- Austria dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të veçantë që shkon shumë pas në histori. Jo shumë vende mund të pretendojnë të kenë pasur marrëdhënie të tilla dypalëshe, që vijojnë prej më shumë se 100 vjetësh. Ishte si fillim Perandoria Austro-Hungareze që ka luajtur një rol vendimtar në momente historike të vështira dhe kyçe të historisë shqiptare dhe këtë traditë e vazhdoi më pas shteti i Austrisë duke e ruajtur dhe zhvilluar më shumë marrëdhënien ndërmjet dy vendeve. Në këtë prizëm, si do ta vlerësonit Ju marrëdhënien e tanishme ndërmjet dy qeverive dhe popujve? A është rritur kjo marrëdhënie?
Unë mendoj se jam me fat që shumë paraardhës të mi kanë qenë dhe studiues të shkëlqyer, që janë marrë me studimin e Shqipërisë, të cilëve unë kam fatin t`i referohem sot. Një prej tyre – themeluesi i albanologjisë moderne – Johann Georg von Hahn ka shkruar 160 vjet më parë në studimin e tij të njohur “Studime shqiptare” rreth mistereve të zakoneve, traditave dhe frazeologjizmave shqiptare, për të cilat, sikurse është shprehur ai vetë, mund të jenë çelësi për ta njohur këtë popull. Shqipëria është akoma një terren i pashfrytëzuar në këtë drejtim. Unë do t‘ia rekomandoja shumë këtë libër kujtdo që është i interesuar të njohë më shumë shpirtin e kombit shqiptar. Për ta përmbledhur mund të them „Po“ kjo marrëdhënie është rritur ndër shekuj dhe është e shkëlqyer në ditët e sotme.
- A mendoni se gjithë ky potencial historik, kulturor dhe ekonomik është shfrytëzuar dhe përmbushur nga marrëdhëniet dypalëshe? A ka ende gjëra të tjera që mund të bëhen për të forcuar dhe zgjeruar forma të tjera bashkëpunimi?
Unë dyshoj se një marrëdhënie ndërmjet dy popujve, shoqërive dhe shteteve përkatëse mund të arrijë të shfrytëzojë deri në kufij potencialet e saj. Gjithmonë mund të identifikohen fusha të reja bashkëpunimi, prandaj ne do të vazhdojmë edhe në vitin 2017 të jetojmë me këtë qëllim. Në këtë kuadër ne kemi përpunuar një plan të hollësishëm vjetor „Action Plan 2017“, i cili është prezantuar dhjetorin e kaluar nga ministrat e Jashtëm përkatës të të dy vendeve, si z. Ditmir Bushati dhe z. Sebastian Kurz. E thënë kështu mund të duket pak burokratike, por është mënyra më e mirë për t’u përqendruar tek arritjet, në mënyrë që t`i materializojmë në vepra. Ky plan veprimi mbulon aktivitete, që nga procesi i aderimit të Shqipërisë në BE deri tek aktivitetet ekonomike, mjedisore, të zhvillimit, emigracionit dhe të fushës së kulturës.
Stolia e parë për këtë vit ishte në datën 2 janar, kur Ansambli Filarmonik i Vjenës solli tingullin karakteristik austriak në Tiranë. Gjithashtu pati dhe një numër vizitash të ndërsjella të rangut të lartë, përmendim këtu atë të ministrave të Brendshëm të dy vendeve dhe të ministrave të Mirëqenies Sociale. Duke qenë se viti 2017 është deklaruar edhe nga Kombet e Bashkuara si „Viti Ndërkombëtar i Turizmit të Qëndrueshëm“, në këtë kuadër edhe ne kemi planifikuar një sërë aktivitetesh jashtë në natyrë, si ngjitje apo aktivitete të tjera malore, të cilat do të shërbenin gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin mbi bukuritë natyrore shqiptare, sidomos tek të rinjtë. Ne kemi rënë dakord me Ministrinë e Arsimit që të përfshijmë në kurrikulat shkollore vjetore një ekskursion që konsiston në ngjitjen e malit të Dajtit për fëmijët e Tiranës. Natyra juaj është një dhuratë e madhe për zhvillimin e sektorit të turizmit në mënyrë sa më të qëndrueshme dhe ekologjike.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, synoj të jemi më shumë të pranishëm me aktivitetet tona, përveç se në veri të Shqipërisë, ku prania jonë atje tradicionalisht është mjaft e fortë, edhe në pjesën jugore të Shqipërisë. Për momentin jemi duke punuar për ngritjen e një Konsullate të dytë Nderi në Vlorë, e cila do të shërbejë si një qendër për aktivitetet tona në pjesët e bukura jugore të Shqipërisë.
- A vazhdon Austria të mbështesë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht të Shqipërisë në BE?
