Nils Daniel Carl Bildt është një diplomat dhe politikan suedez, i cili ka mbajtur postin e Kryeministrit të Suedisë nga 1991-1994.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian befas janë zgjuar përballë realiteteve të reja në Ballkan. Në një takim të paradokohshëm, ata theksuan domosdoshmërinë për rritjen e angazhimit të BE-së për të ruajtur qëndrueshmërinë – dhe për të zmbrapsur ndikimin rus – në rajon.

Por situata gjeopolitike e vendeve ballkanike nuk duhet të jetë surprizë. Çarjet post-osmane – të zgjatura nga Bihaçi në qoshen veriperëndimore të Bosnjës në Basra bregun e Gjirit Persik të Irakut – kanë qenë përsëritshëm burim paqëndrueshmërie rajonale dhe botërore që prej rënies së perandorive të vjetra një shekull më parë.

Kur perandoritë habsburge dhe osmane u shembën në fund të Luftës së Parë Botërore, u bënë përpjekje për të themeluar shtete kombe moderne në Ballkan, pavarësisht larmisë kulturore dhe kombëtare të rajonit. Që atëherë nacionalizmi herë-pas-here është përplasur me mozaikun e vazhdueshëm të jetës qytetare të rajonit, duke ndezur konflikte të njëpasnjëshme.

Jugosllavia, ashtu si shtetet kombe që u themeluan në Levant dhe Mesopotami, u krijua për të kontrolluar këto kundërthënie politike; por mizoritë – në Smirna, Srebrenica, Sinjar dhe gjetkë – ngelën një tipar i vazhdueshëm i jetës pas-perandorake.

Jugosllavia u shemb në fillim të viteve 90-të, duke shkaktuar një dekadë luftërash të ashpra nga Kroacia në Kosovë. Dalja e shtatë shteteve të reja – dhe shpesh kundërshtare ndërmjet tyre – e bëri të qartë që qëndrueshmëria rajonale do të varej nga një strukturë e re, përkatësisht, BE. Për shkak të suksesit për zgjidhjen e konflikteve të tjera të vjetra kombëtare, BE u ngarkua të përafronte ndarjet e zgjatura kombëtare të rajonit dhe të qetësonte konfliktet e tij etnike.

Në një takim të BE-së në Selanik në vitin 2003, përfaqësuesit solemnisht u zotuan t’i sillnin brenda bllokut si vende anëtare të gjitha vendet e Ballkanit. Ai premtim do të ishte aq i vështirë për t’u mbajtur saç ishte i rëndësishëm për t’u bërë. Kur problemet e ngutshme të Ballkanit ishin zbehur, udhëheqësit e BE-së nënkuptuan se ata kishin siguruar paqen për rajonin. Këtej e tutje, qasja e tyre e pandryshuar ndaj Ballkanit thelbësisht nënkuptonte ruajtjen e status quo.

Pasi Jean-Claude Juncker (Zhan-Klod Junker) u zgjodh President i Komisionit Europian në vitin 2014, ai ripohoi status quo-në duke deklaruar se BE-ja nuk do të ketë asnjë zgjerim të mëtejshëm gjatë mandatit të tij pesëvjeçar. Thënia e Juncker-it ishte teknikisht e saktë, por politikisht shkatërrimtare. Tashmë që drita që kishte drejtuar ndryshimet dhe përpjekjet përfshirëse ishte shuar, nacionalizmi në rajon, ashtu siç ishte parashikuar, filloi të ngrihej përsëri. Dhe BE, ndërkohë, u fiksua me problemet e saj të vazhdueshme financiare, si borxhi kombëtar i vendeve anëtare.

Kam kaluar një kohë të gjatë në Ballkan në vitet pas Luftës në Bosnje. Isha i dërguari special i BE-së në ish Jugosllavi, më pas bashkëkryetar i Konferencës së Paqes në Dejton, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe përfundimisht i dërguari special për Ballkanin i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, kur u ktheva në Bosnje në një vizitë jozyrtare, dikush më pyeti nëse lufta do të rikthehej në rajon. Në fillim, e largova pyetjen. ‘’Në asnjë mënyrë’’ u përgjigja. Por më pas të tjerë vazhdonin të më bënin të njëjtën pyetje; me herën e pestë fillova të isha i shqetësuar.

Kam qenë i saktë kur thashë që luftërat e viteve 90-të nuk do të rikthehen; kushtet sot janë shumë ndryshe nga ato që ishin në atë kohë. Por, ashtu siç kemi parë shumë here më parë, individë kokënxehtë mund të shpërthejnë zjarre që vështirë të mbahen. Një herë e një kohë në Sarajevë, një person i vetëm i quajtur Gavrilo Princip shkaktoi një luftë botërore kur vrau Arkidukën Franz Ferdinand të Austrisë. Sot, rajoni gradualisht po bëhet më i ndezshëm, dhe një shkëndijë tjetër mund ta ndezë, ndoshta këtë herë në Shkup.

Kështu që çfarë duhet bërë? Për Europën e vetmja rrugë përpara është të theksojë fuqitë e saj përmbajtëse, ndërkohë që përshpejton përfshirjen europiane. Për të drejtuar rreziqet e reja në Ballkan, BE duhet të dëshmojë që ka vullnetin dhe mjetet për të vepruar, duke vendosur grupe luftimi të BE-së për të bërë stërvitje ushtarake në rajon. Kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm që forcat e saj ushtarake nuk janë tigër prej letre dhe që është e aftë të përdorë më shumë se sa fjalët.

Zgjerimi i mëtejshëm i BE-së është gjithashtu i domosdoshëm. Me vetëm Slloveninë dhe Kroacinë që i janë bashkuar bllokut deri tani, sigurimi i anëtarësimit për vendet e mbetura të Ballkanit dukshëm do të kërkojë kohë. Por ndryshimet e domosdoshme për t’i bërë këto vende të mundura për anëtarësim mund dhe duhet të përshpejtohen, dhe ndërkohë hapat të kenë besueshmëri nga popujt e rajonit.

Për shembull, duhet të përsëritet Partneriteti Lindor i BE-së duke krijuar një Partneritet ballkanik, ndërkohë që mbahet në tavolinë anëtarësimi. Në të njëjtën kohë BE duhet ta rrisë angazhimin e vetë politik në rajon. Mund të fillojë duke ndërmjetësuar grindje të vogla të ngelura kufitare, në mënyrë që këto të mos lejohen të përkeqësohen.

Bashkimi Europian, në të folurin e sotëm, ka një problem frekuence: sfidat e saj janë shumëfishuar vitet e fundit, ashtu siç janë dhe takimet për t’i zgjidhur ato. Por udhëheqësit europianë kanë një zgjidhje të qartë në Ballkan: ose merru me problemin, ose prit që problemi të merret me ty.  

 

SHPËRNDAJE