvillohen shumë pranë qendrës së tij. Për këtë arsye një tjetër projekt austriak do të hartohet për zonën e malit të Dajtit dhe Tujanit. Ky projekt ka në qendër të tij  një grup sportistësh më profesionistë dhe njerëz të interesuar në “Via Ferrata” dhe ngjitje. Siç është përcaktuar, zona e parkut natyror meriton një ruajtje dhe mbrojtje të veçantë. Ajo gjithashtu ofron mundësinë të kthehet në një zonë atraksioni turistik për aktivitetet natyrore dhe arsimin në fushën e ambientalizmit. Tashmë themelet janë ngritur, meqenëse Dajti nuk ka vetëm një teleferik por dhe një infrastrukturë të zhvilluar, por që pas projektit të ndërmarrë ndërmjet Austrisë, Çekisë, Sllovakisë dhe partnerëve shqiptarë në 2016, është i mirë-pajisur me një rrjet të sofistikuar të shtigjeve malore.  

Zona e Dajtit madje ofron mundësi për arsimimin dhe edukimin e një brezi të ri të fëmijëve për sa i përket çështjeve mjedisore dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet natyrore. Ministria e Arsimit të Shqipërisë ka rënë dakord që çdo shkollë 9-vjeçare në Tiranë duhet të zhvillojë një herë në vit një ekskursion në Malin e Dajtit.

Në kuadër të promovimit të aktiviteteve në natyrë dhe arsimit për çështjet ambientaliste, do të zhvillohet këtë vit edhe një projekt tjetër nga Ambasada e Austrisë, i cili ngjason me seritë e një samiti për aktivitetet e jashtme natyrore.  Ne po planifikojmë të paktën 4 “ture”, në disa male të ndryshme të Shqipërisë, ku Ambasadori i Austrisë, së bashku me të rinjtë vendas dhe alpinistë të ndryshëm do të zhvillojnë një ditë e cila do t’i dedikohet ngjitjes malore.  Këto seri  aktivitetesh kanë për qëllim të ndërgjegjësojnë brezat e ardhshëm në lidhje me sportet natyrore, kujdesin ndaj mjedisit dhe punës vullnetare në zonat malore.  

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ne vërejmë që sportet dimërore do të kthehen në tendencë, sidomos për sa i përket zonave malore shqiptare. Për momentin ne po mbështesim gjithashtu studimet rreth realizueshmërisë së teleferikut të ngjitjes në pistën e skive, madje këtë vit pritet akoma më shumë progres në këtë fushë.

Potenciali i zhvillimit të turizmit malor në Shqipëri duket i pafund dhe respektimi i natyrës duke ditur ta shfrytëzosh atë, nuk përbën kontradiktë.  Ne presim me padurim realizimin e projekteve malore interesante me partnerë shqiptarë në këtë vend të mrekullueshëm.

Kategoria superiore e ambasadave

Kur përfundon puna në zyrë, stafi i Ambasadës Austriake bëhet aktiv dhe lidh këpucët e futbollit. Ne besojmë në vetitë që ka sporti, si p.sh: fuqinë për t`i sjellë njerëzit së bashku në paqe, dhe mundësinë për të krijuar ura komunikimi. Viti filloi me një ligë futbolli ku merrnin pjesë 8 skuadra ndërkombëtare. Kjo iniciativë është ndërmarrë  nga dy miqtë tanë të  Ambasadës Austriake dhe asaj Franceze, të cilët sollën shpirtin e freskët sportiv në komunitetin ndërkombëtar të futbollit në Tiranë. Gjatë pranverës, çdo javë do të zhvillohen ndeshje të rregullta në kalçeto të ndryshme të kryeqytetit. Shpresojmë që ky komunitet sportiv do të lulëzojë dhe ne do të shohim akoma më shumë përfaqësi ambasadash të marrin pjesë në sezonin e dytë të ligës.

Më shumë aktivitetet në fushën futbollit priten të ndodhin në gjysmën e dytë të vitit 2017. Më 6 Korrik 2016, një skuadër e përbërë nga ambasadorët dhe miqtë e BE-së sfiduan skuadrën e qeverisë shqiptare. Loja e drejtë dhe zbavitëse në stadiumin “Selman Stërmasi” përfundoi me barazim. Këtë verë do të zhvillohet edicioni i dytë i kësaj loje.