Vërej një angazhim shumë të madh nga pala austriake për rajonin e Ballkanit, që mund të them vazhdon pa ndërprerje në histori. Zona ndërmjet Kroacisë dhe Greqisë, hendeku ballkanas, nëse mund ta quaj kështu, nevojitet të mbyllet. Ne do të vazhdojmë të mos i braktisim fqinjët dhe partnerët tanë në Europën Juglindore. Plani që sapo përmenda parashikon edhe një aktivitet në këtë kuadër si „takimi i miqve të Shqipërisë“, për periudhën e dytë të vitit 2017. Sigurisht do të ishte një ndihmesë e madhe në qoftë se deri atëherë Shqipëria do të ketë bërë progres të konsiderueshëm në procesin e reformave, veçanërisht në sektorin gjyqësor. Me fjalë të tjera: na ndihmoni ne që t`ju ndihmojmë ju!
- Si e vlerësoni Ju situatën politike aktuale në Shqipëri? Çfarë pritshmërish keni për këtë vit të ngarkuar nga pikëpamja politike, në kontekstin e arritjes së progresit të dëshiruar në mënyrë që të hapen negociatat me BE-në.
Është shumë frymëzuese të shohësh dëshirën e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Unë uroj që politikanët e vendit ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të vazhdojnë këtë udhëtim me vendosmëri dhe kurajë. Viti 2017 në fakt do të jetë një vit kyç për Shqipërinë, në kontekstin e mundësive të mëdha por edhe të vështirësive. Fokusi këtë vit mbetet në reformën në drejtësi dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në kohë zgjedhjesh ka gjithmonë edhe rritje tensionesh, siç dëshmojnë aktualisht edhe protestat në Tiranë, por është e rëndësishme të ruhen emocionet dhe të mbahen veprimet nën kontroll, për të pasur një bashkëpunim më të madh ndërmjet forcave politike, por edhe me partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë që duhet të vazhdojë, edhe pas 18 qershorit. Nëse do të shohim zgjedhje të rregullta dhe përparim në reformën gjyqësore, Austria do të mbështesë fuqimisht një vendim pozitiv të BE-së për fillimin e negociatave.
- Investimet austriake në sektorin financiar në Shqipëri janë mjaft të rëndësishme. A mendoni se më shumë kompani austriake do të ishin të interesuara të investonin në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë që të nxitet më tej një gjë e tillë?
Ka mjaft kompani austriake të vendosura në Shqipëri të cilat operojnë në mënyrë aktive veçanërisht në sektorin financiar, të sigurimeve dhe të hidrocentraleve. Sektorë të tjerë të rëndësishëm që shfaqin potencial të lartë në rritje janë bujqësia dhe padyshim sektori i turizmit. Edhe pse akoma në një nivel modest, ne shohim një ngritje të numrit të turistëve austriakë që vizitojnë Shqipërinë. Jam i bindur se ky trend në rritje do të vazhdojë, por duhet pasur parasysh se pushuesit janë të interesuar për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. Shqipëria ka të gjithë atë çfarë i duhet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, duke krijuar përfitime reciproke dhe të gjithë këtë në një atmosferë të sigurt dhe mikpritëse. Për investitorët sigurisht që nevojiten disa stimuj të mëtejshëm, veçanërisht një kuadër i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm ligjor, i cili sigurisht do të shërbente si bazë për investime të mëtejshme.
- Ky vit në Tiranë filloi me një koncert të Ansamblit Filarmonik të Vjenës nën drejtimin e të talentuarit z. Shkëlzen Doli, i cili u realizua me mbështetjen e ambasadës austriake dhe ku vetë Ju z. Ambasador morët pjesë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ky koncert?
Shkëlzen Doli dha një performancë të mrekullueshme, veçanërisht në interpretimin e tij krijues të „Marshit të Radetzk-it“, duke përfshirë elementë simbolikë kombëtarë si „qeleshen“ dhe „një gotë raki“ për nxehje. Mund të them që kjo ishte patjetër një premierë ndërkombëtare. Unë personalisht, nuk kam parë ende në Shqipëri një koncert të tillë, ku turma të ishte aq e vëmendshme. Asnjë zhurmë nga telefonat celularë, pa „selfies“; ishte e qartë që njerëzit ishin të magjepsur thjesht nga magjia e Strauss-it, Lehár-it dhe e Brahms në skenë. Tepër e bukur ishte dhe përzgjedhja me pjesë muzikore shqiptare si shpirti kombëtar shqiptar dhe „Arbëresha ime“. Ajo ishte një mbrëmje koncertale për të mos u harruar.
- Çfarë surprizash të tjera mund të mund të presim këtë vit nga ky bashkëpunim kulturor?
Për këtë vit ne kemi vënë së bashku një program të pasur me koncerte, ekspozita, filma, leksione të nivelit akademik dhe aktivitete të tjera. Risi do të jetë një ekspozitë e një artisteje të talentuar austriake si Deborah Sengl. Veprat e saj do të prezantohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në muajin tetor. Ajo ka krijuar një instalim që kombinon historinë, letërsinë dhe artin bashkëkohor në një stil. Përmes rreth 200 minjve të bardhë, kjo artiste do të vejë në skenë “Ditët e fundit të njerëzimit”, një pjesë e mirënjohur e letërsisë austriake nga Karl Kraus në 44 skena individuale.
Për momentin artisti i njohur multimedial Peter Kogler është duke punuar në një projekt shqiptaro-austriak për zbukurimin e “Sheshit Austria”, në qendër të Tiranës. Ne po presim me endje muajin tetor, pasi në vigjilje të “Ditës Kombëtare të Austrisë”, do të vihet në skenë një koncert klasik nën drejtimin e dirigjentit të shquar Uwe Theimer, i cili do punojë së bashku me orkestrën simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH). Por, përveç muzikës klasike austriake, ne përsëri do të sjellim një grup rrok nga Austria në Tiranë, për të mos lënë pa përmendur festën e planifikuar mbi Falco-n, yllin austriak të muzikës pop. Festivali i këtij viti për të drejtat e njeriut do të fokusohet në temën e radikalizimit dhe do të ketë mbështetje të konsiderueshme austriake, pasi lufta kundër radikalizmit është një nga shtyllat kryesore të presidencës austriake në OSBE. Ndërkohë, në vitin 2018 kemi planifikuar akoma më shumë aktivitete pasi Shqipëria do të jetë në fokusin e politikës së jashtme kulturore austriake, dhe është deklaruar si viti i kulturës austro-shqiptare. Pra, qëndroni vigjilent për më shumë surpriza në fushën e kulturës.
- Pavarësisht nga aspirata e shumë vendeve për të aderuar në BE, situata brenda BE-së shfaqet e pasigurt. Cili është këndvështrimi i Austrisë për gjendjen aktuale në BE? Çfarë nënkupton kjo situatë për procesin e zgjerimit?
Le të jemi të sinqertë, 2016 ka qenë një vit katastrofik për Bashkimin Europian dhe për këtë të gjithë ne duhet të nxjerrim mësimet e duhura. BE ka nevojë për punë të vazhdueshme dhe angazhim për të mbështetur projektin paqësor më të suksesshëm të parë ndonjëherë në historinë e Europës. Mos të harrojmë çfarë kishim përpara se të ishte BE, një mijë vjet luftë ku kombet përplaseshin dhe luftonin kundra njëri tjetrit. Pra, koha e mbrojtësve të vakët të Europës ka mbaruar, tani është koha për të luftuar për bindjet tona dhe arritjet tona. Ajo çfarë i nevojitet BE-së në këtë kohë është të ndalojë lojën e fajit, të fokusohet në gjërat thelbësore si siguria, gjenerimi i vendeve të punës dhe të mos imitojë populistët. Siç dëshmuan dhe zgjedhjet presidenciale austriake, populistët mund të mposhten, por vetëm nëse përballesh me ta, jo t`i imitosh ata.
Pra, me probleme të tilla të brendshme themelore në duart tona, patjetër që ka pasur kohë më të mira për zgjerimin. Por do të ishte dritë-shkurtër nga ana jonë të humbasim vëmendjen nga rajoni i Ballkanit, pasi këto vende rrezikojnë të humbasin vrullin në modernizimin e tyre dhe do të bëhen të cenueshme nga aktorë të tretë, të cilët nuk vijnë gjithmonë me qëllime dashamirëse. Dhe e fundit por jo nga rëndësia: braktisja e këtij rajoni do të ketë pasoja negative për sigurinë dhe prosperitetin tonë, pasi mungesa e qëndrueshmërisë në “oborrin e shtëpisë” sonë do të reflektojë efekte negative edhe tek ne. Siç e vuri në dukje edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, gjatë udhëtimit të saj të fundit në Tiranë: “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë pjesë e Europës, dhe ne duam që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt”.
- Edhe në vendin tuaj ka pasur një ndjenjë të euroskepticizmit në rritje. Deri tani duket sikur është përmbajtur. A mendoni se kjo do të shfaqet si sfidë afatgjatë për Austrinë?
Për arsye të ndryshme ne kemi parë gjatë viteve të fundit një shterim të besimit si në nivel europian, ashtu edhe në nivel kombëtar. Këtu kanë pasur ndikim të madh efektet e globalizimit, të cilat kanë çuar në një krizë të demokracisë dhe të qeverisjes në përgjithësi, pasi liderët e zgjedhur në nivel kombëtar nuk janë në gjendje të zgjidhin sfida, të cilat janë të natyrës ndërkombëtare. Kjo mungesë qartësie dhe besimi brenda BE-së për drejtimin e së ardhmes, ka forcuar lëvizjet populiste në shumë prej vendeve tona, duke përfshirë Austrinë. Pro-europianët ndjehen të sfiduar në dhënien e përgjigjeve të qarta dhe të kuptueshme të cilat nuk mund të përqendrohen sërish në të njëjtat gjëra, por në sjelljen dhe arritjen e besimit. Populizmi mund të mposhtet, por kjo kërkon koncepte të reja dhe të qëndrueshme. Përshtatja e politikës me një shoqëri që është në një ndryshim gjithnjë e më të shpejtë dhe gjetja e zgjidhjeve të zgjuara – mund të jenë ato të lidhura me ngrohjen globale, çështjet e migracionit, revolucionin industrial 4.0 dhe papunësinë e të rinjve – janë dhe do të jenë detyrat kryesore të politikës sonë edhe për shumë vite. Koha e europianëve të vakët ka përfunduar.