Skuadra austriake po pret gjithashtu t´ju takojë në një nga këto aktivitete të ndryshme natyrore.  

_____________________________________________________________________

Prioritetet e Presidencës Austriake të OSBE

Duket se ngado që hedhim sytë shohim kërcënime të rënda të paqes dhe të sigurisë sonë.

Florian Raunig
Kreu i Task Forcës Austriake të Presidencës Austriake të OSBE-së

Shohim luftë dhe shkatërrim në vende si Siria, Jemeni, Libia, Iraku, Afganistani dhe Ukraina lindore. Këto që po ndodhin janë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar dhe shenja të rritjes së nacionalizmit dhe proteksionizmit ekonomik, në të njëjtën kohë kur ne po luftojmë për të përballuar fluksin masiv të refugjatëve dhe emigrantëve. Radikalizimi dhe terrorizmi janë kthyer në kërcënime të përditshme.

Paralelisht frika dhe mosbesimi rriten, një situatë kjo e përkeqësuar edhe nga humbja e besimit tek liderët dhe organizatat të cilat janë përgjegjëse për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit. Kjo humbje e besimit dhe e vetëbesimit ka hyrë në një rreth vicioz: nga njëra anë ajo ushqen keqkuptimet dhe të vërtetat subjektive, nga ana tjetër prodhon shfaqje të kërcënimeve ushtarake dhe konflikteve.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) u themelua në një kohë konfliktesh dhe trazirash. Ajo do të shërbente si mjet për të kapërcyer ndarjet e mëdha ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Me kalimin e viteve OSBE u zhvillua në një instrument efektiv për diplomacinë parandaluese, për të menaxhuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, bazuar në parimet e pranuara reciprokisht, vlerat dhe angazhimet. Kjo organizatë sjell kontribute të rëndësishme për parandalimin afatgjatë të konflikteve si dhe sjelljen e paralajmërimeve në kohë për të ndërmarrë veprime në kohën e duhur.

Megjithatë, shkelje të rënda të parimeve dhe vlerave të organizatës në vitet e fundit dhe një dështim për të zbatuar marrëveshjet në mirëbesim kanë dëmtuar rëndë themelet e marrëdhënieve ndërmjet shteteve pjesëmarrëse.

Austria beson se OSBE është vendi më i përshtatshëm dhe i duhur në Europë për fillimin e rindërtimit të besimit dhe rizgjidhjen e konflikteve në mënyrë që të rindërtohet mirëbesimi dhe konfidenca ndërmjet shteteve, popujve dhe institucioneve të vendeve anëtare. Gjatë periudhës së presidencës Austriake së OSBE-së, ne do të fokusohemi në tre sfida kryesore, të cilat kërcënojnë vlerat tona të përbashkëta.  

Si fillim, ne duhet të merremi me konfliktet e armatosura që kanë shkaktuar aq shumë vuajtje, shpërngulje të njerëzve dhe shkatërrim në zonën e OSBE-së, si dhe ndarje ndërmjet shteteve. Presidenca Austriake është e fokusuar për të ndihmuar në qetësimin e konflikteve ekzistuese dhe në ndërtimin e besimit ndërmjet palëve, në mënyrë që të arrihet progres drejt zgjidhjeve të qëndrueshme politike për konfliktet. Në të gjithë këtë, mbrojtja dhe siguria për popullsinë e prekur nga të tilla ngjarje, është prioritet parësor për ne.

Në lidhje me krizën në Ukrainë, mbetet prioritet jetik që palët të zbatojnë “Marrëveshjen e Minsk-ut”. Niveli i dhunës që ne kemi parë së fundmi është krejtësisht i papranueshëm. Palët duhet ti përmbahen në mënyrë rigoroze angazhimit për armëpushim dhe të ndërmarrin hapa konkrete në drejtim të uljes së tensionit dhe të përmirësimit të situatës humanitare për ata që jetojnë në zonën e prekur.

Thelbësore për OSBE-në është forcimi i sigurisë, ulja e tensioneve dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për njerëzit e prekur nga kriza. Misioni i Posaçëm i monitorimit të OSBE-së vazhdon të ndihmojë në stabilizimin e situatës dhe të japë informacion të drejtë për zhvillimet në terren. Palët duhet të garantojnë mbrojtjen e SMM “Manuali i Menaxhimit të Sigurisë” të sigurojnë akses në të gjithë Austrinë si dhe të lejojnë ushtrimin e mandatit pa pengesa.

Nuk mund të ketë rezolutë ushtarake për konfliktet ekzistuese në zonën e OSBE-së. Ajo çfarë na nevojitet është dialog i hapur dhe konstruktiv si dhe zgjidhje politike, në mënyrë që të arrijmë progres në formate të ndryshme ngjarjesh. Për këtë, Austria po ndjek një qasje gjithëpërfshirëse duke e pasur të qartë që proceset e paqes mund të jenë të qëndrueshme kur merren në konsideratë zërat, perspektivat dhe nevojat e të gjithë popullatës.

Konfliktet e pazgjidhura përbëjnë kërcënime të qëndrueshme për paqen dhe sigurinë. Ne duhet ti kujtojmë vetes që në zonat ku ka konflikt jetojnë njerëz të cilët vazhdojnë të vuajnë çdo ditë. Është patjetër edhe në interes të palëve në konflikt që të vazhdojmë punën kundrejt zgjidhjeve politike të konflikteve dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi të mbështesim, duke inkurajuar hapa të vegjël, praktikë dhe të dobishëm për të dyja palët.

Përveç kësaj, ne duhet të punojmë së bashku për të gjetur rrugë të përbashkëta për të kthyer erozionin shqetësues të regjimit të kontrollit të armëve konvencionale në Europë, çfarë ka çuar dhe në paparashikueshmëri dhe mosbesim. Kjo është në interesin e çdo shteti pjesëmarrës. Austria ka filluar nismën për dialog të strukturuar mbi sfidat dhe kërcënimet  e sotme dhe të ardhme në zonën e OSBE-së. Ne duhet të fokusohemi në përfitime reciproke të cilat duhet të arrihen nga rritja e transparencës ushtarake, parashikueshmëria dhe qëndrueshmëria në këtë zonë, për të cilën, një regjim i plotë dhe gjithëpërfshirës i kontrollit të armëve në të ardhmen mund të kontribuojë.

Së dyti ne duhet të merremi me sfida të mëdha për sigurinë e brendshme që vinë si rezultat i kërcënimeve në rritje si terrorizmi dhe radikalizmi, sidomos tek të rinjtë. Ne kemi filluar të zhvillojmë seminare me aktivistë të rinj për të identifikuar dhe gjetur mënyrat  për adresimin e shkaqeve rrënjësore dhe shkaktarët e radikalizimit.

Është tejet e domosdoshme ta trajtojmë këtë problem si një çështje me rëndësi parësore. Më shumë se 10.000 njerëz nga zona e OSBE-së i janë bashkuar “IS” dhe kanë kryer krime të tmerrshme në emër të saj në vende si Siria, Iraku dhe Libia. Kur këta njerëz kthehen, ata si edhe shumë ekstremistë të tjerë, paraqesin kërcënim madhor për sigurinë e vendeve tona. Ne duhet të marrim masa që të parandalojmë në mënyrë efikase dhe të ndëshkojmë ata të cilët ndjekin terrorizmin dhe ndërkohë të gjejmë një mënyrë për të arritur tek ato që heqin dorë nga kjo rrugë dhe ti ri-integrojmë ato.

Aderimi tek normat dhe standardet e përbashkëta, në veçanti, përsa i përket dimensionit human, është çelësi për forcimin afatgjatë të paqes dhe të sigurisë. Austria po thekson tema me rëndësi kritike për stabilitetin e brendshëm të shteteve, përfshirë, sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe të shprehjes, lirinë e fesë apo besimit dhe tolerancës dhe mosdiskriminimin. Respektimi i të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë do të forcojë kohezionin dhe aftësinë ripërtëritëse të shoqërive tona, gjithashtu do të na mundësojnë kundër-përgjigje më të mira ndaj kërcënimeve për sigurinë tonë. Përpjekjet tona duhet të bazohen mbi këto themele.

Operacionet në terren të OSBE-së luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, duke ndihmuar shtetet anëtare të përmbushin detyrimet e tyre. Përfaqësia e OSBE-së në Shqipëri ka dhënë një kontribut me vlerë për tranzicionin demokratik që po kalon Shqipëria, në partneritet me forcat politike shqiptare, shoqërinë civile, gjithashtu dhe me aktorët ndërkombëtarë.

Në Ballkanin Perëndimor, operacionet në terren kanë ndihmuar në rritjen e nivelit të sigurisë dhe stabilitetit, duke asistuar vendet pritëse individualisht nëpërmjet programeve dhe projekteve të shënjestruara, gjithashtu edhe duke promovuar bashkëpunimin e ngushtë dhe solid rajonal në të gjithë Europën Juglindore, në mënyrë që të adresohen sfidat e përbashkëta në mënyrë sa më efektive.

Së treti, ne duhet të kundërveprojmë ndaj humbjes në rritje të besimit ndërmjet shteteve, dhe gjithashtu ndaj qytetarëve kundrejt institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare të cilat kanë si qëllim ruajtjen e paqes dhe të vlerave tona.

OSBE-ja, që nga krijimi i saj, ka qenë një platformë dialogu dhe bashkëpunimi. Ajo është vendi ku shtetet diskutojnë dhe kur nuk bien dakord, negociojnë dhe arrijnë kompromis, të gjitha këto me qëllimin për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë, rënien dakord mbi rregullat dhe normat e sjelljes si dhe forcimin gjithëpërfshirës për sigurinë, paqen dhe qëndrueshmërinë.

Në një epokë të lajmeve të rreme dhe të retorikës nxitëse, ne duhet të ushqejmë dialog të hapur, transparent dhe plot respekt. Është gabim të mendojmë që ne mund të demonizojmë “tjetrin” dhe të heqim dorë nga bashkëpunimi pa dëmtuar në këtë mënyrë vetë sigurinë tonë. Është më e rëndësishme se kurrë të mbajmë kanalet e komunikimit hapur në të gjitha nivelet, brenda dhe ndërmjet shteteve dhe të forcojmë kontaktet ndërmjet qeverive, shoqërisë civile, akademikëve dhe medias. Të gjithë kanë një interes në rezultatin final, dhe kanë perspektiva dhe ide për të kontribuar. Ne duhet të bashkojmë forcat në nivel institucional, për të shtuar vlera dhe përforcim të ndërsjellë të situatës.

Si një vend me qëndrim asnjanës Austria ka zhvilluar një reputacion për mënyrën e të vepruarit si urë-ndërtuese dhe në ofrimin e një platforme për dialog. Si presidencë, Austria do t’i përmbahet dhe do të jetojë me këtë reputacion dhe do të veprojë me transparencë për të nxitur dialog të hapur dhe konstruktiv si dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta ndaj sfidave me të cilat përballet zona e OSBE-së.

Duke punuar së bashku në mënyrë pragmatike për të adresuar shqetësimet e përbashkëta dhe interesa të tjera të përbashkëta, qofshin këto nxitja e lidhjeve ekonomike ose zbutja e sfidave mjedisore dhe shqyrtimi i kërcënimeve transnacionale, të gjitha shtetet tona mund të përfitojnë nga këto. Nga ana tjetër, dështimi për të bashkëpunuar do ta bëjë të vështirë për ne përgjigjen në mënyrë efektive të sfidave me të cilat ballafaqohemi.

Suksesi i punës sonë të përbashkët ka impakt të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë në sigurinë e të gjithëve.

 

 

Botimi i këtij numri të revistës Europa u bë i mundur falë mbështetjes së Ambasadës së Republikës së Austrisë në Shqipëri dhe Raiffeisen Bank. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e plotë e Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës së Republikës së Austrisë në Shqipëri apo Raiffeisen Bank.
SHPËRNDAJE